Meti Rexhepi
Hasan Bunjaku: NJË GJAKIM I PAFAT – (Demirovitët Bunjakë desivojcas) – Shtëpia botuese BEQIR MUSLIU; Gjilan, 2023
Kësaj vere Hasan Bunjaku i solli lexuesit shqiptar librin voluminoz, prej 331 faqe, titulluar “NJË GJAKIM I PAFAT.” Nën titullin e librit saktësohet përqendrimi i shtjellimit brenda kllapash (Demirovitët Bunjakë desivojcas). Kemi këtu përmasën e plotësit të dallimit, që përcakton lëndën rreth së cilës është mbrujtur, endur ose thurë ngjarja a vargani i ngjarjeve në një mjedis të caktuar gjeo-etnik. Kjo trevë ka shtrirje te njëri cep i etnisë, që përjetonte rrethanat e tkurrjes e të zgripeve historike, politike e policore, të qenies a mos qenies të lozes së një fisi, përkatësia e pararendësve të autorit.
Autori e nis kronikën e monografisë sipas diskursit të versionit “që është rreth 90 për qind i saktë, është ai që ne para 400-500 vjetësh, u shpërngulëm nga fshati Bunjaj (Bunjaj i sotëm), dhe bashkë me dy vëllezër Shkodraj, nga Llugaj, po ashtu i Malësisë së Madhe, nga një Beglereshë e Novobërdës, e që Desivojcën e paska pasë prikë (“miraz”), e paskan blerë fshatin për 300 lira turke: një hise Bunjaksi e dy hise Shkodërsi…”[1]
Autori nuk mëtoi të thellohej më në lashtësi të rrënjëve etimologjike të trevës.
UDHËRRËFYESI I MENDËSISË PATRIARKALE
Shkrimtari pashmangshëm përshkruan vend-vendosjen dhe shtrirjen e hapësirës së Bunjakëve, relievin e toponimet, malet e kodrat, përrenjtë, rripat e rrafsh-lartave, burimet e krojeve, si kushte themelore për lozën e zgjerimit e të gjallërimit njerëzor. Menjëherë diskursi përshkrues i mjedisit të natyrës së vrazhdë, i lëshoi udhë gërshetimit të dialogëve për mënyrën e gjallimit të jetës, organizimin e marrëdhënieve brenda dhe jashtë familjes, gjithnjë sipas rendit e mendësisë patriarkale, të cilat do të spikaten deri në imtësi. Rrëfimtari nëpërmjet të folmes karakteristike, tipike e dialektit të gegërishtes së Gallapit, me pleksje trajtash leksikore të trevës së Hashanisë, portretizoi personazhet e familjes Bunjaku.
Proza dokumentare e monografisë së Hasan Bunjakut nuk është thjesht dokumentare. Përmes karakterizimit të personazheve me emra e mbiemra konkretë, e veçanta e rrëfimit bie krejtësisht natyrshëm mbi botën e një familjeje të trazuar. Secili personazh në mënyrën e vet ndjehet i shqetësuar për të ardhmen aspak premtuese. Gjithsesi, vetat sillen e veprojnë sipas rendit të bindjeve patriarkale. I kryejnë detyrat dhe detyrimet e krye-parit ose të strumbullarit ideor, kërkueshëm me ligjin e një rendi të pashkruar. Strumbullari rreth të cilit sillen kuajt e lëmes është Baba Demiri.
Baba Demiri është krye prijatari i bashkësisë familjare të Bunjakëve desivojcas. Udhë-rrëfimet e Babagjyshit Demir për vajtjen ose mbarëvajtjen e rendit familjar, tingëllojnë si ligje të pashkruara për rritën e vijimit të shtuar të familjes. Asaj mendësie të trajtuar gjithanshëm, me shije e kapje fijesh të holla psikike e mendore, shkrimtari ua gjen vendin dhe i nënvizon kryefjalët e kallëzuesit, rrethanorët e rrjedhës të jetës së familjes në atë reliev të përthyer malor. Krye-prijatarit i shkon për shtati mos cenimi i fjalës ligj dhe, i vendimeve jo rrallë të ngurta të perceptimeve të tij.
Megjithatë, ngurtësia e tij është rregull, edhe kur bartësit e zbatimit të punëve, të detyrave e detyrimeve, ndërmjet rreshtash autori lë për t`ua kuptuar pakënaqësinë e fshehur por, të ndrydhur në vetat e vartësve, të meshkujve e të grave. Andaj, pakënaqësia a rebelimi shpijnë tek plëngprishësi i rendit shtëpiak dhe, tejkalohej nëpërmes pajtimit si “adet”, i moskthimit të fjalës Babagjyshit Demir. Nga brendia e heshtur e vetave shpesh shtoheshin impulset e ritmeve të përshpejtuara të zemërimit. Paksa më e ndjeshme paraqitej sedra shpirtërore e Ramizit por, ai ishte më komunikues sepse kishte dalë përtej rrethit të vet të mbyllur.
GJAKIMI DHE JOSHJA MASHTRUESE
Rëndom ndërtimi i rrëfimit nuk shpërfaq ngjarje, ndodhi, sprova, kumte sipërfaqësore, pa sikletin e cenimeve të forta të sedrës në kurthe zezonash udhëkryqeve ekzistenciale… Këto rrethana ishin motivuese për Babagjysh Demirin, që joshej t`i vendoste familjarët, larg thikave të gjakatarëve serbë, në Turqi. Për një ndërmarrje të tillë rropatjet ishin të lodhshme, të bezdisshme, të kushtueshme e të dhimbshme; me ecejake e të cilave merrej Zeneli. Me të gjitha këto u sprovuan Demirovitët, aq sa mbetën pa shtëpi e katandi! I gënjyer për ta lëshuar “memleçetin”, me nismën e Baba Demirit, familja u trazua e sorollatej, si thuhet: as te hapa, as te hupa!
Një pjesë e parave të tokës së shitur, për të marr udhën e shpërnguljes për në Turqi, iu shkuan dëm për “vesika.” E përjetuan familjarisht shpronësimin! Kjo shkaktoi rrethanën tronditëse për Demirovitët bunjakas… Tematika e shpërnguljes dhe e humbjes së pronës e përshkon tërësinë e rropatjeve të thella, tejet të dhimbshme të Demirovitëve dhe, e përmbush këtë lëndë gjatë gjithë shtjellimit, me të gjitha nivelet e shtresimeve emocionale, ideore, ekzistenciale, etike dhe kahet e fatit në monografinë e tipologjisë së romanit “NJË GJAKIM I PAFAT.”
Kësaj rrjedhe të parehatshme, zhgënjyese, që paraqet faqen tjetër të dramës është shkëlqimi drithërues i solidaritetit shpëtimtar ndër-vëllazërorë! Ky solidaritet është fusha magnetike e gravitetit, që e rikthen familjen e Demirovitëve në vatrën e vet, për ta ri-vijuar jetën aty ku e kishin lënë pararendësit.
Si ishin ato trajta gëzimesh e mynxyrash jete në këtë rrëfim monografik, të gazetarit të Rilindjes dhe veprimtarit kulturor Hasan Bunjaku?
I përkas brezit që kam dëgjuar, përmes rrëfimeve të shkëputura, si fragmente ndodhish e bëmash të prindërve tanë, copëza dëshmish, përfytyrimesh për mënyra rrëqethëse jetese, për rreziqet e pandalshme të zhbërjes së kësaj dege të etnisë, përmes shtytjeve të ndryshme, joshjeve mashtruese për shpërngulje në viset e shkreta të Turqisë… Kjo ishte njëra anë, përderisa ana tjetër, është përballja me trajtat e dhunës sistemore shtetërore të Mbretërisë Serbe. Në funksion të kësaj ideje prodhimtare zezonash, ishte dhe Marrëveshja Xhentëlmenësh Jugosllave-Turke për shpopullimin e këtyre trojeve të stërgjyshërve tanë.
Trusnia e njërës trajtë bëhej përmes instrumentit të fesë islame, premtimeve të gënjeshtra të disa hoxhallarëve: “N` Turki ish si Xhennet për së gjalli.”[2] Rrjedhave të shtjellës së materies monografike, do t`iu bien maskat “misionarëve” të atillë.
Rrethana tjetër:
“S’rrnohet ktu me kta shkije, qi po na bijnë n’qafë pa birgajrihak”[3]
Mund të pohoj se asnjë rrëfim heroizmash e peripecish, i periudhës së trajtuar nga rrëfimtarë gojorë a përjetues bëmash, nuk kishin arritur të kapnin plotësi epike aq të bindshme, me kaq sinqeritet e paanësi, në mënyrë krejtësisht të thelluar në botën e personazheve, duke ua skalitur tiparet më të imëta të fizionomisë dhe, me vija fare të thjeshta psiken e tyre njerëzore. Të gjithë këta përbërës i hasim në librin “NJË GJAKIM I PAFAT”, që tashmë e kimi në bibliotekat tona.
Tërësia e materies shkrimore për Demirovitët Bunjakë të Desivojcës, padyshim reflekton të përbashkëtat e fatit të trevës më të gjerë të Gallapit e të Malësisë, në të gjitha pikë-përkimet: në fiziologji, në psikologji, në mendësi, në përpjekje e gjakime ekzistenciale.
SPROVA DIALEKTORE
Në cepin e shtrirjes lindore të gegërishtes, Hasan Bunjaku sprovoi mundësinë dialektore të fjalësit dhe, përmbushjen morfologjike e sintaksore të gjithë gamës, që ia arriti bindshëm t`i bartë fare qartë vuajtjet dhe burrërinë, botëkuptimet etike, besëtytnitë e mitet për jetën, për vatanin… Gjithnjë, me besimin në Zotin e Madhërishëm, përmes paragjykimesh, me shtytje të sedrës patriarkale në një mjedis, pothuajse të izoluar nga infrastruktura urbane.
Gjatë shtjellimit të monografisë “NJË GJAKIM I PAFAT”, dalin në pah dy linja përmbajtjesore: ngjarjet brenda familjes, perceptimet e ndodhive jashtë vatrës familjare, ashtu si ua rrokte rradakja e pikëpamjeve të intuitës familjes së Demirovitëve. Për fshatarët ndodhitë mund t`iu vinin të pritura dhe të papritura. Pikëllimi dhe fataliteti zbutej në oda, në logun e burrave, të kushërinjve e farë e fisit. Burrëria prirej si një tipar i pacenueshëm në kodin etik të burrërisë dhe, mëtimi i një karakteri të këtillë i forconte me qëndrimin stoik. Vetëm si e këtillë mund të përtrollitej filozofia e ekzistencës së tyre.
Të gjitha këto veçori për Demirovitët janë të dukshme, të prekshme dhe, nëpërmjet kësaj të folure të përzier me barbarizma përshkojnë kronologjinë dokumentare të monografisë roman. Rrëfimtari ndjek shtegun ose linjën e dytë. Kundruall dialogëve dhe amplitudave të personazheve, varësisht prej situatave emocionale, krye-personazhi konsiderohej i patejkalueshëm, ndaj duhej t`i tumirej pushteti moral. Shtegu ose linja e rrëfimtarit, shpërfaq stilin e arsyes përtej gufimeve afektive paqësuese dhe, diskursin përmbyllës të ngjarjeve.
Aty ku shpjegon kontekstin, stili i mënyrës dëftore i autorit është dokumentues, aty ose atje ku nuk shpjegon por, lë të hapur mundësinë për përsiatje të lexuesit, kësisoj ngjyrimi stilistik i përket prozës poetike. Dëshmia stilistike e fatit të ndodhive në linjën e rrëfimtarit, e shpie atë në lidhjen e gjuhës së tij me të folurën dialektore të mjedisit pra, bashkëveprojnë dialekti me standardin e sotëm të shqipes, të cilin e përfaqëson shkrimtari. Padyshim autori ngre dhe bartë me durim e besnikëri të admirueshme barrën e tërë peshës së gjuhës, me ngjyrimin kumtimor e kuptimor, pothuajse të para një shekulli.
UNITETI IDEOR – SHUMËSIA MOTIVUESE
Monografia e shkrimtarit Hasan Bunjaku “NJË GJAKIM I PAFAT”, fillim e mbarim mbajti frymën e unitetit tematik, ideor, përmbajtësor, ana-mesin historik të njërës nga degët e etnisë; duke përçuar motivime të forta, sprova e përpjekje të dhimbshme për mbijetesë, shpirtgjerësi e solidaritet mes familjesh shqiptare, lidhje të pashkëputshme për tokën e parakëve.
Libri hap një varg motivimesh, brengash të bio-jetës, shumësi idesh:
“Po m`doket si me e shkoq naj copë zemër a shpyrt”[4]
Nga kursivet e nënvizuar spikaten ide të lidhjes së pashkëputshme të personazheve me trojet e ngjizjes së parakëve.
- ”Vramë n`kofsh burrë, po t`shamën e t`ramën s`ta duroj”[7]
Nga kursivi i tillë vërejmë ngërthesën e paprekshme të sedrës së burrërisë, që i mbajti të gjallë e të panënshtruar malësorët tanë.
- ”O Zot, p’shtom mos ‘koritna pej t’kajtmes”[8]
Për burrin, përkatësisht krye-personazhin Babagjysh Demirin, ishin kryesore virtytet e burrërisë. Jo-burrërore konsiderohej ligështimi, zhburrërim i burrit në sytë e burrave. Pa veshje me këso virtytesh jeta e njeriut nuk do të kishte vlerë.
- ”Na duhet burrninë me e kthye me burrni”[9]
Mozaikut të parimeve të burrërisë, i shtohet baraspesha e virtytit, matja e burrërisë me burrëri. Porosia është te e ndërsjella e kthimit por, jo gjithë herë është e lehtë përmbushja e ndërsjellës?
- ”Ishalla nuk kemi hi n`hak e n`gjynah me naj kan”
Karakteri, që të jetë i pastër dhe me vetëdije të plotë, ka një termometër ndjeshmërie për borxhin dhe mëkatin.
- ”Ah, të kishte pasë kësi e kësi lulash; ëh, t`ishin kanë ma të “çeltë”, kish ba me pas kanë edhe ma të holla, etj. Baba Zenel, pa asnjë fjalë, veç kishte hy, ua kishte marrë nga duart basmanë dhe siç ishte oxhaku i ndezur, ta hodhi në zjarr: “Hajt, se mas gjashtë mujve, jau blej qysh e patët qefin…” “Ju tha, e gratë as që guxuan ta hapin gojën.”[10]
E këtillë ishte pozita e gruas nën mendësinë e diktaturës sunduese të burrit. Hapësira e gruas ishte një burg shtëpiak. Ishte e paracaktuar: të lindte e të rriste fëmijët, t`iu gatuante e t`ua lante ndërresat të gjithë anëtarëve të familjes, të mbante higjienën e shtëpisë dhe, të mos ankohej por, të duronte nënshtrueshëm; të mos i ekspozohej asnjë gjymtyrë e trupit ndonjë të huaji!
Në njërin nga titujt tregimtar të prozës dokumentare, në faqen 126 zbërthehet bezdia e burrit:
“Po m’doket bet, qi gratë, me e hjekë peqen para njerit t’huj.
VEÇANTIA STILISTIKE
E para që has lexuesi i vëmendshëm në prozën dokumentare të Hasan Bunjakut është, përdorimi i gjuhës popullore të personazheve. Duke qenë një vrojtues i depërtimeve të thella, ai nuk i shmanget leksikut të turqizmave e sllavizmave në komunikimin e përditshëm, në punë blegtorie, në odë a në logje burrash të komunitetit tij të para-ardhësve. Jetën komunitare të mjedisit malor, Hasan Bunjaku e trajtoi si një shkrimtar, që nuk bie viktimë e mallëngjimit të përkatësisë, pa figurat e zmadhimit ose të epiteteve a krahasimeve idealizuese të personazheve të vatrës familjare.
Është për t`u vënë rè se si, që në titujt e tregimeve, me përkatësi të njëjtë tipologjike, mozaikut të kësaj proze i zbërthehet në mënyrën më të kondensuar përmbajtja e brendisë. Sapo të kesh lexuar titullin e tregimit të radhës, titulli të dëfton në variantin më të shkurtër, përmbajtjen e të ndodhurës ose pritjen e vijimit të asaj që do të ndodhte. Me të gjitha ato kumte të pakëndshme për Demirovitët, me gjithë barrët e brengave ekzistenciale, të ndodhurat dhe pritjet, jetës i shtrohet koncepti i të jetuarit, i përmbushjes saj, me aq sa mund të shtrohej në sofër.
Në këtë prozë me shtrirje të gjerë të mënyrave e rrethanave të jetës të një komuniteti, të cilit autori ia ndjenë brendinë e frymëmarrjeve dhe pulsimet e damarëve; dëftohet e vërteta e jetës pa sforcime të pa-bindshme brenda sferave të dukshme e të mundshme. Kjo lëndë jetësore e sistemuar në planet shkrimore, nuk del jashtë logjikës, të cilën e drejton besimi në vullnetin e Zotit. Përse? Meqë, sipas besimit të rrënjosur në bindjet e brezave, ai vullnet madhorë do të jetë përcaktues i fatit të tyre në tokë, deshi a nuk deshi kulli i Zotit të Madhërishëm, “Atij i kofshim falë!”
Shkrimtari Hasan Bunjaku në asnjë copë të mozaikut tregimtar, as të kompozicionit të kësaj ngrehine të gjatë shkrimore, nuk ngre arkitekturë të imagjinuar, pa një themel të fortë në palcën e gjallë të mjedisit autentik. Zbatimi i sintaksës së rrëfimit për dëshmi qartësie, autorin e shpie te rrumbullakimi i tematikës së mbarështuar dhe, kapjet e fijeve për thurje të dendura të një lloj shkrimi që josh. Në mënyrën e këtillë të shkrimit, shkrimtari ynë iu përafrua parimit parësor për qartësinë të Marie Henri Beyle Stendhal.
KAPËRCIM KORNIZASH TË LLOJIT
Vlerësimi im i llojit të tillë të prozës nuk mund të jetë krejt gjakftohtë, për çka, çfarë e si shtrohet kjo periudhë e të jetuari në librin “NJË GJAKIM I PAFAT”, që e tejkalon llojin ose zhanrin e shkrimeve të tilla monografike, të atilla që i hasim rëndom, me ngarkesa të dhënash grafike e ilustrime të ndryshme fakt sjellëse. Bunjaku me përvojën e kulturën e shkrimit, ia ka dalë t`i thyej kornizat e llojit thjesht dokumentar-monografik. Ai arriti të ngre një strukturë tekstore të paluhatshme, me anë të një finokërie magjike për kënaqësinë e çdo lexuesi. Ai ngrehu ngrehinën e një proze dokumentare të tipit të romanit historik.
Nuk ka dyshim se intuita e hollë e këtij autori, ia përtrolliti gjerë e gjatë fushë-shtrirjen në gjininë e romanit.
Miku ynë Hasan Bunjaku me gjithë ndëshkimet e jetës, nuk iu dorëzua apatisë dhe, bëri gjënë e duhur: na dhuroi një prozë pleksjesh dokumentare e artistike.
Shëndet dhe nderime për autorin e mirëfilltë të prozës shqipe!
Gjilan, më 12 tetor 2023
[1] Hasan Bunjaku “NJË GJAKIM I PAFAT”; Shtëpia botuese BEQIR MUSLIU, Gjilan, 2023, f. 19
[2] Po aty; f. 74;
[3] Po aty; f. 68
[4] Po aty; f. 100
[5] Po aty; f. 154
[6] Po aty; f. 43
[7] Po aty; f. 185
[8] Po aty; f. 226
[9] Po aty; f. 237
[10] Po aty; f. 53