SARAJEVA: QYTETI I DHEMBJES DHE I KRENARISË

0
Sarajevo
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Ishte dhjetori i vitit 2003, kur Besa Luzha, si Koordinatore e Programit në Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Kosovë, një fondacion gjerman që promovonte zhvillimin e politikave ekonomike-sociale dhe çështjeve gjinore në bashkëpunim me partitë politike dhe projekte të orientuara drejt demokracisë sociale, mori përsipër të udhëhiqte një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës drejt Sarajevës.

Pse Sarajeva? Një pyetje që lypte një përgjigje të heshtur, por të thellë. Dy vende të lënduara, që kishin kaluar nëpër shtigje të ngjashme drejt lirisë dhe pavarësisë, që kishin njohur dhimbjen e luftës, plumbat dhe plagët që s’mund të shërohen as me kalimin e viteve. Viktimat, të shumta e të pafajshme, janë ende gjallë në kujtimet e atyre që i mbijetuan, e sado kohë të kalojë, nuk do të harrohen kurrë. Sarajeva, një plagë e hapur në zemrat e miliarda njerëzve, një dhimbje që përhapi valë nëpër botë. E Srebrenica, ajo njollë e errët, që e poshtëroi njerëzimin e tregoi kufijtë e mizorisë.

Si të harrohet Kosova? Si mund të shlyhet nga kujtesa kolektive e botës dëbimi i një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, masakrat që u përhapën si një re e zezë mbi çdo cep të saj? Me ç’të drejtë? Vetëm sepse ky popull kërkonte atë që i takonte me të drejtë—lirinë e mohuar, atdheun e shenjtë që e donin ashtu siç çdo fëmijë e do nënën e vet.

Ka një bukuri të veçantë në sakrificën për atdheun, por më e lartë është bukuria e të jetuarit për të. Siç thoshte poeti Petőfi, “Nëse duhet të vdes, më mirë të vdes unë se sa atdheu im.” Dhe ndoshta çdo ushtar i UÇK-së, me këtë parim në zemër, u nis drejt lirisë, duke e vendosur atë mbi çdo gjë tjetër. Jeta e tyre, një dhuratë e vogël për një liri që shkëlqen si një flakë e pashuar në altarin e historisë.

Kur më erdhi ftesa për udhëtimin në Sarajevë, ndjeva një tronditje të brendshme, një përplasje imazhesh nga ato vite të tmerrshme lufte që kisha parë nga ekranet. Ftohtësia e kujtimeve përshkoi trupin tim, por megjithatë, një zë i brendshëm më tha: “Duhet shkuar. Duhet parë njerëzit dhe qytetin që ende mban brenda tij plagët e kohës.”

Ishte viti 2003 dhe plaga e luftës ende ishte e freskët në trupin dhe shpirtin tonë. Nuk di të them nëse do të shërohet ndonjëherë kjo plagë që na rëndon si një gur mbi zemër. Edhe pse vitet e lirisë kishin nisur, brenda meje dhimbja vazhdonte të rridhte si një lumë i errët, sidomos kur më pushtonte kujtimi i tragjedisë së familjes Jashari. Ato netë pa gjumë, ato ditë të pafundme, ku përpiqesha të largoja mendimet që më gërryenin shpirtin, nuk mund të shmangnin atë dhembje që e ndjejmë të gjithë ne si shqiptarë.

Kur i tregova Tefikut për ftesën që kishim marrë për të vizituar parlamentin e Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk munda të fsheh shqetësimin tim. Dhimbja e atij vendi më rëndonte po aq sa ajo e Kosovës, dhe përbrenda më pushtonte një frikë e heshtur. Si gjithmonë, Tefiku më dha kurajë. “Duhet të shkosh,” më tha, “sepse kjo është një tjetër përvojë që do të të bëjë më të fortë. Krahasoji përjetimet e tyre me tonat, krahasoje të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës, dhe do të shohësh se sa kemi ecur përpara në këtë rrugëtim.”

Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen, u nisëm me një kombibus drejt Sarajevës, sepse aeroporti ynë ende nuk kishte lidhje direkt. Një rrugëtim tjetër do të kishte qenë edhe më i gjatë, por ky udhëtim, për çudi, kaloi shpejt. Deputetët flisnin, ndërsa bisedat përziheshin mes seriozitetit dhe humorit. Nga biseda në batutë, nga mendime të rënda në qeshje spontane, ora fluturonte dhe ne për një çast harruam rëndesën e misionit që kishim.

Deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, në Parlamentin e Bosnjës e Hercegovinës, Sarajevë, 2003

Kur mbrëmja ra, arritëm në Sarajevë. Asnjë problem nuk na doli përpara, dhe lodhja kishte pllakosur mbi ne si një batanije e rëndë. U vendosëm në një hotel të vogël, në periferi të qytetit. Për një moment, ndjeva një ngrohtësi të veçantë kur kuptova se pronari ishte një shqiptar nga Kosova. Ndoshta ishte rastësi, por ndoshta ishte fati që na lidhte në mënyra të pazakonta me njëri-tjetrin, edhe në vende të largëta. Dhe aty, në atë mbrëmje të heshtur, me mendjen ende të ngarkuar nga kujtimet e Kosovës dhe vështirësitë e rrugëtimit tonë, ndjeva se çdo hap drejt së ardhmes ishte një fitore e vogël mbi të kaluarën.

Na pritën siç pritet miku i dashur, me krahë të hapur dhe zemër të ngrohtë. Dhomat më të mira na ishin ofruar, dhe darka solemne na priste, plot kujdes e mirësjellje. E megjithatë, sa menduam se lodhja do të na mposhte, sapo u rehatuam në sallën e madhe, e ngrohtë dhe plot dritë, filluam të diskutojmë për ditën e nesërme, e cila na priste me sfidat dhe përgjegjësitë e saj. Kishim bërë rendin e fjalës, kush do të fliste i pari, i dyti e kështu me radhë, duke e ndjekur traditën që udhëheqësi i grupit, kryetari i komisionit të ftuar, ishte ai që niste gjithçka. Pas tij, anëtarët e grupeve parlamentare ndanin mendimet e tyre, ndonjëherë me marrëveshje të heshtur, kush do të fliste ku dhe kur. Kjo strategji e menduar mirë kishte rezultuar e suksesshme në vizitat e kaluara, dhe as këtë herë nuk do të zhgënjente.

E në kohën kur unë kam qenë deputete, pa drojë mund të them se të gjithë ne ishim të përgatitur mirë. Ishim njerëz me përvojë jetësore dhe politike, dhe secili prej nesh mbante plagët e luftës, ato plagë që ende s’kishin mbyllur. Në çdo fjalë që ne thoshim, rridhte një kujtesë e hidhur dhe një shpresë e ndritur, e ndonjëherë ato dy ndjesi përziheshin dhe na bënin të jemi më të fortë, më të vendosur.

Një grup i deputetëve në një takim me Komisionin e Mirëqenies Sociale të B e H,
Sarajevë, dhjetor, 2003

Kishte kaluar mesnata, por ne ende ishim të zhytur në debate. Diskutonim për padrejtësitë që na dukeshin të pamohueshme në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku, edhe pas gjithë këtyre viteve, ajo kishte mbetur peng i Republikës Serbska. Ishim të zhgënjyer me ndërkombëtarët, të cilët në sytë tanë dukeshin sikur nuk kishin bërë mjaftueshëm për të shmangur problemet që rëndonin mbi qytetarët e thjeshtë dhe që u ngjanin gurëve të rëndë mbi supet e tyre. Dhe, me trishtim e pranuam, parashikimi ynë për një të ardhme të mjegullt po dilte i saktë. Në atë sallë të ngrohtë, mes zërash të qetë por të vendosur, ndjeva se nuk ishim vetëm.

E kaluara jonë, e përbashkët dhe e dhimbshme, na lidhte, dhe në diskutimet tona, jo vetëm për Bosnjën, por edhe për Kosovën, ne shihnim se sa larg kishim ardhur, por edhe sa shumë kishim ende për të bërë.

Takimet ishin caktuar në mesditë, një kohë e mjaftueshme për të pushuar, për t’u përgatitur, për të mbledhur mendimet dhe për t’i rregulluar ndjenjat që valëviteshin mes nesh si flamuj të heshtur kujtimesh të hidhura. Takimi i parë ishte me kryetarin e parlamentit, një njeri i përgatitur dhe tepër mikpritës, që na priti me buzëqeshje, por edhe me një hije brenge që fshihej thellë në sytë e tij. Ndonëse kishim dalë nga një ish-Jugosllavi dhe tashmë ishim shtatë shtete të ndara, ende bisedonim për atë kohë, për grushtet që kishim marrë, për dhimbjet që s’ishin shuar kurrë. Dhe ishte e pashmangshme të mos flisnim për luftërat që na kishin lënë plagë të pashëruara.

Kryetari i Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, një boshnjak me zemër të hapur, i cili që nga
dhjetori i vitit 2002 kishte udhëhequr vendin me mençuri, na foli pa ngurrim për pakënaqësitë e tij. Ai ndihej i mbërthyer në kurthet e ndërkombëtarëve, të cilët, sipas tij, kishin marrë vendime të padrejta, duke e ngurtësuar të ardhmen e vendit. Ai vuri re mungesën e deputetëve serbë të Bosnjës e Hercegovinës në takimin me ne, dhe në fjalët e tij ndjeva një trishtim të thellë për luftën që s’e kishte dëshiruar as populli i tij, as ai vetë. “Lufta,” tha ai, “është e keqe për çdo popull. Ne nuk e deshëm, por ajo na u imponua. E ngjashme me atë që ju keni përjetuar.”

Me një zë të vendosur, ai na kujtoi se liria ka një çmim të lartë, një çmim që e kishim paguar edhe ne, edhe ata, në gjak e në vuajtje. “Por lufta jonë nuk ka përfunduar,” tha ai, “ajo vazhdon në një mënyrë tjetër, më të sofistikuar. Dhe duhet të jemi të kujdesshëm, se çdo hap i gabuar do të na kushtojë shumë.” Fjalët e tij ranë si gurë të rëndë mbi ne, por ai vazhdoi: “Lufta na solli deri te kjo tavolinë ku ne marrim vendime. Tani, është koha të hapim sytë dhe mendjen, për të parë se çfarë është më e mira për popujt tanë.”

E dimë, mendoi ai me zë të lartë, se mbi gjithçka qëndron liria dhe një shtet demokratik, një shtet ku të gjithë janë të barabartë. Dhe vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, të sigurojmë një të ardhme më të ndritur për veten dhe për vendin tonë. “Duhet të jemi të sigurt në hapat që bëjmë,” tha ai me një ndriçim të ri në sy, “se vetëm të bashkuar mund të ndërtojmë diçka që nuk do të shembet nga erërat e padrejtësisë.”

Në këtë takim, folëm për gjithçka që na shqetësonte, ndamë përvojat tona nga e kaluara, e tashmja dhe ato që mund të na prisnin në të ardhmen. Fjalët na lidhën si fije të padukshme, duke krijuar ura mbi plagët e historisë sonë. “Jemi në anën tuaj,” tha një deputet boshnjak me vendosmëri, “në anën e së drejtës, dhe do të jemi aty gjithmonë, sa herë që të keni nevojë.” Por pastaj, një buzëqeshje e hidhur ndriçoi fjalët e tij, “por, puna jonë është një punë e ngatërruar.”

Dolëm nga kjo sallë e kryetarit të parlamentit boshnjak, me një dëshirë të vetme që na mbushte zemrat: që liria të jetë pronë e çdo njeriu, për të gjithë ata që e kërkojnë, që e duan dhe që janë të gatshëm ta mbrojnë me jetën e tyre. Ky takim na la të frymëzuar, me një zjarr të ri brenda nesh për të bërë më shumë për vendin tonë, për të luftuar me më shumë forcë për çdo vendim apo iniciativë që merrnim. Një betim i heshtur për Kosovën rezononte në mendjet tona: “Kosova kurrë më e robëruar, Kosova gjithsesi do të shpallë pavarësinë dhe do të jetë demokratike.”

Pas takimit, dolëm për drekë me grupin e deputetëve. Duhet thënë se drekat e tilla shpesh ishin vendet ku bëheshin bisedat më të mira politike, larg formës së ngurtë të sallave zyrtare. Në këto dreka, flisnim pa censurë, ndërsa mes tregimeve të ndryshme, shkëmbenim mesazhe që nuk do të kishin vend në asnjë takim zyrtar.

Në këto vizita, ose ne merrnim përkthyesin me vete, ose nikoqirët na siguronin një të tillë. Dhe këta përkthyes shpesh ishin edhe guidat tona të heshtura, duke na treguar rrugët e qyteteve dhe jetën e vendit me një precizitet që vetëm ata mund ta kishin. Ashtu ndodhi edhe në Sarajevë. Përkthyesi ynë, i cili jo vetëm që e njihte mirë gjuhën, por edhe zemrën e qytetit dhe të popullit boshnjak, na udhëhoqi përmes historive të rrugëve, ndërsa shkonim nga një takim në tjetrin.

Me një shkathtësi të admirueshme, ai na orientonte nëpër rrugët e ngushta të Sarajevës, duke na dhënë një ndjenjë të thellë të lidhjes me vendin që vizitonim. Ndërsa po ecnim drejt takimit të radhës, ai me një zë të qetë dhe të përmbajtur shtoi se kishte lexuar diçka natën e kaluar në internet – njësoj si unë, para se të nisesha për këtu. Ato faqe kishin zbuluar për mua informacione të vlefshme rreth Sarajevës dhe vetë Bosnjës e Hercegovinës, një copëz e Ballkanit të përgjakur dhe të mrekullueshëm, e cila qëndron në jug-lindje të Evropës.

Ai e nisi fjalën e tij duke përshkruar këtë shtet si një tokë të vendosur në perëndim të Gadishullit Ballkanik, ku gjaku dhe historia kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Kryeqyteti, Sarajeva, është zemra e saj, një qytet që ka parë dhe ka përjetuar më shumë se çdo tjetër. Në veri dhe jug, kufijtë e saj prekin Kroacinë, ndërsa në lindje qëndron Serbia dhe Mali i Zi, si fqinjë të heshtur e të ndërlikuar. Dhe përkundër gjithë bllokadave të tokës, ka një dalje të vogël në Adriatik, afër Mostarit, ku deti prek këtë tokë të mbyllur.

Pavarësia e Bosnjës dhe Hercegovinës u shpall më 5 prill 1992, pas një lufte që zgjati katër vite të përgjakshme. Në vitin 2004, organizata të tilla si CIA vlerësuan se popullsia e këtij vendi ishte rreth 4 milionë banorë. Ky shtet, një mozaik kompleks, ndahet në dy njësi kryesore: Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikën Serbe. Sipërfaqja e saj prej 51,129 kilometra katrorë, me koordinatat gjeografike që shtrihen në 44° 00′ N dhe 18° 00′ E, është një tokë ku natyra dhe historia kanë gdhendur shenjat e tyre.

Ndërsa vazhdonim rrugën tonë, unë mendoja për gjithë ato male që ngrihen mbi këtë vend dhe për qytetet që ndajnë lumenjtë. Fjalët e tij dukeshin si një hije e qetë mbi këtë vend, që ka përballuar stuhi dhe ka gjetur dritë edhe mes errësirës.

Klima e Bosnjës dhe Hercegovinës shtrihet në kontraste, si një simfoni natyrore që përshkon çdo cep të kësaj toke. Në veri, ku shtrihen fushat e buta, mbizotëron klima kontinentale, e cila me stinët e saj sjell pranverë të ëmbël dhe dimër të ashpër. Në viset malore, ku majat prekin qiellin, klima malore përshkon ajrin me një freski të fortë, e cila duket se vjen nga thellësitë e botës së harruar. Ndërsa, në luginën e lumit Neretva, ku uji i kristaltë ndjek rrugën e tij të qetë, klima mesdhetare përqafon tokën me një ngrohtësi që kujton bregdetet e lashta. Malet e famshme të Bosnjës, si Dinara, Prenji dhe Jahorina, qëndrojnë si rojtarë të përjetshëm të natyrës, ndërsa Vitorogu, Ozreni, Kozara dhe Zelengora thurin legjenda në heshtjen e tyre madhështore. Në bregun e Adriatikut, toka prek detin në pikën më të ulët, ku valët ledhatojnë vijën bregdetare në 0 metra lartësi.

E përkundrazi, në majën më të lartë të Malit Magliq, në kufi me Malin e Zi, ngrihet krenar mbi tokë në 2,386 metra, si një kurorë që mban qiellin mbi supet e saj. Lumenjtë – Drina, Una, Sana, Sava, Neretva dhe Vërbasi – janë damarët e gjallë të këtij vendi. Ata rrjedhin me një fuqi të qetë, duke lidhur historinë dhe tokën, duke përcjellë mesazhin e përjetësisë nga një brez në tjetrin.

Kureshtja jonë ishte e zjarrtë, dëshira për të njohur çdo cep të këtij vendi dhe qyteti magjepsës na shtynte përpara. Sarajeva, e pasur me thesare turistike, ofronte pafund vende që kërkonin të vizitoheshin. Ndërsa shëtisnim një ditë më parë, pashë një shatërvan që më ngjante aq shumë me atë të Prizrenit, një simbol që mbartte legjenda. Thuhet se, nëse pi ujë nga ky shatërvan, një ditë do të kthehesh sërish në këtë vend. Pa ngurruar, të gjithë ne pimë ujin e ftohtë si dëborë të shatërvanit të Sarajevës, duke besuar në fuqinë e kësaj legjende të vjetër.

Ky shatërvan dukej sikur kishte mbijetuar pa u prekur gjatë kohërave të vështira të luftës – ndoshta sepse ai ofronte ujë të pijshëm për të gjithë ata që kishin nevojë. Sheshi përreth tij, një pasqyrim i Stambollit, por edhe i Prizrenit, të bënte të ndiheshe i lidhur me këto vende, ndërsa rehatia dhe paqja të përshkonin ndërsa vëzhgoje jetën e këtij qyteti të gjallë. Shatërvani, i vendosur në zemrën e Sarajevës, ishte një pikënisje e përkryer për të nisur eksplorimin tonë.

Pyetja që na shoqëronte ishte, ku ta nisnim këtë udhëtim shpirtëror? Nga qendra e vjetër, thelbi i qytetit, apo ndoshta nga zemra e tij, ku çdo rrugë kalldrëmi të ftonte në një udhëtim të paqartë? Ndërsa era e kafesë së freskët, përgatitur me dashuri në çdo shtëpi, të ndillte më tej, ishte e pamundur të mos kapje frymën dhe shpirtin e vërtetë të këtij vendi. Dyqanet e vogla artizanale, bizneset familjare që ruanin me fanatizëm traditat e dhjetë brezave, çajtoret ku historia përhapej si aromë çaji, dhe dyqanet e vogla të suvenireve, të bënin të ndiheshe sikur po ecje në një përrallë të vogël të një qyteti të madh, një histori që vetëm Sarajeva mund ta rrëfente.

Deputetët boshnjak dhe deputete e Kosovës, në një drekë pune, Sarajevë 2003

Guida jonë na tregoi për “Sebilje,” por ne mbetëm të hutuar, duke mos e kuptuar saktësisht se çfarë po përpiqej të na thoshte ky njeri. Kur e pyetëm për domethënien e kësaj fjale të panjohur, ai na shpjegoi se fjala vjen nga turqishtja dhe nënkupton “një ndërtesë në rrugë, aty ku ka ujë.” Atëherë e kuptuam se shatërvanin e famshëm të Sarajevës, vendasit e quanin “Sebilje.” Ky shatërvan, jo thjesht një burim uji, por një simbol i Bashçarshisë, zemrës së qytetit, mbante në vetvete një histori të tërë.

Nëse Sebilje ishte fytyra e Bashçarshisë, atëherë xhamia e Begut, siç e quajnë me dashuri të gjithë, ishte zemra e vërtetë e vjetër e Sarajevës. E rrethuar nga rrugë të ngushta, të mbushura me dyqane artizanale që duket sikur i përkasin një kohe tjetër, kjo xhami e lartë dhe mbresëlënëse shquhet për madhështinë e saj që daton nga shekulli i 16-të. Arkitektura osmane shkëlqen në çdo gur të saj, me afreske dhe mozaikë që kanë ruajtur shpirtin e epokave të kaluara. Xhamia e Begut nuk është vetëm një objekt kulti, por një monument i kulturës dhe shpirtit të qytetit, një qendër e përhershme për komunitetin mysliman të Bosnjë-Hercegovinës.

Duke ecur ngadalë nëpër rrugët e lashta të Sarajevës, guida jonë na foli për Tunelin e Shpëtimit. Fjalët e tij më çuan menjëherë në kujtimet e errëta të serialit turk “Mavi Kelebekler”, në shqip “Fluturat e Kaltërta,” dhe një ndjenjë tmerri më pushtoi. Sikur isha transportuar në ato vite të zymta, përjetova arratinë përmes atij tuneli të ngushtë dhe të frikshëm. Ndërsa ecja nëpër kujtime, mu rikthye edhe lufta jonë, kujtimi i asaj kohe të dhimbshme kur ishim strehuar në një lagje të Prishtinës. Nga dritarja e apartamentit shihja njerëzit që drejtoheshin drejt stacionit të autobusëve, dhe më pas, si një rrufe, forcat serbe i kapën të gjithë, i lidhën dhe i rrahën pa mëshirë. O Zot, ajo ishte një kohë e pamëshirshme, ku frika nuk kishte fund.

Guida na pyeti sërish: “A doni të shkojmë ta shohim tunelin?” “Po,” i thashë pa hezituar, “le të shkojmë.” Tuneli i Shpëtimit ishte një vepër e fshehtë, një kalim shprese në zemër të një qyteti të rrethuar nga lufta në vitin 1993. Nën pistën e aeroportit të Sarajevës, ky tunel i gjatë lidhte dy territore të kontrolluara nga Ushtria e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Dobrinja dhe Butmir, dhe për këtë arsye u quajt Tuneli D-B. Një kalim i ngushtë, rreth 785.5 metra i gjatë, vetëm një metër i gjerë dhe 1.5 metra i lartë, megjithëse në disa pjesë lartësia arrinte në 1.8 metra. Ky tunel ishte sekreti i ruajtur me fanatizëm i Sarajevës, një damar i fshehtë që mbante në jetë një qytet të tërë, duke sjellë ushqim, armë, cigare dhe gjithçka tjetër që nevojitej për mbijetesë.

Sipas gogolit thuhej se në vitin 1994, për të lehtësuar transportin e mallrave, në tunel u vendosën shina të vogla, ku lëviznin karrocat me mallra. Ato shina, si damarë të heshtur, bartnin mbi vete barrën e shpresës, duke lidhur botën e brendshme të rrethimit me atë jashtë. Tuneli i Shpëtimit, një udhë kalim i errët dhe i vogël, ishte drita e fshehtë e Sarajevës, një rrëfim i pathënë për heroizmin dhe vendosmërinë e një populli që nuk dorëzohej as përballë mureve të luftës

Në vitin e tmerrshëm 1994, ushtria e Republikës Srpska mori vesh për tunelin, atë damar të fshehtë të shpëtimit që mbante gjallë shpresën e Sarajevës. Ratko Mlladiq kërkoi nga OKB-ja, që kontrollonte aeroportin, ta shkatërronte dhe ta mbyllte atë rrugë të ngushtë shpëtimi. Ushtria serbe nisi një përpjekje të pashpresë, duke gërmuar një tunel tjetër dhe duke devijuar lumin Zheljeznica për ta zhytur dhe çaktivizuar këtë kalim të fshehtë, por natyra dhe vendosmëria e popullit të Sarajevës fituan mbi përpjekjet e tyre. Synimi i tyre nuk pati sukses.

Pas përfundimit të luftës dhe rrethimit të përgjakshëm, hyrja e tunelit, që dikur ishte shtëpi familjare, u shndërrua në një muze kujtese. Ky muze është tani një dritare në të shkuarën, ku ekspozohen fotografi lufte, pjesë të armëve ushtarake, flamuj, uniforma dhe pajisje që kujtojnë ditët e zymta të rrethimit. Në vitin 2004, autoritetet vendore kërkuan fonde për të “rindërtuar plotësisht tunelin” dhe për të ndërtuar objekte muzeale në hyrjet dhe daljet
e tij. Edhe sot, ky muze i rrëqethshëm tërheq turistë nga mbarë bota, të cilët kanë mundësinë të kalojnë përmes një pjese prej 20 metrash të tunelit, duke ndjerë gjurmët e asaj kohe të përgjakshme.

Sarajeva edhe më tej mbetet një vend unik në Ballkan, ku ndodhet një nga muzetë më të pazakonshme, unike dhe të trishta të rajonit të ish-Jugosllavisë, ku lufta la plagë të pashërueshme. Muzeu i “Fëmijërisë së Luftës” është një thesar i hidhur, një pasqyrë e qartë e dhembjes njerëzore dhe torturës që përjetuan breza të tërë. Kushdo që shkel në këtë muze, ndjen një përzierje emocionesh, ku trishtimi dhe dhembja të përpijnë të tërin. Ky muze të detyron të reflektosh thellë mbi dhimbjen e pamasë dhe mbi pasojat e luftës, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e çdo vizitori.

Trishtimi të pushton shpirtin kur kalon mes rreshtave të ekspozitave të muzeut, ku çdo relikte tregon historinë e saj të pabesueshme, një rrëfim i qartë i fatkeqësisë së luftës. Çdo ekspozitë flet me gjuhën e heshtur të dhimbjes dhe traumës, duke përshkuar thellë në zemrën e kujtdo që shikon. Është sikur të gjithë ata që u dëmtuan, ata që u zhdukën, dhe ata që përjetuan ato tmerre, të flasin përmes këtyre objekteve të ruajtura nga harresa. Dhe në këtë mënyrë, ne ndiejmë një çlirim të heshtur se, të paktën, historia e tyre nuk është fshirë, por ruhet për të nderuar viktimat dhe ata që bartin plagët e luftës.

Në këtë muze, ka më shumë se 500 ekspozita, dhe 50 prej tyre rrotullohen çdo gjashtë deri në tetë muaj. Ky rrëfim i përhershëm i së kaluarës është një testament i fortë që u jep zë atyre që nuk mund të flasin më. Kjo përvojë na nxit të mendojmë se e njëjta gjë duhet të bëhet edhe në Kosovë. Kosova ka po aq histori për të treguar – histori të fëmijëve të pafajshëm që humbën jetën në fshatrat tona, tragjedi të shkruara me gjak, që kërkojnë të dëgjohen. Duke i përjetësuar këto ngjarje me gurë dhe pllaka përkujtimore, ne mund të ngremë një monument të së vërtetës, një dëshmi e fortë për brezat që do të vijnë.

Deputetet: Nafije Berisha, Sofije Harxhi, Remzije Nimani dhe Sabile Keçmezi-Basha, Sarajevë 2003

Duke kaluar nëpër rrugët e Sarajevës, ndien dhimbjen e gdhendur në çdo cep, në çdo pllakë përkujtimore që tregon një copëz të tragjedisë boshnjake. Më kap mllefi dhe inati për atë që ndodhi, por njëkohësisht ndiej një dëshirë të fuqishme për të ngritur të njëjtën përkujtimore në Prishtinë. Ne duhet të ngremë monumente që mbajnë kujtesën e gjallë dhe që flasin me gjuhën e faktit, të pashlyeshme për brezat e ardhshëm.

Dhe aty, në kryqëzimin e rrugëve Marshall Tita, Ferhadija dhe Mulla Mustafa Besheskija, qëndron një simbol i Sarajevës – “Zjarri i Përjetshëm.” Ky zjarr nuk është thjesht një flakë, por përfaqëson unitetin e njerëzimit, solidaritetin me tragjedinë boshnjake. Në ato kohë të vështira, zjarri i përhershëm ishte një fener që ndriçonte shpirtin e një qyteti të plagosur, duke ruajtur shpresën dhe kujtesën për atë që kaloi, për atë që nuk duhet harruar kurrë.

“Zjarri i përjetshëm”, ashtu siç sugjeron edhe emri i tij, digjet pandërprerë, duke mbajtur gjallë kujtesën për viktimat e luftës së viteve 1992-95. Një flakë që shkëlqen në errësirën e së kaluarës së hidhur, ky zjarr është më shumë se simbol – është një kujtesë e përhershme që i thërret qytetarëve të Bosnjë Hercegovinës dhe vizitorëve të tjerë të mos harrojnë kurrë vuajtjet e asaj kohe dhe të sigurohen se një e tillë tragjedi nuk do të përsëritet më kurrë.

Guida jonë, thuajse e përfshirë nga një ndjenjë fajësie, na foli me shqetësim në zë: Për momentin, Sarajeva ka vetëm këso monumentesh të trishtuara. Dhashtë Zoti, që herën tjetër kur të vini, të shohim diçka që na mbush me gëzim dhe lumturi.” Ndjeva një peshë të rëndë mbi shpirtin, një dërrmim psikikë dhe emocional që na shoqëroi teksa ktheheshim në hotel. Ndërsa mendja ende endej nëpër rrëfimet e trishtimit të asaj dite, e dija që e nesërmja do të sillte takime të reja.

Në Bosnje, gratë janë zonja të vërteta, shëmbëlltyra të forcës dhe qëndresës. Ato, ashtu si gratë tona, mbanin mbi supe peshën e një historie të dhembjes dhe krenarisë. Në parlament, gratë e Bosnjës kishin pozita kyçe, ku luanin një rol të rëndësishëm, duke marrë vendime të drejta dhe të guximshme për të ardhmen e vendit. Gjatë një darke të shtruar në hotelin tonë, ato na treguan për rrugën e tyre të vështirë, për sfidat që kishin përballuar, por gjithashtu për vizionin e ndritur që kishin për të ardhmen e vendit të tyre. Të gjitha ndjenin siguri se pavarësisht dhimbjes të së kaluarës, e ardhmja do të jetë më e ndritur.

Duke dëgjuar fjalët e tyre, i shikoja këto gra dhe me vete mendoja se sa të forta janë gratë tona, si këtu në Bosnje ashtu edhe në Kosovë. Në kurrizin e tyre të brishtë mbajnë historinë e kombit, qëndresën dhe krenarinë e një populli që kurrë nuk u dorëzua, pavarësisht dhimbjes dhe sfidave. Ato janë heroinat e heshtura të kohës, duke u ngritur mbi plagët e së shkuarës për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më të ndritur për të gjithë.

Të nesërmen, të mbështjellë në freskinë e lehtë të mëngjesit, dolëm për të eksploruar rrugët e qeta dhe dyqanet e pakta të Sarajevës. Ishte një ndjesi e njohur – qyteti më ngjante shumë me Prishtinën dhe Shkupin, veçanërisht pjesët e vjetra të tyre, ku historia dhe kultura ndërthuren me jetën e përditshme. Kafiteritë kishin një ajër të ngjashëm, ndërsa ushqimet që ofroheshin ishin po aq të njohura për ne, gati sikur të ishim kthyer në shtëpi.

Megjithatë, një simbol që e veçon Sarajevën nga të tjerat janë padyshim qebapët e tyre, të cilët ishin unike në shijen e tyre origjinale, dhe byrekët, të cilët me aromën e tyre të shijshme përhapur në rrugë, do të zgjonin urinë edhe te më të ngopurit. Ishte një përvojë që nuk mund të harrohet lehtë – një shije e autentikes që shoqërohej me përkëdheljen e ngrohtë të rrugëve të qytetit.

Pas një vakti të bollshëm boshnjak, si për të plotësuar përvojën, erdhi momenti për një gotë çaj – një gjest i thjeshtë, por i mrekullueshëm, që shtonte një prekje të veçantë pas vaktit. Çaji nuk ishte vetëm një pije, por një udhëtim përmes shijeve, që nga recetat e trashëguara familjare e deri te përzierjet botërore që Sarajeva kishte përqafuar ndër vite, duke e bërë këtë qytet një vend ku tradita dhe bota moderne takohen në një gotë.

Teksa ecnim, na sugjeruan të vizitonim Tabjen e Verdhë, një vend që pa dyshim ofron pamjen më të bukur të Sarajevës. E ndërtuar në vitin 1809, kjo strukturë madhështore ishte ngritur me gur të latuar, një material me shtatë anë të jashtme dhe mure të larta rreth 10 metra. Ajo qëndron me krenari në një lartësi prej 27.5 metrash, duke ruajtur në heshtje kujtimet e një kohe të shkuar.

Historia na mëson se pas pushtimit të Eugjenit të Savojës në vitin 1697, kalaja e vogël që ndodhej në atë vend nuk ishte e mjaftueshme për të mbrojtur qytetin. Kështu, në vitin 1729, guvernatori boshnjak, Gazi Ahmed-pasha Rustempashiç Skopljak, nisi ndërtimin e mureve mbrojtëse rreth Vratnikut, duke shtuar pesë bastione, njëri prej të cilëve ishte Tabja e Verdhë, e emëruar nga guri i verdhë me të cilin ishte ndërtuar. Megjithëse, pas pushtimit Austro-hungarez, kalaja humbi funksionin e saj mbrojtës, sot ajo qëndron si dëshmitare e kohërave të shkuara, duke ofruar pamje të paharrueshme të qytetit.

Sarajeva nuk është vetëm një vend i gurtë, por një histori e gjallë që flet përmes çdo pllake, çdo muri, dhe çdo udhëtari që kalon nëpër rrugët e saj.

Kryetari i Parlamentit të B e H. Shefik Xhaferoviq dhe Sabile Keçmezi-Basha,
Sarajevë 2003

Sot, Tabja e Verdhë ngrihet mbi Sarajevë, duke ofruar një pamje magjepsëse të qytetit,
një peizazh që të fton të shohësh Sarajevën në tërësinë e saj – një përzierje e ngrohtë e së shkuarës dhe së tashmes. Ky vend është një nga këndvështrimet më të dashura për vendasit dhe vizitorët, ku çdo detaj përjeton një bukuri të veçantë. Në muajin e Ramazanit, Tabja shndërrohet në qendër të një tradite të hershme – kur një top lëshohet nga ky vend i lartë për të shënuar fundin e agjërimit, duke sjellë një ndjenjë qetësie dhe përmbushjeje për ata që e përjetojnë.

Teksa ecnim rrugës kryesore të Sarajevës, Ferhadija, e ndjemë takimin e kulturave, të ngulitur thellë në asfalt. Ky vend, ku lindja dhe perëndimi përqafohen, është si një tregues i shpirtit të këtij qyteti. Një Sarajevë që ndan dy botë – atë të çajtoreve të stilit otoman, kafeneve të vjetra, dhe tregjeve të artizanëve në njërën anë, ndërsa në tjetrën, një Sarajevë moderne, një qytet që ecën me ritmin e kohës së sotme.

Kjo përzierje dallimesh, besimesh, kombesh dhe zakonesh e bën Sarajevën unike, të veçantë, një simbol të bashkëjetesës që ka mbijetuar kohët dhe sfidat. Të ndalosh në një pikë të caktuar dhe të kthesh kokën në të dy anët është si të përjetosh dy botë të ndryshme brenda një hapi të vetëm – një mrekulli kulturore e cila e bën këtë qytet të qëndrojë i veçantë.

Vizitat tona në këtë qytet po afroheshin drejt fundit, por ndjenim që akoma kishte aq shumë për të parë. Siç ishte bërë zakon në udhëtimet tona diplomatike, vizitat nuk përfundonin vetëm me takime zyrtare – gjithmonë kërkonim të zbulonim edhe thesaret kulturore të qytetit që vizitonim. Por Sarajeva, me gjithë pasurinë e saj historike dhe kulturore, nuk mund të përthithet plotësisht brenda tri ditësh. Kishte aq shumë gjëra për të parë, aq shumë vende që kërkonin vëmendje dhe kohë. Sa herë që largoheshim nga një atraksion, ndjenim se diçka e rëndësishme mbetej e pa eksploruar.

Kjo ishte Sarajeva – një qytet që të bënte të dëshiroje të ktheheshe, një qytet që nuk mund të harrohej lehtë, përmes ndarjes së dallimeve, traditave dhe frymës bashkuese që mbretëronte në çdo cep të tij.

Në mbrëmje, qielli u mbulua me re të errëta, dhe bora nisi të binte me një qetësi të heshtur, duke shtruar rrugët e Sarajevës me mantelin e saj të bardhë. Fillimisht, na thanë se kthimi ynë do të ishte me aeroplan nga Vjena, e më pas drejt Prishtinës. Por, fati kishte shkruar ndryshe. Mjegulla e dendur kishte mbuluar aeroportin e Sarajevës, dhe sipas parashikimeve, asnjë aeroplan nuk do të aterron për së paku dhjetë ditë. Me këtë lajm, u detyruam të ndryshonim planin dhe vendosëm të ktheheshim sërish me minibus, ashtu siç kishim ardhur.

Rruga e kthimit nuk ishte e lehtë – përkundrazi, ajo u shndërrua në një udhëtim të gjatë dhe të vështirë. Duhej të kalonim përmes Republikës Serbe, dhe shoferët na siguruan se nuk kishte asnjë rrezik. Dhe ashtu ndodhi, për fat të mirë. Në mesnatë, kaluam kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës, ku na priten tri vetura që na çuan drejt vendit tonë, ndërsa minibusi duhej të kthehej në Sarajevë.

Kur agimi filloi të ndriçonte horizontin, më në fund hymë në Prishtinë. Të lodhur, por me zemrën plot kujtime të ngrohta nga vizita në Sarajevë, dhe me ndjesinë e thellë që ai qytet na kishte lënë. Ishin kujtime që bartnim me vete – për Parlamentin e Bosnjë Hercegovinës, për rrugët e ftohta dhe të bardha të Sarajevës, dhe për njerëzit e mirë që takuam gjatë këtij udhëtimi të paharrueshëm.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.