Ajete Zogaj
(Rreth romanit “Malësorja” të Nazmi Rrahmanit)
“Gratë janë arkitektet e vërteta të shoqërisë.” — Harriet Beecher Stowe
Nazmi Rrahmani është ndër ata autorë që në rrugëtimin e veprimtarisë së vet letrare shkroi dhe botoi disa romane të rëndësishëm, duke filluar nga pjesa e dytë e shekullit të kaluar, me çka shënohen fillesat e romanit shqiptar në Kosovë.
Krijimtaria e tij letrare, edhe pse jo shumë voluminoze, u bë pikënisje për lërimin e romanit tek ne dhe ato (romanet e tij) gjetën lexuesit e të gjitha shtresave dhe pothuajse u bënë pjesë e çdo familje dhe biblioteke. Romanet e tij u botuan dhe u ribotuan disa herë, madje vazhdojnë edhe sot të jenë lekturë shkollore.
Cila është e veçanta e këtyre romaneve, të cilat edhe pse kanë kaluar shumë vite nga botimi, vazhdojnë “jetën” e tyre dhe janë të pëlqyera edhe sot për lexuesin?
Është para së gjithash përkushtimi i autorit gjatë hartimit të tekstit në raport me lexuesit, janë gjuha dhe fjalët e përzgjedhura që burojnë nga ambienti ku u shkrua romani; është mishërimi me një realitet të cilin e përjetoi vetë autori, realitet ky që e cilësonte Kosovën e atyre viteve.
Duhej guxim dhe flijim, mjeshtri dhe talent të trajtoheshin tema e dukuri të cilat i trajtoi Nazmi Rrahmani në romanet e veta, sidomos fatin e femrës shqiptare të atyre viteve, siç ngjet me romanin e tij mjaft të realizuar “ Malësorja”.
“Malësorja” – heroina e Llapit dhe e Gollakut
Romani “Malësorja” u botua për herë të parë në vitin 1965 në gegnishte, ndërsa u ribotua disa herë, duke u bërë kështu ndër veprat më të lexuara të kohës, nga një autor në një moshë relativisht të re, 24 vjeçar.
Personazhi i Hajrisë – i romanit “Malësorja” të Nazmi Rrahmanit është ndër portretizimet më artistike dhe më autentike të asaj gruaje shqiptare, të cilën e degdisi fati tragjik dhe dallgët e jetës. Falë durimit dhe mençurisë, ajo ngadhënjeu ndaj të keqes dhe padrejtësisë. “[….] e lodhnin edhe mendimet se i biri nuk dinte asgjë për të, për vuajtjet e së ëmës dhe për dashurinë e harruar. Mendonte se i biri do ta parafytyrojë tash vetëm si grua zemërkeqe, të shëmtuar dhe shtrigë, e pa fije dashurie për të birin, të cilin e urrente pse e kishte lënë pa nënë atë për t’u martuar me tjetërkënd.
Atij kurrë nuk do t’ia tregojë kush romanin e jetës së saj. Atë roman të pashkruar të malësores, i cili një ditë me siguri do të harrohet, ashtu si janë harrur edhe mijëra e mijëra të tjerë në këto malet e Llapit e Gollaku, atë roman që e shkruan njerëzit me pashpirtësinë përballë tjetrit, për vuajtjet e njeriut nga njeriu; romanin që zë fill diku në Gollak, me vajzën e bukur që ende nuk e kishte shijuar jetën dhe që vazhdon pastaj për gruan e pafat dhe që përfundon me….” [1]
Ky tekst dëshmon më së miri misionin sa njerëzor aq dhe intelektual të autorit, për të pasqyruar në mënyrë artistike fatin e hidhur të femrës shqiptare në trevën e Llapit e të Gollakut. Autori ishte i vetëdijshëm se një fat të tillë e kishte femra shqiptare edhe në viset e tjera të Kosovës.
Hajria e romanit “Malësorja” u bë pjesë e fëmijërisë së fëmijëve të saj, jetoi dhe flijoi shumë vetëm për ta: “ […] Hajria kishte qenë më e vendosur se kurrë ndonjëherë gjatë jetës së vet. As përpjekjet për ta frikësuar nuk sollën sukses. Kishte vendosur të dëgjojë urdhrat e zemrës e jo ato të të tjerëve”.[2]
Për dallim nga personazhet e tjera femra, të cilat dorëzohen para shtypjes e padrejtësisë, nganjëherë edhe me përfundim tragjik, Hajria është mishërim dhe personifikim i një gruaje të qëndrueshme; ajo ngadhënjen ndaj mentalitetit dhe botës së matriarkatit. Jeta e saj është jetë me vuajtje e mundime, që kishte zënë fill në Gollak, në atë vend me male dhe kodrina të thepisura e shkëmbore, ku edhe njerëzit dallonin nga të tjerët; atje ku një natë me hënë dhe në një çast të tmerrshëm i një tentim dhunimi ndërruan rrjedhën e jetës së Hajrisë; fatin e saj në vijim e cakton dikush tjetër:
“Pozitën e saj e kuptonin vetëm shoqet. Ato e kuptonin mirë pafajësinë e saj dhe në jetën e Hajrisë secila shihte edhe një pjesë të fatit të vet. Megjithatë ishin të paafta të ndërmerrnin çka do qoftë, sepse në shkëmbinjtë e atyre maleve “ishte shkruar me shkronja të mëdha” fati i çdo njërës”. [3]
Kushtet e rënda të jetës e bëjnë këtë personazh shumë herë ta mallkonte fatin pse kishte lindur femër. “Të kishte me u humbë fara të gjitha çikave!… Shumë ma mirë paska qenë mos me lind hiç se me lindë çikë e me të grahë kush të dojë!…”[4]
Së këndejmi, fati i femrës vendosej në odat e burrave, ku ajo nuk guxonte të shkonte “Kur ka guxuar malësorja të hyjë atje ku flitej për të, ku të tjerët caktonin fatin e saj?”[5] dhe, edhe po të hynte, fjala e gruas do të nëpërkëmbej. Shikuar nga ky këndvështrim, oda si vend ku merreshin vendime, në roman pasqyron edhe vendimet e gabuara ndaj vendosjes së fatit të femrës, por edhe vendime fatlume, siç ishte rasti i faljes së gjakut të babës nga Sabiti, vëllait të tij nga nëna e Aliut.
Në rastin e pajtimit, është mjeshtëria e autorit, Nazmi Rrahmani, që nëpërmjet një meditimi të Aliut (djalit nga martesa e parë e Hajrijes), ta nxjerrë meritore Hajrinë: “E mjera, ka heqë sa guri e druni. Ia ka ruejtë Sabitit mallin e shtëpinë, e qe, sot na shtyni edhe me pajtue. Qe, çka do me thanë nana e meçme! S’di qysh me u çue dhe me shkue e me pa njiherë se kurr nanë nuk kam pa me sy!”[6].
Hajria ishte lodhur e plakur, e kishin lodhur vuajtjet dhe padrejtësitë…”Një grua që nga pamja nuk dukej e moçme, megjithëse mund të vërehej lehtë se gjatë jetës kishte mbledhur mbi kurrizin e vet një barrë të rëndë vuajtjesh, me dimi të arnuara në disa vende, me mbështjellës të zi e me dy tre arna të bardhë…”[7]
Në roman me mjeshtëri janë përshkuar vendet, cilësitë e personazheve, ngjarje dhe peripeci të shumta sa që kur i lexon shpesh herë të duket se ato ngjarje po i sheh të gjalla. Janë skena të shumta ato që sjellim momente dramatike po aq dhe rrëqethëse, që të kujtojnë atë thënien e moçme, fëmija pa nënë është si nata pa hënë, e këtë e dëshmon ndarja e Hajrisë nga Aliu foshnje.
“[…] Alia i nanës në duer të kujt po të la ty sot? Ma këpute shpirtin loke…Sa shumë të kam mbajtë mallë, nantë vjet të shkreta, e qe sot, po më duhet me të lanë, me u nda prej teje për së gjalli loke. Mos me të pa ma me sy nana jote, djali im! Çka ban nana pa ty, e ti pa nanë? Kurr unë me sy ma dritë nuk kam me pa loçka ime, shpirti i mirë i nanës”.[8]
Hajria me durimin dhe qëndrimin e saj burrëror, ngadhënjen edhe ndaj thashethemeve dhe përpjekjeve të fshatarëve për ta paraqitur si të pamoralshme për kinse një lidhje të saj me Ymerin, shërbëtorin e familjes së Nezirit (burrit të saj të dytë).
“Për herë të parë në një mënyrë të tillë Hajria e hetoi lumturinë e vet, atë lumturi që e arriti pas shumë e shumë vuajtjesh. Pas kaq vjetësh mundej ballëhapur t’u thoshte njerëzve: “Unë nuk kam pasur kurrë faj!” dhe të buzëqeshte për atë që e përjetoi…[…], ” Sonte nuk po e mallkoj atë natë, as hanën që gjithmonë ia kam pas inati, as Ramën, as ata dy lugetnit, as nanën, as Ukën… Po i harroj prej sonte të gjitha ato mbasi e prita edhe këtë ditë!” i tha vetes e gëzuar dhe e bindur se vetëm tash do ta kuptojnë të gjithë pafajësinë e saj.”[9]
Përfundimi i romanit me një akt ngadhënjimi është dëshmi e një mjeshtërie tjetër të autorit dhe të vlerës së romanit, e mbi të gjitha ngadhënjimi i Hajrisë ( Malësores).
Romani Malësorja është një histori që të bën për vete
“Malësorja” është një roman që lexohet me ëndje, që ofron një shembull të dinjitetshëm të një gruaje të vuajtur të një bote ngatërrestare ku ajo jeton. Kur e mbaron së lexuari këtë prozë ndjen admirim për autorin, i cili aq bukur e hartoi romanin që i ngriti monument artistik femrës.
Nëse thuhet se “ Libri bën kuptimin, kuptimi bën jetën”[10], Nazmi Rrahmani me romanin “Malësorja” i dha kuptim dhe vlerë Gruas, Nënës e Motrës shqiptare, duke i shënuar vendin që i takon në shoqëri.
Njëherit vetvetes i siguroi një vend meritor në letërsinë shqipe.
Po e mbyll këtë kumtesë me mendimin se Nazmi Rrahmani dha një ndihmesë të rëndësishme në fushën e romanit, për t’iu përkushtuar më pastaj shtëpisë botuese “Faik Konica”, e cila ka nxjerrë e po nxjerr në dritë vepra të shquara të autorëve tanë e të huaj.
Prishtinë, 7 dhjetor 2023
[1] Nazmi Rrahmani, Malësorja. Faik Konica, Prishtinë 2021, f. 222.
[2] Po aty, f. 215.
[3] Po aty, f. 97.
[4] Po aty, f. 109.
[5] Po aty, f. 27.
[6] Po aty, f. 299.
[7] Po aty, f. 9.
[8] Po aty, f. 66.
[9] Po aty, f. 316.
[10] Ronald Barthes, Pëlqimi i tektstit. Botoi Zenit, Tiranë, 2022.