PARATHËNJE E LIBRIT “PEMA GJENEALOGJIKE E FISIT BEQAJ VRANISHT VLORË”

0
185
Qatip Mara - Pema gjeneaologjike e fisit Beqaj

Ideja për të shkruar këtë libër është e vjetër tek unë, që kur jam vetëdijësuar për peshën e kujtesës së të gjallëve dhe të të vdekurve në përditsmërinë tonë, në ecurinë e kohëve dhe të brezave. Me dashurinë e përjetshme për nënën time të shtrenjtë nisa të shkruaja librin e Fisit Beqaj.

Këtë libër memorial, ia kushtoj me mirënjohje Fisit Beqaj Vranisht, gjyshërve Mehmet Jaup Beqaj, Isuf Mehmet Beqaj, Abas Jaup Beqaj, Meço Jaup Beqaj, gjysheve tona Haxhika Beqaj (Hasanaj) Belere Beqaj (Goxhaj), Nasube Beqaj (Janjaj), dajove Mitat Beqaj, Reiz Beqaj, Ago Beqaj, Maliq Beqaj, Shate Beqaj, Beqir Beqaj, Ismet Beqaj, Hetem Beqaj,Ilirjan Beqaj, që janë krenaria jonë. Ua kushtoj tezeve të mrekullueshme Sehire Mehemt Beqaj (Zanaj), Farfuri Mehmet Beqaj (Çepaj), Alime Isuf Beqaj (Jonuzi ), Xhuxhie Isuf Beqaj (Barjami), Venetike Abas Beqaj (Ribaj), nënës sime, Meze Mehmet Beqaj (Mara).

Ua kushtoj nipërve e mbesave të fisit Beqaj, të cilët i ruaj në kujtesë me dashuri. Koha që rrjedh me vrull dhe nxitim, nuk do të ma shlyejë dot kurrë nga mendja dhe shpirti kujtimin e këtyre burrave e grave fisnike, që ishin për mua modele që duhen ndjekur për sot dhe për nesër. Brezi i parë dhe i dytë i familjeve që përshkruhen në këtë libër autobiografik janë larguar fizikisht nga jeta, por edhe nga brezi i tretë janë larguar para kohe, në moshë të re, duke shkaktuar tek ne shumë hidhërime.

Kujtimi i tyre rron tek ne, tek fëmijët tanë, si një amanet që nuk e tret toka, për të qenë të bashkuar jo vetëm nga gjaku i përbashkët që na rrjedh në damarë, por dhe nga shpirti i të kaluarës që na thërret për ta sajdiur e respektuar kujtesën tonë, qëndresën e këtyre brezave për një jetë dinjitoze, idetë e qasjet, gjurmët dhe përvojat e lëna, si mesazh për një jetë më të mire, për sot e sidomos për brezat që do të vijnë pas nesh.

Gjatë natës në gjumë, me ëndërra takohemi me ta, gjatë ditës i përfytyrojmë e kujtojmë me mall. Jeta e tyre ishte e thjeshtë, por përballuan shumë vështirësi, lindën.rritën. arsimuan dhe edukuan shumë fëmijë dhe u bënë për ta modele sjellje dhe veprimi, burim frymëzimi për të ecur përpara në jetë.

Fisi Beqaj është boshti qëndror i lidhjeve të gjakut me familjen Myqerem -Seire Zanaj në Vezhdanisht, me familjen Vero- Farfuri Çepaj në Vlorë, me familjen Miftar- Meze Mara në Kropisht, me familjen Damo-Alime Jonuzi Lushnje, me familjen Fetan –Xhuxhie Barjamaj në Vranisht, me familjen Venetike Ribaj në Vranisht,të cilat janë pjesë e historisë së fisit Beqaj, sepse lidhjet me dajot, tezet e hallat e xhaxhallarët janë lidhje të përjetshme shpirtërore, të cilat kanë në themel edukatën dhe dashurinë që rrënjosën në zemrat tona bijat e mrekullushme të trungut të fisit Beqaj: Seire Beqaj (Zanaj), FarfuriBeqaj (Çepaj), Meze Beqaj (Mara) Alime Beqaj(Jonuzi). Xhuxhie Beqaj (Barjamaj), Venetike Beqaj (Ribaj).

Ato, edhe pasi ndryshuan mbiemrat pas martesës, forcuan me dashuri lidhjet midis fiseve të familjeve Beqaj me familjet Zanaj, Çepaj, Mara, Jonuzi, Bajramaj. Ribaj, të cilët tregonin shumë respekt për gjyshërit, dajot tanë dhe asnjëherë nuk përtonin për të qenë të pranishëm në cermonitë e fisit Beqaj. Ata gëzoheshin pa masë kur në shtëpi u vinin gjyshërit, dajot dhe tezet, u ndriste shtëpia nga gëzimi, kishin një harmoni e dashuri pa djallzi, ishin të sinqertë, të ndershëm dhe kishin shumë respekt për njeri-tjetrin.

Vllazëria e fisit Beqaj, miqësitë e saj me familjet Zanaj, Mara, Çepaj, Jonuzi, Barjamaj,Ribaj janë një pasuri e madhe shpirtërore, që duhet të na sjell të gjithëve gëzimin, kënaqësinë e të jetuarit pa strese, pa thashetheme, pa cmira e mërira kapriçoze, por ta duam e respektojmë njeri-tjetrin, duke ruajtur traditat më të mira që kishin gjyshërit tanë të mrekullueshëm të paharruarit: Isuf Jaup Beqaj, Mehmet Jaup Beqaj, Abas Isuf Beqaj,të cilët me kujtimin e tyre të ndritur janë të gjallë tek nipërit e mbesat…

Fisi Beqaj, dajot dhe tezet e mrekullueshme, që janë larguar nga jeta fizikisht, janë përherë në memorien dhe zemrat tona… Kujtimi i tyre vazhdon të na trazojë në ëndërra dhe na mban gjallë mallin e pashuar për të ikurit tanë, që na lanë pas një testament të madh dashurie dhe bekimi.

Gjyshërit e dajot tanë vinin edhe në këmbë nga Vranishti në shtëpitë tona, duke na sjellë ushqime në vitet e varfërisë ekonomike. Ata kujdeseshin për të gjithë nipërit e mbesat, duke u dhënë shumë dashuri.Lidhjet shpirtërore me dajot ishin shumë të fuqishme dhe sillnin vetëm gëzime në familjet e nipërve e mbesave. Ne vraponim gjithë gëzim për të shkuar tek gjyshërit e dajot në Vranisht, të cilët na prisnin me shumë dashuri. Dëgjonim me vëmëndje bisedat e gjyshërve Mehmet Beqaj, Isuf Beqaj dhe Abas Beqaj, të cilët tregonin ngjarje nga jeta, duke na dhënë këshilla të vlefshme për jetën. Kur largoheshim nga Vranishti, ndjenim emocionet e ndarjes me gjyshërit e dajot, të cilët na përcillnin me shumë dashuri, duke na thënë të shkonim përsëri. Shkonim me mall për t’i takuar, por përsëri me mall largoheshim prej tyre.

Jeta jonë do jetë e vështirë gjithmonë, por duhet vullnet e këmbëngulje për të bërë çdo sakrificë për ta përmirësuar mirëqënien e jetës në sejcilën familje duke trashëguar nga të parët tanë virtytet e traditat e mira bujare mikëpritëse,thjeshtësinë, ndershmërinë në veprime e qëndrime, duke respektuar njeri-tjetrin me dashuri e mirëkuptim të sinqertë. Gjyshërit, prindërit, dajot, tezet, hallat, xhaxhallarët tanë duhet t’i kemi model në jetën tonë të përditshme, sepse ata nuk ishin pesimistë për jetën, por me optimizëm e sakrifica përballuan jetën e vështirë, duke komunikuar me qetësi e dashamirësi me të githë të afërmit e tyre. Këto vlera, që në këtë epokë të internetit kanë nisur të shterojnë, duhet të na ngacmojnë që njeri –tjetrin të mos e harrojmë. Ajo që ka rëndësi është e ardhmja –fëmijët dhe niprat e familjeve Beqaj, Zanaj, Mara, Çepaj, Jonuzi, Bajramaj, Ribaj, duhet të bashkojnë të ardhmen me të kaluarën për të lidhur zinxhirin e lidhjeve të gjakut. E kam ndjerë veten krenar që jam nip në fisin Beqaj.

Krenaria ime janë dajot e mi, të cilët me ndershmëri, me sakrifica përballuan çdo vështirësi. Performanca e tyre shembullore rrezatonte kulturë njerëzore. Me shumë dhembshuri na përkëdhelnin kur ishim fëmijë, me shumë kujdes na këshillonin duke na dhuruar shumë ngrohtësi. Të paharruarit Maliq Beqaj, Mitat Beqaj, Reiz Beqaj, Ago Beqaj, Hetem Beqaj na rrethonin me shumë dashuri, u buzëqeshte gjithmonë fytyra nga gëzimi, kur niprit e tyre takonin. Na falën një botë të ngrohtë ndjesishë, që ende na mban gjallë e na frymëzon, për të bërë gjëra të mira në jetë, për të mbajtur gjallë shpirtin e madh të dashurisë për rrënjët e gjakut tonë të njejtë.

Papritur u ndanë nga jeta, duke na lënë me shumë dhimbje dhe loti na u ngurtësua në sy. Të larguar e shumë të përmalluar me mall, me merak e dhimbje mbyllën ata sytë dhe ikën në pakthim. E ndjejmë shumë mungesën e tyre. Përulem me nderim e mirënjohje para kujtimit të tyre të ndritur. Në fisin Beqaj nuk harrohen gjyshet e mrekullueshme: Bejlere Beqaj, Haxhika Beqaj, Nasube Beqaj, të cilat me fytyrat e tyre engjëllore, me zemrat e bardha ishin gjithmonë mikpritëse shembullore. Na prisnin krahapura e fluturonin nga gëzimi kur me mall na përqafonin, puthjet e tyre mjaltë lëshonin.Familjet e fisit Beqaj, në të cilin janë integruar edhe vazhdimësia e jetës së vajzave të fisit Beqaj, të cilat si trimëresha e sorkadhe mali çelën familje në fiset e bashkshortëve të tyre.

Kujtoj me shumë mall dhe nderoj me respekt të thellë kujtimin e ndritur të Alime Beqaj (Jonuzi), Xhuxhie Beqaj (Bajramaj), Farfuri Beqaj (Çepaj), Sehire Beqaj (Zanaj) dhe nënë time Meze Beqaj (Mara), të cilat në çdo kohë kujtonin vendlindjen dhe u dridhej buza nga malli për fisin Beqaj. Ato ishin modeli më i përsosur i vajzave me moral të lartë, i nënave heroina, i hallava gojëmjaltë, i tezeve engjëllore, që kur na takonin na jepnin shumë dashuri. Sytë e tyre ndrisnin nga gëzimi porsa na shikonin. Në pak vite ato, parakohe u larguan nga jeta njëra pas tjetrës, duke mbyllur sytë me mall e dhimbje, larg vendlindjes së tyre. Sëmundjet e pabesa ndaluan zemrat e tyre, të cilat buronin vetëm dashuri fisnore, vëllazërore, prindërore… Sa herë lexoj apo dëgjoj fjalët Fisi Beqaj Vranisht, kujtimet e së shkuarës ma trazojnë shpirtin, ma bëjnë që trupi të më dridhet nga emocionet. Për një cast, qenia ime fiton një dimension krejt të pamasë.

Papritur ndiej se jam njeri tjetër! Dhe them me vete: sa shumë gjera kemi për t’i thënë njeri-tjetrit për jetën e gjyshërve, dajove, tezevet e prindërve tanë, që jetuan në një kohë aq të vështirë. Tek fisi Beqaj zë fill pa kuptuar edhe përjetimi im. Atje është fëminia dhe rinia ime. Brenda vetes më mundonte shpesh një ndjesi e përhershme, që është bërë e prekshme për mua në vitet 2013 -2016, me sfidën e sëmundjes së zemrës në spitalet e Tiranës,Torinos,Milanos dhe Nju Jorkut, ishte ndjesia për të shkruar librin e pemës gjenealogjike të fisit Beqaj,që brezat që do vijnë ta gjejnë botimin e këtij libri jo vetëm në bibilotekën e shtëpisë së tyre, por edhe në bibliotekat kombëtare të atdheut tonë. Doja të shprehesha. Kisha nevojë të shkruaja diçka,të thosha atë që ndjeja, pasi më duket e rëndësishme të njohim të kaluarën e gjyshërve, dajove e tezeve tona.

Kujtimi i gjyshërve,dajove,tezeve, prindërve më ka shoqëruar e më shoqëron heshtur, pa zhurmë, gjatë gjithë kohës së rritjes sime. Ata, me thjeshtësinë e tyre, me ngrohtësinë dhe përkujdesjen me të cilat na rrethonin, na e mbushnin zemrën me shpresë për të ardhmen. Ata dinin të hynin në zemrat tona.Shpalosën ngadalë e me durim edukatën se si ne mund të bëhemi njerëz,si të vlejmë jo thjeshtë për vete, por edhe për të tjerët.Ata ishin mësuesat tanë të parë, që më zemrat e tyre prekën shpirtërat tanë, duke na ndriçuar mendjet dhe na rrëmbyen zemrat, duke i dhënë të ardhmes sonë sensin e vërtetë të jetës që ne ta ndërtojmë vetë begatinë dhe lumturinë tonë.

Ata u dhanë vlerë mendimeve tona, duke ndjerë dhembshuri për jetën tonë, qëndruan me dashuri me ne edhe në kohë trishtimi e dëshpërimi,na zgjatën duartë ledhatuese, kur ne ishim të rrëzuar nga gabimet tona. Na ngritën moralisht, me optimizëm, kur ishim të lënduar. Ata nuk morën asnjëherë parasysh sakrificat që bënin për vete dhe për familjen e tyre. Në emër të një misioni të shenjtë të prindit të përkushtuar, ata zgjuan, frymëzuan tek ne shpirtin e qëndresës dhe sakrificës për fëmijët, për familjen, për të afërmit tanë, na dhanë të gjitha dashuritë për jetën dhe na mësuan të qëndrojmë të pathyeshëm në kohë baticash dhe furtunash.

Tërë këto vite ata kanë ikur fizikisht e nuk vijnë më, por shpirti tyre është pranë fëmijëve, nipërve e mbesave të tyre. Këta ishin të parët tanë të artë në dashuri e ndershmëri, që u shkëlqenin sytë si dielli, kur na përqafonin me shumë dashuri.Çfarë njerëz ishin të parët tanë?! -Mos e teprova duke i vlerësuar shumë?! Jo, jo, ata ishin vërtetë të mrekullueshëm. Të lodhur nga punët fizike që kryenin,të përgjumur, sepse nuk e mbushnin syrin e tyre me gjumë. Ata, gjyshërit, dajot,tezet, xhaxhallarët, hallat e prindërit tanë, edhe kur nuk ndiheshin mirë nga shëndeti apo sfidat e vështirësitë që iu zinin rrugën nga mania e regjimeve shtetërore, si përhera na buzëqeshnin, duke na dhënë krah për jetën. Brenda vetes, ata ruanin gjënë më të madhe,një gjë më të shenjtë,dashurinë njerëzore.

Dashuria për ata ishte fisnikërim i njeriut, ishte triumfi i së mirës, i ideales dhe i shpirtit njerëzor. Sa shumë herë buzëqeshjet e tyre na kishin ndezur zemrat tona, edhe kur ato ishin të trishtuara. Fjala e tyre na jepte shpresë, përkushtimi tyre i përhershëm, i sinqertë, na mbushte me frymëzim, se edhe ne do bëheshim dikush. Thjeshtësia e tyre na tregonte rrugën se si të lartësohemi. Sa shumë kam dashur të isha pranë tyre, kur kishin ditëlindjet, që t’u dhuroja lulet më të bukura. Por kjo ishte e pamundur, se jetonim larg dhe varfëria e mungesa e komunikacionit na kishte izoluar.Në vendin e luleve për ditëlindjet e tyre, po u kushtoi këtë libër modest autobiografik të fisit Beqaj Vranisht Vlorë. Më vjen ndërmend një thënie e Leonardo Da Vinçit:

“Ashtu si një ditë e mirë sjell gjumë të lumtur, po kështu që një jetë e shpenzuar mirë sjell vdekjen e lumtur”. Jeta e tyre ishte një jetë e shpenzuar mirë, duke bërë të pamundurën për fëmijët, për familjarët, farefisin, për të afërimit e tyre.

Falnderoj të gjithë ata që ndihmuan me informacione për të shkruar këtë libër, që është një album autobiografik i fisit Beqaj Vranisht Vlorë.

Qatip Mara
North Carolina, USA, 31.01.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.