Nikolin Sh. Lëmezhi me dy libra me poezi…

0
430
Nikolin Lëmezhi - Dy libra me poezi

[ Shkarko përshkrimin e plotë për dy librat në PDF ]

NIKOLIN SH. LËMEZHI u lind në fshatin Blinisht të Zadrimës më 4 shtator 1977. Mësimet e para, ato fillore dhe tetëvjeçaren i kreu në vendlindje, në shkollën “Pjetër Zarishi”, ndërsa shkollën e mesme e mbaroi në Shënkoll të Lezhës. Më pas ndjek dhe kompleton studimet e larta filozofike në Seminarin Papnor Katolik në Shkodër nga viti 1996 deri në vitin 1998. Që nga viti 1998 dhe deri nga viti 2008 ka jetuar në Itali. Në vitin 2004 përfundoi studimet e
Teologjisë në Universitetin Katolik “San Tommaso” në Messina të Siçilisë.

Që në moshë të vogël pati shfaqur dëshirë e pasion për letërsinë artistike dhe jo vetëm duke lexuar libra jashtëshkollorë, por edhe duke provuar edhe vetë të vargëzojë poezi të ndryshme të frymëzuara nga natyra dhe krejt jeta në përgjithësi. Problemet dhe hallet e
jetës njerëzore, ishin ato që ia tërhiqnin më shumë vëmendjen, ndaj edhe atij i ishte krijuar bindja se edhe poetët e mëdhenj, gjenitë e letërsisë, vijnë nga kushte të përvuajtura jete.

Disa nga poezitë e tij të krijuara që në shkollën tetëvjeçare, transmetoheshin nga radioja e atëhershme kombëtare dhe kjo tregon se edhe Nikolini ishte një talent i lindur në fushën e poezisë. Por krijimtaria e tij nuk kishte mbetur vetëm me kaq, pasi përgjatë viteve dhe herë pas here ka publikuar mjaft poezi, tregime, artikuj, përkthime dhe recensione tek revista katolike “Mbas Teje” dhe “Kumbona e së Diellës” si dhe në gazeta e revista të ndryshme letrare. Në tetorin e vitit 2021 publikoi libnrin e tij të parë, përmbëledhje poetike të titulluar “Si pika vese” në shtëpinë botuese “Fiorentina” në Shkodër, ndërsa në muajin gusht 2022 del para lexuesit me vëllimin e dytë poetik të titulluar “Kur heshtja flet”.

Duke qenë se drejtimet e tij ideore janë kryesisht besimi në Zot dhe kryesisht në fenë e Jezusit, ai kurdoherë është gjendur në udhën e shëlbimit të shpirtit njerëzor dhe në situata të vështira ka bërë përpjekje të vazhdueshme dhe në mënyrë të palodhshme për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, qoftë nga ana shpirtërore, qoftë edhe nga ana materiale. Kështu, në kohën e vështirë që po kalonte njerëzimi, Pandeminë Botërore të shkaktuar nga Coronavirusi Covid-19, ai ishte mjaft aktiv, sidomos duke shfrytëzuar edhe rrjetet sociale duke dhënë mesazhe shprese për njerëzit e dëshpëruar e të frikësuar.

Krahas aktivitetit të tij fetar, të cilit i ka kushtuar edhe jetën e tij, ai sot merret edhe me aktivitete të ndryshme shoqërore si me përkthime të ndryshme, por edhe me katekizëm duke ushqyer shpirtërat njerëzorë me besim dhe frymëzim Hyjnor.

  1. Libri “Si pika vese” është vëllimi i arë poetik i tij të cilin e boton në vitin 2021, pasi kishte krijuar një bazë mjaft të gjerë me me poezi të llojeve të ndryshme. Libri hapet me poezinë “TË FALEM, O ZOJA E SHQIPËRISË!” që siç duket e ka krijuar si një tekst i një kënge fetare ku në strofën e fundit ka dhënë shënimin refren dhe pastaj vazhdon me vargjet e tjera të strofës:

Të falem, o Zoja e Shqipërisë,
Pajtore e gjithë njerëzimit,
Ti burim i shpëtimit:
Lutu, lutu sot për ne!

Në këtë poezi, autori i drejtohet Zojës që të ketë kujdes e ta ndihmojë vendin tonë (Shqipërinë):

Se nga gërmadhat ku qe zënë,
Kokën tashmë po ngre
”.

Poeti Nikolin Lëmezhi, me gjithë bindjet e tij fetare, çka duket në të gjithë përmbajtjen e kësaj poezie, shpreh edhe ndjenjat e tij atdhedashëse, pasi i drejtohet Zojës që ta ndihmojë atdheun që ishte në gërmadha dhe tash po ringjallet. Ai e do atdheun, ndaj e
përshkruan me ngjyra plot dritë:

Këtu, plot me mirësi
Na takon e na mirëpret,
Ti zemrave u flet
Mes lulesh e dëborave.

Pra, Zoja u flet zemrave shqiptare mes lulesh e dëborave. I ndodhur jashtë atdheut, ai shpesh shfrynë përmes mjaft vergjesh e poezish malli të pashuar. Kështu vëllimi poetik “Si
pika vese” vazhdon me dy poezi malli si “Oh, ç’më flet ky qiell!” dhe “Mall”:

Tani larg seç je, e vogël mbesa ime
dhe kushedi kur do të të shoh në sy.
Nën qiellin blu, ndërthur mendime,
këtu zogjtë e malit më flasin për ty.
Kështu lotët e mi, mbushur plot mallëngjim,
nga zemra burojnë dhe bien si shi.
Kujtimi yt, oh sa më jep gëzim
e shtrenjta Jonilda, shpirti i xhaxhit ti!


2. Libri i dytë me titull “Kur Heshtja flet“, i botuar në gusht 2022 jep mesazhe të shumta filozofike dhe është krijuar në përgjithësi mbi bazat e sentencave poetike të shkurtëra, por nuk mungojnë edhe poezi të tjera që dalin jashtë këtyre kornizave dhe kanë formate më të kompletuara si në numër vargjesh, ashtu edhe në tematika përfshirëse. Por nganjëherë, format e përmasat edhe gërshetohen mes tyre siç është poezia Flladitje Dijeje…, ku shprehet mendimi filozofik nëpërmjet mjaft vargjesh që nuk kanë lidhje mes tyre për nga ana organike, por janë krijuar në format e sentencave që shprehin filozofi jetësore të ndryshme. Më shumë ajo ngjan me disa frazeologjizma popullore, sesa me një poezi. Për ta pasur një koncept më të qartë po e paraqes këtu më poshtë të plotë për lexuesin, nisur edhe nga qëllimi se ato janë sentenca me vlera të veçanta jetësore:

Flladitje Dijeje…

Nuk ha princi nga tryeza e të varfërit,
por i varfëri ha nga tepricat e princit.
Mos i jep të riut barra që s’mund t’i bartë
as përgjegjësi që i tejkalojnë forcat e tij!
Gjithsecilit jepi atë që i përshtatet
siç hidhet vera e re në rrëshiqa të rinj
dhe vera e vjetër në rrëshiqa të vjetër!
Kur të të jepet drita në mbrëmje,
mos prit mëngjesin për të vendosur për të!
Urtia që vjen prej së larti nganjëherë vishet me baltë,
por kurrë balta nuk e depërton Atë.
Edhe bukën furrtari e nxjerr nga furra
pasi të jetë pjekur,
kështu të riut mos ia vendos zgjedhën
nëse nuk ka kaluar më përpara
nëpërmjet zjarrit të përvujtërimit!
Kur fjala nuk kuptohet,
s’ka rrugë tjetër përveçse gjuhës së veprave.
Atë që njeriu me krenarinë e vet shkatërron,
Zoti me dije të shenjtë rregullon.
Për shumë një mëkat mbetet i fshehtë,
dhe për të nuk flitet sa duhet:
Ai është mëkati i lëshimit.
Kush strehohet nën hijen e të Tejetlartit,
fiton paqen e qëndrueshme.

[ Shkarko përshkrimin e plotë për dy librat në PDF ]

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.