18.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Një roman kushtuar figurës së një udhërrëfyesi me vlera të larta atdhetare,...

Një roman kushtuar figurës së një udhërrëfyesi me vlera të larta atdhetare, edukative dhe arsimore

0
Hyrë Tejeci Murati - Zëri që nuk u shua

Hysen Ibrahimi, Suedi / Förslöv, 12.05.2026

Recension për librin ”ZËRI QË KURRË NUK U SHUA” i autores Hyrë Tejeci Murati, Prishtinë, 2026.

Sot, më 12.05.2026, doli nga shtypi libri me titull ”ZËRI QË KURRË NUK U SHUA” i autores Hyrë Tejeci Murati, Prishtinë, 2026. Librin e shtypi shtypshkronja “PrintingPress” në Prishtinë, me pronarë vëllezërit Arian dhe Adrian Mumxhiu.

Libri i autores Hyre Tejeci Murati i titulluar “ZËRI QË KURRË NUK U SHUA”, kushtuar figurës së Prof. Fetah Bahtirit përbën një kontribut të rëndësishëm në letërsinë shqiptare. Fjala është për pasqyrimin e një personaliteti që ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në organizimin e shqiptarëve, sidomos në mërgatë, në kulturën dhe arsimin shqiptar, veçanërisht në rrethana të vështira historike.

Ky roman shquhet për qasjen e saj të ndërthurur midis dokumentares dhe rrëfimit personal, duke e trajtuar figurën e protagonistit nga këndvështrimi i një intelektualeje dhe gazetareje me përvojë të gjatë.

Qysh në hyrjen e këtij romani Hyrë Tejeci e orienton lexuesin drejt kuptimit të figurës së Prof. Fetah Bahtirit si një personalitet i jashtëzakonshëm. Që në faqet e para, fitohet bindja se kemi të bëjmë me një individ që e ka shndërruar përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, atdheut, arsimit, gjuhës, traditës kombëtare etj. në një burim të pashtershëm veprimi dhe sakrifice. Ky zë i tij nuk shuhet kurrë dhe kështu e vendos figurën e tij në një dimension të gjerë shoqëror dhe historik, duke e tejkaluar kufirin e një biografie të zakonshme.

Autorja, e vetëdijshme për kureshtjen e lexuesit ndaj personazhit kryesor, zgjedh një qasje interesante narrative: ajo e ndërton hyrjen në formë rrëfimi me elemente të romanit. Pra, të gjitha rrëfimet i mëvesh me petkun artistik dhe me elemente letrare, edhe pse vepra në thelb mund t´i afrohet një monografie. Kjo ndërthurje e zhanreve i jep tekstit gjallëri dhe e afron lexuesin emocionalisht me figurën e Prof. Fetahut. Në vend që të paraqesë një hyrje të thatë biografike, ajo zgjedh ta fillojë rrëfimin nga një përjetim personal – takimi i saj i parë me protagonistin më 25 korrik 2016, gjatë përurimit të veprave të mërgatës shqiptare në Suedi, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”.

Ky moment nuk është thjesht një detaj kronologjik, por një pikë kyç që shërben si nxitës i gjithë rrëfimit. Përmes këtij takimi, autorja vendos një raport të drejtpërdrejtë me protagonistin e romanit, duke e bërë narrativën më autentike dhe më bindëse. Më tej, leximi i pjesëve përkatëse nga libri “Thesar Kombëtar…” (faqet 279–294) shërben si një burim i rëndësishëm njohjeje për të, duke e thelluar perceptimin mbi figurën e Prof. Bahtirit. Pikërisht ky lexim e trondit dhe e impresionon autoren, duke nxjerrë në pah cilësi si durimi, përpikëria në punë dhe një qasje e qetë, por e palëkundur ndaj jetës dhe përgjegjësive.

Në këtë pikë, autorja arrin një përfundim të rëndësishëm interpretues: madhështia e Prof. Fetahut nuk qëndron në zhurmën apo pretendimet, por në veprimin e heshtur dhe të qëndrueshëm. Ky është një tipar që e dallon atë si figurë morale dhe intelektuale, duke e bërë model frymëzimi për të tjerët. Pikërisht ky ndikim i drejtpërdrejtë mbi autoren bëhet shtysë për krijimin e veprës që kemi përpara, një vepër që qëndron në kufirin mes monografisë dhe romanit, duke përfituar nga të dyja format.

Në vijim, autorja nuk e anashkalon dimensionin biografik të personazhit, por e trajton atë me ndjeshmëri dhe thellësi. Historia e jetës së Prof. Fetahut paraqitet si një rrëfim i përvuajtur, i lidhur ngushtë me rrethanat politike dhe shoqërore të kohës. Përmes përshkrimit të familjes së tij, autorja krijon një atmosferë që i ngjan një narrative të ndërlikuar historike, ku çdo emër dhe çdo vend mbart një peshë të veçantë simbolike.

Veçanërisht domethënës është përshkrimi i vendlindjes së tij, fshatit Lisicë, dhe figurës së babait, Ramadanit. Ai paraqitet si një njeri i respektuar dhe bartës i kujtesës familjare, duke ruajtur me krenari traditat dhe historinë e brezave. Kjo shtresë narrative nuk shërben vetëm si informacion biografik, por si një element që ndihmon në formësimin e identitetit të vetë Prof. Fetahut. Në këtë mënyrë, autorja sugjeron se rrënjët familjare dhe kulturore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e karakterit dhe vlerave të tij.

Romani ”ZËRI QË KURRË NUK U SHUA” nuk është vetëm një prezantim i thjeshtë i figurës kryesore, por një strukturë e menduar mirë që kombinon rrëfimin personal, analizën dhe elementet letrare. Ajo arrin të krijojë një portret të gjallë dhe të besueshëm të Prof. Fetah Bahtirit, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë historik dhe kulturor. Përmes kësaj qasjeje, autorja jo vetëm që informon, por edhe frymëzon lexuesin, duke e bërë figurën e protagonistit një model të qëndrueshmërisë, përkushtimit dhe integritetit njerëzor.

Gjatë tërë librit autorja shprehet me një ton vlerësues dhe reflektiv, duke e përkufizuar Prof. Fetah Bahtirin si një ndër ata individë që nuk maten thjesht me vitet e jetës, por me thellësinë e ndikimit të tij në shoqëri. Ky formulim nuk është vetëm një hyrje stilistike, por një tezë që përshkon gjithë veprën, duke e vendosur personazhin në një dimension moral dhe kombëtar. Ajo e paraqitet atë si një figurë shumëplanëshe: mësues, shkrimtar, përkthyes dhe humanist, aktivist politik, i cili ka lënë gjurmë të qëndrueshme në çdo etapë të jetës së tij.

Një element i rëndësishëm i trajtuar në vepër është veprimtaria gjeografike dhe shpirtërore e protagonistit. Si qytetar i Mitrovicës dhe më pas emigrant në Suedi, për shkak të represionit serb në vitet ’80 dhe ’90, figura e tij ndërtohet në dy plane: atë të vendlindjes dhe atë të mërgimit. Megjithatë, autorja thekson se largësia fizike nuk e ka shkëputur asnjëherë nga Kosova në aspektin emocional dhe intelektual. Kjo gjithnjë vë në pah zërin e tij i cili nuk u shua kurrë, fakt ky që përshkon narrativën dhe i jep veprës dimension universal.

Në planin tematik, libri përqendrohet në përkushtimin e pandërprerë të Prof. Bahtirit ndaj arsimit dhe atdheut. Edhe përballë pengesave politike dhe persekutimit, ai nuk e ndërpreu misionin e tij edukativ. Si drejtor i shkollës “Velko Banasheviq” (sot “Bedri Gjinaj”) në Mitrovicë, ai u përball me sfida të shumta, duke u shpallur padrejtësisht armik i shtetit. Kjo përvojë e vendos figurën e tij në kontekstin e intelektualëve të rezistencës, të cilët përmes dijes dhe integritetit moral kundërshtojnë padrejtësinë dhe robërinë.

Një aspekt tjetër me rëndësi që ceket nga autorja është veprimtaria e tij në fushën e përkthimit, veçanërisht në atë juridik. Kjo tregon jo vetëm përgatitjen e tij profesionale, por edhe angazhimin për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në situata konkrete, duke e shndërruar dijen në mjet shërbimi ndaj shoqërisë dhe bashkatdhetarëve në mërgim.

Nga pikëpamja letrare, autorja ndërton një prozë që nuk mbetet vetëm në nivelin biografik, por është një model frymëzues për lexuesin. Autorja në këtë roman artikulon qartë qëllimin e saj: të pasqyrojë me ndjesi jetën, krijimtarinë dhe vizionin e Prof. Fetah Bahtirit si një udhërrëfyes për brezat. Kjo e zhvendos veprën nga një rrëfim për individin në një reflektim më të gjerë mbi rolin e individit në shoqëri.

Pra, ky roman i Hyre Tejecit paraqet një figurë që tejkalon kufijtë e biografisë së një individi i cili me angazhimin e tij është shndërruar në simbol të qëndrueshmërisë, dijes dhe përkushtimit kombëtar. Përmes një rrëfimi të balancuar mes faktit dhe interpretimit, autorja arrin ta japë pasqyrën e një portreti të plotë të një njeriu që, edhe larg atdheut, vazhdon të jetojë dhe veprojë në hapësirën e tij shpirtërore dhe kulturore gjithnjë të lidhur me atdheun dhe kombin duke shëbyer besnikërisht.

Hyre Tejeci është gazetare dhe krijuese, e angazhuar në shkrim, redaktim librash dhe përgatitje referimesh me karakter kulturor e shoqëror. Ajo ka përvojë në trajtime dhe vështrime kritike, si dhe në analiza mbi figura dhe ngjarje me rëndësi, duke kontribuar në dokumentimin dhe interpretimin e tyre përmes një qasjeje profesionale dhe reflektuese.

E lidhur ngushtë me punën dhe figurën e Fetah Bahritit, ajo ka ndjekur nga afër veprimtarinë dhe kontributin e tij, duke e bërë këtë edhe më të afërt me aspektin personal dhe studimor. Ajo ka të botuar deri tani edhe tituj të tjerë, jeton dhe vepron në Prishtinë.

Dhe fare në fund mund të konkludojmë se nga pikëpamja letrare, autorja Hyrë Tejeci me romanin ”Zëri që kurrë nuk u shua” ka arritur ta krijojë një model frymëzues për lexuesin. Përmes një qasjeje të ndërthurur midis analizës dhe rrëfimit, ajo arrin të pasqyrojë në mënyrë të plotë jetën, krijimtarinë dhe vizionin e një figure të shquar atdhetare të Prof. Fetah Bahtiri, një dokumentim të jetës së tij, por edhe si një udhërrëfyes me vlera atdhetare e edukativo-arsimore për brezat.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.