ATMOSFERË FESTIVE NË 60 -VJETORIN E LINDJES SË ILMI KURTIT

0
247
Ilmi Kurti - ditëlindja

Nga Ferit Hoxha

Me rastin e 60 vjetorit të lindjes së mikut tim z. Ilmi Kurti (MJESHTËR i MADH), më 11 gusht 2023 pata nderin që së bashku me disa kolegë të tjerë, të isha i ftuar në këtë përvjetor që më shumë se një festim ditëlindjeje ishte me të vërtetë një spektakël madhështor.

Ky manifestim i moderuar nga dy personalitetet e artit dhe të kulturës, publicistët z. Lulash Brigja dhe znj. Prenda Sejdiu u zhvillua në Shkodrën “LOCE” në ambientet e ART CENTER Blue Sky TV me pronar Gëzim Brahusha, i cili hapi dyert për mikun e tij Ilmiun, e që edhe ne të pranishmëve na dha kënaqësinë të shijonim bukurinë e këtij kompleksi, ku veç natyrës së bukur e pamjeve joshëse, nuk munguan të ftuarit e shumtë e siç ndodh zakonisht në evente të tilla, ishim edhe nën prezencën e reporterëve të televizioneve të ndryshme, gazetarëve e publicistëve.

Gjithmonë më ka tërhequr organizimi apo edhe pjesëmarrja në evente të tilla sepse veç shijimit në çdo aspekt, të tërheq edhe njohja me të tjerët, e edhe këtu s’kishte si të ndodhte ndryshe.

Prezenca e shumë personaliteteve të artit, muzikës, kulturës, politikës e më tej, të ardhur nga të dyja anët e kufirit e deri nga diaspora, na dha mundësinë që të takojmë dhe njohim shumë miq me vlera sa njerëzore aq edhe atdhetare, e kjo falë familjes Kurti (Kastarti).
Sigurisht që s’mund të ndodhte ndryshe aty ku organizon një “babaxhan” i Malësisë së Madhe si Ilmiu i cili bujarinë, mikpritjen e fjalën e ëmbël e ka në gen.

Ishin të shumtë personalitetet që uruan dhe përshëndetën në këtë event, ku për kënaqësinë e publikut po përmend vetëm disa prej tyre si:
Nikoll Camaj – Deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit Zi,
Paulin Stërkaj – Deputet në Parlamentin Shqiptar,
Tonin Marinaj – Kryetar i Bashkisë Malësia e Madhe,
Can Tahiri – Kryetar i Parlamentit Paqësor të Kombit Shqiptar me qendër në Gjermani,
Agron Gjedia – Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare Bytyçi,
Ferit Hoxha – Kryetar i Parlamentit Paqësor Dega Shqipëri,
Prenda Sejdiu – Sekretare e këtij forumi,
Adriatik Gega – Zv. President i Shoqatës Kombëtare në Mbështetje të Grupeve Vunerabël si dhe shumë të tjerë.

E veçanta e këtij aktiviteti ishte edhe dhënia e shumë mirënjohjeve për z. Kurti nga shoqata dhe dikastere të ndryshme që nga ato vendoret e deri në diasporë, duke iu shtuar titujve të tjerë që ai mban deri sot si:
– Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe,
– Mirënjohje e Qytetit Shkodër,
– Mjeshtër i Madh (nga Presidenti Republikës),
– Ambasador i Paqes Botërore

Mes gjallërisë që karakterizon evente të tilla, gjithmonë ka diçka specifike që ia shton lezetin( siç shprehemi në gjuhën popullore), e edhe këtu qershia mbi tortë ishte pjesëmarrja e shumë këngëtarëve të ardhur nga diaspora, loja e bukur parodike e humoristëve shkodranë ( siç vetëm ata dinë), me të vërtetë e bënë këtë spektakël të përmasave gjigante, që pa e tepruar mund ta krahasoj me një spektakël të mbrëmjeve të Vitit Ri, apo “Sofrës Shkodrane”.

Këtu kam nderin të përmend këngëtarët Nike Çarku, Anila Hoxha (Gjermeni), Kujtim Rexhvelaj, Lulka Merkulaj, Nikoll Demaj dhe humoristët Gac Kodrina, Qazim Çela, Marash Kaçaj, si dhe Bujar Zyrali e Dilaver Cufi nga Shoqata “Bejta Shkodrane”.

Duke shtuar edhe harmonizimin perfekt të moderuesve me këngë, valle, humor e përshëndetje, shoqëruar me veshjet kombëtare, me humorin dhe këngën shkodrane, si dhe me mikpritjen e familjes Kurti e veçanërisht me alegrinë dhe humorin spontan të Ilmiut (siç e ka zakon), sigurisht pa harruar edhe drekën e shtruar nga sebepliu bëri që të kalonim një ditë mjaft të këndshme të cilën mund ta veçoj nga më të rrallat dhe që do të mbahet mend gjatë.

Ilmi kurti me veprat e tij ështe një poet i gjithanshëm, hartues i qindra teksteve të këngëve, botues i disa librave, organizator i shumë eventeve, publistit i përmasave kombëtare, si dhe Kryetar i Shoqatës Atdhetare “Malsia e Madhe”, mbartës i disa titujve vlerësues, certifikata mirënjohjeje e një figurë dhe person me vlera jo vetëm për Shkodrën dhe trevën e tij, por dhe më gjerë, që me vlerat e virtytet që ka, i shërben mbarë shqiptarisë.

Miku ynë Ilmi Kurti,
U ndiem tej mase të nderuar dhe të vlerësuar në këtë event madhështor e të jemi mirënjohës për çastet që kaluam së bashku.
Faleminderit për ftesën dhe për mikpritjen!

Urimet me të mira për ju!
Gëzim e mbarësi paçi sot, mot e përgjithmonë!
Shekullofsh pranë njerëzve dhe të dashurve tuaj!

Me respekt dhe mirënjohje nga Ferit Hoxha!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.