Intervistë me Dr. Vaxhid Sejdiun, mësues dhe koordinator i “Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)

0
250
Mustafë Krasniqi - Vaxhid Sejdiu

Intervistoj: Mustafë Krasniqi

(Shikoni videon e intervistës:

Dr. Vaxhid Sejdiu, është mësues i shkollës shqipe në Zvicër, i cili me punën e tij si mësues dhe koordinator në hapjen e pikave të reja shkollore në Zvicër ka qenë dhe është shembulli më i mirë se si punohet në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Me punën tij ka dëshmuar gjatë këtyre tri dekadave se është ndër mësuesit e veçantë të shkollës shqipe, i cili në vazhdimësi ka ngritur flamurin e gjuhës shqipe lart e më lart. Viteve të fundit është dalluar me angazhimin e tij në organizmin e pikave shkollore në mbarë Zvicrën. Janë hapur dhjetëra e dhjetëra pika shkollore, të cilat dëshmojnë një rritje të dukshme të fëmijëve shqiptarë në orët mësimore.

Sejdiu, A mund të na thoni se në ç ‘pozitë është shkolla shqipe në Zvicër dhe roli i prindërve shqiptarë?

Së pari ju falënderoj për ftesën dhe portalit “Ura e bashkuar”, i dëshiroj shumë suksese në komunikimin e tij të përditshëm,

Lirisht mund të themi se “Shkolla shqipe në Zvicër, është në rrugëtimin e saj më të mirë të mundshëm. Vetëm brenda 3-4 viteve kemi arritur të hapim dhjetëra e dhjetëra pika shkollore në mbarë Zvicrën duke bërë të mundshme hapjen e pikave shkollore në më se 20 kantone dhe, me synim që të jemi kudo ku interesi i mërgimtarëve shqiptarëve për gjuhën dhe kulturën shqiptare është i pranishëm.

Sa i përket prindërve shqiptarë, mund të themi se ky rrugëtim nuk mund të mendohet pa prindërit shqiptarë edhe pse ne nuk i ndajmë, ne i përfshijmë të gjithë mërgimtarët shqiptarë kudo ku janë sepse shkolla shqipe është e të gjithëve dhe si e tillë shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare, identitetit kombëtar në vend të huaj. Thirrja jonë “ejani ta bëjmë shkollën shqipe” ju drejtohet të gjithëve pa dallim sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shëmbëllejmë me arbëreshët tanë, të cilët mund të merren si shembulli më i mirë i përkushtimit për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Si erdhi deri te kjo përpjekje, e cila u kurorëzua me “Shkollën Shqipe” duke na fol në pika të shkurtra për aktivitetin tuaj në lidhje me mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër, gjatë viteve të fundit  2019- 2023.

Bazuar në statistikat zyrtare, në Zvicër ka një numër mbi 35 mijë fëmijë të moshës shkollore që i përkasin diasporës shqiptare.  E kemi thënë dhe e themi se ndër vite, masivizimi i mësimit të gjuhës shqipe ka qenë problematik. Mungesa e reformave brenda shoqatës ekzistuese Lapsh-it për Zvicër, ku në 15 vitet e fundit, numri i nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe pësoi një rënie drastike, ku në 16 kantone të Zvicrës nga 26 të tilla nuk mbeti asnjë nxënës.

Pra thjeshtë  “Shkolla shqipe” në Zvicër u krijua në gusht të vitit 2019 si një përpjekje për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhej mësimi në gjuhën amtare dhe sot ajo është një histori suksesi, është një vlerë e shtuar, e cila në gjirin e saj ka 39 mësues/e të cilët i mbajnë orët mësimore në më se njëqind shkolla, në mbarë Zvicrën. Të gjitha adresat e shkollave janë të publikuara në faqen zyrtare të Shkollës shqipe Zvicër.

Sejdiu Ju jeni një ndër mësuesit që keni punuar më se dy dekada e më tepër në shkollat shqipe si dhe vazhdimisht keni qenë në mesin e mësuesve, që keni pasur dhe keni numrin më të madh të nxënësve, njëkohësisht jeni edhe koordinator i rrjetëzimit të shkollave shqipe në Zvicër, mund t’na thoni, nga i tërë ky vullnet dhe si ja arrini!

 Përhapja e diturisë në gjuhën amtare ka qenë dhe mbetet një nga dëshirat e mija kryesore në jetë. I lindur në një qytet, në Kumanovë, ku gjuha dhe mësimi shqip në vazhdimësi ka qenë i shënjuar nga aparatin shtetëror i atëhershëm dhe i tashëm. Dhe si shumë bashkë veprimtarë të mi jam munduar që gjuhës shqipe t`i bëj vend aty ku jam, apo thënë më mirë aty ku janë shqiptarët me qëllim që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën amtare.

Asnjëherë nuk jam pajtuar me kryesinë e Lapshit për Zvicër, për shpirtngushtësinë për pasivitetin brenda shoqatës dhe mos hapjes rrugë të të gjithëve për të kontribuar në sensibilizimin e prindërve shqiptarë në mërgatën shqiptare, me qëllim që një ditë të kemi sa më shumë shkolla, sa më shumë nxënës dhe natyrisht gjuha shqipe në vendin e saj të duhur.

Këta fëmijë që lindin dhe rritën larg atdheut mund të themi se rritën në sistem të përsosur arsimor siç është Zvicra por pa gjuhën shqipe ata mbesin analfabetë në gjuhën amtare, për gjuhën e nënës, që lenë shumë për të dëshiruar.

Sejdiu ju jeni edhe kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, mund t’na flisni për misionin, vizionin dhe veprimtarin e saj, për gjatë tri viteve?

– Po, unë jam kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, apo siç i themi shkurt KKAD-ja, një grupi mësuesish të dalluar në mërgatën shqiptare. Mësues/e si Anila Kadija në Londër, Teuta Tabaku në Turqi, Miradije Berisha në Austri, Mustafë Krasniqi dhe Isuf Bytyçi në Gjermani, Mira Shehu në Kanada, Aurela Konduri në Greqi, Melita Oreshkoviç në Kroaci, Dritan Mashi në Itali, Qemal Zylo në ShBA, Michelle Greco tek arbëreshët  e Italisë, Musa Pali etj., të cilët në vazhdimësi kanë qenë dhe janë të dalluar në përpjekjet e tyre në përhapjen e diturisë në gjuhën amtare jo vetëm në vendet ku punojnë dhe veprojnë, por edhe më gjerë.  Një grup mësuesish vullnetarë, të cilët mundohen me çdo kusht të përballen me sfidat e njëpasnjëshme në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Në rrugëtimin tonë trevjeçar dëshmuam vlerë profesionale, vlerë kombëtare duke fituar besimin dhe respektin e shumë institucioneve, e shumë veprimtarëve, e shumë e shumë kolegëve në mbarë botën shqiptare.

Në rrugëtimin tonë detektuam një mori problemesh të mësimit plotësues në Diasporë duke sensibilizuar pothuajse të gjithë faktorët në Atdhe dhe në Diasporë. Idetë tona për njehsimin e shkollave shqipe, për tekstet e përbashkëta, për një program të njëjtë mësimor u bënë pjesë e rendit të punës të institucioneve tona, e takimeve, e konsultave dhe programeve të ndryshme.

Sejdiu sa keni bashkëpunim me institucionet tona, të Shqipërisë dhe Kosovës dhe ku janë synimet e juaja si KKAD?

Puna për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë bazohet në Strategjinë e përbashkët të Mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës si dhe akteve ligjore e nënligjore

Një bashkëpunim shumë i dobishëm shihet me Ministritë përkatëse dhe veçanërisht me Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Padyshim qëllimi ynë është që me punën tonë, me këshillat tona në shërbim të njehsimit të shkollave shqipe të jemi aty ku ka nevojë siç është rasti në Tiranë dhe në Prishtinë, në takimet apo konsultat, të cilat trajtojnë tema rreth organizimit të mësimit në Diasporë.

Por, sa i përket bashkëpunimit me institucionet tona mund të shtojmë që ndihmesa, përkushtimi dhe bashkëpunimi me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, është ajo që duhet të jetë me të gjitha institucionet tona. Ambasada e Shqipërisë, jo vetëm që e ka vënë stafin e saj në dispozicion të “Shkollës Shqipe” në Zvicër, por mundohet në të gjitha pikëpamjet të na ndihmojë. Ajo po ashtu ka vënë edhe emrin e vet në shërbim të punës administrative me institucionet zvicerane dhe në sigurimin e klasave në bazë institucionale. Pra një shembull që duhet ndjekur edhe nga të tjerët.

Për fund z. Sejdiu, çka mund të shtoni, në lidhje me mësimin plotësues të gjuhës shqipe, dhe a e shihni ndonjë rrezik për asimilimin e fëmijëve shqiptarë të mërgatës?

Diçka të veçantë nuk kam, por ato që i kemi thënë deri më tani, të bëhemi bashkë dhe të veprojmë në shërbim të gjeneratës së re, me qëllim që mijëra fëmijë shqiptarë të mos mbeten nesër pa gjuhën e nënës.

Komunikimi me prindërit për të dërguar fëmijët e tyre në shkollat shqipe duhet të jetë i përhershëm dhe intensivë

Përballja me një mentalitet të gabuar sipas të cilit mendohet se fëmijët pengohen( mbinkargohen) në procesin e integrimit te tyre, në vendin pritës; Që ne mendojmë se është gabim dhe natyrisht kryefjalë duhet të jetë  ndërgjegjësimi i përgjithshëm mbi domosdoshmërinë e edukimit në gjuhën amtare…

Sejdiu, në përmbyllje të intervistës a mund të na flisni  a mund të na flisni për seminarin kombëtar, që do të mbahet më 31 korrik dhe 1 dhe 2 gusht në Vlorë?

Tani unë dëshiroj që përmes kësaj interviste, nëpër mjet portalit “Ura e Bashkuar”, që numri i lexuesve në kuadër të portalit po rritet gjithnjë e më tepër. Dëshiroj të përcjellë një porosi dhe natyrisht do t’i përgjigjemi pyetjes tuaj rreth organizimit të seminarit që mbahet sivjet në Vlorë. Mësimi i gjuhës amtare për fëmijët e diasporës shqiptare nuk është diçka e thjeshtë, për ta lënë pas dore apo për ta prolongua, apo për ta lënë për dikur më vonë. Por, përkundrazi është një detyrim moral dhe kombëtar. Ne duhet të jemi të gatshëm në çdo kohë të punojmë në shërbim të një organizimi sa më të mirë të këtij lloj mësimi, sepse është shumë i nevojshëm për fëmijët të cilët jetojnë në mërgatë.

Është thënë dhe thuhet: “Një njeri që nuk i njeh rrënjët e veta është shumë i vështirë të integrohet dhe të hedhë rrënjë në një mjedise të huaj” dhe mbi të gjitha e kemi thënë dhe e themi se gjuha dhe kultura kombëtare është detyrim moral dhe kombëtar. Prandaj duhet të veprojmë bashkarishtë dhe në këtë drejtim KKAD-ë, por edhe ne mësuesit nga të gjitha shoqatat ekzistuese nga mbarë mërgata, ju jemi shumë mirënjohës institucioneve tona, që sivjet organizojnë seminarin e mësuesve në Vlorë. Ku natyrisht do të bashkëbisedojmë  dhe debatojmë në dobi të organizimit të mësimit sa më të mirë të mësimit plotësues në diasporë.

Numri i mësuesve të cilit do të marrin pjesë, sipas njohurive që kemi është i konsiderueshëm dhe si i tillë duhet të jetë; Janë pjesëmarrës po thuajse nga të gjitha shtetet, aty ku zhvillohet mësimi në mbarë botën dhe do të jenë prezent në nënorganizimin e institucioneve tona, të dy Ministrive ton, të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës dhe si i tillë është i dobishëm për ne. Këtu, do të mundohemi t’i themi të gjitha gjërat të cilat i kemi përjetuar gjatë tërë këtij vitit shkollor dhe natyrisht të shtrojmë kërkesa reale, për realizimin e tyre për vitin e ardhshëm shkollor

Për ta përmbyllur këtë intervistë, do të shtoj edhe këtë pyetje: Çfarë është porosia e juaj për bashkëkombësit, institucionet tona dhe prindërit që i kanë fëmijët për shkollën shqipe dhe nuk i dërgojnë për ta vijuar mësimin plotësues në gjuhën shqipe?

Shumë e thjeshtë, askush nuk ka të drejtë t’ua kufizojë fëmijëve të drejtën për të mos i vijuar mësimet në gjuhën amtare, sepse vijimi në mësimin në gjuhën amtare e kanë obligim prindërit, që t’i këshillojnë fëmijët e tyre dhe të kujdesën për ta, që ata të vazhdojnë ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën e të parëve të tyre, gjuhën e atdheut të tyre.

Në këtë drejtim të gjithë prindërit duhen të bëhen bashkë dhe të jenë ma të kujdesshëm në bashkëveprim me qëllim të regjistrimit e të gjithë nxënësve për vitin e ardhshëm shkollor. Në këtë rast, unë përveç që kam porosi që regjistrimin e fëmijëve është detyrim, kam edhe një porosi që të veprohet sa më shpejt sa nuk është bërë vonë. Sepse dikur mundësit dhe rrethanat rezultojnë që numri i madh i fëmijëve të mbeten pa gjuhën e nënës dhe ky do të ishte një dëme i madh kombëtar.

Shpresoj në këtë vit shkollor të kemi më shumë nxënës dhe të kemi një vetëdije më të lartë te prindërit shqiptarë, por dhe ne mësuesit të punojmë më tepër dhe të angazhohemi, me qëllim që të bashkëveprojmë dhe të bashkëpunojmë në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Në fund faleminderit për ftesën, bashkëbisedimin dhe juve ju dëshiroj shumë suksese!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.