Diamanti i Janinës, Ali Pasha 1741-1822 – nga Uiliam Plomer

0
156
Diamanti i Janinës - nga Uiliam Plomer

[ Shkarko librin: Diamanti i Janinës, Ali Pasha 1741-1822 – nga Uiliam Plomer ]

DY FJALË NGA PËRKTHYESI

Unë isha azilant politik në një kamp azilantësh në Sjælland, Danimarkë. Ishte qendra e grumbullimit të azilan­tëve në Sandholm. Aty kishin edhe një Bibliotekë me libra për azilantët. Duke shkuar herë pas here aty, për të marrë libra, më ra në sy “The Diamond of Janina – Ali Pasha 1741-1822”. Dhe e mora për ta lexuar, e më pas vendosa, për ta përkthyer. Dhe ja ku jemi. Ky është libri, që ju po lexoni.

Përkthimin e kam përfunduar në Kopenhagë aty rreth vitit 2000, por e rishikova për gabime të mundshme dhe e bëra gati për publikim në PDF, tani në shtator 2023.

Që në titull, Ali Pasha quhet diamant nga autori i lib­rit, Uiliam Plomer, nisur nga një thënie e Aliut për veten e tij në ditët e fundit në Kastro. Aliu ishte vërtetë një figurë mjaft komplekse dhe intriguese, e pajisur që në gjenezë me cilësitë e një burri dinak, të egër, të fuqishëm e të pabesë, që jetoi në kohën e tij si dinjitar turk, përmes hajnisë, luftërave grabitqare e pabesisë. Qëllimi kryesor i tij ishte paraja e pushteti, dhe ai përdori çdo mjet për t’i siguruar këto, duke sunduar pothuajse gjithë Greqinë e sotme dhe jugun e Shqi­përisë, bashkë me djemtë e nipat e tij.

Ashtu me vrull e filloi dhe e ndërtoi jetën Aliu, po ashtu me vrull i shkoi edhe jeta atij, me luftëra e krime, derisa e vranë në janar të vitit 1822. Kokën ia prenë dhe ia dërguan në Stamboll! Dhe kënga më pas vazhdoi: “koka në Stamboll, e trupi në Janinë,/ të vranë Ali Pasha, të vranë…”

Në këtë libër trajtohet me mjaft mjeshtëri jeta e Ali Pashës, intrigat e këtij diamanti të pamëshirshëm e brutal, dhe në fund vrasja e tij. Jeta ishte e ashpër në ato kohë, në Shqipërinë turke, dhe në Janinën turke. Por edhe në Europë, ku sundonte Perandori Napoleon Bonaparte dhe mbretëre­sha e Anglisë Victoria. Të gjithë të uritur për të kapur diçka për vete, ashtu si Aliu.

E veçanta në këtë histori ishte, se Aliu nga një fshatar i paditur i Tepelenës, nga një njeri zero, u bë politikani më i madh dhe më me influencë i kohës në atë zonë dhe ngjalli interesin edhe të kancelarive të mëdha, si ajo angleze e franceze. Ai u bë aq i fuqishëm, sa rrezikonte edhe Portën e Lartë, por nuk diti ta shfrytëzojë si duhet pushtetin dhe for­cën e tij, për të krijuar një shtet shqiptaro-grek të pavarur. Por e ndihmoi revolucionin grek, që filloi në ato kohë (1822) me vdekjen e tij, dhe Greqia u pavarësua disa vjet më vonë, me kontributin e madh edhe të shqiptarëve, arvanitasve.

Në planin kombëtar, Aliu nuk luajti asnjë rol, pothuaj­se, ndoshta ngaqë edhe origjinën e largët e kishte nga një dervish endacak jo shqiptar. Si figurë e madhe historike, ai u identifikua si shqiptar dhe arriti ta mbajë pushtetin e tij me ndihmën e shqiptarëve. Vlerat e tij për kohën ishin të mëdha, pasi pushteti i tij ishte i madh. Por në fund, ai i la të gjitha, dhe përfundoi kokëprerë në Stamboll, bashkë me të bijtë e nipat.

Historia e Ali Pashës (1741-1822) ia vlen të lexohet, për të kuptuar realitetin e asaj kohe, sukseset dhe dështimet e një pashai mjaft intrigues e me origjinë shqiptare, që luajti padyshim një rol të madh për kohën e tij.

Arben Çokaj

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.