30.4 C
Tirana
E enjte, 25 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj DRITA E SHÊJZAVE

DRITA E SHÊJZAVE

0
Ernest Koliqi - Drita e shejzave

Zija Vukaj

Përgatitur nga Ardian Ndreca

Një shkrimtar i madh është i tillë, edhe për faktin se është i pangjashëm me askënd.

Koliqi është një burim përjetësisht i freskët i një letërsie të njomë, të tejpashme plot ndijime shqisore dhe imazhe të gjalla. Bota e tij artistike është si ato lëndinat e virgjëra të bjeshkëve, të pashkelura prej askujt, para të cilave mendja e njeriut shtanget dhe shpirtit të lexuesit i shpalosen labirintet e ndërlikuara të metafizikës së qenies. Menyja e tij leksikore është e pagjasë, befasuese dhe pastërtisht poetike; e vjetër dhe e re; tradicionale dhe moderne; e drejtpërdrejtë dhe simbolike. Simbolizmi i tij është natyral, si e gjelbra e çetinave, si zambakët madhështorë endemikë të bjeshkëve, si narcizët e egër ngjyrë ari të brigjeve të Liqenit të Shkodrës, si dihatjet e lugjeve të thella shkëmbore të alpeve, si kërcimet puplore të bareshave bjeshkatare që popullojnë trillet mitologjike. Koliqi pret prore të shpaloset.

Është kalibër i pazakontë; një ajsberg kulturor dhe një pasuri e rrallë e artit të fjalës. Nga ata të rrallët personalitete, vepra e të cilëve duhet marrë me kujdes e përdëllim nga pasardhësit, për ta ruajtur e trajtuar integralisht pa asnjë humbje, sado e vogël qoftë. Për të shpëtuar çdo rresht, varg, pasazh apo shënim, pasi asgjë nuk është e vogël në opusin e të tillë autorëve. Ndër të tillë individë virtuoziteti është një “ves i lindur”. Në konceptin që shpalos Umberto Eko për mjeshtrit dhe dishepujt, materializuar edhe në përmbledhjen “Sulle spalle dei giganti” (Mbi supet e gjigantëve), jepet roli rrezatues, ndriçues e mbi të gjitha, vazhdues, i transmetimit të dijes dhe të vlerave në historinë e kulturës njerëzore.

Shtysë për këto shënimet e mia të vockla u bë paraqitja e librit DRITA E SHÊJZAVE këto ditë në mjediset e bibliotekës “Zoja e Shkodrës”. Ky vëllim i veprës së Ernest Koliqit përmbledh publicistikën e tij në periudhën 1957- 1974, përgatitur nën kujdesin e profesorit Ardian Ndrecaj, shkrimtar, studiues, përkthyes dhe intelektual nga më të spikaturit e botës së sotme shqiptare, i denjë për t’u konsideruar dishepull i Koliqit.

Ky vëllim me shkrime publicistike karakterizohet nga një larmi trajtimesh. Është një lloj observatori kozmik për të parë botën shqiptare në kronotopin e vet të një segmenti të shkurtër të historisë. Këndet e shikimit janë të shumëllojshme, procedimet janë të ndryshme- variojnë nga kulturologjia, trajtimet e veçanta estetike, galeritë e personazheve që popullojnë botën shqiptare, përshkrime të gjendjes dhe rrethanave të kohës, zhvillimet letrare dhe artistike të kohës- por edhe tekste alternative me variacione nga më të ndryshmet, që nga traktatet filozofike, shkrimet eseistike, faqe ditaresh, mbresa udhëtimi, por edhe koncentrate urtësie popullore, të shprehura në skica të shkurtra e trafilete të këndshme mbresëlënëse.

Shpesh edhe shfletimi i rastësishëm i një libri ka trillet e veta, që nuk varen prej nesh. Kjo ndodhi me mua dhe ky quhet fat. Në padurimin e shfletimit libri m’u hap vetë në faqen 451. Më doli titulli “Frati i kângëve” me nëntitull: Kujtime të një verimi në Mertur. Ky shkrim ishte botuar për herë të parë te “Gazeta shqiptare”- Bari, e mërkurë 6 kallnuer 1937.

Më shijoi shumë. E para se i kushtohej At Bernardin Palajt, famullitarit të Merturit me qëndrim në Palç- mbledhës dhe kurues i ciklit heroik të Mujit e Halilit dhe shumë kangëve të tjera të maleve. Bernardin Palaj ishte edhe vetë poet dhe prozator dhe bashkëpunëtor i Hyllit të Dritës. Një intelektual elegant dhe ndër më sqimatarët e qarqeve kulturore të asaj kohe. E dyta, për rastësi të fatit dhe të rrugëtimit tim të jetës, unë e njihja fshatin Palç, sepse kisha qenë mësues në Shosh (Ndrejaj dhe Palaj), ndërsa Palçi ndodhet mes Shoshit dhe Lekbibajve, një fshat tepër i vetmuar, i largët dhe thuajse i izoluar.

Koliqi, me sharmin e tij poetik përshkruan qëndrimin e tij në kushtet e vetmisë, pasi tri ditët e para i kalon pa fratin për të cilin kishte marrë rrugën të vinte. Por në limontinë bjerraditëse të malit, Ernesti zhytet në kontemplacione dhe meditime mjaft interesante. Spleeni i tij bodlerian kthehet në epifanizime të këndshme dhe rrëkeja artistike e shpirtit të tij këndellet me impulse dhe bulëza frymëzimi. Me ardhjen e fratit duket sikur ndodh shkrirja e akujve dhe e të gjitha ngricave dimërore të malit, si te martesa e Halilit dhe të dy këta miq të mëdhenj, dinjitarë të spikatur jetojnë magjinë e fisnikërisë që burimon miqësia e vërtetë.

Bisedat e tyre të gjata janë leksione filozofie dhe kulture, janë seanca poetike dhe deshifrime kodesh të ndërlikuara të palcës së lashtë të kombit dhe hijes së rëndë të maleve. Frati i kangëve është galeri e kujtesës kombëtare, shpirt i paepur i një dijetari me vullnet faustian, por edhe një estet i rreptë dhe konservues i rrallë kulture shpirtërore. Ernesti e mbyll këtë ex-voto me këtë pasazh: “At Bernardini, në vetminë e gjatë të malit, ia ka vue veshin kangës së pashterrun që buron nga zemra e thellë e kombit arbnor tue ia rrëmbye harresës. Mbi lëpiza të pluhnueme të qelës së Palçit flen fara e prendverave të përtardhuna të poezisë së re shqiptare.”

“Drita e Shejzave” nuk është thjesht një përmbledhje publicistike e një autori të shquar. Është ndër të tjera, një vademecum i madh që duhet vënë mbi tryezën e punës, një libër për tu mbajtur i hapur, si një hartë kulturologjike, si një demonstrim i modeleve stilistike dhe befasive të këndshme që sjell magjia e përdorimit mjeshtror të gjuhës amtare, qoftë në kristalizimin e imazheve, qoftë në sprovat e vështira të transmetimit të kumteve më të ndërlikuara të shpirtit, përmes formave të kthjellëta, në dukje të thjeshta e pa asnjë firo mes fjalës, ndjenjës e mendimit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.