KUR JETA E GRAVE U ÇLIRUA NGA NDIKIMI I TREGUT…

0
201
Kristen R. Ghodsee - Pse gratë kisbin sex më të mirë në socializëm

Rekomandimi i fundjavës, studimi i profesores amerikane, Kristen R. Ghodsee: Në vitet ’80 gjysma e studentëve universitarë të Shqipërisë ishin vajza

Që nga mesi i shek. XIX, teoricienët socialë europianë pohonin se seksi femëror është tepër i privuar në një sistem ekonomik, që çmon përfitimet e pronën private dhe jo njerëzit. Gjatë viteve 1970 feministët socialë në Shtetet e Bashkuara gjithashtu pohonin se shkatërrimi i patriarkatit nuk qe i mjaftueshëm. Shfrytëzimi dhe pabarazia do të ngulmonin gjatë, sepse elitat financiare i krijuan pasuritë e veta mbi kurrizin e grave të bindura që ofronin fuqi punëtore falas. Por këto kritika të hershme bazoheshin në teori abstrakte me pak prova empirike për t’i dëshmuar ato. Dalëngadalë, gjatë gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, shtetet socialiste dhe qeveritë e reja demokratike socialiste dhe ato socialiste në Europë filluan t’i testonin në praktikë këto teori.

Në Gjermaninë Lindore, në Skandinavi, në Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore udhëheqësit politikë mbështetën idenë e emancipimit të grave përmes integrimit të tyre të plotë në forcën punëtore. Këto ide u përhapën shpejt në Kinë, Kubë dhe në shumë vende të reja të pavarura, anembanë globit. Eksperimentet me pavarësinë ekonomike femërore i dhanë zjarr lëvizjes së grave të shekullit të njëzetë dhe çuan në një revolucion nëpër shtigjet jetësore të hapura për gratë, të cilat më parë qenë mbyllur në sferën vendore. Dhe askund në botë nuk kishte gra më shumë në fuqinë punëtore sesa në shtetet socialiste.

Emancipimi i grave mbufati ideologjinë e pothuaj tërë regjimeve të shteteve socialiste, me revolucionaren franko-ruse, Inessa Armand, që deklaronte: “Nëse çlirimi i grave s’mund të mendohet pa komunizmin, atëherë komunizmi s’mund të mendohet pa çlirimin e grave.” Edhe pse kishte dallime të rëndësishme ndërmjet shteteve dhe në praktikë, asnjëra nuk arrinte barazi të plotë, këto shtete harxhonin burime të jashtëzakonshme për të investuar në arsimimin dhe trajnimin e grave, si dhe për t’i ngritur ato në profesionet që më herët i mbizotëronin burrat. Duke i kuptuar kërkesat e biologjisë riprodhuese, ato tentuan edhe të socializonin punët shtëpiake dhe kujdesin ndaj fëmijëve duke ndërtuar një rrjet çerdhesh ditore, kopshtesh, lavanderish dhe kafeterish.

Pushimet e zgjatura dhe të paguara nga puna, si dhe përfitimet për fëmijët, u dhanë mundësi grave të gjenin të paktën një shkallë baraspeshe punë/familje. Veç të tjerash, shtetet socialiste të shek. XX përmirësuan kushtet materiale të miliona grave; vdekshmëria amënore dhe foshnjore pësoi rënie, jetëgjatësia shënoi rritje dhe analfabetizmi pothuajse u zhduk. Shumica e grave shqiptare ishin analfabete para ardhjes së socializmit në 1945. Vetëm dhjetë vite më vonë, të gjitha gratë nën moshën 40-vjeçare dinin shkrim dhe këndim, dhe deri në vitet ’80, gjysma e studentëve universitarë të Shqipërisë ishin vajza.

Teksa vende të shumta ndoqën politika të ndryshme, qeveritë e vendeve socialiste në përgjithësi ulën varësinë ekonomike të grave nga burrat, duke i bërë burrat e gratë pranues të barabartë shërbimesh nga shteti socialist. Këto politika ndihmuan të ndanin dashurinë dhe intimitetin nga faktori ekonomik. Kur gëzojnë burimet e veta të të ardhurave dhe shteti u garanton siguri sociale për moshën e shtyrë, për sëmundje dhe për paaftësi, gratë nuk kanë asnjë arsye ekonomike të qëndrojnë në marrëdhënie abuzuese, mospërmbushëse a të dëmshme. Në vendet si Polonia, Hungaria, Çekosllovakia, Bullgaria, Jugosllavia dhe Gjermania Lindore, varësia ekonomike e grave përkthehej në një kulturë, ku marrëdhëniet personale mund të çliroheshin nga ndikimet e tregut. Gratë s’kishin pse të martoheshin për para…

AUTORJA

Kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, Kristen R. Ghodsee po shëtiste nëpër Europë. Ajo e kaloi verën e vitit 1990 duke parë me sytë e saj shpresat dhe euforinë e parë që pasoi rënien e papritur të socializmit në ish-Bllokun Lindor. Kaosi politik dhe ekonomik që pasoi, e frymëzuan Ghodsee-n të ndiqte një karrierë akademike, duke studiuar sesi ndryshoi jeta e njerëzve të zakonshëm – dhe veçanërisht ajo e grave – nga kjo përmbysje.

Në dy dhjetëvjeçarët e fundit ajo ka vizituar rregullisht rajonin dhe ka jetuar tre vjet në Bullgari dhe në pjesët lindore të Gjermanisë së ribashkuar. Tani profesoreshë e Studimeve Ruse dhe Europiano-lindore në Universitetin e Pensilvanisë, ajo ka fituar shumë çmime për aktivitetin e saj, duke përfshirë Guggenheim Fellowship, dhe ka shkruar gjashtë libra mbi gjininë, socializmin dhe post-socializmin. Esetë dhe artikujt e saj janë paraqitur në shumë kanale informative, duke përfshirë The Washington Post dhe The New York Times.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.