TË MOS I LARGOJMË EMRAT TANË NGA SHQIPJA!

1
Emrat shqip

Nga Safet Sadiku

Shqipja është gjuha jonë shumë e bukur!🇦🇱 Gjuha Shqipe nuk ka nevojë për zbukurime të huaja, as në rastet, kur bëhen anashkalime të emrave autoktonë në emër të marketingut turistik! Shqipja është shumë më e bukur kështu si është në origjinalitetin e saj.

Po paraqes si shembull disa emrat vetëm në Gjirin e Lalëzit, që po ashtu është një nga zonat shumë të bukura bregdetare të Shqipërisë. Aty nga viti në vit bie në sy bashkë me investime (të huaja), anashkalimi i emrave autoktonë, (si në shumë vendbanime të tjera) pasi po shohim gjithnjë e më shpesh një fenomen që s’ka të bëjë me zhvillimin e turizmit, por me mospërfilljen dhe zëvendësimin e gjuhës shqipe. Pse duhet të quhet “Plazhi San Pietro”, kur në shqip e kemi aq bukur: Plazhi Shën Pjetri? Apo kemi turp nga emrat tanë? Siç themi “Shëngjin”, “Shën Naum”, “Shën Koll”, po ashtu natyrshëm mund të themi Shën Pjetri. Kuptohet, edhe aty është ndërtuar një hotel me investim spanjoll, por kjo nuk do të thotë që edhe emri i plazhit të “pastrohet” nga shqipja.

Pse “Duka Winery”? Nuk mjafton të themi “Veraria Duka” apo “Bodrumi i Verës Duka”, siç thotë një vend normal në gjuhën e vet? A është më “internacional” po të përdorim anglishten në çdo gjë? Apo kemi harruar që turistët duan autenticitet, jo kopje të lodhura? Disa shembuj të tjerë që po shoh gjithandej: 1)“Luxury Villa Gjiri Lalzit”, natyrshëm mund të ishte shumë më bukur: “Vila Luksoze në Gjirin e Lalëzit”. 2) “Green Coast Resort”, ku mund të ishte thjesht: “Bregu i Gjelbër”. 3)“The Village by San Pietro”, përse jo: “Fshati pranë Shën Pjetrit”? Kjo nuk është vetëm çështje gjuhe. Është çështje identiteti. Nuk mund të kërkojmë të ndërtojmë një turizëm të qëndrueshëm dhe tërheqës, ndërkohë që me sy hapur po fshijmë atë që na dallon: gjuhën dhe kulturën tonë.

Sqarim fjalori: Fjala “huajsojmë” nuk është një term i përhapur zyrtarisht në gjuhën standarde, por po përdoret gjithnjë e më shumë në letërsi apo publicistikë, për të përshkruar një proces ku diçka shqiptare shndërrohet në të huaj pra, i largohet identitetit të vet origjinal dhe i afrohet të huajës. Ndryshe, “Huajsojmë” do të thotë ta bëjmë një emër tonin të duket si i huaj, për dallim nga: ‘huazojmë’ që është kur marrim fjalë nga gjuhë të tjera. Porosia për të gjithë ne është e qartë: 1) Mos ta ndërrojmë shqipen për një marketing të dobët! 2) Të mos i huajsojmë emrat e vendeve tona për të “tingëlluar më bukur”! 3) Nuk ka fare nevojë t’i zëvendësojmë emrat tanë me emra të huaj! 4) Të mos i largojmë emrat tanë nga shqipja! 5) Mos ta fshijmë shqiptaren për të tingëlluar gjëja: “moderne”!

Trashëgimia Kulturore është gjurmë e gjallë e Identitetit Shqiptar🇦🇱
Trashëgimia kulturore e Shqipërisë është pasuri e paçmuar gjer më tani, e cila përfshin monumente historike, kala, kisha, xhami, vendbanime antike dhe objekte të artit tradicional. Ato nuk janë vetëm dëshmi të së kaluarës, por pjesë e gjallë e identitetit tonë kombëtar me gjithë rrënjët, që na lidhin me historinë, shpirtin dhe tokën tonë.

Në këtë kontekst, gjuha shqipe është po aq e rëndësishme sa vetë monumentet. Emrat që u janë dhënë këtyre vendeve ndër shekuj përmbajnë kuptime, histori dhe ndjenja që nuk përkthehen lehtësisht. Prandaj, ruajtja e emrit origjinal në shqip është çështje e rëndësishme për respektimin e bërthamës së trashëgimisë. Kështu që për lehtësi komunikimi me vizitorët e huaj, informacionet përkthehen në gjuhë të tjera, siç është p.sh., anglishtja, por edhe gjuhë të tjera. Megjithatë, është e rëndësishme që emrat të mos zëvendësohen ose të huajsohen, por të shpjegohen.

Për shembull: 1) Kalaja e Skënderbeut (Skanderbeg Castle) në anglisht si përkthim informues, por pa ndryshuar emrin historik. 1) Shën Pjetri (St. Peter), por gjithmonë duke e shënuar formën origjinale: Shën Pjetri (St. Peter) Kështu, ruajmë autenticitetin, respektojmë kulturën vendëse dhe njëkohësisht i ndihmojmë vizitorët të kuptojnë më thellë historinë e një populli që ka shumë për të treguar, siç jemi ne shqiptarët. Me këtë rast po prezantoj një model informativ për turistët:

Kalaja e Skënderbeut te Kepi i Rodonit
Kalaja e Skënderbeut ndodhet në një nga pikat më piktoreske të bregdetit shqiptar, në Kepin e Rodonit. U ndërtua në shekullin XV nga vetë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si pjesë e sistemit mbrojtës pas betejave me Perandorinë Osmane. E pozicionuar mes detit dhe kodrave, ajo simbolizon qëndresën dhe lidhjen e pandarë të shqiptarëve me tokën dhe lirinë. Sot, kalaja është një destinacion historik dhe natyror që fton vizitorët të përjetojnë, por edhe të mësojnë historinë tonë përmes gjurmëve të gurta të së kaluarës së shqiptarëve.

Kalaja e Pezës
Kalaja e Pezës është një monument me vlera të rëndësishme historike e strategjike, që i përket periudhës mesjetare. E vendosur në një pikë dominuese të peizazhit, ajo kontrollonte rrugët që lidhnin pjesët e brendshme të vendit me bregdetin. Sipas burimeve historike, kjo kala ka qenë e rëndësishme për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për rezistencën ndaj pushtuesve të kohës. Sot, ajo mbetet një dëshmi e gjallë e arkitekturës ushtarake shqiptare dhe një vend për reflektim mbi të kaluarën.

Nëse ndërtojmë të ardhmen, mos ta bëjmë duke fshirë të kaluarën

Le të mos anashkalojmë as emrat autoktonë në gjuhën shqipe, as trashëgiminë historike që na identifikon si popull. Modernizimi nuk kërkon fshirje, por kujdes. Mjafton pak më shumë vëmendje, që zhvillimi të ecë përpara pa e zbehur rrënjën tonë. Ne mund dhe duhet të ndërtojmë të ardhmen, pa humbur shpirtin e së kaluarës. Në të kundërtë, çdo emër shqip që shuajmë, është një kujtim që humbet. Çdo gur historie që anashkalojmë, është një rrënjë që këputet. Neve askush nuk po na detyron, por as nuk kemi nevojë të fshijmë gjurmët tona për të ecur përpara. Kuptohet neve kudo në vendbanimet shqiptare na duhet veç pak më shumë dashuri për atë që jemi. Ta konfirmojmë këtë në përditshmëri duke ruajtur edhe ladhtësinë në mes emrave autoktonë të shqipes sonë të bukur! Gjuha dhe historia janë pasaportat tona më të vërteta.

Në hartën e njëjtë, tani kemi dy realitete të ndryshme: Plazhi i Shën Pjetrit në shqip, (Foto 1) Dhe pak më tutje i njëjti vend shfaqet si “Plazhi San Pietro” pranë Hotelit Melia Durrës (Foto 2).

Foto: 1

Foto: 2. Hoteli “Melia Durrës” është investim spanjoll, dhe kjo natyrë e zhvillimit dhe prezencës së investimeve të huaja është e njëjtë kudo në gjithë Botën. Por, kjo nuk nënkupton që tani ta ndërron edhe emrin e një vendi në këtë rast plazhit.
Ndërrimi i emrit të venbanimit, për dallim nga një emër i një restorani ose hoteli ndryshon shumë. Kuptohet restorantet e ndryshme si kudo edhe në Shqipëri i përshtatin emrin sipas interesit komercial etj.

Pse të zëvendësohet emri Shën me “San”?

Ta ruajmë trashëgiminë tonë historike!

Kjo nuk është “marketing”, as “internacionalizim”, por huajsim dhe fshirje e kujtesës. Emrat autoktonë janë pjesë e identitetit tonë kulturor e gjuhësor. E ripërsëris, nëse ndërtojmë të ardhmen, mos ta bëjmë këtë gjë duke fshirë të kaluarën. Na duhet kujdes më i madh, për të mbrojtur atë që jemi. Emrat autoktonë të vendbanimeve shqiptare janë pjesë e identitetit tonë kulturor dhe historik. Megjithatë, në dekadat e fundit, është vërejtur një tendencë për t’i zëvendësuar këta emra me versione të huaja, shpesh për arsye komerciale ose për të tërhequr turistë. Kjo praktikë mund të çojë në humbjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe në një shkëputje nga rrënjët tona.

Po paraqes disa shembuj të emrave të vendbanimeve të huajzuar, të cilët i hasim shpesh:

1) Shën Pjetri → San Pietro
2) Shëngjin → San Giovanni
3) Shën Ndreu → Sant’Andrea
4) Shën Kolli → San Nicola
5) Shën Mëri → Santa Maria
6) Shën Gjergji → San Giorgio
7) Shën Vlash → San Biagio
8) Shën Triadha → Santa Trinità
9) Shën Ilia → Sant’Elia
10) Shën Premte → Santa Venerdì

Këto ndryshime shpesh ndodhin në tabela rrugësh, materiale promocionale turistike ose në emërtimet e bizneseve lokale. Për shembull, një restorant mund të quhet “San Pietro Restaurant” në vend të “Restoranti Shën Pjetri”.

Pse është e rëndësishme t’i ruajmë emrat autoktonë, sidomos të vendbanimeve, qoftë edhe në plazhë? Sepse ruajmë identiteti kulturor të qytetarisë shqiptare. Emrat autoktonë janë dëshmi e historisë dhe kulturës sonë. Trashëgimia gjuhësore po ashtu mbetët një çështje shumë e rëndëshishme në të gjitha zhvillimet e kohës që po ndodhin edhe sot. Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra në Evropë dhe më gjërë dhe duhet të ruhet dhe promovohet edhe nga vetë ne shqiptarët. Ndërkaq, turizmi autentik është gjithmonë më atraktiv, më tërheqës edhe për të huaj. Turistët shpesh kërkojnë përvoja autentike, gjë që pa dyshim emrat origjinalë të një vendi janë një pikë tërheqjeje e veçantë. Ndryshimi i emrave mund të shihet si një mungesë respekti ndaj historisë dhe traditave lokale.

Çfarë mund të bëjmë? Sigurisht të gjithë si shoqëri mund të bëjmë shumë. Promovimi i emrave origjinalë kudo është një vlerë e rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare. Përdorimi i emrave autoktonë në të gjitha materialet zyrtare dhe promovuese nuk na kërkon asnjë kosto, gjatë punës sonë të përditshme. Gjithashtu ndërgjegjësimi i banorëve lokalë për rëndësinë e ruajtjes së emrave origjinalë është një parim elementar, që duhet të mësohemi ta respektojmë dhe jo ta anashkalojmë. Prandaj, mbështetja e politikave gjuhësore edhe në aspektin ligjor ka rëndësi të madhe. Inkurajimi i autoriteteve për të miratuar politika që mbrojnë emrat autoktonë, është njëkohësisht qëllim i mbrojtjes së lashtësisë shiqptare.

Pse “Duka Winery” kur “Veraria Duka” është emër me plot kuptim në shqip?
Po kthehem edhe një herë te emrat e resorteve ose restoranteve. Këtu kam dy shembuj domethënës që ilustrojnë dy qasje diametralisht të kundërta ndaj gjuhës dhe identitetit kulturor në emërtim të bizneseve shqiptare:

Shembulli 1: Emri në anglisht për arsye komerciale: “Duka Winery” në Durrës.

Çfarë po ndodh me shqiptarët në atdhe dhe me shqiptarët në mërgatë? a) Një shqiptar në Shqipëri zgjedh një emër të huaj për biznesin e tij, “Duka Winery”, në vend që të përdorë një version tërësisht shqip, si “Veraria Duka”. Të tillë shembuj ka pa mbarim. (Të paktën ta shkruante edhe në variantin shqip) Por, cili është arsyetimi i mundshëm? Përdorimi i anglishtes perceptohet si më “ndërkombëtar”, më atraktiv për turistët e huaj, dhe ndoshta më profesional në tregun global. Në një vend autokton me turizëm; me liqen artifcial, me det dhe mal pranë, (siç është rasti i këtij restoranti, unë nuk e besoj këtë gjë). Ky proces po bënë: 1) Zbehjen e përdorimit të gjuhës shqipe në hapësirat publike. 2) Nënvlerësim i potencialit të bukurisë dhe forcës që ka një emër autentik shqiptar. 3)Tërheqje drejt një standardizimi global, ku origjina kulturore venitet.

Shembulli 2: Emri në shqip i restorantit “Plisi” në Zvicër për afirmimin e identitetit shqiptar.

Çfarë ndodh? b) Një shqiptar në mërgatë (Dubendorf, Cyrih) e quan restorantin e tij “Plisi”, duke zgjedhur një simbol të thellë kombëtar dhe një emër autentik shqip. Që në shikim të parë si arsyetimi i mundshëm, është se përdorimi i emrit “Plisi” është një shprehje krenarie kulturore dhe dëshirë për të promovuar kulturën shqiptare në një mjedis të huaj. Kjo përpjekje lartëson vlerat tona shqiptare në disa aspekte: 1) Ky përkushtim është një kontribut në ruajtjen dhe përhapjen e identitetit kombëtar. 2) Krijim i një ambienti që është më shumë se restorant, por në fakt është edhe një qendër kulturore e vogël. 3) Përcjellje e një mesazhi edukues dhe afirmues, si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt.

Them se ky kontrast i këtyre dy shembujve ngre pyetje më të thella: A kemi nevojë për më shumë vetëdije kulturore në vetë Shqipërinë? Dhe a po bëhet mërgata, përmes shembujve të tillë, më shqiptare se (vetë vendlindjet tona dhe) atdheu ynë në disa raste? Padyshim, ruajtja e emrave autoktonë është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së identitetit tonë kombëtar dhe trashëgimisë kulturore. Të punojmë të gjithë së bashku për të siguruar edhe bazë ligjore mbrojtëse, që historia dhe kultura jonë e pasur të mos na humbasin gjatë përkthimeve, apo edhe në raste të investimeve të huaja, sidomos të arrihet në këtë proces zhvillimi, ruajtja e emrave të vendbanimeve lokalë autoktonë. Me këtë rast, propozoj t’i mbrojmë të gjitha këto vlera, me më shumë përkushtim.

1 KOMENT

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.