Llogaritja e gabuar historike e Putinit mund ta bëjë atë një kriminel lufte

0
873
Wright - Putin

Ilustrim nga Nicholas Konrad / The New Yorker; Fotografia burim nga Sasha Mordovets / Getty

Komenti i ditës

Perëndimi e dënon agresionin e Rusisë si “barbar” dhe “të tmerrshëm”, pasi Biden paralajmëron se konflikti mund të zvarritet për javë ose muaj.

Nga Robin Wright – NewYorker.com, 24 shkurt 2022Përktheu Arben Çokaj

Në sytë e botës dhe pothuajse me siguri të historisë, pushtimi i Vladimir Putinit në Ukrainë të enjten ishte një llogaritje e gabuar epike, duke bërë krahasime me Adolf Hitlerin dhe Sadam Huseinin për agresion gjakftohtë, që mund të sfidonte rendin botëror dhe të ndryshonte kufijtë e tij. Udhëheqësi rus u shfaq thuajse iluziv në një fjalim para agimit nga Kremlini, duke shpallur një “operacion special ushtarak” për të “mbrojtur” Donbasin, rajonin lindor ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë zhvilluar një luftë për tetë vjet.

Putini, në vend të kësaj, urdhëroi menjëherë tanke ruse në Ukrainë dhe sulme ajrore në kryeqytet dhe më shumë se një duzinë qytete në një vend me dyzet milionë banorë. “Paqja në kontinentin tonë është shkatërruar”, u tha gazetarëve sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Tani kemi luftë në Evropë në një shkallë dhe të një lloji, që menduam se i përkiste historisë”. Sulmi “i pamatur” i Putinit rrezikon “jetë të panumërta të pafajshme”, paralajmëroi Stoltenberg.

Putini është tani, së paku, një i pabesë i dënuar nga liderët në mbarë botën. “Putini është agresori. Putini e zgjodhi këtë luftë”, tha Presidenti Biden në një fjalim drejtuar kombit, duke njoftuar sanksione të reja ndaj institucioneve financiare dhe elitave ruse. Ai akuzoi se Putini “ka ambicie shumë më të mëdha se Ukraina”. “Ai dëshiron, në fakt, të rivendosë ish-Bashkimin Sovjetik,” tha Biden. “Ambiciet e tij janë krejtësisht në kundërshtim me vendin, ku ka mbërritur pjesa tjetër e botës.”

Në njërën nga një mori deklaratash, që pasqyrojnë zemërimin globalisht, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti aktin e Rusisë “barbar” dhe i hodhi poshtë justifikimet e tij si “cinike“. Në një postim në Twitter, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se ishte i tmerruar nga vendimi “i tmerrshëm” i Putinit për të ndjekur “një rrugë gjakderdhjeje dhe shkatërrimi“. Ofensiva ushtarake e Putinit e vendosi atë në mbrojtje diplomatike. Presidenti francez, Emmanuel Macron, e quajti sulmin “një pikë kthese” në histori, që do të ketë një ndikim të thellë dhe të qëndrueshëm në të gjithë kontinentin.

Putini tani mund të kualifikohet edhe si kriminel lufte, sipas Konventave të Gjenevës të vitit 1949. Krimet e luftës përfshijnë vrasjen me dashje dhe shkatërrimin e gjerë të pronës “të pajustifikuara nga nevoja ushtarake dhe të kryera në mënyrë të paligjshme dhe të paarsyeshme”. Termi është interpretuar në mënyrë jokonsistente dhe është aplikuar në mënyrë të pabarabartë për liderët ose vendet – duke përfshirë SHBA-në dhe zyrtarët e saj – të cilët kanë iniciuar agresion për arsye të konsideruara të pajustifikuara.

Në Ukrainë, “lufta e zgjedhur” e Putinit ka shkelur qartë ligjin ndërkombëtar përmes pushtimit të tij të një vendi sovran dhe përpjekjes për të rrëzuar qeverinë e tij. Pas një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm, António Guterres, paralajmëroi se pushtimi rus mund të jetë “lufta më e keqe” e shekullit “me pasoja jo vetëm shkatërruese për Ukrainën, jo vetëm tragjike për federatën ruse“, por për të gjithë botën.

Dy fëmijë ukrainas nderojnë ushtarët ukrainas, që po shkojnë në front kundër rusëve!

Putini ka gënjyer në çdo fazë të krizës në Ukrainë, duke këmbëngulur vitin e kaluar se ai nuk kishte ambicie ushtarake në Ukrainë edhe pse ai grumbulloi vazhdimisht një forcë prej gati dyqind mijë trupash në tre fronte. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, javën e kaluar, Putin e hodhi poshtë mundësinë e luftës. “A e duam këtë apo jo? Sigurisht që jo”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje. “Pikërisht për këtë kemi paraqitur propozime për një proces negociatash”. Megjithatë, ndërsa fliste, ushtria e tij po krijonte spitale në terren pranë kufirit ukrainas të pajisur me furnizime të freskëta gjaku. “Ju nuk keni nevojë për gjak nëse nuk planifikoni të filloni një luftë,” vuri në dukje Presidenti Biden të martën.

Pushtimi i Putinit bazohet në akuza të egra, duke përfshirë një pretendim se ai kishte nevojë të “denazifikonte” Ukrainën, një vend i udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelensky, i cili është, në fakt, hebre. Putini u zotua se do t’i japë fund “poshtërimit dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Kievit“, kur, në fakt, separatistët e mbështetur nga Rusia kanë zhvilluar për vite një luftë në Ukrainën lindore.

Putin pohoi gjithashtu se qeveria e Kievit kërkoi të fitonte armë bërthamore kur, në fakt, Ukraina, dikur fuqia e tretë më e madhe bërthamore, u denuklearizua pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe u bë përsëri një vend i pavarur. Ai e përshkroi qeverinë në Kiev si një “junta“, edhe pse ajo u zgjodh në mënyrë demokratike në vitin 2019. Dhe Zelensky, në fakt, fitoi me një shumicë dërrmuese me shtatëdhjetë e tre përqind të votave, duke mposhtur tridhjetë e tetë të tjerë, që garuan për President.

Në një ankesë përfundimtare, Zelensky foli drejtpërdrejt me popullin rus, disa orë para sulmit. “Ju thuhet se ky është një plan për të liruar popullin e Ukrainës”, tha Zelensky, në një video zyrtare në rusisht. “Por populli ukrainas është i lirë.” Ai iu lut qytetarëve rusë që të përqafojnë paqen. “Shumë prej jush e kanë vizituar Ukrainën. Shumë prej jush kanë të afërm këtu”, tha ai. “Ju e njihni karakterin tonë, i njihni njerëzit tanë dhe i njihni parimet tona. Ju e dini se çfarë vlerësojmë ne… Na dëgjoni.

Putin ishte, në fakt, ai që ndezi krizën me një pretendim të gabuar, madje imagjinar, se Ukraina do të fitonte së shpejti anëtarësimin në NATO. Anëtarësimi në aleancën ushtarake perëndimore është një synim aspirativ për Ukrainën, të cilin ajo e sanksionoi në një amendament kushtetues në 2019. Por udhëheqja e NATO-s ka thënë hapur se Ukraina nuk kualifikohet ende për anëtarësim. Ajo do të duhet të prezantojë dhe miratojë reforma të shumta, që mund të jenë vite larg.

Për të kundërshtuar paranojën e Putinit, administrata e Biden ka ofruar propozime të detajuara, për të rritur sigurinë për Rusinë. Ato përfshinin oferta për kontrollin e armëve, si dhe kufizime për stërvitjet ushtarake. Përgjigjia e Putinit ka qenë sfiduese. Ai kërkoi që Ukraina të mos bashkohet kurrë me NATO-n dhe aleanca ushtarake perëndimore ta kthejë anëtarësimin e saj në nivelin e 1997-ës. Ndërsa forcat ruse përparojnë në të gjithë vendin, qëllimi i Putinit tani duket të jetë ndryshimi i regjimit me forcë ushtarake – një hap që ai kritikoi SHBA-në për marrjen e Irakut. Në një reflektim të paranojës së tij, Putin madje sugjeroi se pushtimi i Ukrainës ishte për të mbrojtur Rusinë nga SHBA-ja “Për vendin tonë, është një çështje jete dhe vdekjeje, një çështje e së ardhmes sonë historike si komb,” tha ai. Dhe ai me paturpësi i kujtoi botës: “Rusia mbetet një nga shtetet më të fuqishme bërthamore“.

Ekspertët rusë dhe ish-zyrtarët amerikanë vënë gjithnjë e më shumë në dyshim stabilitetin e Putinit, veçanërisht pasi ai e ka rrethuar veten me këshilltarë të të njëjtit mendim dhe njerëz, të cilët inkurajojnë ambiciet e tij për të rishkruar historinë. “Putini beson se në terma historikë, si me Pjetrin e Madh e kështu me radhë, gjaku do të harrohet dhe trashëgimia e tij si bashkues i ‘tokave ruse’, pavarësisht kostos, do të mbetet,” më tha Nina Hrushcheva, profesore për çështjet ndërkombëtare në New School në Nju Jork dhe stërmbesa e ish-kryeministrit sovjetik Nikita Hrushov. Ajo tha se udhëheqësi rus duket se “ka humbur të gjithë kontrollin mbi realitetin, më shumë kjo, se sa isha e gatshme ta pranoja vetëm dje“. Ajo shtoi, “Unë nuk mendoja se ai ishte vetëvrasës, por ai është në të vërtetë dhe po merr botën dhe ne me vete.” Ajo e përshkroi Putinin si një “megaloman të pamëshirshëm me një axhendë gjigante imperialiste” të ngjashme me Stalinin dhe Maon.

Të tjerët e krahasuan atë me Hitlerin. “Ka shumë paralele midis pushtimit të Hitlerit të Polonisë në 1939 dhe pushtimit të Putinit të Ukrainës në vitin 2022,” shkroi në Twitter të enjten Michael McFaul, ish-ambasadori i SHBA në Rusi, i cili tani ndodhet në Universitetin e Stanfordit. Putini nuk duket më një aktor racional në skenën ndërkombëtare, thonë ekspertët. “Unë e urrej krahasimin e njerëzve me Hitlerin, por fjalët e çmendura të Putinit po e bëjnë të vështirë shmangien e tij”, më tha Stephen Sestanovich, një ekspert për Rusinë në Universitetin e Kolumbisë. “A mendoi ai që t’i detyronte të gjithë këshilltarët e tij të ngriheshin në televizion dhe të thoshin, në një shqetësim kaq të dukshëm, se ata ranë dakord me të, se vendimi për luftë do të dukej i kujdesshëm dhe i qëllimshëm? Miqtë e mi rusë sugjerojnë diçka ndryshe – a po e humbet këtë ky djalë?

Forcat ruse mund të bëjnë përparim ushtarak në një afat të shkurtër. Biden pranoi se javët apo muajt në vazhdim do të jenë të vështira për ukrainasit, me një përhapje në botë dhe tregjet e saj. Por Putini po vë bast për të ardhmen e tij politike, nëse Rusia mund të mbizotërojë afatgjatë në Ukrainë. “Baxhoja e Putinit duket se është se ai mund të jetë përgjegjës për atë që do të vijë më pas, sa larg dhe gjerësisht do të përhapet kjo,” më tha Karen J. Greenberg, drejtoresha e Qendrës për Sigurinë Kombëtare në Shkollën Juridike Fordham. “Kjo është një mungesë e marrë e vlerësimit për fuqinë e NATO-s dhe vendeve të tjera, që duhet të frenojnë inkursionin e tij – dhe këtu qëndron llogaritja e gabuar e tij.

Mbajtja e Ukrainës, duke pasur parasysh madhësinë dhe popullsinë e saj të madhe, do të jetë një sfidë ushtarake dhe politike. Rusia ka ushtrinë më të madhe tokësore në Evropë, por do t’i duhet të dërgojë shumë më tepër trupa sesa duhet për të pushtuar të gjithë vendin, i cili është afërsisht sa Teksasi. Qeveria ukrainase ka thirrur rezervistët dhe ka premtuar armë për civilët për të formuar një forcë publike të rezistencës. Ata mund të krijojnë një kryengritje, që sfidon kontrollin rus të një pjese ose të gjithë Ukrainës, parashikojnë ekspertët. “Është e pamundur të qëndrosh në një afat të gjatë”, më tha Marie Dumoulin, drejtoreshë e programit më të gjerë të Evropës në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Nëse jemi në një luftë të gjatë dhe të përgjakshme, apo nëse do të ketë një garë brenda Rusisë kundër këtij vendimi, por unë nuk e shoh atë si një qëllim realist për ta kontrolluar Ukrainën”. Rusia nuk mund të mbizotërojë, tha Biden. “Në ditët e para të këtij konflikti, organet e propagandës ruse do të vazhdojnë të përpiqen të fshehin të vërtetën dhe të pretendojnë sukses për operacionin e saj ushtarak kundër një kërcënimi të sajuar,” tha ai. “Por historia ka treguar herë pas here, se fitimet e shpejta në territor i lënë vendin pushtimeve të rënda, akte të mosbindjes masive civile dhe rrugëve pa krye strategjike.” Dita e parë e pushtimit ishte pikërisht ajo – dita e parë.

Më shumë për pushtimin rus të Ukrainës

Robin Wright, një shkrimtare dhe kolumniste kontribuese, ka shkruar për The New Yorker që nga viti 1988. Ajo është autore e “Rock the Casbah: Rage and Rebellion Across the Islamic World“.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.