13.5 C
Tirana
E mërkurë, 14 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi RROKULLIMA E JETËS, E KUJTESËS DHE E FJALËS

RROKULLIMA E JETËS, E KUJTESËS DHE E FJALËS

0
Sulejman Demaku - Rrotullimë

Sulejman Dërmaku, “RROKULLIMË”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “ROZAFA”, Prishtinë 2026. ISBN 978-9951-02-588-1

Parafjalë

Poeti Sulejman Dërmaku është njëri nga ata intelektualë që, me përkushtim të veçantë, ka punuar për avancimin dhe përparimin e gjuhës letrare shqipe. Qoftë si mësues në shkollat fillore e mësimdhënës nëpër gjimnaze, e qoftë si lektor e redaktor në revista të  “Rilindjes”, kryeredaktor i revistës “Shkëndija” dhe redaktor i shumë librave, ai gjithnjë i është përmbajtur me përkushtim standardit të gjuhës letrare shqipe. Përmes njësimit dhe kultivimit të saj, ai ka parë jo vetëm një domosdoshmëri kulturore, por edhe një mundësi për afrimin dhe bashkimin gjuhësor e shpirtëror të botës shqiptare. Për mua, poezia e Sulejman Dërmakut është një nga variantet më të pëlqyeshme të shqipes standarde. Në të ndihet përkujdesja e njeriut që e njeh mirë peshën e fjalës, bukurinë e saj dhe përgjegjësinë që bart ajo. Prandaj, duke e lexuar këtë libër të mikut tim, ndiej nevojën t’u bëj apel krijuesve dhe lexuesve shqiptarë që ta duan, ta kultivojnë dhe ta shkruajnë sa më bukur gjuhën letrare shqipe. Letërsia shkruhet për t’u lexuar, për t’u kuptuar dhe për të kapërcyer kufijtë e ngushtë të një province dialektore.

Përmbledhja poetike “Rrokullimë” nis me poezinë që i ka dhënë emrin gjithë librit. Kjo poezi është një kredo poetike për të hyrë në botën krijuese të poetit. Rrota e jetës rrokulliset pandalshëm, tatëpjetë e teposhtë, pa u kthyer pas, e ndërsa njeriu është i vendosur në këtë lëvizje të pandalshme, dhe mu ai përpiqet t’i japë kuptim udhëtimit të tij. Poezitë e këtij vëllimi janë shkruar me një gjuhë të pastër letrare, me kujdes të shtuar ndaj ritmit, rimës dhe strukturës së vargut. Në to mbizotërojnë strofat katërvargëshe dhe një organizim poetik që dëshmon disiplinën e poetit ndaj formës. Kjo përkujdesje gjuhësore nuk është thjesht çështje teknike, ajo lidhet drejtpërdrejt me bindjen e poetit se fjala shqipe duhet të ruhet, të pasurohet dhe t’u përcillet brezave. Në këtë kuptim, poeti Sulejman Dërmaku i përket atij brezi intelektualësh që punuan për ngritjen arsimore e kulturore të Kosovës, për përgatitjen e gjeneratave të reja dhe për krijimin e një mjedisi ku dija, arsimi dhe fjala e shkruar duhet ta kenë vendin e merituar.

Rrokullima e jetës dhe e kujtesës

Përmbledhja me poezi “Rrokullimë” është para së gjithash, një libër për jetën në lëvizje. Por kjo lëvizje nuk është vetëm fizike. Është lëvizje e kohës, e kujtesës, e historisë, e njeriut dhe e shoqërisë. Rrota që rrokulliset pandalshëm bëhet metaforë e ekzistencës njerëzore: si dje, si sot dhe si mot, gjithçka ecën përpara dhe asgjë nuk kthehet në të njëjtën pikë. Megjithatë, poeti nuk e pranon kalimin e kohës si harresë. Përkundrazi, ai e kthen kujtesën në një formë të qëndresës.

Në ciklet e para, kjo kujtesë lidhet fuqishëm me familjen, atdheun dhe identitetin. Figura e babait me plis nuk është vetëm kujtim i një prindi. Ajo shndërrohet në simbol të trashëgimisë, të tokës, të fisit dhe të qëndresës shqiptare. Plisi bëhet shenjë e një identiteti të trashëguar dhe e një lidhjeje të thellë me vendin e të parëve. Kjo botë e kujtesës zgjerohet më tej në poezitë ku poeti mediton për fatin e popullit, për gjuhën, lirinë, historinë dhe marrëdhënien me të kaluarën. Poezia e tij shpesh merr formën e një dialogu të drejtpërdrejtë me shoqërinë. Ai nuk hesht përballë asaj që e sheh si gabim, dobësi, harresë apo vetëdëmtim, prandaj, poezia e Sulejman Dërmakut ka një dimension të theksuar qytetar.

Një motiv i dukshëm i këtij vëllimi është mënyra se si dhimbja personale shndërrohet në përjetim poetik universal. Në ciklin e tretë, “Një det pikëllimi”, poeti nis nga përvoja njerëzore, siç janë lindja, pritja dhe përcjellja e njerëzve të dashur. Babai, nëna, motrat, vëllezërit dhe i biri shfaqen në horizontin e një humbjeje që nuk mund të shpjegohet vetëm me “ligjet e jetës”. Pyetja poetike bëhet revoltë ndaj fatit. Pse njeriu duhet t’i përcjellë ata që i ka pritur me dashuri? Këtë e shpreh më mirë në poezinë “Një det pikëllimi”, kjo dhembje merr një metaforë të fuqishme, sepse jeta shfaqet si një det i krijuar nga lotët e shpirtit njerëzor. Por, edhe pas vdekjes, familja dhe fëmija i dashur nuk zhduken asnjëherë. Ata vazhdojnë të jetojnë përmes poezive dhe kujtimeve të poetit. Andaj, si mesazh i bukur i këtij vëllimi, kujtimi për ta është një formë e shprehjes, përmes së cilës dashuria e mund mungesën.

Poeti Sulejman Dërmaku, nuk e sheh historinë e kombit si një arkiv të mbyllur, për të, historia është një proces që vazhdon të ndikojë në jetën e sotme. Jo vetëm në poezitë “Në Reçak”, “Muhaxhir”, por edhe në poezi të tjera për ngjarje historike, poeti e sheh kujtesën si një detyrim moral. Ta zëmë, në poezinë “Muhaxhir”, mbresëlënës janë emrat e vendeve dhe gjurmët e gjakut të të parëve në udhëtimin e tij për në Beograd, duke krijuar një peizazh të dhimbshëm të realitetit nga shpërnguljet masive dhe nga humbja e trojeve. Ndërkaq, poezia “Në Reçak” e lidh kujtesën për masakrën me dëshminë njerëzore dhe me figurën e William Walker-it, i cili, sipas poezisë, e emërtoi masakrën ashtu siç ishte dhe e informoi botën për atë që kishte ndodhur në Reçak të Kosovës. Pastaj janë poezitë, “Shenjtëria jote do të frymëzojë”, kushtuar Shën Nënës Tereze; “Mirënjohës ndër breza”, kushtuar Robert (Bob) Dole; “Përjetësisht në përkohësi”, mikut të çmuar, Zejnullah Halilit; “Treni i jetës sonë”, mjekut Isuf Dedushajt; poezia “Urim”, për mikun, Çerkin Bytyçi, në ditëlindjen e tij, që lë për të kuptuar, se sa me fat je, nëse mik të mirë poetin e ke. Pastaj poezia “Kënga e kurbetit”, për ndjenjën dhe përkushtimin etj.

Për poetin, historia nuk mund të jetë vetëm lavdi, ajo duhet të jetë edhe mësim. Kjo ide shfaqet qartë në poezinë “Kapardisje…”, ku poeti e kundërshton krenarinë boshe për bëmat historike. Origjina, sipas kësaj poezie, nuk duhet të jetë dekor për t’u mburrur, por përgjegjësi për të bërë diçka në të tashmen. Në këtë kontekst poeti e ka zhvendosur pyetjen nga “Çfarë bënë të parët tanë?” te “Çfarë po bëjmë ne?”, duke na e rikujtuar edhe një sentencë të vyeshme të Atë Zef Pllumit.

Një tipar tjetër dallues i vëllimit me poezi “Rrokullimë”, pa dyshim është gjuha amtare. Poezitë “E pakuptimtë kjo lufta jote”, “Të përcillem shqip” dhe sidomos poezia “Pse jo në gjuhën tënde”, e vendosin gjuhën shqipe në qendër të identitetit. Për poetin, mohimi i gjuhës amtare është një problem i madh, që lidhet drejtpërdrejt me identitetit dhe vetëdijen kombëtare. Ky mendim përputhet edhe me shënimin tim në “Parafjalë”, d.m.th. përkujdesja ndaj shqipes standarde duhet të shihet si një mënyrë e vetme për ta mbajtur të bashkuar hapësirën kulturore shqiptare. Në këtë pikë, poezia dhe veprimtaria intelektuale e Sulejman Dërmakut shkëlqen mbi shumë të tjerë. Tërë përpjekja e tij e pareshtur, që e mbrojti si lektor dhe redaktor librash, sot po rishfaqet e shkruar, duke treguar se si mbrohet kjo kauzë edhe si poet, pasi vëllimi “Rrokullimë”, sjell vargje dhe poezi të shkruara letrarisht dhe estetikisht, ndër më të bukurat në poezinë e sotme shqipe.

Një përballje kundrejt errësirës dhe hipokrizisë

Në disa prej poezive të vëllimit shfaqet një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj dukurive devijante që e pengojnë shoqërinë të ecë përpara. Një gjetje e bukur është poezia, “Dardha pik nën dardhë”, në të cilën poeti shprehet: “Urti e popullit kaherë thënë e ka/ një sentencë jo kot/ Shiko sojin nga ka ardhë/ se dardha pik nën dardhë/ Do të bindesh që kjo thënie/  si gjithnjë, vlen edhe sot”, e thënë bukur e shumë saktë. Ndërsa te poezia “Pa sy” ndeshim një metaforë të fuqishme për një shoqërie që sheh larg, por nuk arrin ta jetojë të tashmen. Vargjet: “Mos verbuar na ka dritëhija/ pas territ të trashë shumëshekullor/ nuk shohim afër derisa shikojmë larg”, tamam siç potencon vetë poeti, e djeshmja dhe ëndrrat për një botë tjetër mund ta mjegullojnë realitetin e sotëm.

E në vargjet, “dikush marrë i ka sytë tanë/ nuk e di ç’do të thotë/ të gjezdisësh botës/ pa sy”, e detyron poetin të mos ndalet vetëm te kritika. Me këtë rast ai ofron edhe një përgjigje të saktë në poezinë, “Vetja jonë nga errësira do të na shpëtojë”, duke kujtuar një porosi nga Ana Eleonora Ruzvelt, mbi të cilën ndërtohet edhe motivi i kësaj poezie me një mesazh të qartë, “Ndizni një qiri në vend që të mallkoni errësirën”, ku në vend të mallkimit të errësirës, poeti kërkon ndezjen e dritës; në vend të ankesës, ai kërkon punën, në vend të pasivitetit, ai kërkon përkushtimin dhe kështu me radhë. E sipas kësaj del se poezia e Sulejman Dërmakut është edhe poezi e përgjegjësisë dhe e ndërgjegjes kolektive.

Në ciklin e katërt “Por…”, poeti bëhet më i drejtpërdrejtë në trajtimin e marrëdhënieve njerëzore. Poezia “Veç një fytyrë”, është një thirrje morale kundër lajkatimit, hipokrizisë dhe animit sipas interesit. Poezia “Me shije të përziera”, motiv i vjelë sipas urtisë popullore, “Shpresa ka përjetësi” si dhe poezitë: “Teori e fqinjit tim”, “Komplekset e fqinjit tim”, “Fqinji im…”, e ndonjë tjetër, tregojnë se Njeriu Ynë, po sidomos Fqinji Ynë, sipas poetit, duhet të ketë një fytyrë dhe ta ruajë atë në çdo kohë e rrethanë. Të vlerësosh tjetrin për atë që është dhe jo për përfitimin që mund të ta sjellë, bëhen vargje si një parim i thjeshtë, por në poezitë e shumta këto vargje kanë fuqi morale dhe etike. Në këtë drejtim, vëllimi me poezi “Rrokullimë”, mund të kategorizohet si një libër i reflektimeve sociale e politike për sjellje e devijime dhe dukuri njerëzore.

Motivi i udhëtimit përsëritet në mënyrë të dukshme në këtë krijimtari. Jeta shihet si ëndërr dhe si udhëtim, ngjashëm sikurse treni me ndalesa a stacione të shumta. Në poezinë “Një udhëtimi i ngjan jeta”, treni bëhet metaforë e ekzistencës, sepse me tren njeriu udhëton, e në këtë udhë ai takon njerëz, kështu ai kalon vende e stacione duke mos ditur as destinacionin e vet të fundit?! Por, një ditë, “Do të tubohen në atë të fundit stacionin tonë/ Kudo qofshin ata, të dashurit tanë të mirë/ Për të na zbritur në banesën e fundit, siç thonë/ Që për të mbramën herë të na thonë lamtumirë”. Ky motiv ndërlidhet goxha mirë edhe me mesazhin e përgjithshëm që jep nocioni i shprehjes “Rrokullimë”, sepse koha nuk ndalet, as jeta e njeriut nuk pret, prandaj njeriu duhet ta kuptojë vlerën e udhëtimit dhe qëllimin jetësor deri në destinacionin e fundit. Në këtë rast, poeti këshillon të mos i lëmë fjalët e as punët për nesër. Për më saktë e plotëson këtë mendim vetë poezia “Asgjë të mos lëmë për nesër”, që është një thirrje për t’u thënë të dashurve dhe miqve atë që ndiejmë, para se koha ta bëjë një gjë të tillë të pamundur. Nga ky këndvështrim, më duket motiv i saktë fjala e thënë a e shqiptuar.

Poeti Sulejman Dërmaku, e di fort mirë se fjala mund të jetë edhe peshë, edhe përgjegjësi, edhe shpëtim, prandaj shkruan dhe këshillon. Në poezinë “Fjala”, ai kërkon që fjala të matet para se të dalë nga goja. Ndërsa në poezinë tjetër “Fuqi e fjalës”, heshtja është humbje e fuqisë së fjalës, pikërisht atëherë kur duhet të thuhet, dhe çuditërisht heshtet, p.sh.: “Thonë fjala fuqi ka/ Kur thuhet a shkruhet/ Po pse mungon vallë pa pra/ Në çdo vend e kohë kur duhet.” Kjo është një pyetje ku poeti dhe intelektuali përsëri bashkohen. Poeti beson te fjala e matur dhe vargu i shkruar, por edhe te fjala që nuk duhet të heshtet kur atë e kërkon e vërteta. Me gjithë praninë e madhe të dhimbjes e të humbjes, vëllimi me poezi “Rrokullimë” nuk përbëhet vetëm nga poezi dëshpërimi. Përgjatë këtij vëllimi shihet se si jeton shpresa.

Pikërisht poezia “Shpresa ka përjetësi” është një nga dëshmitë e qarta të këtij besimi: “Shpresa mund të plagoset e duket se po vdes/ Por jo, të vdesë ajo kurrë nuk vdes dot”, prandaj poeti nuk e pranon vdekjen e shpresës dhe as dëshpërimin e vet. Me një fjalë, shpresa duhet kultivuar edhe në kohët e vështira, sepse është një nga forcat që e mban njeriun në këmbë. Kështu, poeti ka arritur të krijojë një ekuilibër mjaft të qëndrueshëm brenda vëllimit poetik “Rrokullimë”, ku dhimbja dhe shpresa bashkëjetojnë, ashtu sikurse e kaluara (kujtesa) dhe e ardhmja që bashkëveprojnë, dhe, në anën tjetër, edhe humbja dhe vazhdimësia duhet të komunikojnë dhe të bashkëjetojnë afër dhe të marrin e t’i japin reciprokisht diçka njëra-tjetrës.

Në vend të përfundimit

Poeti Sulejman Dërmaku shkruan për atë që ka parë, për atë që ka përjetuar dhe për atë që e shqetëson. Por, mbi të gjitha, ai shkruan për atë që dëshiron të mos harrohet. Vëllimi i tij me poezi, “Rrokullimë”, është një libër ku jeta personale dhe historia kolektive pikëtakohen. Babai me plis, nëna, të dashurit e humbur, muhaxhirët, Reçaku, gjuha shqipe, atdheu, miqtë, të vdekurit, dashuria, shpresa dhe brezat që vijnë, të gjitha këto simbolika bashkohen brenda këtij vëllimi poetik, ku kujtesa bëhet përgjegjësi dhe ndërgjegje e shoqërisë. Vëllimi poetik “Rrokullimë”, përmbyllet me

poezinë “Një urim specifik” (Në ditëlindjen time ‘jo vetëm’ vetes), dhe jo krejt rastësisht është vënë si një lloj epilogu i vëllimit me poezi “Rrokullimë”, me motiv këshillues për vete e të tjerë, sepse çdo gjë bëhet sikur: “Thua se me ne gjithçka/ fillon dhe me ne ka përfunduar”.

Me një fjalë, me këtë vëllim poetik, Sulejman Dërmaku, na shtyn ta pyesim veten se si po e jetojmë ne këtë botë? Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i titullit emblematik “Rrokullimë”, ku jeta rrokulliset pandalshëm, kur koha nuk kthehet më, dhe ku njerëzit vijnë e shkojnë, sikurse edhe brezat që ndërrohen, por është fjala, dhe vepra e shkruar, si ky vëllim me poezi, që bashkë me kujtesën mund të mbeten. Prandaj, përballë rrokullimës së kohës, njeriut i mbetet të bëjë atë që mundet. Të paktën ta ruajë gjuhën që e flet dhe e shkruan dhe ta freskojë e ta përparoj atë, nëse synon për t’u lënë brezave një trashëgimi më të pasur sesa ajo që vetë e ka jetuar.

Dua të besoj se ky është qëllimi i përmbledhjes me poezi “Rrokullimë”, e shkruar nga poeti Sulejman Dërmaku. Poezia e tij vjen në këtë kohë si kujtesë e një devijimi gjuhësor mjaft shqetësues, sepse fjala e shkruar shqipe në përvijim kohësh është përballur me tendenca të shëmtuara dhe gjithnjë e mira ka ngulmuar për të mbërritur te shpresa dhe te e bukura.

Shefqet DIBRANI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.