32.4 C
Tirana
E hënë, 27 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj PA NJË EKSPERTIZË TË PAVARUR SHKENCORE, ÇDO ANALIZË MBETET VETËM NJË INTERPRETIM...

PA NJË EKSPERTIZË TË PAVARUR SHKENCORE, ÇDO ANALIZË MBETET VETËM NJË INTERPRETIM POLITIK!

0
Safet Sadiku

Analizë:

Nga Safet SADIKU

  1. a) Trajtime metodologjike: “Nëse administrata digjitale e Bashkimit Evropian rrit sigurinë e brendshme, kufizon korrupsionin, forcon reziliencën institucionale dhe rrit besimin e investitorëve, atëherë përse Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të vonojnë përafrimin me këto standarde deri në integrim të plotë? A mungon vullneti politik, kapaciteti institucional apo guximi për të ndërmarrë reforma që kufizojnë ndërhyrjen partiake në administratën shtetërore?”
  2. b) Që nga viti 2018 e këndej, dhe veçanërisht pas sulmeve masive të vitit 2022, është bërë e qartë se Shqipëria dhe Kosova nuk mund ta ndërtojnë sigurinë kombëtare pa një administratë publike profesionale, të depolitizuar dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian. Sulmet kibernetike treguan se dobësitë institucionale nuk cenojnë vetëm funksionimin e administratës, por edhe besimin e qytetarëve, sigurinë e të dhënave, klimën e investimeve dhe reziliencën e shtetit ndaj kërcënimeve hibride.
  3. c) Jetësimi në praktikë i programit, Platformë për Referendum Kombëtar, i cili aktualisht është i vetmi instrument ligjor demokratik për legjitimimin e vendimeve me rëndësi kombëtare, duke kufizuar ndikimin e interesave të ngushta politike dhe duke orientuar zhvillimin mbi bazën e interesit publik dhe vullnetit të shumicës së qytetarëve përmes procesit të mbajtjes së Referendumi i parë Shqipëri – Kosovë, është çelsi i fillimit të integrimit të brendshëm të institucioneve mbarëshqiptare.
    ç) Termi „Rezilencë“(ose rezilencë kombëtare), që edhe në shqip po përdoret më shpesh si reziliencë, kjo fjalë në shqipërim nënkupton qëndrueshmëri ose aftësi përballuese, në varësi të kontekstit. Në dokumente strategjike, megjithatë, termi reziliencë kombëtare është tashmë gjerësisht i përdorur.
    Pra, rezilenca: (është aftësia e një shteti, e institucioneve dhe e shoqërisë për t’u përballur me kriza, kërcënime dhe tronditje të brendshme ose të jashtme, duke ruajtur njëkohësisht funksionimin normal të institucioneve, rendin kushtetues, sovranitetin dhe aftësinë për t’u rimëkëmbur shpejt pa humbur kapacitetin e vendimmarrjes).

    1) Administrata:Nëse pranojmë se rezilienca kombëtare ndërtohet mbi cilësinë e institucioneve, lind natyrshëm pyetja: përse në Shqipëri dhe në Kosovë vazhdojnë të dështojnë ose të zvarriten projekte ekonomike me rëndësi strategjike? Përgjigjja nuk duhet kërkuar vetëm te faktorët e jashtëm apo te rivalitetet gjeopolitike. Ajo lidhet, para së gjithash, me kapacitetin e shtetit për të ndërtuar institucione profesionale, administratë të depolitizuar dhe mekanizma vendimmarrës që funksionojnë mbi bazën e ligjit, meritokracisë dhe ekspertizës së pavarur. Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë arritur të ndërtojnë një administratë publike që t’u afrohet standardeve të Bashkimit Evropian për profesionalizëm, meritokraci, pavarësi dhe përgjegjësi institucionale.

Ndërhyrjet e vazhdueshme politike në administratën shtetërore, zëvendësimet e personelit pas çdo rotacioni qeverisës dhe mungesa e një shërbimi civil të mbrojtur nga ndikimet partiake kanë dobësuar vazhdimësinë institucionale dhe kapacitetin e shtetit për të planifikuar e zbatuar politika afatgjata. Në të njëjtën kohë, qeveritë në të dy vendet nuk kanë treguar vendosmërinë e nevojshme për të ndërmarrë reforma të thella dhe për të marrë përgjegjësinë juridike e politike që kërkon ndërtimi i një administrate të integruar sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Kjo pengon jo vetëm procesin e integrimit evropian, por edhe aftësinë e shtetit për të realizuar projekte strategjike, për të administruar me efikasitet pasuritë kombëtare dhe për të krijuar siguri juridike për investimet afatgjata. Dobësia e administratës publike dhe e kapaciteteve institucionale i bën Shqipërinë dhe Kosovën më të cenueshme edhe ndaj kërcënimeve bashkëkohore të sigurisë, si sulmet kibernetike, fushatat e dezinformimit, propaganda e organizuar dhe format e tjera të luftës hibride.

Kur institucionet nuk disponojnë struktura profesionale, mekanizma efektivë koordinimi dhe personel të specializuar sipas standardeve evropiane, aftësia e tyre për të parandaluar, identifikuar dhe kundërshtuar këto kërcënime mbetet e kufizuar. Kjo krijon hapësirë që rrjetet kriminale, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë keqdashës të shfrytëzojnë dobësitë institucionale për të ushtruar ndikim në hapësirën kibernetike, ekonomike, informative dhe politike. Për këtë arsye, ndërtimi i një administrate profesionale, të depolitizuar dhe të harmonizuar me standardet administrative e juridike të Bashkimit Evropian nuk është vetëm një kërkesë e procesit të integrimit evropian, por një domosdoshmëri për forcimin e shtetit ligjor, sigurisë kombëtare dhe reziliencës institucionale. Pikërisht mbi këtë parim, “Platforma për Referendum Kombëtar” ka parashtruar si objektiv themelor reformimin e administratës shtetërore, mbrojtjen e saj nga ndërhyrjet partiake dhe përafrimin dhe integrimin me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, si një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe Kosovës.

2) Ndikimi i faktorëve të jashtëm: Një pjesë e konsiderueshme e literaturës bashkëkohore thekson se fuqia ose dobësia e një shteti përcaktohet jo vetëm nga mjedisi ndërkombëtar, por edhe nga faktorët e brendshëm. Cilësia e institucioneve, niveli i korrupsionit, polarizimi politik, profesionalizmi i administratës, ekspertiza e pavarur dhe kultura e qeverisjes ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e shtetit për t’u përballur me presionet e jashtme. Këtu qëndron edhe kufizimi kryesor i analizave që mbështeten ekskluzivisht në realizmin ofensiv. Kur vëmendja përqendrohet pothuajse tërësisht te aktorët e jashtëm, ekziston rreziku që faktorët gjeopolitikë të mbivlerësohen, ndërsa përgjegjësia e institucioneve dhe e elitave politike vendore të nënvlerësohet. Një qasje e ekuilibruar duhet të vlerësojë ndërveprimin e këtyre dy dimensioneve, duke pranuar se ndikimi i jashtëm bëhet realisht efektiv vetëm kur vendi ballafaqohet me mangësi institucionale, politike dhe shoqërore.

Në rastin e Kosovës, rreziku nuk lidhet vetëm me Serbinë apo edhe me faktorët e tjerë të jashtëm, por edhe me pamundësinë për të ndërtuar institucione funksionale dhe një administratë të bazuar në meritokraci. Kjo përputhet me argumentin se gjendja politike në hapësirën shqiptare nuk mund të shpjegohet vetëm nga zhvillimet ndërkombëtare. Rezilienca, ose aftësia e shtetit, e institucioneve dhe e shoqërisë për t’u përballur me kriza, kërcënime apo presione të brendshme e të jashtme, duke ruajtur funksionimin normal, sovranitetin dhe kapacitetin për t’u rimëkëmbur pa humbur kontrollin mbi vendimmarrjen, nuk nënkupton që përgjegjësia t’u atribuohet gjithmonë faktorëve globalë. Roli i faktorëve të brendshëm mbetet po aq vendimtar, të cilët bë asnjë mënyrë nuk mund të anashkalohen.

a) Në Shqipëri, mungesa e një ligji të posaçëm për investimet strategjike dhe garancitë sovrane ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë juridike, transparencën dhe aftësinë e shtetit për të krijuar një klimë të qëndrueshme për investime afatgjata. Problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e kuadrit ligjor, por edhe te funksionimi i mekanizmave shtetërorë që duhet ta zbatojnë atë në mënyrë të paanshme dhe profesionale.
b) Në Kosovë, dështimet e politikës së brendshme dhe humbja e rreth dy miliardë eurove të Bashkimit Evropian, të parashikuara për vendin, përbëjnë një nga rastet skandaloze më të rënda të dështimit institucional.

Si pasojë e kalimit të afateve, këto fonde iu ridestinuan Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ky zhvillim dëshmon se mangësitë në qeverisje mund të prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për zhvillimin ekonomik dhe institucional. Për këtë arsye, pyetja thelbësore nuk është nëse ekzistojnë ndikime të jashtme, por përse ato arrijnë të kenë një efekt kaq të madh. Përgjigjja duhet kërkuar te administrata e politizuar, mungesa e ekspertizës së pavarur, zbatimi i pamjaftueshëm i ligjit, rivaliteti partiak dhe mungesa e një strategjie shtetërore, e cila mbetët e pranishme pavarësisht rotacionit politik. Vetëm kur institucionet funksionojnë mbi bazën e meritokracisë, profesionalizmit dhe interesit shtetëror, presionet e jashtme humbasin aftësinë për të orientuar zhvillimin e vendit. Pikërisht aty fillon rezilienca e mirëfilltë kombëtare.

3) Pa ekspertizë të pavarur, analiza mbetet vetëm interpretim politik: Pa administratë të mirëfilltë nuk ka siguri kombëtare, as studime të pavarura. Një pjesë e analizave mbi administratën publike dhe zhvillimet politike, sot po trajton çështje me rëndësi strategjike, të cilat kërkojnë hulumtim të mirëfilltë shkencor dhe verifikim të argumenteve. Megjithatë, jo rrallëherë analizat kalojnë nga interpretimi teorik në përfundime që nuk mbështeten mjaftueshëm në të dhëna studimore të konfirmuara, metoda kërkimore dhe ekspertizë të pavarur. Në mungesë të një administrate profesionale dhe institucioneve të forta kërkimore, analiza rrezikon të mbetet më shumë interpretim politik sesa vlerësim shkencor i realitetit.

Referimi te realizmi ofensiv i John Mearsheimer-it është i vlefshëm si kornizë analitike, por ai nuk mund të shërbejë si shpjegim automatik për çdo zhvillim politik në Ballkan. Jo çdo krizë institucionale, konflikt politik, ngecje zhvillimore apo dobësi shtetërore është domosdoshmërisht rezultat i strategjive të jashtme ose i rivaliteteve gjeopolitike. Në rastin shqiptar, vështirësia kryesore lidhet më shumë me dobësitë e organizimit politik dhe institucional sesa me ndikimet e jashtme. Një klasë politike e përçarë, me vizion afatshkurtër dhe institucione që shpesh funksionojnë sipas interesave partiake, e bën faktorin shqiptar më të cenueshëm. Kjo gjendje reflektohet edhe në mungesën e një strategjie të qëndrueshme kombëtare për zhvillimin ekonomik, në vonesën ose dështimin e projekteve me rëndësi strategjike, si edhe në pamundësinë për të shfrytëzuar në mënyrë efektive pasuritë tokësore, burimet natyrore dhe potencialet e tjera zhvillimore në funksion të interesit publik.

Në vend të politikave afatgjata, vendimmarrja dominohet shpesh nga interesa të ngushta politike dhe elektorale. Ndikimet e jashtme bëhen efektive vetëm kur gjejnë terren të favorshëm brenda vendit, ato nuk e zëvendësojnë përgjegjësinë e elitave politike dhe të institucioneve shtetërore. Një problem që trajtohet rrallë është se vetë institucionet dhe partitë politike, në vend që të ndërtojnë besim e bashkëpunim mbi interesin kombëtar, prodhojnë përplasje të vazhdueshme, akuza reciproke dhe narrativa që ushqejnë konkurrencën për pushtet. Një klimë e tillë ka favorizuar ndarjet politike, duke dobësuar aftësinë e shtetit për të hartuar dhe zbatuar politika strategjike me perspektivë afatgjatë. Po aq shqetësuese mbetet edhe mungesa e rolit vendimtar të ekspertizës së pavarur në procesin e politikëbërjes. Në shumë raste, analizat profesionale anashkalohen ose politizohen, sidomos kur lidhen me çështje strategjike, përfshirë investimet madhore dhe projektet e mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë. Kur vendimmarrja dominohet nga kalkulimet politike dhe jo nga vlerësimet profesionale, shteti humbet një nga mekanizmat më të rëndësishëm të vetëkorrigjimit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.

Prandaj, edhe koncepti i luftës hibride duhet trajtuar me kujdes. Është e vërtetë se dezinformimi, teknologjia dhe ndikimi informativ janë shndërruar në instrumente të rëndësishme të konkurrencës ndërkombëtare, por ato nuk mund të përdoren si shpjegim universal për çdo problem politik, institucional apo ekonomik. Përndryshe, përgjegjësia e institucioneve shqiptare zbehet dhe çdo dështim i brendshëm justifikohet duke iu atribuar faktorëve të jashtëm. Një analizë e ekuilibruar duhet të pranojë se faktorët e jashtëm dhe ata të brendshëm ndërveprojnë vazhdimisht. Megjithatë, pa reformimin e elitave politike, pa institucione që mbështeten në ekspertizë të pavarur, pa administratë meritokratike dhe pa një kulturë bashkëpunimi ndërinstitucional, asnjë teori e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk mund të shpjegojë, e aq më pak të zgjidhë, dobësitë që burojnë nga vetë sistemi politik shqiptar.

Për këtë arsye, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te institucionet. Edhe qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se çështjet strategjike, shfrytëzimi i pasurive kombëtare dhe projektet me ndikim afatgjatë nuk mund të jenë monopol i elitave politike. Ato kërkojnë transparencë, pjesëmarrje qytetare dhe mekanizma të demokracisë së drejtpërdrejtë. Në këtë këndvështrim, Platforma për Referendum Kombëtar mbetet një instrument administrativ me strategji për fuqizimin e vendimmarrjes kolektive, përmes referendumeve me synimin që interesat madhore kombëtare të mbështeten mbi vullnetin e qytetarëve dhe jo vetëm mbi marrëveshje të përkohshme politike.

4) Refuzimi i projekteve energjetike amerikane në Kosovë: ky refuzim pa studime të pavarura dhe pa koordinim të plotë diplomatik, mund të ketë kosto të larta për çdo kryeministër dhe qeveri. Edhe ky shembull si pjesë krahasuese në funksion me ruatjen dhe zhvillimin e mëtejmë të raporteve me aleatin tonë vendimtar, me SHBA-të, ngre një çështje me rëndësi strategjike: vendimmarrjen për projektet energjetike dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë. Megjithatë, nga propaganda ditore krijohet përshtypja se vështirësia kryesore lidhet me vetë projektet e partnerëve ndërkombëtarë, ndërkohë që pyetja thelbësore mbetet nëse refuzimi ose shtyrja e tyre është mbështetur në studime të pavarura, analiza të verifikueshme dhe në një komunikim të plotë institucional e diplomatik me aleatët. Në mungesë të këtyre elementeve, çdo vendim i vonuar për projekte me rëndësi strategjike rrezikon të prodhojë pasoja politike, ekonomike dhe diplomatike, kosto që në fund i bartin qeveria dhe vetë shteti, bashkë me qytetarët e tij.

Në të vërtetë, pyetja thelbësore nuk është nëse aleatët strategjikë kanë interesa të caktuara, por nëse institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë kanë qenë të afta t’i artikulojnë, mbrojnë dhe zbatojnë interesat kombëtare në bashkërendim me partnerët e tyre. Një shtet serioz nuk matet nga aftësia për t’i kundërshtuar aleatët, por nga aftësia për të negociuar, argumentuar dhe harmonizuar interesat e veta në kuadër të partneriteteve strategjike. Nëse disa projekte amerikane ose ndërkombëtare kanë hasur vështirësi apo nuk janë realizuar, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ashtu ka qenë në atë nivel kundërshtimi edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës ose të Shqipërisë. Në shumë raste, pengesat kanë ardhur nga vendimmarrja politike, mungesa e koordinimit institucional, procedurat e paqarta administrative dhe mungesa e një vizioni të qëndrueshëm zhvillimor.

Për pasojë, përgjegjësia nuk mund t’u atribuohet vetëm faktorëve të jashtëm, por edhe mënyrës se si institucionet vendore kanë administruar marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Po aq e rëndësishme është të theksohet se shtetet tona ende nuk kanë ndërtuar instrumentet financiare dhe juridike që u japin siguri investitorëve strategjikë. Mungesa e garancive sovrane dhe bankare, e fondeve kombëtare të zhvillimit, si edhe e mekanizmave të qëndrueshëm për financimin e projekteve madhore, kufizon aftësinë e shtetit për të tërhequr investime afatgjata dhe për të realizuar nisma me rëndësi kombëtare. Për rrjedhojë, edhe kur ekziston interesimi nga partnerët ndërkombëtarë, dobësitë e brendshme institucionale dhe financiare shpesh e pengojnë konkretizimin e projekteve. Po kështu, është e vështirë të argumentohet se bashkëpunimi me projektet energjetike amerikane ose euroatlantike e dobëson automatikisht reziliencën kombëtare.

Përkundrazi, diversifikimi i burimeve të energjisë, zhvillimi i infrastrukturës, krijimi i kapaciteteve prodhuese dhe integrimi në rrjetet euroatlantike mund ta forcojnë sigurinë energjetike, nëse këto procese mbështeten në institucione profesionale, në transparencë dhe analiza të pavarura, e jo në kalkulime politike afatshkurtra. Edhe deklaratat kontradiktore të udhëheqjes politike dëshmojnë për një problem më të thellë institucional. Paqartësia në komunikim, mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe mungesa e një strategjie të konsoliduar kanë krijuar pasiguri te partnerët ndërkombëtarë dhe kanë ngadalësuar vendimmarrjen për projekte me rëndësi strategjike. Kjo tregon se vështirësia kryesore nuk është zgjedhja ndërmjet alternativave energjetike, por mungesa e një politike shtetërore afatgjatë, të mbështetur në ekspertizë profesionale dhe planifikim strategjik. Në këtë kuadër, mungesa e ekspertizës së pavarur mbetet një nga dobësitë më serioze të institucioneve shqiptare.

Vendimet strategjike dominohen shpesh nga logjika partiake dhe interesat e momentit, ndërsa analizat shkencore dhe vlerësimet profesionale mbeten në plan të dytë. Si pasojë, edhe projektet me rëndësi kombëtare interpretohen sipas interesave politike të radhës dhe jo mbi bazën e ndikimit të tyre real në zhvillimin afatgjatë. I gjithë procesi juridik, me të drejtë vëren se ndikimet e jashtme bëhen më efektive kur mbështeten mbi dobësi të brendshme. Megjithatë, ajo logjikë administrative nuk ndalet mjaftueshëm te një prej burimeve kryesore të këtyre dobësive, siç është rivaliteti i vazhdueshëm ndërmjet forcave politike shqiptare dhe mungesa e bashkëpunimit institucional. Në vend që të ndërtojnë besim dhe koordinim mbi interesin shtetëror, institucionet shpesh prodhojnë konflikte, akuza reciproke dhe polarizim, duke dobësuar aftësinë e shtetit për të vepruar në mënyrë të vendosur. Për këtë arsye, është e paplotë që shpjegimet të kërkohen kryesisht te faktorët e jashtëm. Shpesh kemi prirjen t’ua atribuojmë të tjerëve dështimet tona, ndërsa harrojmë se cenueshmëria më e madhe lind kur institucionet nuk bashkëpunojnë, kur ekspertiza profesionale zëvendësohet nga propaganda politike, kur mungojnë instrumentet financiare për zhvillim dhe kur interesi partiak vendoset mbi interesin kombëtar.

Prandaj, ndërtimi i reziliencës kombëtare nuk fillon te pranimi ose refuzimi i një projekti ndërkombëtar. Ai fillon me institucione funksionale, me administratë profesionale, me mekanizma financiarë që mbështesin zhvillimin, me ekspertizë të pavarur që orienton vendimmarrjen dhe me qytetarë të ndërgjegjshëm që marrin pjesë në përcaktimin e çështjeve strategjike. Vetëm përmes një vendimmarrjeje gjithëpërfshirëse dhe mekanizmave demokratikë, si “Platforma për Referendum Kombëtar”, e cila jo vetëm si program, por edhe si strategji afron zgjidhje të mirëfilltë të gjithë çështjes shqiptare në Gadishullin Ilirik, për interesat afatgjata të kombit, të cilat do të mund të mbrohen nga luhatjet e politikës së ditës.

Kjo analizë, publikohet edhe me mbështetjen e anëtarëve të Bordit të Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë: Prof. Dr. Pajtim Ribaj., Dr. Sandër Marku dhe Dodë Luli.

Sqarim:

  • 2018–2021– Janë raportuar tentativa të vazhdueshme depërtimi në sistemet shtetërore, por pa një sulm masiv që të paralizonte administratën publike. Më vonë, hetimet e partnerëve ndërkombëtarë arritën në përfundimin se aktorët e lidhur me Iranin kishin siguruar akses fillestar në disa rrjete qeveritare rreth 14 muaj para sulmit të korrikut 2022, duke shfrytëzuar dobësi të sigurisë.
  • 15–17 korrik 2022– Shqipëria u përball me sulmin më të rëndë kibernetik ndaj infrastrukturës së saj shtetë U goditën platformat qeveritare, përfshirë shërbimet elektronike të administratës (AKSHI dhe e-Albania), me synim bllokimin e shërbimeve publike dhe fshirjen e të dhënave.
  • Shtator 2022– U regjistrua një valë e dytë sulmesh ndaj sistemeve të Ministrisë së Brendshme. Pas hetimeve, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke e akuzuar atë për organizimin e sulmeve. Ky vlerësim u mbështet edhe nga SHBA dhe partnerë të tjerë.
  • 2023–2024– Sulmet kibernetike vazhduan të preknin institucione të veçanta, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë dhe INSTAT-in, duke treguar se administrata shtetërore mbetet objektiv i vazhdueshëm i aktorëve kibernetikë.

Analizë:(2)

Qëndrueshmëria kombëtare përballë krizave institucionale

Termi „Rezilencë“(ose rezilencë kombëtare), që edhe në shqip po përdoret më shpesh si reziliencë, kjo fjalë në shqipërim nënkupton qëndrueshmëri ose aftësi përballuese, në varësi të kontekstit. Në dokumente strategjike, megjithatë, termi reziliencë kombëtare është tashmë gjerësisht i përdorur.

Pra, rezilenca: (është aftësia e një shteti, e institucioneve dhe e shoqërisë për t’u përballur me kriza, kërcënime dhe tronditje të brendshme ose të jashtme, duke ruajtur njëkohësisht funksionimin normal të institucioneve, rendin kushtetues, sovranitetin dhe aftësinë për t’u rimëkëmbur shpejt pa humbur kapacitetin e vendimmarrjes).

5) Partia me pushtet absolut: Përqendrimi i pushtetit në duart e një force të vetme politike nuk garanton domosdoshmërisht qeverisje më të mirë, zhvillim më të shpejtë apo institucione më të forta. Përkundrazi, kur mungojnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës, ekspertiza e pavarur dhe debati profesional, rritet rreziku që vendimmarrja të dominohet nga interesat partiake dhe jo nga interesi shtetëror. Rezilienca e një shteti nuk ndërtohet mbi fuqinë e një partie, por mbi forcën e institucioneve, respektimin e shtetit të së drejtës dhe një administratë profesionale që garanton vazhdimësinë e politikave publike, pavarësisht rotacionit politik.

Kështu ideja se fitorja e një force të vetme politike do të hapë domosdoshmërisht një epokë të re transformimi për hapësirën shqiptare përbën më tepër një parashikim politik sesa një përfundim të mbështetur në analiza shkencore. Përvoja politike shqiptare ka dëshmuar se pritshmëritë e mëdha të lidhura me ardhjen në pushtet të një partie ose lideri rrallë janë përkthyer automatikisht në transformime të qëndrueshme institucionale. Përkundrazi, në shumë raste, fitorja zgjedhore është shoqëruar me prirjen për ta trajtuar shtetin si pronë politike të shumicës së radhës.

Kjo është reflektuar në zëvendësimin masiv të administratës, politizimin e institucioneve, dobësimin e meritokracisë dhe ndërprerjen e vazhdimësisë së politikave publike. Konsolidimi i faktorit shqiptar nuk mund të mbështetet mbi dominimin e një force politike, por mbi aftësinë e institucioneve dhe të gjithë spektrit politik për të ndërtuar një konsensus minimal rreth interesave strategjike të shtetit dhe të kombit. Një demokraci funksionale nuk matet me fuqinë e shumicës për të kontrolluar institucionet, por me aftësinë e tyre për të ruajtur pavarësinë, profesionalizmin dhe vazhdimësinë, pavarësisht ndryshimeve politike. Në këtë kuptim, rezilienca kombëtare nuk ndërtohet vetëm duke mbrojtur sektorët strategjikë ose duke diversifikuar burimet energjetike.

Ajo ndërtohet duke kapërcyer kulturën e konfliktit të përhershëm politik, duke ndarë interesin shtetëror nga ai partiak dhe duke krijuar institucione që funksionojnë mbi bazën e ligjit, meritokracisë dhe përgjegjësisë institucionale. Po aq e rëndësishme është që administrata publike të mos identifikohet me qeverinë e radhës, por të mbetet në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Prandaj, argumenti se fuqia e një kombi në shekullin XXI matet me zhvillimin ekonomik, dijen, inovacionin dhe cilësinë institucionale është plotësisht i pranueshëm. Megjithatë, dokumenti i statistikave kalon shpejt nga ky parim në përfundime politike që nuk mbështeten domosdoshmërisht në lidhje të qarta shkak-pasojë.

Prandaj, pretendimi se zgjedhjet në Kosovë përfaqësojnë pikën vendimtare që do të përcaktojë fatin e faktorit shqiptar i jep një procesi zgjedhor një peshë historike që mbetet ende për t’u provuar. Përvoja ndërkombëtare dhe ajo shqiptare tregojnë se transformimet afatgjata nuk varen nga një cikël zgjedhor, por nga ndërtimi gradual i institucioneve të besueshme, respektimi i shtetit të së drejtës, stabiliteti i administratës publike dhe politika që mbështeten në ekspertizë të pavarur. Pikërisht këtu shfaqet një nga dobësitë më të mëdha të shteteve tona: vendimmarrja dominohet shpesh nga logjika partiake, ndërsa analiza profesionale dhe kërkimi shkencor mbeten në periferi të politikëbërjes. Po aq problematik mbetet fakti se institucionet shtetërore dhe partitë politike vazhdojnë të funksionojnë më shumë në logjikën e rivalitetit sesa të bashkëpunimit.

Në vend që të ndërtojnë besim institucional dhe politika të përbashkëta për çështjet strategjike, ato prodhojnë përçarje, akuza reciproke dhe polarizim të vazhdueshëm. Në këtë klimë, edhe projektet me rëndësi kombëtare vlerësohen sipas përfitimit politik afatshkurtër dhe jo sipas interesit afatgjatë të shtetit. Po ashtu, përçarja e hapësirës shqiptare nuk mund të shpjegohet vetëm përmes dinamikave dhe ndikimeve të jashtme. Një rol po aq vendimtar luajnë keqkuptimet dhe përplasja e elitave politike shqiptare, mungesa e koordinimit ndërinstitucional, dobësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe paaftësia për të ndërtuar një konsensus të qëndrueshëm mbi interesat strategjike kombëtare. Pikërisht këto dobësi të brendshme kanë penguar hartimin dhe zbatimin e politikave afatgjata, duke e bërë faktorin shqiptar më të cenueshëm ndaj ndikimeve dhe presioneve të jashtme. Gjithashtu konfliktet e brendshme, mungesa e besimit ndërmjet institucioneve dhe ndryshimet e vazhdueshme të administratës pas çdo rotacioni politik kanë qenë shpesh pengesa më të mëdha sesa vetë presionet e jashtme.

Prandaj, konsolidimi i faktorit shqiptar nuk mund të mbështetet në shpresën se një forcë politike do të ndryshojë e vetme rrjedhën e historisë. Ai kërkon institucione që respektojnë ekspertizën e pavarur, administratë profesionale të mbrojtur nga ndërhyrjet politike, kulturë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe pjesëmarrje më të gjerë qytetare në vendimmarrje. Vetëm mbi këto parime mund të ndërtohet një shtet i qëndrueshëm, ku pushteti ushtrohet si përgjegjësi publike dhe jo si e drejtë pronësie mbi institucionet. Në këtë drejtim, mekanizma demokratikë, si Platforma për Referendum Kombëtar, në kuadër të Institutit Studimor ka dije juridike dhe potecial të forcojnë legjitimitetin e vendimeve strategjike, duke siguruar që çështjet me rëndësi kombëtare të mbështeten drejtpërdrejt në vullnetin e qytetarëve dhe të mos mbeten peng i interesave të përkohshme partiake.

Në Shqipëri dhe në Kosovë, partitë e majta tani (ashtu si edhe ato të djathtat më herët) kanë pasur periudha me shumicë të konsiderueshme parlamentare dhe mundësi të plota për të ndërmarrë reforma të thella institucionale. Megjithatë, ky avantazh politik nuk është shoqëruar domosdoshmërisht me forcimin e institucioneve shtetërore, ndërtimin e një administrate plotësisht profesionale dhe krijimin e mekanizmave më të qëndrueshëm të llogaridhënies. Përqendrimi i pushtetit politik, kur nuk shoqërohet me reforma strukturore, ekspertizë të pavarur dhe respektim të balancave institucionale, rrezikon të mbetet vetëm një kontroll numerik i institucioneve dhe jo një proces real i konsolidimit të shtetit. Prandaj, suksesi i një force politike nuk matet vetëm nga shumica parlamentare, por nga aftësia për të ndërtuar institucione që funksionojnë mbi bazën e ligjit, profesionalizmit dhe interesit publik.

6) Diskutimi mbi sovranitetin ekonomik: Është e qartë se sovraniteti ekonomik dhe roli i institucioneve do të ishte më i plotë nëse, krahas kritikës ndaj përqendrimit të kapitalit, do të analizohej edhe cilësia e qeverisjes, funksionimi real i institucioneve dhe aftësia e shtetit për të ndërtuar politika zhvillimore afatgjata. Problemi nuk është vetëm se kush investon apo sa kapital përqendrohet në duart e një grupi të caktuar, por nëse shteti është në gjendje të vendosë rregulla të barabarta për të gjithë, të garantojë konkurrencë të ndershme, të mbrojë interesin publik dhe të ushtrojë kontroll efektiv mbi sektorët strategjikë. Sovraniteti ekonomik nuk mund të reduktohet vetëm te pronësia e kapitalit. Ai matet edhe me aftësinë e institucioneve për të administruar në mënyrë transparente pasuritë tokësore, burimet natyrore dhe asetet strategjike të vendit, për të mbrojtur konkurrencën e lirë dhe për të krijuar një mjedis ku ligji ka përparësi mbi interesat politike dhe ekonomike.

Një shtet që nuk arrin të shfrytëzojë me efikasitet pasuritë e veta dhe nuk ndërton projekte zhvillimore me vlerë strategjike, e dobëson vetë sovranitetin ekonomik dhe rrit varësinë nga faktorët e jashtëm. Po aq e rëndësishme është aftësia financiare e shtetit. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të kenë mungesë të instrumenteve moderne financiare që mbështesin zhvillimin strategjik. Mungesa e garancive sovrane dhe bankare, e fondeve kombëtare të zhvillimit dhe e mekanizmave të besueshëm për financimin e investimeve madhore kufizon mundësinë për të tërhequr kapital serioz dhe për të realizuar projekte afatgjata në energji, infrastrukturë, industri dhe teknologji. Për pasojë, shumë iniciativa mbeten në nivel konceptesh ose varen pothuajse tërësisht nga mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë.

Pa institucione të forta, transparente dhe llogaridhënëse, edhe kapitali vendas mund të prodhojë monopolizim, deformim të tregut dhe varësi ekonomike, njësoj si çdo ndikim tjetër i pakontrolluar. Prandaj, garantimi i sundimit të ligjit dhe forcimi i institucioneve mbeten kushtet themelore për një ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme. Një element tjetër që mungon në analizë është roli i ekspertizës së pavarur në hartimin e politikave zhvillimore. Vendimet për ekonominë, energjinë, arsimin, teknologjinë, inteligjencën artificiale, industrinë dhe investimet strategjike nuk mund të mbështeten vetëm mbi vullnetin politik të qeverive. Ato duhet të ndërtohen mbi analiza shkencore, studime të pavarura, vlerësime ekonomike dhe konsultim të vazhdueshëm me komunitetin akademik dhe profesionistët e fushës. Fatkeqësisht, në hapësirën shqiptare ekspertiza profesionale vazhdon të mbetet në plan të dytë, ndërsa prioritet u jepet interesave politike dhe propagandës së momentit. Po aq shqetësues mbetet fakti se institucionet shtetërore dhe partitë politike konsumojnë një pjesë të konsiderueshme të energjisë në konflikte të ndërsjella, duke prodhuar mosbesim institucional dhe polarizim të vazhdueshëm.

Në vend që të ndërtojnë bashkëpunim për projektet strategjike të zhvillimit kombëtar, ato shpesh krijojnë narrativa kundërshtuese dhe e vlerësojnë çdo iniciativë përmes prizmit të përfitimit politik afatshkurtër. Në një klimë të tillë është e vështirë të hartohen dhe të zbatohen politika të qëndrueshme për arsimin, kërkimin shkencor, teknologjinë, industrinë, energjinë dhe zhvillimin ekonomik. Prandaj, investimi në arsim, kërkim shkencor, inovacion, inteligjencë artificiale, industri të avancuara dhe siguri kombëtare përbën një kusht të domosdoshëm për zhvillimin afatgjatë. Megjithatë, këto objektiva nuk realizohen vetëm përmes deklaratave politike ose dokumenteve programore. Ato kërkojnë elitë politike të përgjegjshme, administratë profesionale, institucione që respektojnë ekspertizën e pavarur, instrumente financiare që mbështesin zhvillimin dhe një kulturë bashkëpunimi që e vendos interesin shtetëror mbi interesat partiake. Në fund, sfida më e madhe nuk është mungesa e ideve për zhvillim, por mungesa e mekanizmave institucionalë dhe demokratikë që garantojnë zbatimin e tyre. Për këtë arsye, qytetarët shqiptarë duhet të kenë një rol më aktiv në vendimmarrjen strategjike.

Jetësimi në praktikë i programit “Platforma për Referendum Kombëtar”, i cili aktualisht është i vetmi instrument ligjor demokratik për legjitimimin e vendimeve me rëndësi kombëtare, duke kufizuar ndikimin e interesave të ngushta politike dhe duke orientuar zhvillimin mbi bazën e interesit publik dhe vullnetit të shumicës së qytetarëve, përfshirë edhe sigurinë sipas administratës së BE-së. Përvoja e referendumeve në shumë vende të Bashkimit Evropian dëshmon se ky mekanizëm është një mjet i rëndësishëm për forcimin e legjitimitetit demokratik dhe të pjesëmarrjes qytetare. Për këtë arsye, edhe Shqipëria, edhe Kosova mund ta përshtatin dhe ta zbatojnë këtë përvojë në përputhje me kushtetutat dhe rendin e tyre juridik, dhe të plotësojnë edhe nene ligjore shtesë, nëse është e nevojshme.

7) Strategjia Kombëtare: Kjo pasqyrë argumentuese trajton çështje me rëndësi strategjike dhe hap diskutime që meritojnë vëmendje, sepse Strategjia Kombëtare për Reziliencën Institucionale, mbetët një çështje shumë e rëndësishme. Megjithatë, të gjitha trajtimet e kësaj metodologjie të “realizmit ofensiv”, shpesh mbeten të kufizuar nga një mangësi thelbësore: mungesa e një baze të pavarur shkencore, e cila do t’u jepte objektivitet, besueshmëri dhe verifikueshmëri përfundimeve të saj. Kur një analizë ndërtohet kryesisht mbi këndvështrimin e pushtetit ose mbi një narrativë politike, ekziston rreziku që ajo të shërbejë më shumë për të legjitimuar një vizion të caktuar sesa për të ofruar një vlerësim kritik, të balancuar dhe të mbështetur në prova. Një nga problemet më serioze në hapësirën shqiptare mbetet dobësia e ekspertizës së pavarur. Universitetet, institucionet kërkimore dhe qendrat e studimeve strategjike nuk gëzojnë gjithmonë pavarësinë e nevojshme për të prodhuar analiza të pavarura nga ndikimi politik.

Si pasojë, debati publik dominohet shpesh nga interpretimet e aktorëve politikë, ndërsa zëri i komunitetit akademik dhe i ekspertëve të pavarur mbetet në periferi të vendimmarrjes. Po aq shqetësuese është prirja që institucionet shtetërore ta përdorin ekspertizën për të justifikuar vendime të marra paraprakisht, në vend që “de fakto” ta konsiderojnë atë si mekanizëm për t’i testuar dhe përmirësuar ato. Në vend që analiza shkencore të orientojë politikëbërjen, shpesh ndodh e kundërta: politika përpiqet ta përshtatë ekspertizën me interesat e saj. Në një klimë të tillë, edhe dështimet institucionale, sabotimi ose vonesat e projekteve strategjike, mosshfrytëzimi racional i pasurive kombëtare dhe mungesa e politikave të qëndrueshme zhvillimore rrezikojnë të mbulohen nga narrativa politike, në vend që të analizohen me objektivitet. Një tjetër dobësi lidhet me kapacitetin institucional dhe financiar të shtetit.

Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë ndërtuar plotësisht instrumentet që garantojnë mbështetje të qëndrueshme për investimet strategjike. Mungesa e garancive sovrane dhe bankare, e fondeve zhvillimore dhe e mekanizmave të besueshëm për financimin e projekteve madhore kufizon aftësinë e shtetit për të shfrytëzuar potencialin ekonomik dhe për të administruar në mënyrë efektive pasuritë tokësore, burimet natyrore dhe asetet strategjike në interes të zhvillimit kombëtar. Një problem po aq i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe partitë politike shqiptare. Në vend që të ndërtojnë bashkëpunim institucional dhe konsensus për çështjet madhore të shtetit, ato shpesh konsumojnë energji në përplasje të vazhdueshme, akuza reciproke dhe polarizim politik. Kjo kulturë konflikti dobëson vazhdimësinë institucionale, pengon hartimin e strategjive afatgjata dhe krijon hapësirë që analizat profesionale të zëvendësohen nga interpretimet politike të momentit. Për këtë arsye, pohime të mëdha për “konsolidimin e faktorit shqiptar”, “epoka të reja historike” apo modele të ardhshme integrimi nuk mund të mbështeten vetëm në interpretime teorike ose narrativa politike. Ato duhet të mbështeten në studime të verifikueshme, të dhëna empirike, analiza krahasuese dhe debat të hapur akademik. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndahet qartë analiza shkencore nga komunikimi politik dhe propaganda institucionale.

Në parim një debat serioz mbi të ardhmen e shqiptarëve kërkon pluralizëm mendimi, institucione akademike të pavarura dhe ekspertizë profesionale që të jetë në gjendje të sfidojë, kur është e nevojshme, edhe vetë pushtetin. Por kjo nuk mjafton. Nevojitet edhe një qytetari më e ndërgjegjshme, e aftë të marrë pjesë aktivisht në vendimmarrjen për çështjet strategjike dhe të mos mbetet vetëm spektatore e proceseve politike.
Në këtë këndvështrim, “Platforma për Referendum Kombëtar” ka filluar të na shërbenë si një orientim i linjave kombëtare për një mekanizëm demokratik që u jep qytetarëve të drejtën të shprehen drejtpërdrejt për çështjet me rëndësi kombëtare. Një instrument i tillë do të forconte legjitimitetin e vendimeve strategjike, do të kufizonte ndikimin e interesave të ngushta partiake dhe do të krijonte një bazë më të qëndrueshme për mbrojtjen e interesave afatgjata të shtetit dhe të kombit.

Prandaj, nëse synohet ndërtimi i një kulture të re demokratike dhe një bashkëpunimi më të ngushtë strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, është koha që kjo kushtetutë kombëtare të marrë formë konkrete. Me respektimin e plotë të parimeve kushtetuese, procedurave demokratike dhe standardeve ndërkombëtare, organizimi i referendumit të parë mbarëkombëtar Shqipëri–Kosovë për çështje me interes të përbashkët do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt forcimit të legjitimitetit qytetar dhe konsolidimit të vendimmarrjes strategjike shqiptare.

Kjo analizë, publikohet edhe me mbështetjen e anëtarëve të Bordit të Institutit Studimor “Platforma për Referendum Kombëtar” – Tiranë: Prof. Dr. Pajtim Ribaj., Dr. Sandër Marku dhe Dodë Luli.

Sqarim:

  • 2018–2021– Janë raportuar tentativa të vazhdueshme depërtimi në sistemet shtetërore, por pa një sulm masiv që të paralizonte administratën publike. Më vonë, hetimet e partnerëve ndërkombëtarë arritën në përfundimin se aktorët e lidhur me Iranin kishin siguruar akses fillestar në disa rrjete qeveritare rreth 14 muaj para sulmit të korrikut 2022, duke shfrytëzuar dobësi të sigurisë.
  • 15–17 korrik 2022– Shqipëria u përball me sulmin më të rëndë kibernetik ndaj infrastrukturës së saj shtetë U goditën platformat qeveritare, përfshirë shërbimet elektronike të administratës (AKSHI dhe e-Albania), me synim bllokimin e shërbimeve publike dhe fshirjen e të dhënave.
  • Shtator 2022– U regjistrua një valë e dytë sulmesh ndaj sistemeve të Ministrisë së Brendshme. Pas hetimeve, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke e akuzuar atë për organizimin e sulmeve. Ky vlerësim u mbështet edhe nga SHBA dhe partnerë të tjerë.
  • 2023–2024– Sulmet kibernetike vazhduan të preknin institucione të veçanta, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë dhe INSTAT-in, duke treguar se administrata shtetërore mbetet objektiv i vazhdueshëm i aktorëve kibernetikë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.