Palimpsest” ose “Kanga e mjellmës” e Martin Camajt – nga Primo Shllaku

0
561
Palimpsest – Martin Camaj

Palimpsest – Martin Camaj

Mbi disa ndryshime tematike në librin e tij të fundit “Palimpsest” dhe nji shqyrtim ma i imët i poezisë “Palimpsest i rrëfyem”

Poeti Primo Shllaku

Dihet nga të gjithë se vëllimi me poezi “Palimpsest” asht libri i tij i fundit, ose, ashtu sikurse e kam quejtë “Kanga e tij e mjellmës”.

Ky libër i hollë i botuem në Munih dhe në New York, më 1991, mbyll edhe odisenë e gjatë të botimeve të këtij autori. Vemë re se kemi nji ndryshim tematik tek ky vëllim prej jo ma se 30 faqesh. Autori ka lanë mënjianë Lulet dhe Zadet e tij, vegimet e konsumueme të pejzazhit malor të vendlindjes, ka humbë lirizmin e tij dhe fjalët e vagullta, me të cilat ndërtoi faqe të pashoqe të letërsisë shqipe të Mbasluftës së dytë botnore.

Gjithsesi ai asht ba ma “serioz”, fokuson tema të nji rreptësie monakale dhe trajtime me përmbajtje gati-gati shkencore e teknologjike. Martini tek ky vëllimth ka vendosë të tregojë edhe nji anë të histories së jetës së tij në bashkëvajtje me punën e gjatë të tij prej albanologu, në të cilën ai ka dashtë me dhanë jo vetëm mënyrën sesi e kishte shpenzue jetën e tij ai njeri mes njimijë dilemash shkencore, ekzistenciale dhe personale, por edhe përpjekja e tij ekstreme dhe në çastet e tij të fundme, për t’i dalë përballë asaj frike që e kishte mundue dhe nuk e kishte lejue me realizue deondologjinë e tij prej intelektuali kombtar të klasit të parë.

Në Europë ka fillue ramja e sistemit komunist. Vendet e ish-Lindjes komuniste po rrëzonin regjimet e tyne diktatoriale me kulm e me themel, kahdo po frynte era e ndryshimeve të thella kontinentale dhe shoqnitë e këtyne vendeve po drejtoheshin me shpejtësi drejt indentiteteve të reja. Gjithmonë me sigurinë se edhe Shqipnia si pjesë e këtij sistemi nuk mund të qëndronte gjatë jashtë përfshimjes së saj në tendencën europiane të homogjenizimit në rrugën e lirisë.

Martini e ndjeu se Shqipnia e tij po hapej dhe do të hapej. Libri “Palimpsest” na jep sigurinë e arsyetimit se në fundin e jetës së tij, Martin Camaj po bahej edhe ai llogaritar i fakteve dhe i ngjarjeve.

Nëse kemi parasysh se Martini gjithë jetën e tij kishte qenë i kujdesshëm, që të kryente punët e veta letrare e filologjike pa e ngucë regjimin e Tiranës, pa i ra sy fort atij për pikëpamje, të cilat mund ta egërsonin atë dhe, kushedi, të ndërmerrte edhe ndonji ndërhymje ndaj personit të tij, siç nuk kishin qenë të pakta rastet me poetë e mendimtarë të vendeve të tjera të Lindjes komuniste. Në dukje Martini kishte shikue punën e vet, nuk ishte përzie fort në rreshtime politike, që asokohe kishte me bollëk mbrenda diasporës politike në Europë dhe në Amerikë.

Por gjithsesi mbajtja e njifarë kordoni limit të shprehjes së tij dhe shpërthimi i papritun tek “Palimpsest”-i, na shtrojnë pyetjen se ç’po ndodhte me poetin e madh të mërguem, që për nji mallkim të fatit po vazhdonte traditën mërgimtare të poetëve të Rilindjes kombtare?
Biografët e Martinit thonë se aty nga fund i viteve ’80, Martinit iu shfaq nji sëmundje e randë dhe të cilën u mundue ta përballonte i ndihmuem intensivisht nga bashkëshortja e tij zonja Erika Camaj, e cila për fatin e mirë ishte edhe mjeke.

Logjika na shtyn me mendue se Martini në fillimin e viteve ’90 po kuptonte se fatalisht edhe regjimit mizor, që nuk i dha mundësitë të kthehej në atdhe as edhe si turist, por edhe atij vetë po i mbaroheshin ditët. Ata dy sende, që jeta i kishte nda me nji hendek kaq të madh sa asht vetë ideologjia dhe praktika e kësaj ideologjie, po vinin me ripohue për të satën herë para botës, se vdekja asht e përbashkët për këdo dhe asaj nuk mund t’i shpëtohej.

Meqë regjimi po binte dhe në ata çaste të tij të fundit shumë emigrantë e elementë të padëshruem të regjimit filluen me guxue nji kthim në atdheun e vet, Martini ynë, i goditun randë nga sëmundja, nuk mund të ndërmerrte nji udhëtim për në viset e tij të fëmijënisë edhe pse nga ana e sigurisë së tij nuk ekzistonte ma asnji problem. Martinit po i ndodhte ajo ma dramatikja, ajo ma e dhimbshmja, që vetëm në teatër ndodh: Ai që kishte pritë nji jetë të tanë që t’i hapej dera, në çastin kur kjo derë i hapet realisht ai për arsye shëndeti, pra që kanë të bajnë rreptësisht me atë vetë, nuk mundet me hy, nuk mundet me e pa vendlindjen e vet, që kishte qenë djega e tij e përjetshme.

I ndodhun para regjimit që po jepte shpirt dhe shëndetit të tij që po e lëshonte, Martini vendosi me ndërrue tonalitet, vendosi, ndoshta, për herë të parë me folë për vete dhe, ajo çka ka ma shum randësi, me shprehë pikëpamjet e tij jo vetëm letrare mbi atdheun e vet dhe mbi bashkëkohësinë e vet të krijimtarisë artistike.

E ndjeu pra, se nuk kishte pse me pasë frikë. Regjimi po shkërmoqej ashtu sikurse po shkërmoqej edhe shëndeti i tij, tue e çue pa derman drejt vdekjes. Na duket se në raport me brezin e tij, të mbetun mbrenda atdheut, Martini edhe ktu ka nji avantazh të dukshëm dhe të respektueshëm. Martini e kishte ruejtë me shum kujdes “instinktin” e sustës. Kur mbi sustën kishte qenë ushtrue vazhdimisht nji forcë, susta kishte mbetë e shtypun, por kur ajo forcë kishte pushue së qeni, susta kishte shkue prap në vend.

Camaj frikën dhe kujdesin e urtë të ruejtjes së jetës nuk e kishte kthye në natyrë të dytë. Sapo iu dha rasti dhe rasti nuk qe i pastër dhe entuziazmues, sepse pranë i ravijëzohej vdekja, ai bani edhe dëshmin e tij të fundit si artist. Mendojmë se vepra “Palimpsest” asht njilloj kange e mjellmës, po se po, por edhe njifarë testamenti, ku përmbajtja e tij ishte vlerësimi që ai ban shkencave gjuhësore dhe letërsisë me krijimet dhe krijuesit e saj.

Martin Camaj (1925-1992)

Për Camajn, në “Palimpsest” shum teza “optimiste” dhe në thelb propagandistike të shkollës gjuhësore komuniste të Tiranës mbeteshin ende teori dhe të shprehuna ashtu siç ishin, nuk mund të ishin ma shum se dridhjet e nji etheje komunisto-nacionaliste shum larg prej qëllimeve shkencore dhe të vërtetave të vërtetueshme. Shkenca shqiptare e kësaj shkolle ishte nji shkencë aprioristike që shpikte qëllimet dhe mandej rrugët për gjetjen e tyne. Në poezitë e tij me murgun e zi dhe laboratorët e bibliotekave me rreze ultravjollcë, Martini duket sikur do të na yshtë, që të vazhdojmë kërkimet nëpër shtigje të reja e metoda ma moderne të hulumtimit.

Murgu i zi dhe enigma e dalë në këtë libër edhe si titull poezie, janë pjesë e atij entuziazmi të gëzueshëm që karakterizon hulumtuesin në kërkimin e tij të pafund të objektit të tij shkencor. Kritika e tij lidhë me shkencën shqiptare albanologjike, që rrahte gjokse e vetëkunorëzohej me lavdi të pameritueme, synonte me tregue se lidhë me gjuhën dhe asetet e vërteta të shpirtit kombtar duhej kujdes dhe matuni, duhej studim dhe liri studimi, duhet kohë dhe durim, por kryesisht duhej proces, sepse shih si thotë Martini me idhnim të pashoq:

Dhe fare fare, në skâj do të digjet
Gjithçkà, fjala, pergamena dhe nà.

Tue iu bindë stilit dhe zakonit të tij poetik ai nuk ndërton ekuacione të sakta kuptimore, që duen me thanë këtë dhe vetëm atë. Shprehja e tij evazive që intrigon mendjen dhe mpreh intuitat e lexuesit, Martini nuk shkon ma larg se te sugjerimi. Këtë ai e ban sepse mendon si hermetist i bindun, se poezia nuk mund të qëndrojë pa sugjerimin që e mban pezull nji tufë kuptimesh dhe ku ti zgjedh atë ose ata që krijojnë harmoni me formimin tand.

Shija e poezisë dhe detyrimi i pezullimit shpesh i kanë ba kto poezi të “Palimpsestit” shumë hermetike dhe të padeshifrueshme kollaj. Për Camajn kjo duket se asht për të vetë shija e shkencës, ku çdo dritë zbulimi që ndezet duket se na e ban ma të zezë natën, tue na sugjerue idenë se entuziazmi i shkenctarit dhe deviza nitscheane e “shkencës së gëzueshme” nuk shpërblehet gjithnji me suksesin e rezultatit.

Martini asht ndalë tek vitet ’70, kur edhe u sanksionue “gjuha letrare e njësuar”. Te poema “Magjia e tekstit” ai përmend studentët e tij, të cilët “tallen” ndër thojza me profesorin e tyne për punën e thellë me palimpsestët, tue i thanë se molat po ta hanë fillin e jetës. Ata gjithashtu i thonë se për ta ka randësi pjesa e sipërme e palimpsestit dhe se ajo asht e mjaftueshme. Duket pra haptazi pakënaqësia e tij dhe mosdakordësia me mënyrën e shpejtë dhe me zgjidhjen e problemit gjuhësor simbas parimit aleksandrin të premjes së nyjes gordiane.

Por, Martini nuk asht kritik në lidhje me “teknologjinë” e gjuhës. Ai ka problem ma të madh me kolegët e tij të letërsisë. Te “Palimpsest i rrëfyem” Martini thyen çdo heshtje dhe çdo kufi të vetes së tij të përparshme, braktis modestine dhe papritmas ngrihet para vetes dhe flet për vete, ndoshta vetëm nga frika se bashkëkohësia e tij mund ta keqinterpretojë ashtu të panjoftun e të papromovuem që e kishte.

Kam lindun lis”, – thotë ai për vete, tue dashtë me tregue qëndrueshmëninë e tij, që tashma asgja nuk mund ta përgënjeshtronte. E ma poshtë “nji lis me kambë në gur, tjetri në lëmashk, mish rreth ashtit të ujkut: ishim në luftë.”

Pikëpamjet letrare Camaj i shef si kundërvumje, si konflikt estetik e ideologjik, që ishte real dhe që kundërvente prodhime letrare.

Camaj i fajëson randë shkrimtarët madje disa simbas shprehjes së tij të përkorë, që e kthyen letërsinë në ideologji dhe propaganda. “Pati edhe asish ndër ne, që nuk u zu vendi vend dhe UUUUU banë dru lundre dhe sollën mortjen lumit përpjetë në plang.”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.