(Kushtuar poetit Fatmir Halimi dhe veprimtarit Gazmend Islami)
Kur vdes poeti,
përveç njerëzve loton edhe qielli.
Dielli nga dhimbja nuk shfaqet në horizont,
por toka e pranon krahëhapur në gjirin e saj,
sepse sa ishte gjallë e mbrojti
dhe i këndoi.
Poetin besnik e fisnik
rëndë e lëndoi vdekja e papritur e nipit,
që e deshi aq sa veten.
Në kortezhin kilometrik, përmes lotësh,
poeti tha:
“Gazmend,
që bukën dhe lodrat i ndanim bashkë,
së shpejti do të jem te ti.”
S’jetohet zemërthyer.
As me numërimin e rrugëve
që i kaluam me dhembje
në dimrat e egër e me acar.
As me shikimin ngrirë
në aeroporte e magjistrale.
As me lotët akull
në çdo ndarje.”
Betimin sikur Perëndia e dëgjoi
në lëndinën pranë lisave shekullorë:
pas njëzet e tetë ditësh dajë e nip i bashkoi.
Këta dy burra —
njëri poet, tjetri veprimtar —
që gjithmonë punuan të heshtur dhe pandarë,
Llapi e Kosova do t’i kujtojnë
si dy margaritarë.
ARIF EJUPI











