16 C
Tirana
E premte, 17 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj DOLI NGA SHTYPI LIBRI STUDIMOR “PLATFORMA PËR REFERENDUM KOMBËTAR”

DOLI NGA SHTYPI LIBRI STUDIMOR “PLATFORMA PËR REFERENDUM KOMBËTAR”

0
Safet Sadiku - Platforma për referendum kombëtar
Isuf Bytyçi
Isuf Bytyçi

Shkruan Isuf Bytyçi, Munih

Libri studimor i programit të mirëfilltë shqiptar “Platforma për Referendum Kombëtar”, doli nga shtypi pas një kohe të gjatë të punës së palodhur të; profesorit, publicistit, veprimtarit të çështjes kombëtare dhe autorit të disa veprave, Safet Sadiku, i cili që nga rrëfimet e gjyshit, (ish-bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës) u përcaktua të rreshtohet e të veprojë gjithmonë në funksion të kauzës „për bashkim kombëtar”.
Qysh në moshë të re, autori pati fatin të veprojë dhe të bashkëpunojë edhe me figura të rëndësishme kombëtare, si me Mr. Halil Alidemën dhe po ashtu u njoh nga afër edhe me Ukshin Hotin, si dhe me shumë personalitete të tjera kombëtare, të cilët ishin vu në shërbim të atdheut e të kombit shqiptar.

Vizioni për organizimin e një referendumi në kohë paqeje ishte trajtuar herët nga Halil Alidema, duke e përfshirë në programin e UNIKOMB-it, që nga themelimi i tij më 6 maj 1991. Prandaj, z. Safet Sadiku këto veprimtari të viteve ’90 i ka trajtuar në librin e tij “Frymëzuesi i lirisë“ (2023), kushtuar veprimtarisë ilegale, rrugëtimit të lindjes së UÇK-së, bashkëpunimit me Halil Alidemën dhe me tjera personalitete. Programi i trajtuar në “Platforma për Referendum Kombëtar” është shumë më i thelluar dhe më i studiuar sesa një paragraf i paraqitur në programin e UNIKOMB-it, i cili në atë kohë kishte si prioritet çlirimin e atdheut. Kjo vjen si rezultat i faktit se autori, përgjatë gjithë kohës, ka zhvilluar konsultime të gjera juridike-ekonomike edhe me personalitete nga vendet e BE-së, njohës të çështjes shqiptare, të cilët vlerësojnë se integrimet e brendshme ndërshqiptare janë të mundshme, sidomos vendimet që merren përmes votimit të referendumit (ajo që në përditshmëri quhet Bashkim Kombëtar).

Ndërkaq, lirisht, mund të dëshmoj se me interes të madh e kuriozitet e kam lexuar librin në dorëshkrim, që pata rastin e fatin të jem edhe redaktor i tij gjuhësor. Më la përshtypje të veçantë ky libër, të cilin nuk mund ta quajmë, thjesht, vetëm “një libër”, apo “një libër studimor”. Ky libër është i përfshierë nga një gamë e gjerë dhe e shumanshme; juridike, ekonomike, politike e mbi të gjitha kombëtare dhe kam përshtypjen, se 4 profesorë të bashkuar nga fakulteti juridik dhe ekonomik, vështirë se do të kishin arritur kaq natyrshëm ta kompletonin e ta përfundonin me këtë shkallë përsosmërie, që une, lirisht mund ta quaj një “Bibël e Kuran, për kombin shqiptar”, ose me të vërtetë ky dokument është: „Kushtetuta e Republikave të Shqipërisë”.

“Platforma për Referendum Kombëtar”, është mision studimor e kombëtar i autorit, i cili para publikut paraqet një program të mirëstrukturuar dhe me vizion të qartë gjithëkombëtar. Pse është kaq kompleks e me rëndësi ky program, që përfshin aspekte juridike, ekonomike, historike, politike dhe kombëtare? Lexuesi do ta kuptojë mesazhin, pasi ta lexojë! Por, jo vetëm pjesën e parë të studimit, pa e lexuar edhe pjesën e dytë përmes ligjëratave të paraqitura, ku secila fushë trajtohet në mënyrë të detajuar.

Ky program vendos çështjen shqiptare në një kornizë bashkëkohore, demokratike e moderne europiane, duke mbështetur parimet dhe standardet juridike të Bashkimit Europian, si bazë për funksionimin e drejtë të proceseve dhe përparimin e politikave publike shqiptare. Në thelb të librit qëndron mbrojtja e vlerave esenciale dhe promovimi i identitetit shqiptar, përfshirë gjuhën shqipe, kulturën, simbolet dhe identitetin kombëtar, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për të ardhmën. Pjesë kyçe e këtij studimi është edhe modeli i integrimit të republikave shqiptare, natyrshëm, përmes proceseve demokratike, duke filluar nga referendumi Shqipëri – Kosovë e, për të vijuar me të tjera republika shqiptare, si një rrugë legjitime e konfirmuar nga vullneti i qytetarëve shqiptarë, konform rregullave juridike europiane.

Programi shqiptar “Platforma për Referendum Kombëtar”, paraqitet si një vizion i mirëfilltë kombëtar, me përmbajtje të thelluar, i kompletuar, shkencor dhe juridik. Libri ofron një model të ri të organizimit demokratik, dhe të gjithë reformimit të sistemit politik ku qytetari vendoset në qendër të vendimmarrjes. Këtu ka hapësirë për përfshirjeje direkte të qytetarëve, përmes referendumit dhe mbështetet në parime transparente të përgjegjshmërisë edhe pjesëmarrjes aktive. Ky model është një përgjegje ndaj mangësive dhe dështimeve të proceseve të mëparshme politike dhe synon t’i mobilizojë shqiptarët brenda e jashtë vendit, për ta shprehur lirshëm vullnetin e tyre politik e kombëtar. Pjesë integrale e platformës është procesi i integrimit gradual të republikave shqiptare, i bazuar në mekanizma demokratikë dhe të ligjshëm, duke krijuar mundësi për unifikim natyral, paqësor e të konfirmuar nga qytetarët dhe ndërkombëtarët.

Angazhimi qytetar dhe hapat e mëtejshëm janë një proces kontiuniteti dhe paralelisht me këtë zhvillim ka nisur grumbullimi i nënshkrimeve, si në formë fizike ashtu edhe në atë online, që është një hap kyç në përfshirjen aktive të qytetarëve. Procesi synon mobilizimin e shqiptarëve në të gjitha hapësirat ku jetojnë në trojet tona territoriale në gjashtë shtete edhe në mërgatë.

Duke parë interesimin dhe gatishmërinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët unanimisht e mbështesin integrimin e brendshëm të hapësirës shqiptare, duke filluar nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe duke pasur parasysh se sistemi politik i Demokracisë Direkte është kompleks dhe kërkon një organizim ku qytetarët udhëheqin në mënyrë të strukturuar në tri nivele pushteti, me qëllim të dhënies së përgjigjeve ndaj pyetjeve të shumta të përkrahësve, së shpejti do të organizohen ligjërata dhe prezantime në terren. Këto ligjërata do të udhëhiqen nga kuadro profesionistësh, të cilët e kanë kuptuar jo vetëm programin, por edhe tërë gamën e zgjidhjeve për problemet historike dhe aktuale të shqiptarëve në të gjitha vendbanimet e tyre.

Kjo veprimtari, përmes takimeve publike, ligjëratave dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, synon informimin e drejtpërdrejtë, si dhe bashkëbisedimin mbi rrugën ligjore, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian, duke theksuar se, si komb dhe si shtete shqiptare, para integrimit në BE, është e rëndësishme të arrihet një integrim i brendshëm. Çështjet e ngritura për zgjidhje përmes vendimmarrjes në procese të referendumeve janë trajtuar në mënyrë të argumentuar dhe të kujdesshme, duke u mbështetur edhe në shembuj bindës nga vende të tjera që e kanë kaluar më herët këtë rrugë.

Qëllimi kryesor i programit është rritja e ndërgjegjësimit dhe ndërtimi i një kulture të re demokratike ndër shqiptarë. Për herë të parë qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi reale të marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje përmes referendumit, me modelin e administratës së BE-së, duke ndikuar në çështje me rëndësi kombëtare dhe në projekte zhvillimore edhe në fushën e sigurisë dhe ekonomisë, përfshirë proceset integruese që synojnë unifikimin në bazë të vullnetit të lirë qytetar.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një demokracie direkte funksionale dhe të besueshme, ku qytetari është në qendër të vendimmarrjes. Fillimi i punës praktike për jetësimin e programit, ndonëse ka nisur një sensibilizim modest për përgatitje konkrete në kuadër të Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar”, me seli në Tiranë, që shërben si bazë profesionale dhe shkencore për zhvillimin e mëtejshëm të platformës. Instituti në këtë rrugëtim do të angazhojë ekspertë dhe studiues kompetentë nga fusha të ndryshme, duke garantuar një qasje të argumentuar sipas standardeve europiane. Aktiviteti i tij përfshin hartimin e politikave, analizave dhe projekteve konkrete, si dhe organizimin e konferencave dhe debateve publike.

Funksionimi i institutit mbështetet mbi baza të qarta organizative dhe financiare, duke respektuar standardet e transparencës dhe menaxhimit modern. Synohet ndërtimi i një sistemi të besueshëm, efikas dhe të sigurt në çdo aspekt të veprimtarisë, përfshirë administrimin e të dhënave dhe burimeve financiare sipas praktikave më të mira të Bashkimit Europian. Këtij studimi, së bashku me nënshkrimet e qytetarëve për referendumin e parë Shqipëri – Kosovë, i urojmë rrugëtim të mbarë. Le të shërbejë si udhërrëfyes dhe bazë e fortë për angazhimin qytetar, për realizimin e procesit demokratik dhe për konsolidimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve, kudo që janë. Ky hap i parë shënon një fillim të rëndësishëm drejt një demokracie aktive, ku vullneti i lirë i qytetarëve vendos për të tanishmen dhe të ardhmen kombëtare shqiptare.

“Motoja e realizimit të programit PLATFORMA PËR REFERENDUM KOMBËTAR do të jetë: Ta shikojmë ndërtimin e së ardhmes, duke mos e harruar të kaluarën tonë gjatë të gjitha fazave të historisë.

Secili anëtar që do të na bashkangjitet, pavarësisht të kaluarës së tij/saj, sa u përket bindjeve politike, fetare dhe nivelit të përgatitjes arsimore, nuk do të paragjykohet, nëse është kombëtar e njerëzor, por do të pranohet sikur gjithë të tjerët. Të gjithë ata që pranojnë veprimtarinë në kuadër të programit dhe të rregullores së punës të PLATFORMËS PËR REFERENDUM KOMBËTAR, për të qenë kontribues në procecin e integrimeve të brendshme shqiptaro-shqiptare, do të jenë të mirëpritur.”

Citat nga libri “Platforma për Referendum Kombëtar” S. S.

Unë nuk do të zgjerohem shumë me informata rreth librit, por i prpozoj secilit shqiptar që lexon libra dhe ka interes të dijë e të veprojë në shërbim të atdheut, kombit e njerëzores, ta marrë e ta lexojë këtë libër me kaq vlera të larta dhe ta japë kontributin e tij/saj.

Vëmendje:

Promovimi i librit do të mbahet më 21 Prill, prej orës 11:00, Rruga “Abdyl Frashëri” – Salla e restorantit “Mayfair”, përballë Presidencës, Tiranë.

Promovimin e librit e organizojnë mbështetësit e “Platformës për Referendum Kombëtar”: dr. Pajtim Ribaj, dr. Sandër Marku, (D. L., H. H., F. R. etj.)

Për pyetje shtesë, ky është numri i telefonit: +355 696076666

Dërgoi për publikim, Safet Sadiku

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.