20.3 C
Tirana
E enjte, 22 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj RINI E SHTYRË, E JO PLEQËRI

RINI E SHTYRË, E JO PLEQËRI

0
Anton Nikë Berisha - Veçanti të veprës së Fishtës

Në 80 – vjetorin e lindjes së Anton Nikë Berishës dhe 65 vjetorin e veprimtarisë letrare e shkencore

Ibrahim Kadriu
Ibrahim Kadriu

Ibrahim Kadriu

Që nga mesi i viteve të gjashtëdhjeta, kur u njoftuam, Anton Nikë Berisha më ndjek, por që nga atëherë e në vijim për një vjet i ik përpara dhe ai nuk arrin të më zërë. Pra, edhe tash, vazhdoj t’i ik… Megjithëkëtë, përkundër kësaj ndjekje njëri pas tjetrit, prapë jemi bashkë që nga vitet e gjashtëdhjeta pa u ndarë, duke gjetur shkas për takime dhe për interesimin për punën e njëri-tjetrit, duke i përcjellë botimet, por edhe dorëshkrimet, sepse Antoni e ka një ves, dhe për këtë është i palodhshëm, kur merr vesh se jam duke punuar, se hartoj faqe të reja të ndonjë dorëshkrimi – përnjëherë më drejtohet: nisma!, që domethënë t’ia dërgoja krijimin, qoftë prozë apo poezi, përmes postimit digjital dhe ai, pa hezituar, e bën leximin e tekstit dhe ma thotë mendimin sinqerisht, pra edhe vërejtjet m’i bën aty ku i vëren. Natyrisht se ky veprim është i ndërsjellë dhe, thënë sinqerisht, këto punë i kryejmë me vullnetin më të mirë.

Duke qenë përherë në kontakte të këtilla jemi bërë të një mendimi për përceptimin e vlerave, duke i besuar shijes së njëri-tjetrit, mbase edhe vërejtjeve po qe se ato ndihmojnë në ngritjen e tërësisë artistike të veprës. Kjo përvojë është e vijueshme, pa anashkalime. Me këtë dua të them se ky komunikim i përbashkët vazhdon të jetë i dobishëm duke na mbajtur përherë në afërsi, pavarësisht se, siç thashë në fillim, unë për një vjet i ik, e Antoni vazhdon të më ndjekë, ndonëse në bazë të numërimit të veprave – unë nuk mund ta zë.

Anton Nikë Berisha - Interpretime të letërsisë arbëreshe

Meqë është arritur mosha tetëdhjetëvjeçar e Antonit, dhe ky takim është organizuar pikërisht për ta shënuar këtë përvjetor, po e quaj të rinisë së shtyrë, e jo të pleqërisë, sepse pleqtë vështirë se do të arrinin një krijimtari si të Antonit, do të duhej të bëja një shëti rreth veprave të tij. Mirëpo, e kam parasysh se folësit e tjerë të sotëm, në mënyrë më të thuktë e më konkrete, do t’u bëjnë analizë veprave dhe biografisë të tij dhe, sigurisht, edhe do t’i paraqesin veç e veç.

Unë, fjala vjen, do ta kujtoja se Antoni në këto dekada të gjata të punës pa u ndalë, në të cilat e ka shtrirë krijimtarinë në shumë fusha të artit të shkrimit, duke filluar nga letërsia gojore (në bashkëpunim me profesorin e nderuar, Anton Çettën) në vlerat e veprave të shkruara, vërtet, kanë mbetur vlera të shënuara, duke vazhduar me studime letrare që i rrumbullakoi me një komplet të jashtëzakonshëm prej 10 vëllimesh të Studimeve letrare të zgjedhura, do përmendur edhe kompletin prej shtatë vëllimeve për Nënën Tereze. Për këtë figurë të shenjtë Antoni ka botuar edhe vepra të tjera, dhe duke u mbështetur te shumë tekste të shenjtërores mund të thuhet se Nënës Tereze i ka ngritur një përmendore të rëndësishme.

Janë edhe aq shumë vepra të tij të realizuara me kompetencë shkrimtari e studiuesi të mirëfilltë. Në këtë rrjedhë po përmend veprën e Antonit “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe” e vepra të ngjashme teorike mbi letërsinë arbëreshe e të tjera; me monografitë mbi emrat e njohur që përbëjnë vlera të veçanta në historinë e letërsisë sonë siç janë: Buzuku, Budi, De Rada, Fishta, Skiroi, Koliqi, Camaj, Krasniqi, Vetmo, Shkreli dhe të tjerë.

Anton Nikë Berisha - Qasje të artit poetik - Poetika

Me dije e përkushtim Antoni na i solli në gjuhën tonë shqipe disa nga lagjja e kryeveprave botërore: Epin e Gilgameshit, të botuar e ribotuar shumë herë, Këngën e këngëve, Këngën e Nibelungëve (dy këngë) Psalmet dhe në fushën e studimeve “Poetikën” e Aristotelit.

Thashë në fillim se Anton Nika gjithherë më ka ndjekur, kurse unë i kam ikur për një vjet, por përkundër shoqërimit të përbashkët, ishin do vite kur Antoni shfrytëzoi ngritjen akademike, titujt shkencorë dhe iu përkushtua ligjeratave para studentëve në universitetet e Prishtinës, Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Korçës, Kozencës, Shën Pjeterburgut, Mynhenit, Rexho Kalabrisë e etj., prej nga më vinin të falat duke më treguar për aktivitete në vazhdimësi.

Kjo qasje e ime, me këtë rast, përmbëledh vetëm një përqindje të vogël të punës së tij në fushën e studimeve dhe të krijimtarisë letrare. Deshta të vazhdoj edhe më tutje, por po e lë me kaq për të pritur edhe krijime të tjera të tij me të cilat edhe më tutje do të dëshmohet si një ndër krijuesit më të mëdhnj e më të nduardnuarshëm në letërsinë e përgjithshme shqipe dhe, të mos harroj – i uroj rezultate të reja të kësaj natyre në vitet e ardhshme.

Prishtinë, 15 tetor 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.