VDEKJA E SOVRANIT

0
484
Mehmet Elezi - tregim, Nacional

Mehmet Elezi

Tregim, botuar sot në NACIONAL

Njeriu përballë dukej si milingonë. Bubrrec voglan, i zi. Ani pse i gjatë.
Ai, madhështor. Elefant riosh, i vezullonte shpina. Hunda mund të pinte ujë në qiell, duke thithur retë.
Ti më duhesh, tha voglani i gjatë.

Elefanti as që e përfilli. U lëshua turr kah pylli. Lisat u zverdhën prej tute.
Njeriu i zi tundi kryet, ani ani. U ngarkua me shashka e daulle dhe iu vu pas. Kafsha, që luanët i dukeshin si miza, curroi veshët.

Ç’janë këto armë?
Njeriu i nxirë përmbrapa. Dap e dup tupani. Bab e bum shashkat. Ti kafshë je sa një mal, tha. Bash pse je sa një mal, më duhesh. Do të shkosh drejt një vendi, që e di unë.

Te vendi që dinte ai, kishte çelë një gropë. Të thellë, të thellë. Fshehur nën dushk të njomë. Fshehur nën bar të butë, erëmirë.
Ai gjithnjë pas kafshës sa një mal. Dap e dup, bam e bum! Të bezdisshme këto zhurma bubuzhelësh, tha elefanti. Ia futi një pordhë në turinj njeriut që e ndiqte, e përplasi tej dhe u bë erë. Njeriu gjatuc mbeti mbrapa. Por gropa që kish çelë, përgjonte përpara. Mbuluar me gjethe. Mbuluar me bar të njomë, erëmirë.

Papritmas dheu u tëhumb. Elefanti u shemb në fund të gropës. Toka u trand kur ai ra brenda. Tërmet? Elefanti çoi sytë. Bregu dukej lart, tepër lart. I paarritshëm, si qielli. Ai, në fundbotë. Pall, bërtit, kokrrën e lotit sa grushti, e kotë.

Njeriu i nxirë kaloi përskaj. Nuk iu përgjigj vështrimit lutës të elefantit. Nuk iu përgjigj as të nesërmen. As pas pesë ditësh. Pas një jave u ndal, po ti? I uli një kovë me ujë. Të pasnesërmen një kovë tjetër. Pastaj një krah degë me gjethe. Dikur i lëshon në fund të gropës edhe një dorë shavar.

Kafsha sa një mal nis me e këqyrë njeriun vrasës si perëndi. I bie në gjunjë e i falet, ti po më mban gjallë. Kush ta bëri këtë gjëmë?, ofshan njeriu që e fundoi vetë në gropë. Thellë paske rënë! Të pamundurën do të bëj, të të shpëtoj.
Dhe e ngriti.

Elefanti u mbush me frymë, më i lumtur se kurrë. Kish parë vdekjen me sy, tashti dinte me e çmue jetën.
E mori me feçkë njeriun, e hipi në shpinë. Ta kam borxh, më qite nga varri ku më shtinë për së gjalli.

Njeriu i zi kish përgatitur një samar të fortë. Ia përthekoi mirë e mirë në shpinë samarin e fortë. Ec!, ia mëshoi me thupër vitheve. Atij, elefantit sa një mal.

Një majmun sa një kotele, i bardhë si lepurush, këqyrte prej majës së një lisi, që luhatej nëpër lirinë e qiellit. Bishtin përpjetë dhe zgërdhihej.

– Hi-hi! Dhe thua jam sovran i pyllit. Ku është parë sovran me samar? Dhe kush ta vuri? Një burrec bubrrec!
– Ik mor morr!, tha elefanti. Ku di ti ç’është mirënjohja. Ky më nxori nga gropa!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.