Lirimi i turpshëm i Pantiçit!

0
Dejan Pantiç

Shkruan: Florim Zeqa, 29.12.2022

Për ta kuptuar lojën e trupshme dhe dorëzimin e institucioneve tona ndaj Vuçiqit, pas zëvendësimit të masës së paraburgimit me arrest shtëpiak për policin serb, Dejan Pantiç, të akuzuar për terrorizëm, fillimisht për lexuesit po i prezantoj deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, të ministres së punëve të jashtme, Donika Gërvalla dhe Këshillit Gjyqësorë të Kosovës (KGJK).

Tre deklarata (të sinkronizuara) paradoksale!

Deklarata e Albin Kurtit: “Ajo që unë kam dëgjuar është se meqënëse ishte në grevë urie dhe kishte probleme me zemrën do duhet të dërgohej në spital. A është e arsyeshme dhe e kuptueshme këtë e vendos gjyqësori. Mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak, jam shumë kurioz të shoh se cili prokuror e ka bërë këtë kërkesë e kush është ai gjyqësor që e aprovon. Një person që akuzohet për tërrorizëm nuk mund të lihet në arrest shtëpie, ai ka qenë në grevë urie dhe ka patur probleme me zemrën dhe për këtë është dërguar dhe në spital. Nuk e di çështjen gjyqësore të të pandehurit, që mbahet në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Ai ka statusin e të paraburgosurit, por njëkohësisht është i pandehur për terrorizëm”.

Deklarata e Donika Gërvallës: “Vendimi i sotëm për dërgimin në arrest shtëpiak të personit të dyshuar për terrorizëm shënon një goditje të rëndë për kredibilitetin edhe ashtu shumë të dëmtuar të prokurorisë dhe gjykatave në Kosovë. Prandaj vetingu është kaq i domosdoshëm. Të gjithë ata, brenda dhe jashtë vendit, të cilët përpiqen të na bindin se është i panevojshëm, sot kanë marrë përgjigjen përfundimtare. Drejtësi dhe barazi para ligjit, ky është shteti ligjor”.

Deklarata e Këshillit Gjyqësor të Kosovës: “Kryeministri Albin Kurti është kureshtar të dijë, se cili është prokurori që e bëri kërkesën dhe cili gjyqtar e aprovoi ndërrimin e masës ndaj Dejan Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak. KGJK publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”!

Pantiçi shkas por jo edhe qëllim i barrikadimit

Siq dihet nga fillimi, arrestimi i policit serb, Dejan Pantiq u bë shkas i vendosjes së barrikadave të para, por bllokimi i veriut të vendit me barrikada dhe së fundmi edhe i pikës kufitare në Merdare nuk e kishin për qëllim lirimin e tij, por krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të vendit. Këtë të vërtetë e dinë të gjithë, i madh dhe i vogël në Kosovë, por çuditërisht nuk po duan ta pranojnë liderët shtetërorë.

Këtë të vërtetë ua përseritën disa herë edhe ndërkombëtarët, përfshirë miqtë amerikan, por problemi është se këta “supermenët” tonë nuk po duan apo nuk e kanë guximin të përballen me realitetin e krijuar në veri tani e 23 vjet më parë.

Kur nuk dijnë, është mirë të mësojnë edhe nga armiku

Siq e ceka edhe më lartë, për të akuzuarin për terrorizëm, policin Dejan Pantiç u ngrit në këmbë një shtet i Serbisë, me barrikada dhe kërcënim për luftë. Po çfarë bëjmë ne kur arrestohen bashkatdhetarët tonë në territorin e Serbisë, kur dënohen, torturohen dhe vriten në burgjet e Serbisë!?

Asgjë dhe asnjë reagim drejtuar organizatave ndërkombëtare kundër veprimeve të shtetit të Serbisë!

Serbët edhe për gjëra më elementare e alarmojnë Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kurse neve, edhe pse, për 12 ditë na mbetën policët e bllokuar në pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjakë, nuk ndodhi asnjë kërkesë drejtuar organizatave humanitare ndërkombëtare për tërheqjen e policëve të bllokuar derisa KFOR-i i shpëtojë pas reagimit të Sindikatës së Policisë, pas përkeqësimit të gjëndjes shëndetësore të disa pjestarëve të policisë kufitare.

Lirimi i Pantiçit fitore e Serbisë

Pavarësisht faktit se a do të ndodh heqja e mënjëhershme e barrikadave në veri të vendit apo jo, lirimi, përkatësisht ndryshimi i masës së sigurisë, nga paraburgimi (në stacionin policorë) në arrest shtëpiak për personin i cili ka sulmuar me bombë anti-shok anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri është fitore e pastër e Serbisë.

Deklaratat e sinkronizuara mes lidershpit shtetërorë dhe KGJK-së, nuk janë gjë tjetër veqse lojë për të mbuluar humbjen e kredibilitetit dhe dështimit në menaxhimin e krizës së krijuar në veri.

E keqja nuk përfundon më kaq, pas këtij lirimi të turpshëm të Pantiçit, nuk do të ndodh më asnjë ndjekje penale apo arrestim i barrikadueseve “paqësorë” dhe asnjë ndjekje apo dënim për sulmuesit e pjestarëve të policisë së Kosovës dhe gazetarëve përgjatë 20 ditëve të fundit në Veri!

Urojmë që ky të jetë dështimi i fundit i institucioneve shtetërore në shtrirjen e sovranitetit në veri! “Një dorë që nuk mund të thyhet, nuk bën të puthet assesi”, për fat të keq kështu ndodhi, personi i cili i sulmoi institucionet shtetërore, lejohet për t’u mbrojtur në liri!!!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.