32.3 C
Tirana
E premte, 26 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (32)

ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (32)

0
Kushtrim
Sabile Keçmezi-Basha
Sabile Keçmezi-Basha

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Roli i “Kushtrimit” në mobilizimin politik të mërgatës shqiptare pas demonstratave të vitit 1981

Një element i rëndësishëm i kësaj pjese të “Kushtrimit” është përpjekja për ta paraqitur demonstratën si zërin e atyre që nuk mund të flasin vetë. Demonstruesit nuk paraqiten si individë që mbrojnë interesat personale, por si përfaqësues të një populli të tërë që kërkon rikthimin e të drejtave të mohuara. Në këtë kuptim, protesta merr karakterin e një akti kolektiv solidariteti me shqiptarët që jetonin në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare.

Më tej, autori përdor një gjuhë tepër të ashpër dhe emocionale për të përshkruar pushtetin jugosllav. Kjo gjuhë pasqyron klimën politike të krijuar pas demonstratave të vitit 1981, kur represioni, arrestimet dhe përplasjet me forcat e sigurisë kishin lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Në perceptimin e autorit, pushteti paraqitet si një sistem që nuk ngurron të përdorë dhunën edhe ndaj qytetarëve të pambrojtur, ndërsa kërkesat për Republikë, për punë, për mirëqenie dhe për liri trajtohen si arsye për ndëshkim dhe përndjekje.

Në planin retorik, kjo pjesë e tekstit synon të krijojë një ndjenjë urgjence morale. Autori dëshiron që lexuesi të bindet se heshtja përballë këtyre padrejtësive do të ishte e papranueshme. Prandaj ai e paraqet ndërhyrjen e opinionit ndërkombëtar si një nevojë të domosdoshme dhe demonstratën si një mjet për ta detyruar botën të dëgjojë atë që, sipas tij, po ndodhte në trojet shqiptare.

Nga këndvështrimi historik, ky fragment pasqyron qartë strategjinë që një pjesë e lëvizjes ilegale shqiptare po ndiqte në fillim të viteve tetëdhjetë: ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Në vend që kërkesat të mbeteshin të kufizuara brenda kufijve të Jugosllavisë, ato synonin të depërtonin në opinionin publik evropian dhe në institucionet ndërkombëtare. Kjo strategji do të bëhej edhe më e rëndësishme në vitet që pasuan, kur çështja e Kosovës do të fitonte gradualisht vëmendje gjithnjë e më të madhe në arenën ndërkombëtare.

Prandaj, kjo pjesë e “Kushtrimit” nuk është vetëm një apel emocional drejtuar bashkatdhetarëve në mërgim. Ajo përfaqëson edhe një dëshmi të qartë të vetëdijes politike që po formësohej në radhët e lëvizjes shqiptare: bindjen se lufta për të drejta kombëtare nuk duhej zhvilluar vetëm në rrugët e Kosovës apo në mjediset e mërgatës, por edhe në hapësirat ndërkombëtare ku formësohej opinioni botëror dhe ku vendosej fati i shumë çështjeve politike të kohës.

Në vijim, “Kushtrimi” merr formën e një programi të qartë kërkesash politike, shoqërore dhe kombëtare. Pas thirrjes emocionale drejtuar mërgimtarëve shqiptarë dhe pas përpjekjes për ta ndërkombëtarizuar zërin e protestës, autori i drejtohet përsëri bashkatdhetarëve me një ton më të përqendruar, më argumentues dhe më politik. Ai i quan ata “të dashur bashkatdhetarë”, duke e ruajtur kështu lidhjen e ngrohtë emocionale me lexuesin, por njëkohësisht duke kaluar në një fazë tjetër të tekstit: në numërimin e kërkesave që duhej të paraqiteshin para opinionit jugosllav dhe ndërkombëtar.

Autori e lidh demonstratën e planifikuar me një ngjarje të rëndësishme politike që po zhvillohej në të njëjtën kohë në Beograd: fillimin e punimeve të Kongresit XII të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Kjo lidhje nuk ishte e rastësishme. Përkundrazi, ajo tregon se organizatorët e protestës kërkonin ta vendosnin demonstratën në një moment politik me jehonë të gjerë, kur vëmendja e strukturave shtetërore dhe partiake jugosllave ishte e përqendruar në Beograd. Duke e përmendur këtë kongres, autori synonte që kërkesat e shqiptarëve të mos mbeteshin vetëm në rrugët e Bernës, por të jehonin edhe në qendrën politike të federatës jugosllave.

Në këtë kuadër, “Kushtrimi” u bënte thirrje delegatëve të kongresit që të mos mbyllnin sytë para gjendjes së rëndë të shqiptarëve. Autori kërkonte që ata të kërkonin llogari nga udhëheqja e tyre për shtypjen brutale të vullnetit të një populli të tërë. Kjo fjali bart një peshë të madhe politike, sepse e paraqet çështjen shqiptare jo si një problem lokal apo administrativ, por si çështje të ndërgjegjes politike të tërë Jugosllavisë. Në këtë mënyrë, përgjegjësia nuk i atribuohej vetëm organeve të sigurisë apo udhëheqjes lokale, por edhe strukturave më të larta partiake dhe shtetërore.

Thirrja drejtuar ndërgjegjes së delegatëve kishte gjithashtu një karakter moral. Autori nuk u drejtohej vetëm si përfaqësues politikë, por si njerëz që kishin përgjegjësi për të ardhmen e shtetit. Ai kërkonte prej tyre që, në emër të së mirës së përbashkët dhe në interes të të gjithë popujve të Jugosllavisë, të insistonin në zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Kjo tregon se autori nuk e paraqiste realizimin e kërkesave shqiptare si interes të ngushtë kombëtar, por si kusht për stabilitetin, drejtësinë dhe të ardhmen e vetë federatës.

Kërkesa e parë dhe më themelore ishte njohja e shqiptarëve në Jugosllavi si komb dhe pranimi i të drejtës së tyre të patjetërsueshme për të pasur Republikën e vet në trojet etnike. Kjo ishte zemra politike e gjithë dokumentit. Në rrethanat e Jugosllavisë socialiste, ku republikat kishin status më të lartë politik e kushtetues sesa krahinat autonome, kërkesa për Republikë përfaqësonte synimin për barazi të plotë juridike dhe politike me popujt e tjerë të federatës. Për autorin, kjo nuk ishte një kërkesë e tepruar, por një e drejtë që buronte nga historia, nga përbërja etnike dhe nga realiteti demografik i shqiptarëve.

Pas kësaj, teksti kalon te kërkesa e dytë për lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë. Kjo kërkesë lidhej drejtpërdrejt me pasojat e demonstratave të vitit 1981 dhe me valën e arrestimeve që kishte përfshirë Kosovën dhe viset e tjera shqiptare. Të burgosurit politikë paraqiteshin si dëshmi e gjallë e shtypjes shtetërore dhe si simbol i sakrificës për të drejtat kombëtare. Lirimi i tyre, sipas frymës së dokumentit, do të ishte hapi i parë drejt zbutjes së represionit dhe hapjes së një rruge më demokratike për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Një kërkesë tjetër,  e treta me radhë që kishte peshë të madhe njerëzore dhe historike ishte mundësimi i kthimit në vendlindje të të gjithë atyre që ishin detyruar të largoheshin nga dhuna dhe terrori serbomadh. Këtu shfaqet drama e mërgimit politik shqiptar. Autori nuk e sheh largimin nga atdheu si zgjedhje të lirë, por si pasojë të dhunës, përndjekjes dhe mungesës së sigurisë. Shprehja se këta njerëz ishin detyruar “të marrin botën në sy” bart një dhimbje të thellë popullore dhe shpreh fatin tragjik të atyre që kishin lënë familjet, shtëpitë dhe vendlindjen për të shpëtuar nga represioni.

Në vijim, dokumenti trajton edhe çështjen e punëtorëve shqiptarë në mërgim. Kjo pjesë i jep “Kushtrimit” një dimension social dhe ekonomik, përveç atij politik. Në kërkesën e katërt, autori kërkon që të krijohen kushte për kthimin e punëtorëve shqiptarë dhe punësimin e tyre pranë familjeve. Në këtë formulim ndihet kritika ndaj politikave ekonomike të Jugosllavisë, të cilat, sipas autorit, kishin detyruar shumë shqiptarë të largoheshin si fuqi punëtore jashtë vendit. Shprehja e ashpër se ata ishin “shitur si të ishin kafshë në tregun e punës” pasqyron ndjenjën e poshtërimit dhe shfrytëzimit që përjetonte një pjesë e mërgatës punëtore.

Kërkesa e pastë e cila bënte fjalë për ndërprerjen e propagandës antishqiptare zë gjithashtu një vend të rëndësishëm. Pas demonstratave të vitit 1981, mediat zyrtare jugosllave shpesh i paraqisnin kërkesat shqiptare si nacionaliste, armiqësore apo kundërrevolucionare. Për autorin e “Kushtrimit”, kjo propagandë kishte për qëllim njollosjen e një populli të tërë me shpifje të rënda dhe të paskrupullta. Prandaj, ndërprerja e saj shihej si kusht për krijimin e një klime më të drejtë politike dhe për njohjen e realitetit të vërtetë të shqiptarëve në Jugosllavi.

Një tjetër kërkesë, e gjashtë me radhë, lidhej me përmirësimin e standardit të jetesës dhe demokratizimin e përgjithshëm të jetës politike në vend. Kjo tregon se dokumenti nuk kufizohej vetëm në kërkesat kombëtare, por prekte edhe çështje të gjera sociale dhe demokratike. Autori e kuptonte se çështja shqiptare kishte edhe dimension ekonomik: varfëria, papunësia, pabarazia në zhvillim dhe mungesa e mundësive kishin ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen e shqiptarëve. Prandaj, zgjidhja e problemit nuk mund të ishte vetëm formale apo kushtetuese, ajo duhej të shoqërohej me përmirësim real të jetës së njerëzve dhe me hapje demokratike të sistemit politik.

Në fund, “Kushtrimi” kërkonte që të merreshin në përgjegjësi të gjithë ata që kishin dorë në vrasjen e demonstruesve të paarmatosur. Kjo kërkesë- e shtatë me radhë, bartte peshën më të rëndë morale të dokumentit. Ajo kërkonte drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për dhunën shtetërore. Në të njëjtën kohë, autori kërkonte që të gjithë popujve të Jugosllavisë t’u bëhej e qartë se kërkesat e shqiptarëve ishin të drejta dhe nuk synonin dobësimin e shtetit. Përkundrazi, sipas tij, realizimi i këtyre kërkesave do ta forconte Jugosllavinë, sepse një shtet i mbështetur mbi padrejtësi, pabarazi dhe dhunë nuk mund të ishte i qëndrueshëm.

Në tërësi, kjo pjesë e “Kushtrimit” paraqet një platformë të dendur politike, kombëtare, sociale dhe morale. Nëpërmjet saj, autori artikulon kërkesat kryesore të shqiptarëve në Jugosllavi: njohjen si komb, krijimin e Republikës, lirimin e të burgosurve politikë, kthimin e të përndjekurve dhe të mërgimtarëve, ndërprerjen e propagandës antishqiptare, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që kishin ushtruar dhunë ndaj demonstruesve. Këto kërkesa e shndërrojnë “Kushtrimin” nga një tekst thirrës në një dokument të mirëfilltë politik, i cili pasqyron si dhimbjen e kohës, ashtu edhe vizionin e lëvizjes për një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë për shqiptarët në Jugosllavi.

Në pjesën pasuese të “Kushtrimit”, autori e drejton vëmendjen posaçërisht te mërgata shqiptare, të cilën e konsideron një pjesë të pandashme të trupit kombëtar dhe një forcë të rëndësishme në përpjekjet për realizimin e aspiratave politike të shqiptarëve në Jugosllavi. Ai u drejtohet me fjalët “Punëtorë patriotë në mërgim”, një formulim që përmbledh dy identitete të rëndësishme të shqiptarëve të diasporës së asaj kohe: identitetin e punëtorit emigrant dhe identitetin e atdhetarit të angazhuar për fatin e kombit.

Që në fillim të kësaj pjese, autori përpiqet të ngjallë optimizëm dhe besim në suksesin e kauzës shqiptare. Ai shpreh bindjen se lufta që po zhvillonte populli shqiptar nuk ishte një përpjekje e përkohshme apo e destinuar për t’u shuar, por një lëvizje me perspektivë të qartë historike. Në frymën e literaturës politike të kohës, rezistenca shqiptare paraqitet si një proces që po fitonte vazhdimisht forcë dhe që, sipas autorit, po tërhiqte vëmendjen e opinionit publik shumë më gjerë sesa kufijtë e Jugosllavisë. Kjo bindje shërbente si një instrument motivues për lexuesit, duke u përcjellë idenë se sakrificat e bëra nuk ishin të kota dhe se kauza e tyre po fitonte jehonë gjithnjë e më të madhe.

Për ta ilustruar këtë frymë kundërshtimi, autori ndalet te një nga simbolet më të rëndësishme të Jugosllavisë së pasluftës: Stafeta e Titos. Në kulturën politike jugosllave, kjo stafetë ishte shndërruar në simbol të unitetit të federatës dhe të kultit politik që ishte ndërtuar rreth figurës së Josip Broz Titos. Për shumë shqiptarë të angazhuar në lëvizjen ilegale, ajo përfaqësonte jo vetëm sistemin politik ekzistues, por edhe strukturën që, sipas tyre, kishte mundësuar vazhdimin e padrejtësive ndaj shqiptarëve.

Autori e përshkruan reagimin e shqiptarëve ndaj këtij simboli si një akt refuzimi politik. Në interpretimin e tij, kundërshtimi ndaj stafetës nuk drejtohej thjesht kundër një ceremonie shtetërore, por kundër gjithë sistemit që ajo simbolizonte. Në këtë mënyrë, stafetës i atribuohet kuptimi i një shenje të shtypjes dhe të centralizmit jugosllav, ndërsa reagimi kundër saj paraqitet si shprehje e revoltës së një populli që nuk pranonte më të identifikohej me simbolet e pushtetit që e konsideronte represiv.

Një vend të rëndësishëm zë edhe kritika ndaj gjendjes ekonomike të Jugosllavisë dhe barrës së borxheve që rëndonin mbi qytetarët e saj. Në frymën e kritikës politike të asaj kohe, autori argumenton se mjetet financiare të shtetit po shpenzoheshin për projekte dhe simbole që nuk sillnin përfitime reale për popullin, ndërkohë që qytetarët, përfshirë shqiptarët, përballeshin me vështirësi ekonomike dhe me pasojat e krizës së thellë financiare që kishte filluar ta godiste federatën në fillim të viteve tetëdhjetë. Kjo pjesë e tekstit pasqyron një dimension më të gjerë të pakënaqësisë, ku çështja kombëtare lidhej ngushtë me problemet sociale dhe ekonomike.

Më tej, autori rikthehet te përshkrimi i gjendjes së shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. Ai i paraqet ata si një popull që vazhdon të rezistojë pavarësisht pranisë së vazhdueshme të forcave policore, arrestimeve dhe presioneve të ndryshme. Në gjuhën e tij ndihet bindja se rezistenca nuk po zhvillohej vetëm në rrugë apo në demonstrata, por edhe në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm. Çdo familje shqiptare paraqitet si një vatër e qëndresës, ndërsa çdo akt i mbijetesës morale interpretohet si pjesë e luftës së përgjithshme kombëtare.

Për autorin, kjo gjendje krijon një detyrim moral për mërgatën shqiptare. Ai argumenton se shqiptarët që jetonin në Perëndim nuk mund të mbeteshin indiferentë ndaj asaj që po ndodhte në vendlindje. Përkundrazi, ata kishin detyrimin të mbështesnin me të gjitha mundësitë e tyre përpjekjet e bashkëkombësve. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në demonstratë paraqitet si forma më konkrete dhe më e drejtpërdrejtë e solidaritetit.

Në mënyrë të veçantë, autori ndalet te drama e mërgimit shqiptar. Ai përshkruan me tone prekëse jetën e atyre që kishin kaluar vite e dekada larg familjeve të tyre. Malli për fëmijët, largësia nga vendlindja dhe ndarja nga familja paraqiten si plagë të hapura që shoqëronin përditshmërinë e mërgimtarëve. Në tekst shfaqet qartë bindja se emigrimi nuk ishte thjesht një zgjedhje ekonomike, por një pasojë e kushteve politike dhe sociale që kishin detyruar shumë shqiptarë të largoheshin nga trojet e tyre.

Kjo përvojë e përbashkët e mërgimit shndërrohet në një argument shtesë për pjesëmarrje. Autori kërkon që shqiptarët të mos e harrojnë identitetin e tyre dhe as sakrificat që kishin bërë. Ai i fton të mblidhen së bashku jo vetëm për të protestuar, por edhe për të ruajtur dinjitetin e tyre kombëtar dhe për të nderuar emrin e vet dhe të fëmijëve të tyre. Kjo është një nga temat më të forta emocionale të gjithë “Kushtrimit”: ideja se veprimi politik është njëkohësisht detyrë ndaj brezit të tashëm dhe trashëgimi për brezat që do të vijnë.

Në fund, autori rikthehet te ideja e bashkimit si kusht për sukses. Ai thekson se vetëm përmes unitetit, guximit dhe sakrificës mund të fitohen të drejtat e mohuara. Në këtë logjikë, fitorja nuk paraqitet si rezultat i një akti të vetëm, por si fryt i një përpjekjeje të gjatë kolektive. Takimi me familjet, kthimi në vendlindje dhe realizimi i aspiratave kombëtare shihen si horizonte të arritshme, por vetëm nëse shqiptarët mbeten të bashkuar dhe të vendosur në qëllimet e tyre.

Kjo pjesë e “Kushtrimit” përbën një shembull karakteristik të retorikës patriotike të mërgatës shqiptare të viteve tetëdhjetë. Në të ndërthuren kujtesa historike, kritika politike, shqetësimet sociale dhe emocionet personale të mërgimtarit. Përmes një gjuhe të ngarkuar me simbolikë dhe ndjenja, autori përpiqet të krijojë tek lexuesi bindjen se pjesëmarrja në kauzën kombëtare nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një detyrim moral ndaj atdheut, familjes dhe historisë së vet popullore.

Në pjesën përmbyllëse të “Kushtrimit”, gjuha politike dhe mobilizuese e dokumentit arrin kulmin e saj emocional. Pas gjithë argumenteve, thirrjeve, kritikave dhe kërkesave politike që janë shpalosur përgjatë tekstit, autori mbyll mesazhin e tij me një apel të fuqishëm për bashkim dhe pjesëmarrje, duke e shndërruar demonstratën e paralajmëruar në një ngjarje me domethënie jo vetëm politike, por edhe morale, historike dhe kombëtare.

Shprehja “Pra mirupafshim në sheshin e trimërisë, nderit e burrërisë” nuk duhet kuptuar thjesht si një ftesë për t’u takuar në një vend të caktuar. Në gjuhën simbolike të autorit, demonstrata shndërrohet në një hapësirë morale ku maten virtytet më të larta të traditës shqiptare. Ajo paraqitet si një arenë ku provohet besnikëria ndaj atdheut, ku nderi lidhet me përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe ku burrëria nuk kuptohet vetëm si trimëri fizike, por si gatishmëri për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e popullit.

Kjo mënyrë e të shkruarit mbështetet fuqishëm në kulturën historike shqiptare, ku nocionet e nderit, trimërisë dhe burrërisë kanë zënë një vend të rëndësishëm në vetëdijen kolektive. Për breza të tërë shqiptarësh, këto vlera kanë qenë të lidhura ngushtë me mbrojtjen e atdheut, me sakrificën për lirinë dhe me përgjegjësinë ndaj komunitetit. Pikërisht për këtë arsye, autori e paraqet demonstratën jo si një ngjarje të zakonshme politike, por si një vazhdimësi të traditës së gjatë të qëndresës kombëtare.

Më tej, teksti evokon figurat e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, të cilët në ndërgjegjen e lëvizjes ilegale shqiptare tashmë kishin fituar statusin e martirëve dhe të simbolit të sakrificës kombëtare. Përmendja e tyre nuk është e rastësishme. Në fillim të viteve tetëdhjetë, vrasja e tyre në Gjermani kishte tronditur thellë mërgatën shqiptare dhe kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lëvizjes kombëtare.

Autori i paraqet ata si mësues të rezistencës dhe si shembuj të përkushtimit ndaj idealit të lirisë. Kur shkruan se “atje ku na mësuan të luftojmë Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi”, ai nuk i referohet vetëm veprimtarisë së tyre konkrete politike, por edhe trashëgimisë morale që kishin lënë pas. Në perceptimin e autorit, ata nuk ishin vetëm individë, por përfaqësonin një brez të tërë veprimtarësh që kishin sakrifikuar jetën për çështjen kombëtare. Për këtë arsye, demonstrata paraqitet si një vazhdim i rrugës së tyre dhe si një formë nderimi për idealet që kishin mbrojtur.

Pas kësaj hyrjeje solemne, teksti kalon në një seri parullash përmbyllëse, të cilat përbëjnë thelbin ideologjik dhe emocional të dokumentit. Këto parulla kanë strukturën karakteristike të literaturës ilegale dhe të manifestimeve politike të kohës. Ato nuk janë thjesht slogane, por përmbledhin në mënyrë të shkurtër gjithë mesazhin e “Kushtrimit”.

Parulla e parë i kushtohet punëtorëve shqiptarë në mërgim, të cilët autori i cilëson si patriotë që i përgjigjen thirrjes së atdheut. Kjo pasqyron rolin qendror që mërgata kishte fituar në lëvizjen kombëtare shqiptare. Në sytë e autorit, punëtori emigrant nuk ishte vetëm një njeri që siguronte jetesën larg vendlindjes; ai ishte një pjesëtar aktiv i rezistencës kombëtare, një njeri që përmes pjesëmarrjes në demonstrata, përkrahjes materiale dhe angazhimit politik kontribuonte në fatin e kombit.

Parulla “Rroftë populli ynë heroik” përfaqëson një element tjetër të rëndësishëm të diskursit politik të kohës. Populli shqiptar paraqitet si subjekt kolektiv i historisë, si bartës i rezistencës dhe si protagonist i përpjekjeve për liri. Termi “heroik” nuk përdoret vetëm për të lavdëruar të kaluarën, por edhe për të forcuar vetëbesimin e shqiptarëve në të tashmen. Ai synon të krijojë bindjen se një popull me histori sakrificash dhe qëndrese ka forcën për t’i përballuar edhe sfidat e kohës.

Në qendër të parullave qëndron natyrisht thirrja “Rroftë Republika Shqiptare në Jugosllavi”. Kjo është ideja kryesore politike e gjithë dokumentit. Ajo përfaqëson objektivin për të cilin, sipas autorit, po zhvillohej e gjithë veprimtaria politike dhe organizative e lëvizjes. Përmes kësaj parulle, kërkesa për Republikë shndërrohet në simbol të aspiratës për barazi politike, për vetëpërfaqësim dhe për njohje të identitetit kombëtar shqiptar brenda federatës jugosllave.

Po aq domethënëse është edhe thirrja “Rrofshin të gjithë popujt liridashës të botës”. Kjo parullë tregon se autori përpiqet ta vendosë kauzën shqiptare brenda një konteksti më të gjerë ndërkombëtar. Lufta e shqiptarëve nuk paraqitet si një konflikt i izoluar kombëtar, por si pjesë e përpjekjeve universale të popujve për liri, drejtësi dhe dinjitet. Në këtë mënyrë, çështja shqiptare lidhet me idealet e përgjithshme të emancipimit dhe të të drejtave të popujve.

Një vend të veçantë zë edhe parulla “Lavdi dëshmorëve që ranë theror për atdhe”. Kjo është një formulë e njohur e kulturës politike shqiptare, e cila shpreh respektin dhe mirënjohjen për ata që kanë sakrifikuar jetën në emër të idealeve kombëtare. Përmes saj, autori përpiqet të krijojë një urë ndërmjet brezave të rezistencës, duke e paraqitur sakrificën e të rënëve si themel moral mbi të cilin duhet të vazhdojë lufta politike e brezit të tanishëm.

Në fund, dokumenti mbyllet me parullën “Rroftë Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi”, duke e rikthyer vëmendjen te organizata që kishte lëshuar këtë thirrje. Kjo parullë shërben si një afirmim i rolit që lëvizja i atribuonte vetes si bartëse e aspiratave politike të shqiptarëve dhe si organizatore e rezistencës së tyre.

Në tërësi, pjesa përmbyllëse e “Kushtrimit” është ndërtuar si një kombinim i kujtesës historike, simbolikës patriotike dhe mobilizimit politik. Ajo pasqyron mënyrën se si lëvizja ilegale shqiptare e fillimviteve tetëdhjetë përpiqej të ndërthurte figurat e martirëve, traditat e qëndresës, idealin e Republikës dhe rolin e mërgatës në një narrativë të vetme kombëtare. Për këtë arsye, këto rreshta përfaqësojnë jo vetëm fundin e një dokumenti politik, por edhe një pasqyrë të fuqishme të kulturës së rezistencës që karakterizoi një periudhë të rëndësishme të historisë moderne shqiptare.

Teksti i “KUSHTRIMIT” fillonte kështu:

“Motra shqiptare, e ju vëllezër të shtrenjtë, ju të ndjekur, të shtypur e të shpërndarë, para jush, LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI lëshon:

KUSHTRIMIN

Të gjithë ju, i madh e i vogël, në shtatë e shtatëdhjetë, kudo që të ndodheni, kur t’ju bjerë në dorë kjo thirrje, lëreni të gjitha dhe përgjigjuni zërit të atdheut, sepse ai ka nevojë më shumë se kurrë për ju. Pra edhe kësaj radhe organizohuni masovikisht dhe ashtu tok ejani të shtunën më 26 qershor në ora 11 në stacionin e trenit në Bernë të Zvicrës, sepse aty do të ju presin qindra vëllezër e motra, që kanë ardhur nga anë e anës për t’i dalë atdheut zot, për ta marrë popullin tonë të shumëvuajtur në mbrojtje dhe për ta ngritur lartë e më lartë gjerë në diell zërin e trojeve tona të stërlashta që sot rënkojnë nën helmetën, çizmen dhe bajonetën jugosllave.

Prandaj lërini të gjitha punët dhe mërit e rastit, hudhini mospajtimet e ndryshme dhe të bëheni grusht si gjithnjë kur e do interesi i atdheut, unikë e të fortë si graniti dhe ashtu të shkojmë bulevardeve të kësaj metropole evropiane dhe t’ua përcjellim të gjithë përfaqësuesve të shteteve të botës, rënkimet e nënave që kanë mbetur me duar në gji, sepse jugosllavët ua vranë fëmijët e ua shkelen burrat me tanke; t’ua përcjellim ofshamjet e mijëra vëllezërve e motrave tona që po torturohen e masakrohen nëpër burgjet e llahtarshme jugosllave, t’ua përcjellim gjëmimin e rrugëve tona të përgjakura që s’po mund ta durojnë më çizmen, helmetën dhe bajonetën jugosllave… dhe në këtë mënyrë t’ia bëjmë me dije tërë botës se vullneti i një populli dy milionësh s’mund ta shtypet me forcën e armëve.

Me këtë rast pos tjerave do tu drejtohemi me letër edhe OKB-së dhe  do të kërkojmë nga kjo organizatë, që të ndërmarrë masa përkatëse, në mënyrë që anëtarësisë së vet, Jugosllavisë, që shurdhon botën së trumbetuari për të drejtat e për liri, t’u thotë troç: këta mijëra njerëz që tash një kohë të gjatë, protestojnë anë e këndë Evropës, s’kanë udhëtuar as kësaj radhe me mijëra kilometra për të vizituar Zvicrën, por vetëm e vetëm pse janë të shtypur e të shfrytëzuar, kanë ardhur edhe përmes këtij manifestimi t’i kërkojnë të drejtat e veta, që ua keni marrë nëpër këmbë. S’do mend se ky do të jetë një grusht i rëndë për gjakpirësit jugosllavë, të cilët me buzëqeshje e gjakftohtësi vrasin gra e fëmijë, vetëm pse kanë marrë guximin të kërkojnë Republikë, bukë, punë e liri!

Të dashur bashkatdhetarë:

Siç e dini ditën e demonstratës sonë, në Beograd fillon nga punimet Kongresi i XII i LKJ, që të kërkojnë llogari prej udhëheqjes së vetë për shtypjen brutale e vullnetit të një populli të tërë dhe njëherë të apelojmë në ndërgjegjen e atyre delegateve që me përgjegjësinë që kanë për të ardhmen e shtetit le të insistojnë, në të mirën dhe në interesin e të gjithëve që:

  1. popullit shqiptar në Jugosllavi t’i njihet statusi i kombit dhe kuptohet e drejta e patjetërsueshme që në trojet e veta etnike te ketë Republikën e vet;
  2. që të lirohen menjëherë të burgosurit politikë;
  3. që tu mundësohet kthimi në vendlindje të gjithë atyre që për shkak të dhunës dhe terrorit serbomadh janë detyruar t’i lënë familjet e vendlindjen e vet e të marrin botën në sy;
  4. që sa më parë të ndërmerren masa dhe të krijohen kushte për kthimin tonë, pra të të gjithë punëtorëve, (që na kanë shitur si të ishim kafshë në tregun e punës), dhe punësimin tonë afër familjeve;
  5. që të ndërpritet menjëherë propaganda antishqiptare e serbomëdhenjve e cila ka për qëllim njollosjen e popullit tonë me shpifjet më të paskrupullta;
  6. që të ndërmerren masa për përmirësimin e standardit të popullit dhe demokratizimin e përgjithshëm të jetës politike në vend…
  7. që të merren në përgjegjësi të gjithë ata që kanë dorë në vrasjen e qindra demonstratave duarthatë dhe tu bëhet me dije të gjithë popujve jugosllavë se kërkesat e popullit shqiptar në Jugosllavi janë të drejta dhe se nuk kanë për qëllim dobësimin e shtetit, por përkundrazi forcimin e tij…

Punëtorë patriotë në mërgim,

Lufta që po bën populli ynë heroik, ka një perspektivë të sigurte, ajo nuk po shuhet por po  vazhdon me një forcë madhështore të mahnisë një botë të tërë, ja për shembull këto ditë stafetën e Titos së urryer, atë simbol shtypjeje e tiranie, populli ynë e priti ashtu siç ajo meriton me plumb e demonstratat dhe ashtu të shpuar nga predha ua përcolli në Beograd me porosi  për ata që edhe në këtë mënyrë dinë të tallen me popull. Merreni këtë paçavure të ndyrë, o tiran zë pafytyrë, e mos harxhoni miliarda për tekat e një diktatori të vdekur sepse me djersën tonë, për shkak të tije me shokë ne po i paguajmë për çdo vjet nga dy miliard e gjysmë dollarë vetëm kamat kredish që janë harxhuar për këso budallallëqesh. Populli ynë, vëllezër të dashur, për çdo ditë po bënë heroizma të tillë edhe pse në derë të çdo shqiptari është vendosur nga një patrullë policësh të urryer të armatosur gjerë në dhëmb, që vrasin e burgosin, që rrahin e përpiqen që edhe nderin tonë ta marrin nëpër këmbë, prandaj është obligim i yni moral që ta përkrahmi me të gjithë forcat tona  këtë luftë të shenjët. E në këtë rast përkrahja më e mirë është pjesëmarrja masive në këtë demonstratë , nga e cila me të drejt pritet se do të jetë madhështore. Prandaj të gjithë ne  që po jetojmë me dekada te tëra me mallin përvëlues për fëmijët tanë që s’ua njohim mirë fytyrën, vetëm se  barkmëdhenjtë e Beogradit na kanë shitur si kafshët në treg, apo pse me dhunë na kanë detyruar tua lëmë lamtumirën trojeve tona. Të mblidhemi të gjithë dhe ta nderojmë emrin tonë e të fëmijëve tanë me pjesëmarrjen në këtë demonstratë, sepse vetëm bashkë  jemi të fortë, sepse vetëm në luftë e guxim mund ti fitojmë të drejtat tona, sepse vetëm duke sakrifikuar fitorja dhe takimi me familjet tona është afër.

Pra mirupafshim në sheshin e trimërisë, nderit e burrërisë, atje ku na mësuan të luftojmë Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi, trimat tanë me fletë.

RROFSHIN PUNTORËT TANË PATRIOT QË I PËRGJIGJEN THIRRJES SË ATDHEUT
RROFTË POPULLI YNË HEROIK
RROFTË REPUBLIKA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI
RROFSHIN TË GJITHË POPUJT LIRIDASHËS TË BOTËS
LAVDI DËSHMORËVE QË RANË THEROR PËR ATDHE
RROFTË LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI

 

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.