Romani nis me epigrafin “Çdo përngjasim me persona apo ngjarje konkrete nuk është i rastësishëm” dhe duke e përmbysur formën origjinale të stërpërdorur të shmangies së ngjashmërisë me realitetin. Rrëfimi i Çapalikut mbart personazhe dhe ngjarje të njohura në jetën urbane të Shkodrës, të mbrujtura me frymën e rrëfimeve me të cilat këto subjekte ishin veshur nga rrëfimi dhe rirrëfimi paratekstual dhe letrar. Megjithatë, në roman nuk kuptohet qartë se ku fillojnë e përfundojnë realja, imagjinata kolektive dhe ajo personale e shkrimtarit. Eleganca e rrëfimit mbështetet edhe në moskuptimin e këtij kufiri, duke përforcuar fuqinë e rrëfimit si prirje e gjithëhershme e njeriut, si nevojë primordiale.
Në këtë rast, personazhi i Pol Gjakovës dhe ai i Klara Dedës, si dhe i figurave të tjera rreth tyre, veç pak dallojnë fonetikisht nga personat realë, që dëshmon se autori jovetëm që nuk ka frikë se mos kuptohet se vepra e tij është shëmbëlltyrë e realitetit, por madje e synon këtë identifikim, duke e bërë romanin edhe një lloj homazhi për këto figura ekscentrike, origjinale të jetës së qytetit e që kanë krijuar gati një mitologji moderne.
Loja postmoderne e rrëfimit të asaj që është rrëfyer pafundësisht dhe krijuar e rikrijuar edhe para vetë autorit, e bën rolin e artistit sa interesant aq edhe të rrezikshëm, pasi kur në pavetëdijen kolektive rrëfimet futen në një formë të caktuar, refuzohet pranimi i çdo varianti tjetër. Tejkalimi i një sfide të tillë me elegancë dhe duke ruajtur masat e duhura në trajtimin e temave, në paraqitjen e alegorisë (shfaqja, teatri si rebelim shpirtëror ndaj sistemit), në aksionin e ngjarjes dhe në gjendjet e personazheve; realizohen vetëm përmes një kujdesi të veçantë për të ruajtur masën. Ruajtja e masës zbatohet edhe kundrejt lexuesit, pasi asnjëherë autori nuk abuzon me përkushtimin dhe kohën e tij.
Mendonte se dashuria ishte çelësi i gjithçkaje… Keqkuptim ky, që në përgjithësi shoqëron një të ri të dashuruar marrëzisht. Ajo s’kishte si ta merrte me mend, se në kokën e Pol Gjakovës ekzistonte edhe një dashuri tjetër, një agape, një dashuri për gjithçka, për të gjithë, për botën… Në këtë pasazh kondensohen dy dashuritë, që e konsumojnë me intensitetin e tyre Pol Gjakovën dhe që çojnë përpara rrëfimin në vepër.
Fryma e tërë qytetit pushtohet nga koncerti i Pol Gjakovës, i cili arrin të shndërrohet në obsesion për të gjithë personazhet e përfshirë dhe së fundmi kaplon hipnotikisht të gjithë qytetin. Ideja e metaforës së artit si rebelim kundër pushtetit totalitar dhe ngurtësisë së tij, fryma e mistikës në nevojën e të gjithëve për artin dhe të bukurën, si nevojë e pashpjegueshme dhe universale, kontrasti mes kaosit që sjell forca e artit në jetën e pjesëmarrësve në shfaqje dhe rregulli i jashtëm që synon uniformitetin, janë pjesë e motiveve të romanit, të paraqitura edhe këto në masën e duhur, në formë aludive dhe jo përfundimtare. Gjendja e ethshme e tërë personazheve që i kaplon magjia e shfaqjes është në qendër sidomos të kapitujve të parë të romanit.
Alegoria nuk rëndohet me fshehje torturuese, por shpërfaqet përmes shenjave që i jepen lexuesit, një tjetër hollësi që përforcon artin e hollë të ruajtjes së masës. Mund ta kuptojmë në fjalët e Dhimitër Dines, një jugor i emëruar nga sigurimi në Shkodër Çfarë e çmendte atë për shembull, ishte dëshira e marrë e këtyre njerëzve për t’u marrëme art, me muzikë veçanërisht. Nuk arrinte të kuptonte sesi një gjysëmpsikopati si Pol Gjakova, i shëmtuar, si një kalë gërdallë, të arrinte të mblidhte pas vetes djemtë, dhe mbi të gjitha femrat më të bukura të qytetit. Ata, por jo vetëm ata, krejt qyteti i bindej atij si të qe perëndi. Mendja e kufizuar e Dines nuk mund ta kuptojë si arti mund të ndryshojë jetën e njeriut, apo si nevoja shpirtërore mund të jetë më e fortë se gjithë pengesat e rendit material. Ai mund t’i mbante gjithë natën në prova dhe ata pastaj të shkonin në mëngjes në punë, të pagjumë, të pangrënë dhe pa u ndjerë aspak si të përdorur. Kulmi.
I përkorë si stili i Çapalikut në këtë roman, është edhe personazhi kryesor, Pol Jakova me pamje aristokratike dhe me natyrë të mbyllur, i cili edhe dashurinë e marrë për Klarën nuk arrin dot ta artikulojë dhe banalitetin e seksualizimit të saj nga meshkuj të tjerë e refuzon me heshtjen dhe apatinë e tij. Ekscentrik dhe njëherësh i pëlqyer nga i gjithë qyteti, ai nuk përfiton dhe as e ndjen “stardom-in” e tij, përkundrazi zhytet në procesin e punës dhe krijimin e tij e barazon me vetë ekzistencën.
Boshi i tij pas realizimit të premierës është veçori e artistëve të mëdhenj, që nuk e shohin artin si aksesor në jetën e tyre, por veten dhe ekzistencën vetjake e shkrijnë me krijimin. Pra duhet ta mësosh veten, se mbas premierës duhet shkuar në shtëpi. Hahahahaha, kulmi! Më mirë të vdesësh sesa të shkosh menjëherë në shtëpi. Aty fillon epoka jote prej urithi dhe kjo nuk durohet më. Nis e përditshmja jote prej tenje. E përditshmja është e padurueshme.
Gjendja e turbullirës mendore që e çon Polin drejt vetëvrasjes, nuk përshkruhet me thellësi për mendimin tim, por duhet kuptuar, që estetika e autorit shkon harmonikisht me tërësinë e romanit, ku mosteprimi me cilëndo temë, do thoja se është princip themelor. Megjithatë, shkaqet janë të qarta, boshi i artistit pas realizimit të veprës me të cilën e ka barazuar qëllimin e ekzistencës së tij dhe dashuria obsesive, që vuan nga paaftësia e tij për të komunikuar ndjenjat e tij përveçse muzikalisht, që ngarkohet me thashethemet e pavërteta për Klarën dhe xhelozinë e sëmurë që ai nuk ia pohon as vetes së tij.
Lind kështu engjëlli i veshë me frak, një krijesë naive, që jeton jashtë banalitetit të domosdoshëm për të siguruar ekzistencën në një kohë ku, si kafsha, instinktivisht, duhet të kesh përvetësuar cilësitë e përshtatjes dhe të kesh kuptuar armët e tua dhe vendin në zinxhirin ushqimor. Ndërgjegjja e njeriut në kohë të tilla nuk ka sesi të mos jetë e rënduar dhe romani përforcon disa momente ku gjatë rrëfimit jepet pesha, që ndjen Maestro në ndërgjegje për shkak të persekutimit të të tjerëve rreth tij.
Do ia çoj Mihali Dardelit, që t’i qepi një frak me rastin e premierës. Sot Maestro ishte edhe më i zbehtë se asnjëherë tjetër. Po ndodhnin gjëra të çuditshme te truri i tij. Po i bashkoheshin sendet, jeta ishte diçka tjetër nga arti, apo jo? Si një engjëll veshë me frak. Titulli nuk është arbitrar, autori e lidh rrëfimin me të, disa herë gjatë romanit.
Përgjithësisht, në romanet e Çapalikut ka një interes të veçantë për frymën e qytetit, që shprehet sa në mbrujtjen e subjekteve nisur nga histori të dëgjuara, gjallimin e personazheve që e krijojnë këtë frymë, por nga ana tjetër kërkimi i diçkaje përtej aspektit social të ngjarjeve, që do të shprehet nga ardhanaku Dine. Prandaj Dhimitër Dine qe fiksuar që ta zbulonte me çdo mënyrë këtë mekanizëm të çuditshëm metafizik. Ai po përpiqej të kuptonte këtë qytet ose më mirë të thuash Qytetin me “Q” të madhe. Shihej qartë se ishte inercia, gjendja e tij në lëvizje, që pavarësisht forcës ndaluese të komunizmit, vazhdonte të prodhonte dinamika nga më të çuditshmet.
Njësoj si fraza e tij nuk rëndohet nga manierizmi dhe hiperfigurativiteti (shyqyr o Zot!), ashtu edhe tragjizmi dhe pesimizmi për kohën më të zymtë të Shqipërisë nuk e kaplon rrëfimin, i cili mbushet me komizëm, mirëdashje ndaj personazheve e tallje ndaj të tjerëve (vullnetarja e hekurudhës), humor dhe lehtësi, dashuri dhe pse jo edhe thashetheme. Nuk është turp të vendoset në qendër të romanit jeta në komunizëm, jeta dhe përditshmëria, e cila ka tragjizmin, padrejtësinë, shtypjen, shtrembërimin e njeriut e gjithçka tjetër, që bëri dhe vazhdon të bëjë përmes pasojave të tij komunizmi në Shqipëri; por nga ana tjetër të tregohet edhe jeta dhe çastet kur njeriu ia ka dalë të jetë i lirë në format e shpikura prej tij në kësi rrethanash, të tilla si kjo shfaqje që elektrizon romanin. Edhe pse më vonë të gjithë pjesëmarrësit në të do të pasohen nga dënimet, për një moment liria arrihet.
Jam veçanërisht e tërhequr nga raste kur shkrimtari përmes një skene në miniaturë arrin të tregojë gjithçka për sistemin, kohën dhe psikologjinë njerëzore. Për shembull një skenë e tillë më kujtohet përherë nga “Lehtësia” e Kunderës, kur në lokal Tereza ndërvepron me disa forma të pushtetit mbi të, të mishëruara nga meshkujt. Në romanin e Çapalikut, për mua, një skenë e tillë e ngjashme nga fuqia e kondensimit të kuptimit është ajo ku Dh. Dine vendos të shkatërrojë Dianën.
Ose ta linte Dianën të lirë të shkonte dhe vetë të mbetej në kornizën e një vagabondi ordiner, që kishte dashur të shfrytëzonte pozitën për të futur në dorë një vajzë, ose të merrte pozicionin zyrtar dhe ta çonte deri në fund maskarallëkun e vet. Dhe Dhimitër Dine vendosi të bënte të dytën.
Si forca e pushtetit, ashtu edhe kompleksi mashkullor shpërfaqen në një skenë tepër të shkurtër, shumëçka tjetër lexuesi mund ta marrë me mend. Dhe po, ky është një roman që e ruan masën edhe sepse e lejon lexuesin “të marrë me mend”, të aludojë, hamendësojë, kuptojë dhe përfytyrojë.