Rasti i dhunës i raportuar mbrëmë në komunën e Skenderajt është një tjetër sinjal shqetësues për nivelin e kulturës politike dhe demokratike në shoqërinë tonë. Ngjarje të tilla nuk duhet të trajtohen si incidente të zakonshme apo si pasojë e emocioneve momentale, por si tregues të një klime të rrezikshme intolerance që, fatkeqësisht, po vazhdon të ushqehet nga vetë diskursi politik.
Në një sistem pluralist, mendimi ndryshe nuk është kërcënim, por vlerë themelore e demokracisë. Pikërisht aftësia për të pranuar kundërshtarin politik dhe për të respektuar të drejtën e secilit për të menduar ndryshe e dallon një shoqëri demokratike nga një shoqëri e dominuar nga frika, presioni dhe mentaliteti autoritar.
Ata që dikur luftuan për lirinë dhe çlirimin e Kosovës kanë përgjegjësi edhe më të madhe morale e historike për të dhënë shembull tolerance, qytetarie dhe maturie politike.
Nëse lufta është bërë për lirinë e të gjithëve, atëherë kjo liri duhet të vlejë njësoj për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike apo ideologjike.
Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë atë si pronë personale apo partiake. Mentaliteti i përjashtimit dhe arroganca politike janë në kundërshtim të plotë me frymën demokratike mbi të cilën duhet të ndërtohet shteti.
Veçanërisht shqetësues mbetet fakti kur liderë politikë apo përfaqësues institucionalë dalin publikisht dhe relativizojnë ose justifikojnë dhunën. Në atë moment nuk kemi më të bëjmë me konkurrencë demokratike, por me legjitimim të mosdurimit dhe të logjikës së forcës.
Deklaratat e pamatura dhe reagimet emocionale jo vetëm që dëmtojnë klimën politike, por njollosin edhe vetë kontributin e atyre që në periudhat më të vështira u vunë në mbrojtje të Kosovës.
Po aq problematike është edhe ndërhyrja në punën e organeve të rendit dhe sigurisë. Në çdo shtet demokratik, policia dhe institucionet e sigurisë kanë për detyrë ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.
Kjo është praktikë universale. Edhe në vendet me traditë të gjatë demokratike, si Zvicra, askush nuk e vë në dyshim të drejtën dhe detyrën e policisë për të patrulluar dhe për të garantuar rendin në qytet apo në fshat.
E kaluara jonë politike ka lënë plagë të thella. Shoqëria kosovare ka përjetuar edhe raste tragjike ku, gjatë fushatave zgjedhore, janë vrarë pjesëtarë të partive kundërshtare si pasojë e urrejtjes politike dhe e përpjekjeve për ta deformuar vullnetin qytetar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo tolerim i gjuhës së urrejtjes apo i dhunës duhet të konsiderohet alarm serioz për demokracinë.
Fatkeqësisht, dhuna verbale dhe mosdurimi politik shpesh ushqehen nga vetë liderët partiakë. Në publik ata paraqiten si kundërshtarë të ashpër, ndërsa prapa skenës bashkohen rreth interesave personale, ekonomike apo klanore. Në këtë realitet të deformuar, humbësi më i madh mbetet qytetari i zakonshëm, i cili, i nxitur nga retorika përçarëse, shkon deri te konfliktet personale me militantët e partive rivale.
Përkundër deklarimeve për maturi dhe standarde demokratike, shumë prej fushatave zgjedhore në Kosovë dhe Shqipëri vazhdojnë të dominohen nga skandalet, polarizimi dhe propaganda agresive.
Demokracia nuk ndërtohet mbi frikën, manipulimin dhe mobilizimin militant, por mbi besimin qytetar dhe integritetin moral të përfaqësuesve politikë.
Një fenomen tjetër shqetësues mbetet lëvizja e shpeshtë e individëve nga një parti në tjetrën, shpesh jo për shkak të bindjeve politike, por për interesa personale dhe klanore. Kjo krijon mosbesim te qytetarët dhe e zbeh seriozitetin e vetë sistemit politik.
Edhe një pjesë e mediave, në vend që të kontribuojnë në qartësimin e opinionit publik me profesionalizëm dhe paanshmëri, shpesh bien pre e sensacionalizmit, anshmërisë politike dhe gjykimeve të parakohshme, duke marrë rolin e institucioneve të drejtësisë.
Dhuna, intoleranca dhe sidomos justifikimi publik i tyre janë rrugë e rrezikshme që mund ta çojnë një shoqëri drejt destabilizimit institucional dhe anarkisë. Demokracia nuk mbrohet me forcë, por me kulturë politike, me institucione të pavarura dhe me respekt të ndërsjellë.
ARIF EJUPI











