16.5 C
Tirana
E hënë, 11 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Rilindasit shqiptarë në filateli, mes përfaqësimit dhe mungesës

Rilindasit shqiptarë në filateli, mes përfaqësimit dhe mungesës

0
Rilindasit shqiptarë

Besnik Fishta Besnik Fishta

Rilindja Kombëtare Shqiptare mbetet një nga periudhat më të ndritura të historisë sonë, ku mendimi intelektual, veprimi politik dhe krijimtaria letrare u ndërthurën për të formësuar identitetin kombëtar dhe për të çuar drejt Pavarësisë. Figura si vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Jeronim De Rada e shumë të tjerë janë shtylla të kësaj lëvizjeje, por mënyra se si ato janë reflektuar në filatelinë shqiptare ngre jo pak pikëpyetje. Nëse pulla postare është një dokument zyrtar që përfaqëson kujtesën dhe vetëdijen e një shteti, atëherë përfaqësimi i rilindasve në të duhet të ishte i qëndrueshëm, i plotë dhe i menduar mirë. Në realitet, ai ka qenë i fragmentuar, shpesh i kushtëzuar dhe jo në lartësinë e rolit që këto figura kanë pasur në historinë kombëtare.

Në periudhën para vitit 1944, mungesa e rilindasve tane në pullat shqiptare është e plotë. Filatelia e kohës u përqendrua kryesisht në imazhin e mbretit, në simbolikën shtetërore të monarkisë apo të regjimit fashist, duke lënë në hije pikërisht ata që krijuan bazat e këtij shteti. Ky realitet nuk mund të shpjegohet vetëm me rrethanat e kohës, pasi nxjerr në pah një kundërthënie të qartë, qe shteti i ngritur mbi idealet e Rilindjes nuk arriti t’i reflektojë ato në një nga mjetet më të drejtpërdrejta të komunikimit publik.

Emisioni pare per Rilindjen Shqiptare “Shkrimtaret e Rilindjes”, viti 1950
Naum Veqilharxhi, viti 1958 “Luigj Gurakuqi”, viti 1958

Gjatë periudhës 1945–1990, prania e disa rilindasve në filateli bëhet më e dukshme, por kjo nuk duhet mbivlerësuar. Përfshirja mbeti selektive dhe e filtruar nga optika ideologjike e sistemit. Figura si Naimi, Samiu, Abdyl Frashëri, Dora D’Istria, Çajupi apo Petro Nini Luarasi u përfshinë, por shumë të tjerë me kontribute të rëndësishme, si Gjergj Fishta, Koto Hoxhi, Nikollë Kaçorri apo një pjesë e mirë e arbëreshëve, u lanë jashtë. Rilindja, në vend që të paraqitej si një mozaik më i gjerë figurash dhe kontributesh, u reduktua në disa emra të pranueshëm për diskursin zyrtar.

Edhe kur trajtohej, ajo shpesh zhvendosej nga individët drejt ngjarjeve dhe institucioneve, si Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit apo shkolla e parë shqipe, duke shmangur një qasje më të plotë dhe përfaqësuese. Ndërkohë, vendin që do t’u takonte figurave rilindase e zunë shpesh figura ideologjike vendase apo botërore, si edhe aktivitete të mbingarkuara nga spektri politik, vendas apo i huaj. Tematikat e patriotëve rilindas dhe të ngjarjeve të lidhura me ta zunë një përqindje shumë të ulet të emisioneve postare.

“Jeronim De Rada”, viti 1964 “Ndre Mjeda”, viti 1966
“Andon Zako Cajupi”, viti 1966 “ Zef Jubanit”, viti 1968
“Dora D’Istria”, viti 1979 “Gjergj Fishta”, viti 1996

Pas vitit 1990, me rënien e kufizimeve ideologjike, do të pritej një rishikim më i thellë dhe një hapje më e guximshme ndaj figurave të lëna në harresë. Megjithatë, kjo pritshmëri nuk është përmbushur në masën e duhur. Edhe pse janë shtuar disa emisione dhe janë përfshirë figura të reja të papërfaqësuara më parë, në tërësi vërehet një mungesë vizioni afatgjatë. Një orientim i tepruar drejt tematikave ndërkombëtare, disa here pa një arsyetim të qartë për përzgjedhjen e tyre, ka bërë që filatelia shqiptare të humbasë një pjesë të funksionit të saj identitar. Si pasojë, shumë rilindas mbeten ende jashtë këtij komunikimi simbolik, ndërsa përfaqësimi i atyre që janë përfshirë nuk krijon një panoramë të plotë të kësaj periudhe themelore

“Nikoll Kacorrit”, viti 2013 “Zef Skiroi”, viti 2015

Imazhet në pullat që paraqesin rilindasit shoqërohen zakonisht me elemente të njohura si libri, pena, flamuri apo shqiponja dykrenare, duke ndërtuar një narrativë të qartë mbi rolin e dijes, gjuhës dhe identitetit. Megjithatë, edhe këtu vërehet njëfarë standardizimi që shpesh e varfëron mesazhin dhe nuk arrin të pasqyrojë individualitetin dhe kompleksitetin e secilës figurë dhe kur kësaj i shtohet edhe mungesa e shumë emrave të rëndësishëm, rezultati është një kujtesë filatelike e cunguar. Në këtë kuptim, filatelia shqiptare ka mundesi të ndërtojë një raport të plotë mbi trashëgiminë e Rilindjes, duke mos mbetur një pasqyrë e pjesshme, për sa kohë që përzgjedhja e figurave është e kufizuar, ndërkohë që ka emra te tjere qe duhet të gjejë pasqyrimin e merituar sipas kontributit që ka dhënë, duke e bërë filatelinë një “libër të hapur” edukues për brezat e rinj.

Pikërisht për këtë arsye, nevoja për një rivlerësim të thellë mbetet e domosdoshme, duke mos lënë jashtë emisioneve postare asnjë veprimtar të Rilindjes, të cilët janë të shumtë dhe kërkojnë vijimësi në studimin e tyre nga shkenca e historisë, si dhe për të ndërtuar një qasje më gjithe përfshirëse, sidomos në shekullin XXI, kur çështja kombëtare nuk është zgjidhur në mënyrë përfundimtare. Në këtë kontekst, rilindasit do te zinin vendin që u takon si themelues të vetëdijes kombëtare dhe jo të mbeten figura të rastësishme në një program filatelik.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.