Si shpërbëhet një komb?

0
529
L'Albanais de poche

“Pushtuesi grabit çdo gjë të çmueshme nga vendi i pushtuar dhe i ndalon popullit çdo veprimtari, që do të ndikonte në vetëdijesimin e tij, madje edhe shkollën dhe gjuhën e vet. Vetëm një mësim ia jep falas. Nëse nuk e dëshiron, e detyron me dhunë për ta marrë. Ai mësim është religjioni… Pastaj kleri i kombit të pushtuar kujdeset për t’ia gërditur popullit të vet vetveten “primitive”, për t’u asimiluar në pushtuesin e “qytetëruar”, që e ka dhunuar në shtëpinë e vet…” 20.11.2019, Lis Bukuroca

Lis Bukuroca

U ofrohet platformë njerëzve që shkaktojnë huti dhe që thyejnë tabu. Hidhen ide që shtangin. Shahen, kërcënohen, etiketohen pa pushim. Rugova tradhtar, Qosja patriot. Rugova patriot, Qosja tradhtar. Kjo gjendje në shoqëri flet për kaosin në realizim, në përfundim e sipër.

Sot nuk kemi një armik nga i cili ndjehemi të rrezikuar, prandaj kemi shpallur armiq kryesor gjuhën shqipe, historinë shqiptare dhe kombin shqiptar. Tre faktorë kryesor, që garantojnë mbijetesën e një shoqërie me tipare të dallueshme nga të tjerët, që ne quajmë komb. Gjuha shqipe nuk qe ndaluar nga Serbia, as nuk kërkonte ta ndryshojmë. Madje gjatë pushtimi serb, respektonim gjuhën më shumë se sot. Për inat të tyre. Historia shqiptare qe ndryshuar apo ndaluar nga Serbia dhe Maqedonia. Emrat Gjergj e Kastriot, ishin në listën e emrave të ndaluar. As osmanët, as serbet nuk kanë kërkuar të mos quhemi shqiptar, edhe pse njëri na quante “arnaut” në gjuhën e vet, tjetri me përbuzje “shiptari.” “Intelektualët” tanë kanë shkuar më larg se ish-pushtuesit. Kanë më shumë guxim sepse njohin kombin nga brenda dhe sulmojnë nga brendësia deri në implozion.

Paragjykimi se shqiptarët kur nuk kanë me kë të vriten, vriten në mes vete, këtyre viteve së paku në aspektin psikologjik, po dëshmohet. Kundërshtarët e historisë, kundërshtarët e gjuhës, ithtarët e kombit kosovar, nuk marrin parasysh pasojat e kësaj përçarje, por destruksionin e tyre e cilësojnë si akt patriotik. Për të ndërtuar një ndjesi kombëtare me vlera tërësore, të përbashkëta, një identitet kolektiv, nevojiten disa dekada, ose shekuj, për ta rrënuar, më pak se një dhjetëvjeçar. Çdo komb ka kodet e veta dhe një tërësi vlerash, që konsiderohen si të shenjta. Ato mund të rrahen nga të gjitha anët nga specialistë të fushave përkatëse: analizohen, bëhet debat, polemizojnë në mes vete derisa të kristalizohen mendimet në dobi të një etnie, që pastaj në trajta të ngurtësuara, na shfaqen në librat shkollorë.

Disa paradigma konsiderohen të shenjta dhe nuk prashiten as nga ekspertët e atyre fushave, aq më pak nga gazetarë e publicistë. Kjo bëhet për të shmangur çrregullimin e plotë në ndërgjegjen e një kombi, kur mund të zhbëhet dhe degradohet sedra kolektive, që mban një shoqëri të njësuar. Si tabu konsiderohen në Europë ndryshimi i emrit të kombit dhe nuk gjendet asnjë etni, që do ta bënte këtë. Aq më pak, të krijojë komb duke u bazuar në një etnonim me zanafillë nga gjuha e ish-pushtuesit. Në Kosovë janë disa dashnorë të pasionuar të kësaj ideje. Tito nuk mundi të ndërtojë komb jugosllav, as Bossi në Itali kombin padanez. Disa kosovarë, shpresojnë. Shpresojnë sepse në emër të demokracisë banale, u falet hapsirë, dëgjueshmëri dhe shikushmëri.

Nuk u kursye as gjuha. Gjuha ka një dinamizëm të brendshëm dhe është në gurgullimë të vazhdueshëm qoftë në fonetikë, qoftë në morfologji, sintaksë ose në leksikun e përgjithshëm. Mund të pasurohet, por jo të ndryshohet. E treta që fut në një kornizë një komb dhe e bën të dallueshëm nga tjerët, është historia dhe ndërtimi i së tashmes, si përthyes i së ardhmes.

Kombi shqiptar tek ne sulmohet në substancë: në tërësinë shqiptare, në emërtim, në gjuhë dhe në histori. Heterodoksia duket e shkapërderdhur, sepse protagonistët e saj nuk sulmojnë nga e njëjta llogore, por rezultatin do ta kenë të përbashkët: rrënimin e sedrës kolektive dhe të mendimit shqiptar. Ata janë shfaqur në të njëjtën kohë dhe ecin paralelisht. Kur ta kenë krijuar kaosin e përkryer, do të shfaqen si klasikët e marksizmit dhe do t’ i grahin tufës skajshmërisht të pëçarë, në drejtimin që dëshirojnë vet.

Vet fakti se marrin guximin të kërkojmë ndryshimin e emrit të kombit, vet fakti se kërkojnë rrënimin e gjuhës, vet fakti se kërkojmë të ndryshojmë historinë duke u bazuar në gjykimet e sotshme, flet se ne jemi të dominuar nga mendësia fisnore dhe për këtë, shumë herë nuk jemi të vetëdijshëm, përndryshe nuk do të shpërndanim leksione se si duhet të ndjehen, çfarë duhet të besojnë dhe si duhet të flasin miliona shqiptarë. Tutorizëm të tillë kanë nevojë njerëzit që gjykata u ka pezulluar apo anuluar aftësinë juridike dhe kanë nevojë për kujdestari.

Në Perëndim zakonisht me sedrën kombëtare, nuk merren gazetarët apo poetët, që nuk kanë shitur as dhjetë libra, por historianët, gjuhëtarët apo Akademia, si në Francë. Me një fjalë, specialistët. Njeriu i qytetëruar para se të kërkojë ndryshimin e tërësisë nacionale, sedrës kolektive, duhet të përpiqet ta ndryshojë veten. Tërësia nuk ekziston për njësinë, por njësia është pjesë përbërse e saj dhe duhet të shkrihet në të.

Askund në botë gjuhët letrare nuk bazohen në numrin e lokutorëve. Kjo shihet në gjuhën gjermane, në gjuhën italiane, frënge, madje edhe tek serbet dhe maqedonët. Kudo gjuha letrare është imponim jodemokratik. Me të drejtë. Nuk mund të pyeten barinjt si duhet të duket gjuha, por kashta, sana e tërfili i ledinave. Çdo ekspert, në fushën e vet. Çdo gjuhë ka një qendër dhe një regjion, por askund nuk përfshin shumicën, por pakicën e popullit.

Madje më pak se dhjetë për qind. Parisi për Francën. Hanoveri me rrethinë për gjermanishten. Italianët nga veriu dhe jugu nuk kuptohen nëse flasin dialektin, por gjuha italiane e bazuar në toskanishten, krijon dhe mundëson një kohezion duke prodhuar krenarinë kombëtare italiane. Në tv perëndimore nuk mund të dëgjohen njerëz, që flasin një dialekt, por ata që zotërojnë standardin dhe fonetikën e gjuhës. I detyron ligji.

Kakofonia se Enver Hoxha krijoi shqipen, (duhet t’ i përkulemi për këtë me falenderime dhe mirënjohje, sepse bazuar në gjenin tonë të bajraktarizmit, do ta njësonim gjuhën diku në vitin 3972, ashtu siç krijuam alfabetin më shumë se 2000 vite pas fqinjëve tanë romak dhe grek) bëhet për ta bërë gjuhën më të urrejtshme dhe për ta prishur edhe atë që na definon si komb i qytetëruar.

Mendësia tribale që kemi dhe zotërojmë deri në përkryeshmëri, na udhëzon të kërkojmë gjuhë sipas dëshirave individuale, histori sipas dëshirave individuale, komb sipas dëshirave individuale, pa menduar se mund të shfaqet grupi tjetër, që nuk pranon ndryshimin dhe përplasemi në një kaos, nga mund të na nxirrte dhe mbushte mend, vetëm një njeri si Enver Hoxha.

Ne nuk pranojmë rregulla, normëzime që nuk kanë përfshirë edhe lagjen tonë, fshatin, krahinën. Ata mendojnë se gjuha duhet të jetë rezultat i shumicës, si askund në botë. Sepse për gjuhën vendosin gjuhëtarët dhe shkrimtarët e mëdhenj, jo ata që nuk janë të detyruar ta zotërojnë, që nuk lexojnë, që nuk blejnë libra dhe që nuk merren me shkrime.

Nëse nuk arrijmë ta ndryshojmë gjuhën, atëherë mund ta korrigjojmë historinë. Ta zëmë se konsiderojmë Skënderbeun tradhtar, e atëherë? Natyrisht se nuk do të ngelemi pa histori, por do të na sillen personalitete të reja, si sulltan Murati, Mehmeti dhe pasuesit e tyre. Pra do të na sillen personalitete që kanë vrarë shqipfolës krishterë – vrasja qenka e mirë në baza fetare, si në një shtet teokratik- por edhe muslimanë në kryengritjet e mëvonshme. A do ta pranojnë këtë shqiptarët ateist, angnostik, ortodoksët, katolikët, muslimanët që nuk mbështesin idetë e tyre, (…këta mund të flasin në emër të vet, por jo në emër të popullit.)

Nuk mund të besohet. Pas rrëzimit eventual të Skënderbeut edhe këtu do ta kemi kaosin e përkryer dhe klasikët e kësaj ideje, pas rrënimit, do të shfaqen si shpëtimptarë dhe interpretues dhe shpjegues të rrugës së re duke i grahur tufës pas. A do të pasojë ndarja në kantone apo republika si në Bosnjë, vështirë të parashikohet, por me siguri mund të thuhet se do të krijojë një destabilizim të brendshëm dhe huti dhe kokëvarje kolektive. Një klub, një shoqatë, një fshat, mund të kenë personalitete vetjake, por jo një komb.

Asnjë komb në Europë nuk merret aq intensivisht me çrrënjosjen e vetvetes si tek ne. Skënderbeun duhet ta urrejme pse paska pasur nënën sllave, pra jo gjak të pastër shqiptar (përshëndetje nga arena raciste dhe fashiste), por kombin e ri duhet ta krijojmë me një etnonim serb. Kjo nuk ndodh tek asnjë komb në botë. U bëmë gazi i botës!

Për gjuhën shqipe nuk mund të vendosë populli, sepse gjuha standarde askund nuk i kushtohet shtresave me arsimim inferior, por një shtrese të ngritur, që pranon norma dhe krijon një ndërlidhshmëri nacionale. Çdo njeri mund të shkruajë sot në dialektin e vet, por vetëm gjuhëtarët dhe shkrimtarë e mëdhenj duhet të na mësojnë normëzimin e gjuhës. Shqiptarizmi, sedra kolektive shqiptare, nuk duhet t’ i nënshtohet dëshirave të mia, por unë duhet të pranoj dhe nënshtrohem të mirës së përgjithshm, interesit nacional, për të shmangur zhbërjen e tërësisë shqiptare.

U ofrohet platformë njerëzve që shkaktojnë huti dhe që thyejnë tabu. Hidhen ide që shtangin. Shahen, kërcënohen, etiketohen pa pushim. Rugova tradhtar, Qosja patriot. Rugova patriot, Qosja tradhtar. Kjo gjendje në shoqëri flet për kaosin në realizim, në përfundim e sipër. Nuk është tradhtar as Rexhep Qosja, as Ibrahim Rugova. Janë atdhetarë me vepër, me të meta, si çdo njeri, por personalitete ndër më të mëdhat dhe më të rëndësishmet në historinë shqiptare. Çdonjëri ka dhënë kontributin e vet në mënyrën që ka zotëruar më së miri.

Si tërësi shqiptare kemi përfituar nga ekzistenca e këtyre dy personaliteteve. Vlera e njeriut në një shoqëri, nuk mund të matet me bindjet fetare, por me kontributin në sedrën dhe sigurinë kolektive. Për t’ i defaktorizuar rrënuesit, rruga më e mirë është injorimi absolut i tyre. Nëse për gjuhën, për emrin e kombit dhe për historinë, pyeten gazetarët, jo speicialistët, atëherë edhe për terapinë nëpër spitale, le të vendosin ata, jo mjekët.

Publikuar në:
Gazeta DITA
Gazeta TRIBUNA

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.