Ibrahim Rugova
Me kritikë Rexhep Qosja do të merret më aktivisht duke filluar nga mesi i viteve ‘60 e këndej. Së pari do të tregojë interesim për disa shkrimtarë bashkëkohës, e pastaj edhe për atë të traditës. Nga fundi i këtyre viteve do të merret edhe me përcjelljen e letërsisë aktuale bashkëkohore, e më vonë do t’u kushtohet autorëve të letërsisë së traditës dhe problemeve të kësaj letërsie. Një kohë do të merret edhe me probleme të jetës letrare e kulturore. Kryesisht do të merret me shkrimtarët dhe me probleme të letërsisë së Rilindjes.
Që në shkrimet e para kritike dhe më tutje R. Qosja do të vërë në interesimin e vet kritik çështjen e angazhimit, si njërën nga premisat teorike për vështrimin e letërsisë. Si dhe kritikët e tjerë të kësaj kohe do të kërkojë që problemin e angazhimit ta kuptojë më gjerë. Kështu kur bën fjalë për autorë të ndryshëm, poezinë do ta quajë “si akt të angazhimit” (E. Mekuli),[1] apo në shkrimin për Mjedjen thotë se ka “angazhim moral e artistik”.[2] Te Asdreni do të shqyrtojë angazhimin, patriotik, social dhe politik, apo do të vështrojë realizimin artistik të angazhimeve të shkrimtarit. Dhe duke shkruar për një shkrimtar bashkëkohës e cilëson poezinë e tij si “angazhim modern”.[3] Kjo do të thotë se ai është i preokupuar me këtë problem dhe kërkon që të realizohet në dimensione të ndryshme. Kjo pajtohet me pikëpamjet e atëhershme që disa koncepte letrare të kuptoheshin në formë më të çliruar, që ndër të tjera problemi i angazhimit të kuptohet edhe si akt i shkrimit dhe në kuadër të kohës.
Në vështrimin e letërsisë, si të asaj bashkëkohore ashtu edhe të asaj të traditës, R. Qosja niset nga vështrime të përgjithshme me qëllim që të vërejë tërësinë e autorit dhe të veprës së tij. Këtë e shohim që në librin “Dialogje me shkrimtarët” e tutje. Qasjen e vet që i bën letërsisë, konkretisht veprës letrare do ta thotë me një rast se duhet të kihet parasysh “integraliteti i veprës”. Në të vërtetë në analizën e veprës dhe të letërsisë do të niset nga ky integralitet. Madje edhe në punimet me karakter historiko-letrar gjithnjë do të insistojë në këtë përkufizim që e bën si aspekt vështrimi. Këtë koncept, edhe pse nuk e thotë me ndonjë rast më hapur po në bazë të kërkesave që i shtron para kritikut, e zgjeron në gjithë veprimtarinë e kritikut, pra që ai të merret më shumë me problemet e kohës.
Një shembull për ilustrimin e përpjekjeve për integralitet e shohim në punimin për “Lumin e vdekur” të Jakov Xoxës,42 ku kërkon t’i vështrojë disa anë të kësaj vepre. Në vështrimet historiko-letrare kjo duket kështu: së pari merret me biografinë e shkrimtarit, në përgjithësi me veprën e tij, e pastaj me aspekte të veçanta që i nxjerr prej andej. Këtë do ta përkufizojë në formë tjetër duke folur për historinë e letërsisë që aktualisht e vendos midis dy frontesh:43 midis tradicionalizmit dhe formalizmit, si në planin e përgjithshëm ashtu edhe në atë të letërsisë dhe të praktikës kritike te ne. Duke folur për kritikën dhe atë tip që më shumë e përfill, R. Qosja do të kërkojë që për artistët, vërtet për letërsinë të “shkruhet në mënyrë artistike”.44 Në raste të tjera kërkon që kritika të ketë edhe imagjinatë e figuracion dhe emocionalitet. Deridiku lidhet me pikëpamjen e kritikës si art për veprën, si reagim i rrëmbyer për problemet e ndryshme, që shpesh është veti e kritikës praktike aktuale.
Në kuadër të vështrimeve për letërsinë e Rilindjes, me të cilën edhe afirmohet si kritik e historian i letërsisë, R. Qosja do të hetojë e shqyrtojë probleme në planin e vështrimeve të përgjithshme, t’i afirmojë disa aspekte të kësaj letërsie. Në këtë drejtim dallohet studimi monografik për Asdrenin dhe veprën e tij,45 ku e vështron jetën e tij në thyerjen e saj dhe veprën në evoluimin që pati në rrjedhën e kohës. Vështrimet e tij dhe të kritikëve të tjerë për këtë [4] [5] letërsi që vinin në kohën pas një mungese të letërsisë së traditës, përmbushnin atë mungesë dhe sillnin njoftime të historiografisë letrare. Do thënë se letërsisë së Rilindjes R. Qosja do t’i kushtojë një kujdes të vazhdueshëm dhe kohëpaskohe do t’i kthehet me pikëpamje të ndryshme. Pra do të bëhet fushë e interesimeve të tij historiko letrare. Në kontekst të këtyre interesimeve do të bëjë edhe një përpjekje për periodizmin e letërsisë shqiptare prej Rilindjes e këndej më shumë në formë projektimi,[6] që duhet të ketë një mbështetje më të fortë empirike letrare. Vëmendjen e tij nga letërsia e Rilindjes do ta preokupojë vazhdimisht Naimi, Asdreni, Çajupi, pastaj nga periudha ‘12-39, Migjeni, Noli e të tjerë dhe nga letërsia bashkëkohëse poetët e viteve ‘60, në kohën kur më shumë merret me këtë letërsi.
Po kërkuam të vështrojmë problemin e premisave teorike që u përmbahet në punën e vet kritike, mund të themi se ky kritik insiston ta vështrojë letërsinë në raport me çështjet morale, çfarë lidhet me premisat sociologjike e etike për letërsinë, por duke u nisur nga koncepti i integralitetit dhe i totalitetit, në aspektin e vështrimit konkret, ashtu siç e kërkon kritika e përgjithshme, që do të merret edhe me problemet e aspektit artistik, rëndom për stilin, shprehjen letrare dhe për poetikën e ndonjë autori, që kuptohet si diçka më vete. Kështu duke u marrë me probleme historiko-letrare, ku mund të jetë i pranueshëm koncepti për vendosjen historike të shkrimtarëve, më shumë analitikisht, R. Qosja këtë thuajse do ta bëjë kërkesë edhe kur shkruan për autorë të letërsisë bashkëkohëse, çfarë është e papranueshme.
Pastaj gjatë punës kritike, për arsyetimin apo mbështetjen teorike të pikëpamjeve të veta, ai bën përpjekje të inkuadrojë argumentin. Të shumtën e rasteve këtë e gjen me vend, po shpesh e sjell në kuadër të diversitetit nga aspekte të ndryshme teorike, që nuk përkojnë me problemin që e shqyrton. Edhe në rastet kur i shqyrton çështjet e ndryshme letrare, përkundër argumenteve që i sjell, më shumë del me qëndrim të caktuar duke mohuar vetë argumentet e sjella. Madje edhe në vlerësimet e ndryshme, si për autorët e traditës, ashtu edhe për ata bashkëkohës nuk mundi të çlirohet plotësisht nga çështja e dualizmit vlerësues, që ishte e pranishme në kritikën e mëparshme, edhe pse e kundërshtonte mjaft atë kritikë.
Marrë në përgjithësi, me veprimtarinë e vet kritike R. Qosja, bashkë me kritikët e tjerë të kësaj kohe do të kontribuojë në inkuadrimin e pikëpamjeve më të çliruara për letërsinë. Duke e kuptuar kritikën si ligjërim pak a shumë artistik për letërsinë, siç e theksuam më parë, R. Qosja në kritikën e tij do të aplikojë një ligjërim me patos, që në kohën kur u shfaq ishte i pranishëm në gjithë kritikën, sepse vinte mbas shtrëngesave të mëparshme. Do çmuar përpjekja që në këtë ligjërim të inkuadrojë edhe një terminologji më adekuate nga historia e letërsisë dhe nga fushat e tjera ku e mbështet kritikën e tij. Me rezultatet e veta si dhe me disa kufizime në formulimin e çështjes, çfarë është e natyrshme në punën e çdo kritiku, R. Qosja kontribuoi në fushën e kritikës dhe të vështrimeve historiko-letrare. Esencialisht duke u nisur nga angazhimi si pikëpamje, do të angazhohet edhe vetë në shumë probleme, me atë konceptin e integralitetit në veprim, shpesh mbeti në inicimin e çështjeve, pa u thelluar sa duhet në çështje të veçanta.
(Marrë nga Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983 (1986),
f. 279 – 283.)
[1] Rexhep Qosja, Dialogje me shkrimtarët, botim i dytë, Rilindja. Prishtinë, 1979, f. 215.
[2] Vep. e cit., f. 95-133.
[3] R. Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969, f. 83.
[6] R. Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Inst. Albanologjik – Akademia e SHAK, Prishtinë, 1979.









