POEZIA E ALI PODRIMJES

0
Ali Podrimja - Lum lumi

Majlinda Nana RAMA, Hejza

Vëllimi “Lum Lumi” është një ndër veprat e majave të poezisë sonë kombëtare. Poeti, nga simbolika e dhimbjes së madhe horizonteve të atdheut, mblidhet e hyn në dhimbjen e afërt, atë më intime, më personale. Në këtë vëllim ai shfaqet mes dy trazimeve jetë-marrëse, ku njëra merr fuqi e del mbi tjetrën, por assesi nuk mbetet vetëm. Çështja e ekzistencës vjen e bëhet më e ndjeshme, më e mprehtë. Vihen pranë e pranë vdekja dhe jeta, ku kjo e fundit – e pamundur, e pafuqishme – i jepet vdekjes përditë nga pak, e vdekja, përditë e nga pak, po ashtu, gërryen si pika e ujit mbi gur.

Është një përcjellje tragjike e rrethanës reale kjo, sepse është shumë pranë poetit, nuk i qëndron si fenomen që ai e sheh në distancë dhe ia ndien dhimbjen. Tani jetë-vdekja i vallëzon para syve e i hyn dhunshëm në asht. Dhimbja për sëmundjen e të birit, Lum Podrimjes, është pika nistore e një pikëllimi të ri, që, sidoqoftë, megjithëse pak më në distancë, i shtohet pikëllimit ekzistues të poetit për fatin e vendit. Duke e kaluar këtë të fundit disi në plan të dytë, ai e mban përherë me vete, teksa djalit i thotë se mund të vdesë, por të vdesë për Palestinën, me të cilën nënkupton Kosovën. Pra, të dyja këto fate i sheh si binom që duhet t’i mbajë plagë të pambyllura, përherë të hapura e me vete.
….
Dikund në fushat e djegura të Sremit
dikund në pyjet e errta të Sharrit
Ra luftëtari ynë i lirisë

Mbyllet për një çast rrethi, aq sa duket se bëhet vicioz, e poeti nuk përpiqet të zgjedhë fjalë a figura, nuk ka as fuqi ta bëjë këtë, e duket se vdekja nuk i jep më kohë jetës së të birit. I gjendur në këto kushte, dërrmuar, rënë e përkulur përpara fatkeqësisë së madhe që po i rrëmben gjakun e genin, shpirtin e shpirtit, ai i drejtohet në vetën e dytë:

Ti heq shpirt me kokë në jastëk
turp vogëlushi
Im

Është turp që raca shqiptare ta humbë kohën duke vdekur në shtratin e shtruar me dafina e gjethe plepi dhe prehrin e ngrohtë të nënës. Trimat vdesin atje, në fushëbetejë, vdesin për çështje të mëdha kombëtare. Atje duhet të shkonte edhe i biri e le të vdiste për vendin e vet, për tokën e tij amë.

Ke mundur tek e fundit të ngjeshësh armët e Asimit
E të shkosh në Bejrut
Të vdesësh për Palestinë
(“Të shkosh në Bejrut”)

Shohim se si poeti krijon mbivendosje dhimbjesh, fatesh e ngjarjesh. Shoqërorja, kolektivja – shtresë e parë, më e hershme, ndërsa individualja – thikë përmbi të. Sepse ky është poeti Ali Podrime, ky është autori i vargut himnizues të vendit të vet e racës së sojit të tij. Ndërkohë, i pushtuar në lotët për Lumin, poeti kërkon t’i shpjegohet birit të vet se një burrë nuk mund të derdhë lot. Vdekja nuk duhet t’i mposhtë njerëzit, sipas logjikës së poetit. Dhe i justifikohet me metaforën që ngjall vdekja si proces. Proces të cilin Mensur Raifi do ta artikulonte: “Pavdekshmëria nuk është iluzion i ikjes nga defetizmi për t’u futur në legjendë, por qëndrim burrëror ndaj vdekjes që inicion një mësim për jetën”.

unë nuk qaj
shi bie
vogëlushi im
shkundet plepi i shtëpisë…

Gjithë shtëpia është dhe s’është. Tunden themelet, tronditen muret, shemben dritat, gjithë plepi i bleruar i asaj shtëpie shkundet e rrëzon para kohe gjethet e saporritura, të papjekura ende. Është një atmosferë kobi e dhimbjeje që edhe muret që s’kanë gojë, do t’u duhej ta rrëfenin… Dhe ja, pas luftës së madhe me fatin e veten, i biri i pafajshëm, dorëzohet, heq dorë nga dëshira për të jetuar, ikën duke lënë pas malin e rëndë të pikëllimit, gurgullimat e lotit që zgjasin me shekuj deri në përjetësi.

Ike
nga dëshira
për të jetuar
por
të gjallët
ende s’i le të qetë.

Të gjallëve (poetit…) ua prishi qetësinë, ua prishi jetën, ua trazoi shpirtin.

Trimat nuk vajtohen
Paç dritë në mbretërinë tënde
të humbur.

Gjithë vepra e tij poetike “Lum Lumi” ka grishje deri në profetike, sepse bart me vete një kompozicion të tërë ndjenjash që trazojnë qenien e poetit, turbullojnë mendimet dhe shumëfishojnë mundimet e tij. Kjo vepër ka në thelb një vokacion dramatik më të gjerë, atë të njeriut nëpër kohë – një brengë-trishtim, një rraskapitje e qenies njerëzore që mbetet dert i përjetshëm.

Kuptohet që Podrimja, veç të vërtetës së vet, siç e thamë më lart, ka sjellë me vetëdije atë që ia dërrmon shpirtin çdo shqiptari të përgjegjshëm, robërinë dhe zgjedhën e përhershme. Prandaj zëri i Podrimes shfaqet origjinal në memorien, psikologjinë dhe qenien e njerëzimit. Është zë për njeriun. Është zëri qytetar.

Është dritarja që unifikon lotin vetjak me lotin e masës, lot që nuk thahet e endet në pritje që luftërat njerëzore të mbarojnë (luftëra të cilat, për fatin e keq të poetit dhe vendit të tij, duket se nuk mbaronin kurrë).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.