UNË JAM UJK. DHE, DUA PLAGË!…

0
246
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

(Shenja e nisjes)

Nata pa Hënë.

Yjet tallen me zjarr
Qiellit i kërkoj fjalë.
Dita më bie me shuplakë.

Shenja e nisjes, oj Nanë!…

(Pagjumësi)

Qentë lehin gjithë natën
Çizme dëgjohen në rrugë.

Fëmijët s’i zë gjumi vonë
Unë rojë e shtratit tonë…

(Ankand te “Pazari Grave”)

Vjen derisa unë rrokullisem lëmsh
me të Dashurën e Omar Khajamit
e shahem me librat horror.

Kot, para s’kam të të huazoj për bukë
Palaçot nderohen me shpërblime.

Asgjë s’kam, vetëm pagjumësi…

(Konferencë kombëtare)

Rastësisht të takova në rrugë
të kishin dëbuar nga Partia.

Urdhëro: unë s’jam Uolt Uitmani i madh
as miku im, Mirko Gashi – bohem.
Unë jam Kalosh Çeliku – rebel
dhe me Ty do të pi verë.

Nëse të ka përzënë Partia
vogëlushe, unë nuk të përzë…

(Vetëm Unë
të pi me verë
)

Ky Qytet, është i çmendur
Mike oj! Të martuan me poezinë?!
E, më ndjekin mua si qentë
nga mëngjesi, në mëngjes.

Ky Qytet, do të di çdo gjë
nën cilën Urë kam bërë natë?!
Me cilën Mike pres e përcjell trena
për Ty, me cilin çmendesh në shtrat.

Po, kurrë s’do të dinë ç’kam në gji
e mbi cilin varr sonte bëra dashuri…

(Tri ditë
larg meje
)

Tri ditë larg meje.
Tri ditë të kërkoj nëpër Qytet!
Ti fluturon mbi liqen
Në vendlindjen e Lasgush Poradecit.

Larg meje?!
Qyteti, i vdekur.

Mike, të pres me shekuj…

(Magji)

Një muaj
larg njerëzve, thellë në pyll
mes ujqërve dua të jem përherë!
Se, ujk jam. E, jo qen me zgjebe
që i vardiset një kocke në treg.

Ujk jam, oj Mike!
Sot zbres nga shpellat e Çelëvjollcës
me romanin më të ri: Shtëpia publike.

Gruaja më del para, i hap krahët
Mikja më shkarkon para dere
me një çantë libra e dy boca verë:
– Motër, merre fute në shtëpi
armiqtë i kanë bërë magji…

(Shtatë orë mbyllur
në “Menada” – Shkup
)

Zagushi.
Muzikë e vitit njëmijenënqindeshtatdhjetedy
m’i kujton vitet e studimeve në Prishtinë.
Rrapin tim të vetmuar para „Bozhurit„
Dhe, një dashuri të humbur…

Kamarieri i zi katran
Mikja trembet mos na vdes mbi tavolinë.

Azganja do të ikë në një shpellë
e ka lodhur jeta.
Civilizimi mes ferexheve…

E zgjas dorën në errësirë
O Imzot, ia preka gjinjtë…

(Mos gërmo thellë)

Mos gërmo shumë thellë
Se, do të hasësh në gur
varre e eshtra!

Mos gërmo shumë thellë
se do të hasësh në plagë
do të shpërthejë vaji!

Mos gërmo shumë thellë
se do të mbytesh në mua!…

(Mike s’kam
tjetër Kalosh
)

Mike, s’kam tjetër Kalosh
të shtrihet me Ty në shtrat.

Mike, s’kam tjetër Kalosh
pa dy shtamba me verë…

(Unë s’kam kohë
të plakem)

Unë s’kam kohë të plakem
se, nuk më lë vera.

Nuk më lë Mikja…

(Frikën s’e dua
se nuk është e imja
)

Heshtni, në dhomë fle Poe dhe Anabel Li
vargjet e mia le t’i ëndërrojnë të pagjumët
një ditë do të vdes në shtratin e Lumit.

Frikën s’e dua se, nuk është e imja…

(Zgjimi im a thua
është ëndërr
)

Një varg të Khajamit lexoj për t’njëmitën herë
s’do lexoj më libra, s’do shkruaj poezi.
Unë, nuk jam poet.

Aspak e jashtëzakonshme lindja as vdekja.

Rrugë e gjatë deri te poezia e prapë
vargu duhet të vjellë flakë
s’ka lumë pa dallgë.

Vdes për të lindur
dua një varg, vetëm një varg!…

(Qentë lehin
në poezitë e mia
)

Qentë tremben – lehin pas porte
Natën vonë kur dëgjojnë zgjimin e tyre.

Qentë lehin pas porte: në poezitë e mia…

(Vjellja e zorrëve)

Poetesha s’ka cigare
Ia piu Rrospia Mashkull.
Ministri me ambasadorin
Ulen të hanë drekën
Që ua paguan spiuni.

Përshëndeti, më thotë Piktori
Sytë s’ti heqin nga malli!
Kush ua shalon Nënën Parti
Palaçove në mizanskenë
Vetëm në një shfaqje.
Unë jam gjithmonë në Teatër
Publikisht u shpall dashuri.

Spiuni Kurvë lëpi buzët
Kukulla Femër ua mban gunat.

O Imzot, do t’i vjell zorrët…

(Aferë nëpër Qytet)

Qyteti më merr nëpër gojë
Pse rri me Ty në Tavernë?!
Pusi vë me Dy shtama verë.

Qyteti kurdis edhe aferë:
Se, u mbytëm në lumë.
Kot u përpoqën tellallët
Heu! Poet, jam Unë.

Dexhalli shpalli shpërblim:
Një nënshtetësi në “Xhehnet”.
Për atë që më zë në Tavernë
Natën, me dy shtama verë…

(Lugat i dehur)

Ditën i dehur – natën, Lugat:
më ndjek Urrejtja
më spiunon te gratë.

E dua Natën
kur me Ty pi verë!
Zgjohu, Urrejtje
më spiuno te gratë!…

(Jo)

E dua Atë, që më do Natën
Në mëngjes kur më zgjon:
Me një gotë raki rrushi.
Verë. Kafe në shtrat
Ndihmë, thërret – gjëmon.

E dua Atë, që më do Natën
Herët, në mëngjes çmendet.

Dhe, më thotë: Jo!…

(Dritaren lëre hapur)

Derës vërja shulin
Shuaje dritën, Mike
E, struku nën jorgan!
Fshihi dardhat e buta
Mos i hanë derrat e egër!…

Derës, vërja shulin!
Dritaren lëre hapur:
Nata është e gjatë.

Ku ta di Unë, pasmesnate
Vij e t’futem në shtrat…

(Titull i dyshimtë)

Mikes sime Di, që më do mua dhe poezinë
i tregoj se e përfundova dorëshkrimin
me poezi: Vjellja e zorrëve.
Ajo më lutet t’ia lexoj një poezi.
Ia lexoj titujt: Testament para vdekjes
Bushtra pas Qenit. Pritje në “Menada“.

Mikja ime Di, që më do mua dhe poezinë
Posa e dëgjon titullin e fundit:
bëhet kurreshtare. E mbytë dyshimi.

Mezi e qetësoj, ia lexoj vargjet:
Si e kam pritur një personazh për libër.
Dhe, një Buçë katundi pas porte.

Nervozohet: pse s’e kam pritur Voglushen?!
E ngre zërin, ma shanë poezinë…

(Zbulimi fshehtësive)

Gjithmonë zbuloj diç të re te Mikja
Kur ma grabisin Xhindet.
Dhe, jam i sëmurë.

Gjithmonë, zbuloj diç të re te Mikja
Kur ma dhunojnë mes librave.

Dhe, pres të shërohem nën Urë…

(Vetëm një natë)

Ty të përfolin, të gjuajnë me gurë
duan të të djegin me zjarr!
Pse, me mua pi verë:
Dashurinë s’e shet në “Bit-Pazar”.

Ty të shpallin dashuri
të mjerët: S’dinë se dashuria është art.
Dudumët që e shesin edhe Partinë
vetëm me Ty të flejnë një natë…

(Vrapim pas shpërblimit)

Mijëra vjet në këtë Tavernë
Ne të dy pimë verë.
Lehin gojëligat – lehin qentë.

Mijëra vjet në këtë Tavernë
ne shkruajmë poezi.
Plasni gojëliga – lehni qenë
të mos mbetni pa shpërblim!…

(Veten për darkë)

Përditë e ha ngapak Veten
nga këmbët te koka.
E, përsëri kam uri.

E shtroj në sofër
Veten time për darkë.

E, përsëri kam uri…

(Njëqind vjet ndarje)

Në çdo ndarje, më thua mes lotëve:
Mos më kërko më, sot e njëqind vjet!
Se, e kam ndërruar banesën
Jam me shtëpi në tjetër botë.

Ditët e gjata – muaj. Vite
Ti s’e mban fjalën, Mike.
Nuk shkojnë as dy javë
Dhe, cingrron telefoni.

O Imzot, si u çmenda mbi varre
Shpejt ikën njëqind vjet ndarje…

(Krizë politike)
(Voglusheve që i ka përzënë Partia)

Mikja ime besnike, hyri në dhomë:
Çka je dalldisur mbi dorëshkrime
a e di se, askush më nuk lexon libra?
Shkrimtarët gjithmonë qenë të marrë
njerëz të çmendur që s’u ka ecur tregtia.
Dashuritë i kanë harruar në bibliotekë
e kanë ngatrruar ditën me natën,
kur të tjerët flenë, ata rrinë mbi vepra
e përcjellin Hënën, e presin Diellin.

Qesha, me Miken time besnike
që s’e di se aq më bën për trusakatët.
Oborrtarët. Dhe, Unionin e viçave.

Unë dua të më lexojnë pasmesnate
voglushet që i ka përzënë Partia…

(Luftë me Veten)

E lehtë: Është lufta me armikun
E vret. Ose, të vret.
Por, e rëndë është me Veten:
As të vret. As, mund ta vrasësh…

(Azil politik)

Qentë, kur m’u ndërsyen pas shpine
Vetëm për një asht – shpërblim.
E, kulturofagët – këlyshë me zgjebe
Ditënatë të Nënës Parti.

Unë Mike, ika nga Atdheu
Dhe, tek Ti kërkova azil politik…

(I besoj këmishës sime)

Këmishë e imja dua të jesh: PËRJETË
që të të veshi përditë, përnatë!
E thonë: „Nuk i besoj as këmishës sime„.

Megjithatë, nuk dua të jesh këmishë
Se, duhet të të shpie në pastrim kimik.
E kam frikë grisesh, bëhesh arnë…

(Kush do më shpie në varr)

Gjithë natën e lume vras Veten:
Flakë më flakë mes librave. Shtamave me verë.
Në mëngjes, te pragu i derës e ringjallë.

Gjithë natën e lume vras Veten
E, s’ka njeri të më shpie në varr.

Doruntinën, motrën e vetme të gjakut
E martova shtatë male larg…

(Murosja e nuseve)

Edhe sot i varrosim të gjalla
nëpër këtë Qytet nuset.
Po, nuk ua lënë nga një gji
jashtë për poetët…

(U kryqëzova për Ty)

E vizitova përsëri Korçën
shkova edhe në Drenovë
vendlindjen e Asdrenit,
hyra sërish edhe në kishë.

Ndoza një qiri malli
sonte u kryqëzova për Ty…

(Le të më hanë gratë)

U besoj grave të marra
kur natën lahen në liqen,
e Unë me një shishe verë në breg
dëshiroj të bëhem grep.

E pres ta kafshojnë vargun
t’i hedh në shtrat,
më mirë le të më hanë gratë
se sa qentë e ngratë!…

(Do ta pi liqenin)

Në mbrëmje dal te bregu
dhe pres të dalësh nga liqeni,
kam hedhur një varg në ujë
vetëm pak të dridhet peri
hop, të të rrëzoj mbi urë.

Dikur e nxora grepin.
Vallë, mos je Ti Hëna
do ta pi gjithë liqenin!…

(Nuk ngihem me detin)

E piva qiellin
liqenin
detin.
E ju thoni se jam i dehur?!
Jo, këlyshë, Unë jam i etshëm
po ju që jeni të tredhur
o burra pushteti!

E piva krejt liqenin
Se, nuk më ngiu deti…

(Plaga e dhjetë
me Hënën
)

Nëntë vjet e mbyta Veten me verë
Gjithë Natën duke shkruar poezi.
Mëngjes. I zgjuar me Hënën.

Nëntë vjet ndeza një qiri
Me Hënën e plotë mbi Liqe:
Jerm mes shtamave me verë.

I çmendur pak para agimit
U zgjova nga varri im me libra…

(Sonte Hëna
ka hëngër darkë
)

Moti s’e kam parë Hënën. Nuse
Edhe Ajo s’më ka parë në verandë.
Në breg të Liqenit duke pirë verë
Pranë një qiriri të ndezur
Dhe, Mikes të pagjumë.

Po. Moti nuk e kam parë Hënën
Si ato net ashtu kulaç mbi Liqe.
Siç thonte nëna ime në Katund:
“Sonte Hëna ka hëngër darkë…“

(Qiriri i Shën Mërisë)

Vdiqa në Voskopojë. U zgjova në Xhenet
Pleq. Plaka dhe lule vjollce.
U thash: Dërgomëni në Xhenem:
Nuse të reja dhe Cuca. Zjarr.
Verë dua! Verë. Jo, më thanë është “haram”.
Atëherë më ktheni në Xhenemin e vërtetë
Vera kur rrjedhë nën Rrap lumë.
Dhe, më kthyen. U ringjalla te Lumi.

Unë jam qiriri i Shën Mërisë Virgjër
E pi lotin e saj me shtama nën Rrap…

(Mos pyet)

Mos pyet ku e kalova sonte Natën
Ditën. Unë jam Bohem i vonuar.
Mjafton nën kokë ta kem një poezi
Dy shtamba me verë. Dhe, një Mike.

Mos pyet ku e kalova sonte Natën
Rruga për mua është shtrat. Rrapi.
Këmbët e Urës Gurit më i miri Han
Gjithë Natën ku pihet vera. Loti.
Në breg të lumit ku rrezitem Unë
Mikja. Dhe, Hëna e plotë shtatëzanë…

(Askushi më dha
një trëndafil
)

Pranverë. E kalova Natën në “Premiumi”
Mes shtambave me verë. Pagjumësisë.
Në mëngjes e pushtova Prishtinën në gjumë
Njeri të gjallë në rrugë. E përqafova një Buçë.

Hi-hii-hiii. Askushi më dha një trëndafil…

(Grua natën e mirë)

Grua, natën e mirë! Ika.
Pasmesnate, më pret një Grua tjetër:
Poezia. Dhe, është xheloze.
Nëntë burra nuk mund ta bëjnë zap
Natën. Vetëm Unë ia jap hakun.

Grua, natën e mirë! Ika
Falemnderit. Që, nuk je xheloze…

(Edhe një qiri
për Lejdin Di
)

Gjatë Netëve të poezizë korçare
E vizitova vendlindjen. Korçën.
Dhe, vendvdekjen. Voskopojën.
Hyra në kishë. I ndeza dy qirinj:
Një për Miken. Një për Cucën Boheme.
Paprtitmas, m’u afrua një poete azgane
E më tha: Me një qiri nuk ndizen o burrë
Më shumë se dy, përpara Shën Mërisë!

Plumb iu përgjigja: Unë jam Poet bohem
Lotët e Shën Mërisë nën Rrap i ngrej dolli.
Harrova të ndez edhe një qiri për Lejdin Di…

(Gruaja besnike)

I dëbova armiqtë rreth Meje. Edhe Miken
Vetëm poezinë nuk mund ta përzë. Nuk ik.

Është grua besnike. E do burrin…

(Në këtë Qytet burrat
shiten me thasë
)

Mike, Ti jeton pa burrë. Grua
Në një Qytet ku burra ka me thasë.
E shiten lirë në “Bit – Pazar”.

Mike, Ti jeton pa burrë. Grua
Në një Qytet ku burrat shiten me thasë…

(Unë jam Ujk. Dhe,
dua plagë!…
)

Grua, mirëmëngjes. Erdha
Unë jam Ujk. Dhe, dua plagë!

Edhe Ajo nuk ishte xheloze…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.