Ka ikur koha e tranzicionit politik!

0
Albini - Lumiri - Memli - Ramushi

Shkruan: Florim Zeqa, 07.05.2025

Tashmë çdo gjë është qartësuar sa u përket pengesave sa i përket formimit të institucioneve dhe çdo gjë është bërë e pakuptimtë me përsëritjen e refrenit të njejtë të dështimit të seancave të Kuvendit të Kosovës!

Refuzim i sinkronizuar

Dështimi për të 12-ën herë i seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës, është duke shkaktuar neveri tek qytetarët e Kosovës!

Të neveritshme janë bërë partitë opozitare duke insistuar në qëndrimet e tyre që nuk e përkrahin votimin e fshehtë, duke e konsideruar se është në kundërshtim me rregulloren e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Pas ndryshimit të mënyrës së votimit, tre partitë opozitare shqiptare po refuzojnë që t’i propozojnë kandidatët për anëtarë të komisionit votues për votim të fshehtë.

Njëjtë, ka vepruar edhe Lista Serbe, e cila e ka kundërshtuar çdo formë të votimit të kandidatës së partisë fituese të zgjedhjeve.

Pozita në të drejtën e saj për kandidatin, opozita me bllokadën e njëjtë dhe absurde për ndërrim të kandidatit për kryeparlamentar!

Hipokrizia e partive bllokuese opozitare!

Rrënimi i sistemit zgjedhor dhe demokratik e paraqet rrënimin e vlerave të shoqërisë sonë. Kriza artificiale institucionale ka ardhur si produkt i urrejtjes dhe inateve personale dhe e kalkulimit të arritjes në pushtet si humbës i zgjedhjeve, praktikë kjo e shëmtuar që na ka përcjellur nga pas lufta e deri më sot.

Mungesa e lidershipit të përgjegjshëm dhe mungesa e vakumit ligjor janë bërë shkak i dështimeve të njëpasnjëshme të seancave të Kuvendit të Kosovës!

Edhe përkundër proceseve të shpeshta zgjedhore, për 17 vite pavarësi nuk arritëm të prodhojmë një lidership të ndërgjegjshëm dhe as politikan të përgjegjshëm që i dalin zot vendit në situata të vështira, siq ndodhemi aktualisht pas procesit të fundit zgjedhor.

Periudha e tranzicionit politik është përdorur si mjet për pasurim të paligjshëm nga plaçkitja e pasurisë shoqërore dhe zhvatja sistematike e buxhetit të shtetit.

Kërkesa për qeveri tranzitore, tingëllon keq në veshët e qytetarëve

Qeveritë tranzitore krijohen në gjendje të luftës apo të pandemive globale deri në kapërcimin e situatave emergjente, por jo pas një procesi të rregullt zgjedhor, të pastër dhe demokratik.

Imoraliteti dhe paaftësia për të zgjidhur ngërçin politik, e ka kthyer legjislaturën aktuale në një situatë të paqartë dhe hipotetike, ku asnjë deputet nuk është në gjendje ta thotë të vërtetën si deputet i zgjedhur nga populli, por prononcohen vetëm si përfaqësues të partive politike me direktiva të liderëve partiakë!

Kjo gjendje e varfërisë shpirtërore e deputetëve të zgjedhur e ka sjellur Kuvendin në situatën më të mjerueshme nga paslufta e këndej.

Pasi, është hera e parë në historinë e parlamentarizmit kosovarë, e ngërçit politik për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit.

Deri më tani ishim mësuar me bllokadata në zgjedhjen e kryemistrit apo presidentit, por jo të bllokohemi në fazën fillestare të konstituimit të Kuvendit!

Parimi bazik i demokracisë janë zgjedhjet e lira, kurse rregull e parë pas procesit zgjedhor është respektimi i vullnetit të qytetarëve, përkatësisht i njohjes së rezultatit zgjedhor dhe e të drejtës së partisë fituese për formimin e Qeverisë, e jo duke e bërë të kundërtën në bllokimin e formimit të institucioneve siq po ndodhë nga 15 prilli e deri më sot!

Kur demokracia është shndërruar në një mjet autokratik, politika në instrument përfitimi material dhe zgjedhjet në lojë të pandershme me qytetarët, zgjedhjeve të lira u ka humbur kuptimi. Zgjedhjet pa ndryshime përmbajtësore, përveqse të pakuptimta, janë bërë sinonim i së këqës dhe abuzimit me qytetarët!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.