Nga: Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Enver D. Halili (1958), është një emër i njohur që lidhet me letërsinë shqipe dhe sportin në Kosovë, veçanërisht me futbollin dhe veprimtarinë letrare.Është i njohur si poet dhe autor veprash (monografish) për sportin.
Enveri, ish nxënësi im, për të cilin kam një konsideratë të veçantë, shumë i sjellshëm dhe i dalluar, është një shembull se si njeriu i përkushtuar mund të jetë i gjithanshëm në shumë fusha. Enveri, si figurë krijuese, ka gjetur vend të merituar edhe në sërinë e veprave të mia: AUTORË DHE VEPRA, në disa vëllime…
II. Pak biografi për autorin
Enver D. Halili, figurë e shquar e kulturës dhe sportit shqiptar, është i lindur më 1958 në fshatin Tërpezë të Komunës së Vitisë, prej nga kanë dalë shumë patriotë dhe personalitete të kombit shqiptar.
Shkollën fillore dhe të mesmen, Enveri e ka ndjekur në Viti. Në vitin 1965, familja e tij shpërngulet nga Tërpeza në qytetin e Vitisë për shkak të punësimit të të atit, Dervishit, si jurist të cilin e kam njohur nga afër.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Enveri vijoi studimet universitare në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Prishtinës.

Përveç karierës dhe kontributit të tij në sport, Enveri është gjithashtu një autor i dalluar dhe poet i angazhuar.
Ka botuar 10 vepra, përfshirë poezi dhe libra(monografi) për futbollin duke kontribuar në pasurimin e kulturës shqiptare.
Librat e tij janë:
1. Erërat e kohës (2002),
2. Ajri është më i lehtë (2007),
3. Futbolli i vogël në Komunën e Vitisë 1980-2004,
4. Futsalli (2012),
5. Futsalli në Kosovë (2012),
6. Fraza futbolli, 2018,
7. “1357”-Aforizma Sporti”,
8. Mjeshtri i Golave, Dr. Gazmend Halili,
9. Antologji e Futbollistëve Shqiptarë në Kosovë (1916-2016),
10. Heshtjet që flasin (2026).
III. HESHTJET QË FLASIN, poezi
Redaktor Olimbi Dafa
Recensent Hasan Rashiti
Redaktor gjuhësor Noliana E. Halili
SHB ProkultPress, Prishtinë, 2026, fq. 189.
Ky libër, të cilin po ju paraqesim këtu, është strkturuar me shumë finesë dhe përmban vlera ideoartistike të padiskutueshme.
Kapitujt e librit :
HESHTJET QË FLASIN, janë si vijon:
1. BETIMI I TOKËS,
2. LOTI I POPULLIT,
3. BREZI I PLAGOSUR,
4. VALLËZIMI I HIJEVE,
5. HESHTJET QË FLASIN,
6. UDHËTIMI NË HESHTJE,
7. EMRA QË KOHA NUK I FSHINË,
8. AROMË POEZIE,
9. DHEMBJE QË MBETËN KUJTIM I HIDHUR,
10. LUMNIJE, A MUND TË REZERVOJ, PËRGJITHMONË.
Pas kësaj vjen shkrimi :
Enver D. Halili-një jetë mes vargut dhe fushës së gjelbër shkruar nga recenseti Hasan Rashiti dhe shkrimi :
FJALA E HESHTJES QË BËHET POEZI, shkruar nga OLIMBI DAFA, redaktore e librit.
Në fjalën e redaktores thuhet me të drejtë se, citojmë: Në poezinë e Enver Halilit ndihet qartë një ndjeshmëri e hollë shpirtërore dhe një vezhgim i kujdesshëm i realitetit njerëzor. Ai i afrohet jetës me syrin e poetit dhe e shndërron përvojën e përditshme në varg, duke krijuar një komunikim të sinqertë me lexuesin” (fq.9). Në këtë përmbledhje, ç’është e vërteta, fjala poetike merr një dimension të veçantë: heshtja nuk është mungesë zëri, por një gjuhë e thellë e shpirtit që flet përmes ndjenjës, kujtesës dhe kujtimit (fq. po aty)
Në poezinë që është përfshirë në ketë libër, të cilin autori ma ka dhuruar me dedikim të veçantë, për çka e falënderoj nga zemra,janë trajtuar tema nga më të ndryshmet, që i japin një sharm të veçantë librit në fjalë.
Fjalët poetike të tij, të shkruara me shpirt dhe me elegancë, kanë peshë, frymojnë dhs shprthejnë me ngjyrat e shpirtit poetik. Ato ngrihen me forcë për të dëshmuar vuajtjet dhe heroizmin e një populli që luftoi për liri. Aty ka trajtuar me shumë elegancë dhe finesë temën e migrimit,dashurinë ndaj vendlindjes, ka trajtuar aromën e shpirtit dhe traditat e vendit, burimin e identitetit etj. Në poezinë e tij për Kosovën ai ngre zërin për të mos harruar historinë dhe sakrificat që kanë formuar identitetin tonë.
Në këtë libër autori ka përfshirë edhe poezi përkushtim, një edhe për mua, për çka i jam shumë mirënjohës dhe falenderues.
IV. Në përmbyllje
E përfundoj këtë shkrim me vlerësimin e redaktored, Olimbia Dafa, që thotë, citoj: “Ky libër është një dhuratë e bukur për kexuesin” (edhe për mua si lexues dhe studiues i letërsisë). Arti i vargut këtu pulson,ndriçon dhe mbetët i gjallë në mendje. Është kjo një vepër që lexohet me një frymë edhe për faktin, sepse ngërthen vlera dhe mesazhe që kalojnë nga brezi në brez.











