Zef NOKA, “GESCHICHTE DER ALBANISCHEN VERMITTLUNGSTRADITION”, Ein historischer Entwicklungsaspekt und Vergleich mit der Mediationskultur der Gegenwart, Verlag “TREDITION GmbH”, Hamburg-Deutschland, 2023. ISBN 978-3-347-85285-3.
Hyrje
Libri “HISTORIA E TRADITËS SË NDËRMJETËSIMIT SHQIPTAR”, është një studim i përkryer të cilin e ka realizuar Zef NOKA. Autori edhe temën e diplomës në nivelin Master e ka të mbrojtur nga kjo fushë, në të cilën ai ka vazhduar specializime të tjera dhe përveç njohjes, shihet se ka edhe përkushtim të veçantë në fushën e Ndërmjetësimit / Mediacionit.
Kundrimi i mediacionit nga këndvështrimi shqiptar[1]
Në Evropë kemi modele ndërmjetësimi me traditë shekullore,[2] ndërsa Ndërmjetësimi kudo në botë është një metodë historikisht shumë e vjetër, së këndejmi edhe ndër shqiptarët, këtë e dëshmon Zef NOKA në librin “GESCHICHTE DER ALBANISCHEN VERMITTLUNGSTRADITION”, (Në shqip: Historia e traditës së ndërmjetësimit shqiptar). Libri është botuar në gjuhën gjermane, nga botuesi “TREDITION GmbH”, në Hamburg të Gjermanisë. Sipas tij, Ndërmjetësimi / Mediacioni përpiqet të zgjidh konflikte e mosmarrëveshje, sepse vetëm duke ndërtuar harmoni njerëzore i shërbejm të tashmës dhe të ardhmës për një shoqëri njerëzore në paqe të qëndrueshme.
Kurse duke i ndihmuar palët në konflikt ose në mosmarrëveshje, veçmas duke i inkurajuar për falje, largim të mërisë dhe të frustrimit krijohet paqe e ndërsjelltë. Kështu që, “Mediacioni / Ndërmjetësimi”, kërkon përvojë, zhvillim e edukim, përparim të metodave si dhe të mënyrave për aplikim dhe zbatim të suksesshëm. Prandaj autori një kapitull të tërë, këtij studimi ia kushton aspektit historik të ndërmjetësimit në Evropë, duke e ilustruar me shembuj konkret.
Leximi i librit të Zef NOKA-s, përveç se është informacion profesional rreth ndërmjetësimit tek shqiptarët, proces të cilin e kundron nga retrospektiva e herëshme, duke shtjelluar lënden në kontekstin diakronik e historik, pa dyshim ka sjellur fakte edhe për vet shqiptarët, veçanërisht është shërbyes për gjeneratat e reja që jetojnë në hapësirën gjermanofolëse, me informacione të shumta e të nevojshme për t’i ditur e për t’i mësuar. Vërtetë ky libër shpjegon mirë mënyrën e ndërmjetësimit historik tek shqiptarët.
Së këndejmi mr. Zef Noka, i ka bërë një shërbim profesional edhe “TË DREJTËS ZAKONORE” tek shqiptarët, e cila “ka gjetur rrugën dhe ka lënë gjurmë“[3], siç tham duke e kundruar lënden studimore nga kontekstet hitorike, lexuesit gjerman dhe brezit të shqiptarëve që janë rritur e arsimuar në hapësirën gjermane, iu ka afruar një pasqyrim të argumentuar e faktik, i mbështetur mbi të dhëna shkencore dhe me dokumente arkivore duke e bërë studimin më të kompletuar dhe shërbyes mbi traditën shqiptare të cilën autori e shtjellon në mënyrë shkencore në librin “HISTORIA E TRADITËS SË NDËRMJETËSMIT SHQIPTAR”.
Këtë pohim e dëshmon edhe Patër Anton Harapi i cili është shprehur: “M`ânesh e larg due t’i lâ përnjëherë teorít e filozofvet botnorë, e patjeter, po dal atje ke urtija shqyptare, ke ata burra të malevet, të cilët ruejten gjûhen, doket e shpirtin e jetës shqyptare e jânë perfaqsuesat mâ të fjeshtët e mâ të njëmendë per shkado të lypet mbî jeten e popullit tonë…”[4]
Argumentet dhe shembujt historik, shtjellimi i tyre në kontekstin e rrethanave shoqërore e historike nëpër të cilat kaloi kombi ynë janë një dukuri interesante, sepse pushtimet, luftërat, ngatërresat, interesat materiale dhe konfliktet e ndryshme që kanë ndodhur nëpër kohëra, është dashur disi të zgjidhen, dhe kjo ka ndodhur nëpër mes të institucionit të ndërmjetësimit që përfaqësohej prej: Pleqëve, kryplakut, fisit a bajrakur të zonës a krahinës, etj.
Ta zëmë: (Ndërmjetësime ka pasur edhe mes Skënderbeut dhe aleatëve joshqiptarë. „Ndërmjetësimin midis Skënderbeut dhe Venedikut e mori mbi vete Pelini me përvojë… Pasi u përdor si ndërmjetës një drejtues ushtarak (Condottiere) italian i kapur nga Dukagjinët, Palë Leka dhe vëllai i tij e dërguan françeskanin Eugjen (Eugene) në Venedik. Edhe një herë Kisha Katolike ja kishte dalë të arrinte pajtimin në malësi.)[5] Në anën tjetër “e drejta e hakmarrjes është përdorur për shkeljen e fushave të ndryshme ligjore, si vrasje, tradhti bashkëshortore, vjedhje etj. Kishte situata krahasuese si në mesjetën gjermane.“[6]
Parë nga meta-perspektiva, dhe mundësia për të realizuar një qëndrim të pranuar nëpër mes ndërmjetësimit, gjithnjë duke i motivuar palët në konflikt për të pranuar faljen dhe pajtimin, mbetet synim kryesor i kësaj metodologjie, së këndejmi edhe i studimit në fjalë, i cili tregon se dikur “popullsia shqiptare prirej të zgjidhte mosmarrëveshjet sipas të drejtës zakonore shqiptare, edhe pse të drejtën e monopolit të pushtetit e pretendonte fuqia e huaj.“[7]
Në të kundërten, mbyllja në vetvete, inati i tepruar, si dhe mëria rrezikon individin, madje edhe pa vënë re fare, për të humbur arsyen, sigurisht edhe nevojën për ndërmjetësues. Hapja dhe diskutimi janë praces i natyrës fillestare për të gjetur mënyrën kalimtare që i lehtëson ndërmjetësuesit për tu futur në proces dhe i krijon mundësi për të patur sukses. Andaj jo rrallë ndërmjetësimi zgjatë me vite dhe ai zhvillohet shkallë shkallë, por ndërmjetësuesi nuk duhet të harrojë për t’i shtyrë proceset drejt një qëllimi final, të suksesshëm për paqe dhe pajtim të ndërsjellë.
Këtë mendim Z. Noka e ka realizuar në “Mundësitë e mosmarrëveshjeve dhe ndërmjetësimit në të drejtën zakonore shqiptare“[8], veçmas “Kur flasim për homo albanicus si homo mediator sipas të drejtës zakonore shqiptare, At Anton Harapi na tregon një histori të mrekullueshme për një njeri që në fillim të viteve 1920 zgjidhte mosmarrëveshjet dhe konfliktet sipas kanunit si ndërmjetësues dhe plak.“[9]
Ndërmjetësuesi nuk guxon ta humb busullën orientuese
As individi por as ndërmjetësuesi nuk duhet ngatërruar qëllimin, nuk guxojnë të humbasin busullën orientuese, as të udhëhiqen nga interesa personale, ata mbajnë pozita të neutralitetit dhe paanshmërisë, sepse drejtësia e marrëdhënieve sociale kërkon negociator që argumentojnë bindëshëm se humbës nuk është ai që falë, i mjerë është ai që fiton nga konflikti dhe hasmëria.
Ndërmjetësimi është një mënyrë e vjetër e cila në rrethanat moderne ka nevojë për përshtatje sipas rrethanave aktuale, gjithsesi duhet njohja e rrethanave historike, veçmas njohja e mirë e historisë së konfliktit, pastaj ndermjetësuesi duhet me pas guxim se është duke vepruar drejt dhe në interes të paqës në mes grupeve ose individëve në konflikt, andaj komprimisi i njërës palë duhet të duket në horizont dhe joshja e palës së dëmtuar duhet vënë në pah.
Prandaj, “nga ndërmjetësuesi priten disa cilësi që i gjejmë edhe në ndërmjetësimin modern. Duke parë llojet e ndryshme të ndërmjetësimit në të drejtën zakonore shqiptare, e hasim atë me element dhe aftësi arbitrazhi. Pastaj brenda sistemit juridik të kanunit pajtimi synon të rivendosë paqen shoqërore dhe juridike. Nga kanuni i Lekë Dukagjinit (KLD), kanuni i Skënderbeut (KS), por edhe kanunet e tjera që kanë bazë të përbashkët në kanunet e maleve shqiptare, mund të gjejmë lloje të ndryshme ndërmjetësimi dhe pajtimi.”[10] Në këtë pasus autori i ka radhitur edhe 23 shembuj konkret dhe më të dalluar të formës së ndërmjetësimit.
Nga këndvështrimi im, Zef NOKA, ka besim në vetvete dhe se është i përgatitur për të ndikuar edhe në procese të mëdha shoqërore e politike, prandaj herë pas here ai del hapur me opinione të tij duke i kundruar proceset nga prizimi i faljes,[11] komprimisit dhe pajtueshmërisë, si një mundësi e ndërmjeme e cila arrihet përmes ndërmjetësimit tradicional[12] ose me gjuhën moderne nëpërmes mënyrës së mediacionit!
Në kohë moderne ndërmjetësimi është proces i nderlikuar
Ndryshimet e mëdha, qofshin ato në Bashkimin Evropian ose në përmasa globale, kanë dëshmuar se ndërmjetësimi është proces i nderlikuar por në të njëjtën kohë edhe i domosdoshëm, sidomos ndaj palëve në konflikt, i vendeve me tranzicion të gjatë dhe të mundimshëm për të kuptuar se demokracia është prekja e lirisë, por për tu arritur kërkon elasticitet, fleksibilitet dhe qëndrueshmëri të besueshme për një jetë tolerante dhe në harmoni mes popujve e kulturave që ushqejnë shpresë, se shoqëria moderne mund të gjejë shembuj nga historitë e popujve me fe e dialekte të ndryshme që kanë bashkëjetuar ndër shekuj pa luftëra dhe konflikte[13] të përmasave të mëdha krahinore e regjionale.
Ky bashkëpunimin dhe kjo bashkëjetesë ndërkulturor gjuhësore e fetare, është trajtuar mirë dhe saktë nga Zef NOKA duke pasur në spikamë popullin tonë i ndarë në tre fe dhe dy dialekte të mëdha, që merret si shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës, në harmoni të plotë, nëpër shekuj e periudha të gjata historike.
Ndërmjetësimi si proces modern dhe i pashmangshëm
Sot, ndërmjetësimi ka të bëjë, përveç marrdhënieve në familje, edhe në marrdhëniet në mes punëtorit e punëdhënësit që duket se është kthyer në një kërcënim serioz. Pastaj problemet financiare në vende e qytete, në shtete të shumta që kanë dal nga diktatura ose nga luftërat me shkatërrime të mëdha. Ndërmjetësimi modern ka të bëjë edhe në marrëdhëniet e kursyesëve dhe bankave, aksionarëve të shumtë nëpër kompani dhe nëpër olimpiada të mëdha.
Janë vet njerëzit që krijojnë konflikte dhe mosmarrëveshje të cilat ndërmjetësuesi duhet t’i zgjidh, pastaj Mediacioni ka të bëjë edhe me fatin e të zhvendosurve dhe refugjatëve si pasojë e luftërave, nga sulmet dhe konfliktet e hapura që janë bërë temë e ditës, dhe mbase janë pjesë e realitet që kanë nevojë për zgjidhje nga ndërmjetësuesit. Përveç ndërmjetësuesve të sinqert, kush siguron bashkëpunimin dhe bashkëjetesën e komunitetit, në të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet botërore, të cilat autori i klasifikon si (compositio dissidi “marrëveshja për mosmarrëveshje”.)[14]
Libri i Zef NOKA-s është thirrje dhe inkurajim profesional mbështetur në traditë dhe histori, por i përshtatur në metodologji moderne, veçanërisht në të tashmen me konflikte të cilat duhet të tejkalohen pa paragjykime, nëse dëshirojmë t’i shërbejmë paqës së tashme dhe përspektivës për të ardhmen.
Praktikat për ndërmjetësim dhe rregullat e ndërmjetësimit janë mënyra për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet dhe konfliktit përmes ndërmjetësuesit si komunikim personal, ndërsa në Evropën Perëndimore janë shndërruar në Institucione të specializuara të cilat merren me integrim dhe janë treguar tejet të suksesshëm. Sot kudo nëpër Evropë, ndeshim popuj me kultura të ndryshme, refugjatë me ngjyrë dhe emigrant me pikëpamje të ndryshme fetare të cilët janë aktiv në jetën kulturore, madje edhe në marrëdhëniet me popujt e kulturat tjera, falë metodologjisë së Mediacionit e cila si praktikë është treguar metodë e suksesshme, andaj shumë konflikte janë zgjidhur.
Ndërmjetësimin i kundruar si rikthim në të kaluarën
Zef NOKA, ndërmjetësimin e ka kundruar si rikthim në të kaluarën duke gjurmuar në arkiva për rrënjët historike ndër shqiptarët, ai gjeti modele se si kanë jetuar shqiptarët në harmoni me njëri-tjetrin, përkrah njëri-tjetrit, sikurse që përmend konflikte e hasmëri kundër njëri-tjetrit, por kurdoherë pajtimi dhe ndërmjetësimi për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet dhe hasmëritë ka qenë i domosdoshëm. Prandaj ai inkurajon për të kërkuar në të kaluarën historike, sepse atje mund të gjinden gjurmët e bashkëjetesës dhe të harmonisë si dhe do të mësohet për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve ndër burra e gra[15] pa pasur nevojë për gjyqe e gjyqtarë të nivelit që ka shoqëria e sotme moderne.
Përveç aspektit historiografik, pjesa më e madhe e librit argumenton mënyrën ndërmjetësimit tek shqiptarët duke gjetur identitetin e mbeshtetur në të drejtën zakonore, veçmas te Kanuni, që ka funksionuar nëpër shekuj, kuptohet duke iu përshtatur rrethanave dhe konflikteve si veprime të momentit dhe qëllimit dashamirës pa dashur për tu futur në brendësinë e vrerosur dhe çështjen se si ka ndodhur konflikti.
Ky libër e rikthen dhe aktualizon traditën e hershme, por nuk sugjeron aplikimin e asaj metodologjie arkaike, autori vetëm ka gjurmuar aspektet e traditës dhe ka dëshmuar mundësinë e ndërmjetësimit e cila nuk është e tashme, e re dhe që i takon vetëm kohës moderne, mediacioni ka ekzistuar dhe ka kryer funksionin e vet nëpër shekuj duke zgjedhur konflikte e duke pajtuar vende e shtete në konflikt. Prandaj autori ka kthyer lexuesin në të kaluarën e vet historike, sugjeron të merrë atë përvojë për ta përshtatë në të tashmën moderne e cila kur gërshëtohet jep një kënaqësi përjetuese si shkallë e mirë në mes mendimit dhe ndërmjetësimit për të kuptuar qëllimin e jo për tu kthyer në zakonet e vjetruara të cilat edhe për Zef NOKËN tashmë janë të vjetruara dhe tejkaluara.
Përfundim
Mediacioni / Ndërmjetësimi, si metodologji e re ka të bëjë me mënyrën paqësore për të dalë nga ngatërrimet, konfliktet dhe problemet që kanë shoqëritë, qoftë si imazhe që e formojnë vet qeniet njerëzore, ose si metodologji në shërbim të imazhit paqësor për t’i shërbyer paqës në shoqërinë e sotme njerëzore, nëse synojmë për të mbajtur demokracinë e sotme të bashkuar, atëherë mënyra e Ndermjetësimit / Mediacionit nuk duhet përjashtuar!… Në këtë kontekst edhe autori mendon se edhe tek shqiptarët ekziston,
“Ndërmjetësimi bashkëkohorë” si një procedurë e profilizuar filloi të fitojë terren në Shqipëri rreth mesit të viteve 1990, ndërsa në Kosovë filloi në vitet e para të shekullit të 21-të. Qendrat përkatëse dhe procedurat e ndërmjetësimit ekzistojnë gjithashtu brenda kornizës së ligjeve në fuqi, dhe si Shqipëria edhe Kosova kanë nxjerrë ligjet e tyre për ndërmjetësimin (bashkëkohorë). Megjithatë, kultura e traditës shqiptare e ndërmjetësimit vazhdon të ruhet, ndonëse në formë të dobësuar apo si habitus.“[16]
St. Gallen, 01.04.2023.
Shefqet Dibrani
[1] Po aty, “Homo albanicus si homo mediator – një hyrje historike”, faqe 17.
[2] Heinz Möhn, Geschichte und Denkmodelle der Mediation, Arbeitsheft, Lübeck 2012, (cituar sipas Z. Noka).
– Po aty, Zef NOKA, “Geschichte der Albanischen Vermittlungstradition”, faqe 8.
[3] Cit. sipas autorit: ” Krhs. për shembull veprat e Giuseppe Valentini S.J.: Studime dhe Tektse juridike, Tiranë, 2009; Akte Shqiptaro-juridike I, Tiranë, 2010; Studime dhe Tekste Juridike II, Tiranë, 2010; Për nder të Giuseppe Valentini S. J., Studime albanologjike ballkanologjike dhe bizantine, Tiranë, 2010; Ligji i maleve shqiptare – nga relacionet e Misionit Shëtitës Jezuit në Shqipëri 1880-1932, Tiranë, 2007. Janë të panumërta edhe studime dhe autorë të tjerë apo albanologë joshqiptarë që janë marrë me të drejtën zakonore shqiptare. Për arsye hapësire nuk do t’i rendisim të gjitha këtu.” (Shih. fusnota nr. 52, faqe 18.
[4] Anton Harapi (5 janar 1888 – 20 shkurt 1946) ishte një frat, pedagog, publicist shqiptar françeskan i shkolluar në Austri, i cili shërbeu në Shqipëri pas diplomimit. Njohës shumë i mirë i jetës malësore shqiptare, traditë që ai e ka trajtuar vazhdimisht në tekstet e tij.
– Shih. Patër Anton Harapi, “Shqyptari dhe bota e tij”, Prishtinë 2003, faqe 71. (Cit. Sipas Z. N. faqe 18.)
[5] Oliver Jens Schmitt, “Skënderbeu”, Tiranë 2009, faqe. 209. (Cit. sipas. Z.N. faqe 22.)
[6] Zef NOKA, “Geschichte der Albanischen Vermittlungstradition”, faqe 22. (Krhs. Möhn, Geschichte und Denkmodelle der Mediation, 2012, fq. 17.)
[7] Zef NOKA, “Geschichte der Albanischen Vermittlungstradition”, faqe 24. (Schmitt, Das venezianische Albanien (1392–1479), fq. 566 v.)
[8] Zef NOKA, “Geschichte der Albanischen Vermittlungstradition”, faqe 33.
[9] Zef NOKA, “Geschichte der Albanischen Vermittlungstradition”, faqe 33, (Anton Harapi, Shqyptari dhe bota e tij, fq. 71–74.)
[10] Zef NOKA, “Geschichte der Albanischen Vermittlungstradition”, faqe 36.
[11] Po aty, Zef NOKA, “Falja dhe pajtimi – në kuadër të ndërmjetësimit – kanë një rëndësi të madhe në të drejtën zakonore shqiptare”. Faqe 41.
[12] Po aty, Z.N. “Falja dhe pajtimi nëpërmjet miqve apo klerikëve, në interes të vendit, por gjithmonë në bazë të vullnetit të lirë të atyre që kanë humbur dikë, kanë pësuar lëndime fizike apo dëmtime materiale.”, faqe 41.
[13] Zef NOKA, “Geschichte der Albanischen Vermittlungstradition”, “konfliktet ishin dhe janë pjesë e jetës shoqërore edhe në popullin shqiptar“, faqe 17.
[14] Po aty, Zef NOKA, faqe 11.
[15] Po aty, Z.N. faqe 11.
[16] Zef NOKA, “Geschichte der Albanischen Vermittlungstradition”, faqe 46-47.
* Krhs. Zef ahmeti (Noka), Die albanische Tradition der Vermittlung, në: DGM – Newsletter für Mediation, Hagen, 2/2011, fq. 10–17.
– Krhs. Konferenca Kombëtare për ndërmjetësimin (Nationale Mediationskonferenz), Tiranë 2005, ab fq. 7.
– Ligji i ndërmjetësimit shqiptar: https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2019/02/Ligj_10385_040 22011_perditesuar_2018.pdf.
– Krhs. Ligji për ndërmjetësim, Gesetzt Nr. 06/L-009, fletorja zyrtare, Nr. 14. / 20 gusht 2018, Prishtinë; https://cpfq. rks-gov.net/wp-content/uploads/2020/09/LIGJI_NR._06_L-009___P%C3%8BR_ND%C3%8BRMJET%C3%8BSI M-SHQIP-2.pdf .
Faleminderit *admin* kete shkrim te Zef Nokes sjelle; *KULTURA e NDERMJRETEIMIT te SHQIPTARET* (MEDIACIONIT), si botuar tej *Fajala e Lire* qe per mua eshte KRYESHKRIM-Model i ndertimit te Marrdhenieve shoqerore sa ekonomike te shoqerise Njerzore. Duhet lexuar e konspektuar, sidomos nga specialiste; – *PUSHTETARET e *Politikëbërësit* e kohës.
Me laps ne dore e LEXOVA une gjyshi-87 vjeçar, (tej oqeanit ndodhem ne emigracion), nje jete MESUES*, aktivist shoqeroror… Shkrimi *TRINITRINE* per sa trajtohet, qe duhet te behet-detyrimisht: (po e quaj *SHKOLLE- MASIVE*) per ta vene ne jete, per KOHEN qe po kalon shoqeria jone… Faleminderit Botuesbve te Gazetes *Fjala e Lire* (2 prill 2023).