Edi Rama nuk vonon t’u kthejë përgjigje atyre që te përkimi rastësor midis vizitës së Erdoganit e datës së vdekjes së Skënderbeut kanë parë një hile a marifet antikombëtar, ndërsa kritikat ndaj presionit të mikut turk mbi gylenistët i konsideroi “islamofobike”, pa e tjerrë më gjatë këtë diskutim
Nga Rubin Sheshi, 18 Janar 2022 – Babel.al
Edi Rama duket se i ka ndjekur (në mos, e kanë informuar mbi) komentet që kanë shoqëruar vizitën e Erdoganit në Shqipëri, dhe i kanë tërhequr vëmendjen më së pari ato komente që kanë qenë kritike, qoftë të vizitës në vetvete, qoftë të mesazheve që miku i madh turk përcolli, qoftë të përkimit të përdreqosur në kohë midis kësaj vizite e datëvdekjes së Skënderbeut. E kanë bezdisur sidomos komentet mbi këtë të fundit, të cilat në një shënim të hedhur në facebook i quan sharje e mallkime “në emër të Skënderbeut”.
Ai e quan këtë përkim rastësor “(rastësia e desh” shkruan saktësisht), dhe thotë të vetën mbi komentet e këtyre njerëzve që e mësuan me këtë rast datëvdekjen e heroit tonë kombëtar, dhe që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të “rendin t’i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, i cili ndizet sa herë unë takohem me ‘pushtuesin’ nga Ankaraja.”
Më poshtë, ai i quan reagimet e ndryshme kritike “spazma urrejtjeje sportive, të cilat burojnë nga tifozllëku i sëmurë partiak, mllefi i pangushëllueshëm ‘intelektual’ dhe fatkeqësisht, ndonjëherë edhe nga budallallëku islamofobik”, të cilat, vijon ai, “nuk e ndryshojnë as përmbajtjen e miqësisë tradicionale me popullin turk, as kursin e partneritetit strategjik me Republikën e Turqisë”. Por ka pasur edhe të tjerë që kanë kritikuar kritikat e bëra, siç është Pëllumb Xhufi, i cili ka thënë për gazetën Dita se “nuk sheh absolutisht asnjë lidhje mes datës së vdekejs së Skënderbeut dhe vizitës së Erdoganit.
As pretendon besoj asnjë shqiptar që Erdogani të tundë flamurin e Skënderbeut këtu. Ai është heroi ynë kombëtar, i paprekshëm padyshim. Edhe Turqia ka heronjtë e saj, ndonjë hero i Turqisë edhe neve na pëlqen si Qemal Ataturku, i cili është krijuesi i Turqisë moderne që e ndau Turqinë nga e kaluara osmane dhe i cili dhe sot e kësaj ditë në Turqi nderohet, ndoshta presidenti Erdogan nuk e ka shumë qejf, por ai është një emblemë të cilën nuk ka shtetar turk që ta refuzojë.”
Rama është fokusuar vetëm te kritika ndaj atyre që kanë kërkuar komplot e qasje antikombëtare tek ky përkim rastësor, por ka injoruar kritikat e tjera, sidomos ato lidhur me porositë, apo “ultimatumet” siç i ka quajtur dikush, që Erdogani dha në funksion të përballjes me Gylenizmin në Shqipëri. Duket se kjo çështje përbën hallkën me delikate në marrëdhënien mes Ramës e Erdoganit.
Kryeministri shqiptar ka ditur deri më sot t’i shmanget, apo t’i bëjë ballë, presionit nga Ankaraja, dhe gylenistëve shqiptarë shqiptarë apo të Shqipërisë jo vetëm nuk u është dashur të pësojnë presione të ndonjë lloji të veçantë, por përkundrazi, ata janë lejuar të kenë në dorë timonin e punëve të komunitetit mysliman.
Por Erdogani dha përshtypjen se e kishte humbur durimin, dhe kërkoi që të merreshin masa për t’ua vënë kufirin te thana gylenistëve, që ai i sheh si rrezik edhe për Shqipërinë (më herët këtë e ka thënë edhe për Kosovën), por pa shpjeguar se ku konsiston rreziku konkret i tyre te ne. Rama, edhe sikur të donte t’i vinte pas midesë Presidentit turk në këtë pikë, nuk ka shumë për të bërë, pasi është edhe nën presionin e BE-së.
Kjo e fundit nuk do ta priste mirë një aksion represiv ndaj gylenistëve. Asnjë vend i BE-së nuk ëshgtë bindur prej toneve alarmante të Erdoganit lidhur me Gylenistët, dhe nuk kanë vepruar kundër tyre. Ky presion i BE-së është dhe alibia e vetme e tij përballë Erdoganit.
Ramën e kanë përmbytur me komente miqtë e tij të Facebook-ut, shumica e të cilave kanë qenë dashamirëse, mirëkuptuese e shpesh shprehje e adhurimit për Ramën e për Erdoganin.