GADISHULLI I HALKIDIKIT: NJË POEMË E NATYRËS DHE HISTORISË

0
Sabile dhe Tefik Basha

BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

(Pjesa e dytë)

Gadishulli i Halkidikit, një mrekulli e natyrës në jug të Selanikut, është një vend që flet me një gjuhë të veçantë të bukurisë. Me tre gadishuj të veçantë – Kassandra, Sithonia dhe Athos – ai paraqet një pasuri të pazëvendësueshme të ujërave kristalorë dhe peizazheve mahnitëse që shpërndajnë ngjyrat e smeraldit dhe blu.

Ky rajon, me bregdetet e tij të mbushura me plazhe magjepsëse, ka fituar famë si një destinacion i dashur për pushime verore. Vizitorët që kërkojnë relaksim pranë detit, ngasje historike, kuzhinën tradicionale, ose emocionet e sporteve të ujit, do të gjejnë në Halkidiki një strehë të përsosur për shpërndarjen e stresit dhe përjetimin e bukurive natyrore.

Në këtë vend, ku pyjet mesdhetare dhe gjiret e mbrojtura krijojnë një panoramë të mrekullueshme, Halkidiki shtrihet në detin Egje dhe ndodhet në jug të Selanikut. Ndërmjet këtyre peizazheve, ndodhen dy liqene të famshme – Volvi dhe Koronia – që kontribuojnë në bukurinë dhe rëndësinë kulturore të këtij rajoni.

Në këtë rajon të mbushur me trashëgimi historike, dy vendet më të rëndësishme arkeologjike janë Stageira dhe Olynthus. Stageira, vendlindja e filozofit të madh Aristotel, dhe Olynthus, me mozaikët e saj të ruajtur mirë, pasqyrojnë artin dhe kulturën e lashtë.
Maja më e lartë e Halkidikit arrin 2,033 metra mbi nivelin e detit dhe ndodhet në majën e Malit të Shenjtë. I rrethuar nga deti Egje, ky rajon ofron një peizazh të jashtëzakonshëm detar dhe ajër të pastër, duke krijuar një ambient të qetë dhe të shëndetshëm për ata që e vizitojnë. Ujërat blu kristal të këtij rajoni janë një standard i lartë për turistët që kërkojnë një përvojë të përsosur bregdetare dhe shpërthimin e ngjyrave të natyrës.

Hoteli Aegean Melathronthalasso

Në ritmin e një ndarjeje të ëndrrave, kishim vendosur që pushimet ti kalonim mu në këtë rajon të Halkidikit. Pas pushimit që bëmë në fshatin bregdetar, ndërsa mendimet e mia shkonin përtej fushave të pafundme të Greqisë, te deti i pastër dhe i
ngrohtë si një përqafim i butë. Megjithatë mendja nuk më shqitej nga ikjet e shqiptarëve që kishin ngulitur këmbë në Greqi, duke krijuar një jetë të re e të veçantë. Dielli përvëlonte dhe lodhja na kishte mbërthyer, kur papritmas zëri i ëmbël i Benit më ndihmoi të rikthehesha në realitet. Me entuziazëm, ai shpalli: “Nushi, ja mbërritëm!”

Tefik Basha, Korfuz, qershor 2024

Para nesh shfaqej një kodër e mbushur me vila të mahnitshme, ku çdo cep ishte i zbukuruar me kopshtet e vogla që uleshin në një spektakël ngjyrash. Pishinat e kaltërta, të dukshme si pjesë private e çdo vile, dremisnin nën diellin e nxehtë, dhe ndonjëherë mund të shihje turistë që freskoheshin në to. Ishte një pamje që të magjepste, një krijim që të lë pa fjalë. Arkitekti që kishte konceptuar këtë vend kishte krijuar një hapësirë të mrekullueshme, me një shije të hollë dhe një ndjeshmëri të veçantë për bukurinë.

Beni, i mbushur me gëzim, donte të na tregonte çdo kënd të resortit. Ndërsa Tefiku dhe Agoni merreshin me formalitetet e regjistrimit, ai më mori për dore dhe më çoi të shihja plazhin, detin dhe pishinat e shumta. Kur u kthyem, ata na prisnin për të na dhënë çelësat e dhomave. Vendi ishte një mrekulli; shtëpitë, të gjitha me dy kate, ofronin një privatësi të thellë. Para secilës shtëpi, pishinat e mbushura me ujë deti pluskonin nën diell, ndërsa aksesorët për relaksim në pishinë – shtretër, karrige dhe peshqirë – ishin të disponueshëm në çdo moment.

Gjelbërimi dhe lulet e bukura ishin kudo. Rrugicat e shtruara me kalldrëm ishin të gjalla nga kamionetat e vogla që transportonin njerëzit nga dhomat në restorante ose në plazh. Veturat i parkuam në një parking të mbuluar, që ruante hije gjatë gjithë ditës.

Me valixhet në duar, ndaluam një nga ato kamionetat që na çoi në dhomat tona. Na vendosën në katin e dytë të një vile, nga ku shihnim një pamje magjepsëse të detit, dhe nën shtëpi ishte pishina më e bukur që kisha parë ndonjëherë. Agoni kishte rezervuar një dhomë në katin e parë për Benin, dhe pishina ishte aq afër sa dukej si një zgjatim natyral i dhomës.

Aegean Melathron është një hotel luksoz me pesë yje, pjesë e Grupit të Hoteleve Aegean Star. Rrethuar nga një pyll që shtrihet deri në plazhin privat të Gjirit të Toronit, ky hotel ofronte një qasje në nëntë pishina. Dhomat moderne dhe luksoze kishin ballkone ose oborre të mobiluara, që ofronin pamje nga kopshtet dhe pishinat e mirëmbajtura, ose nga deti Egje. Këtu, relaksimi ishte i garantuar.

Beni ishte në një gjendje gëzimi të pafund, duke mos ndalur së foluri për gjithçka që shihte dhe që e mahniste. Ai vraponte nga dhoma në dhomë, duke na shtyrë të eksploronim çdo cep të resorit me të njëjtin entuziazëm.

Tefik Basha, Albina Balidemaj-Basha, Agon Basha dhe Sabile Keçmezi-Basha, Hoteli Aegean Melathronthalasso, qershor 2024

Rruga e gjatë dhe vapa përvëluese na kishin lodhur, kështu që vendosëm të pushojmë pak para se të vazhdonim eksplorimin. Në orën 19:00 fillonte shërbimi i darkës në restorant, dhe ne duhej të ishim atje. Darka ishte një festë e pasur me ushqime të ndryshme, dhe megjithëse asnjëri prej nesh nuk ishte një gurman i veçantë, gjetëm gjëra të thjeshta që i konsumonim edhe në shtëpi. Supa ishte e preferuara jonë, dhe e përfunduam darkën me nga një flegër bostan të freskët.

Por dita nuk mund të përfundonte pa një shëtitje në plazh, që ishte shumë afër. Deti ishte i qetë, pa valë dhe i ngrohtë, ndërsa rëra e bardhë dhe e imët shtonte ndjesinë e relaksit. Çadrat e plazhit ishin të mëdha, mjaftueshëm për të strehuar katër ose pesë persona. Buzë plazhit kishte restorante të shumta që ofronin shërbime të ndryshme, përfshirë kafe greke dhe akulloren time të preferuar, karamele. Çadrat veçantë kërkonin pagesë, por përfshinin shërbim falas të ujit dhe kafesë.

Nata e parë në këtë resorët kaloi shpejt. Në mëngjes, sipas Benit, duhej së pari të laheshim në pishinë e pastaj të hanim mëngjesin. Ashtu edhe bëmë. Pas mëngjesit, unë mezi prisja të shkonim në det. Edhe pse nuk jam ndonjë adhuruese e madhe e detit, këtë herë ai më provokonte me qetësinë dhe ngrohtësinë e tij të paqme.

Evelina

Në hotel, vaktet ishin shërbime suedeze, me një bollëk të llojllojshëm ushqimesh. Përpiqesha ta bindja Benin të hante diçka, por ai bënte naze, duke zgjedhur palëpetët, para supës e patateve të skuqura, ndërsa unë vrapoja pas tij, duke e lutur që të zgjedhte diçka nga gjithë ai bollëk në menynë e darkës. Ankohesha me Albinën se ai nuk mori asgjë për të ngrënë, kur befas më afrohet një vajzë e bukur dhe më thotë në shqip: “Zonjë, nuk ka problem, ne i përgatisim palëpetë bukuroshit.” Sytë më mbetën të hapur dhe isha e habitur tej mase: “Shqiptare je?” e pyeta me gëzim. “Jo vetëm unë, por edhe drejtori i restorantit, ai është nga Tropoja,” më tha ajo, dhe ndjeva një gëzim të ngrohtë që kapërceu bisedën tonë të thjeshtë.

Në këtë udhëtim, takuam shumë shqiptarë, kryesisht emigrantë të viteve ’90, të cilët tani, me fëmijët e tyre të lindur në Greqi, kishin krijuar jetën e tyre të re. Këta të rinj ishin të shkolluar dhe mbanin pozita të respektuara, siç ishte edhe Evelina. Një vajzë e re, e topolake dhe e hareshme, që na priti me buzëqeshjen e saj të përjetshme sapo hymë në hotel. Ajo ishte shefe e sallës, dhe që nga dita e parë u bë ndihmësja jonë për çdo nevojë, veçanërisht me Benin nazeli.

Një ditë, gjatë një bisede të ngrohtë, Evelina na tregoi për jetën e saj. Ajo kishte lindur në Greqi, kur prindërit e saj ishin larguar nga Shqipëria në kohën e rënies së komunizmit. Fliste me mall për vendin e origjinës, dhe një mbrëmje më tha me emocion: “Sa gëzohem që do të takohemi përsëri nesër! Më pëlqen të flas shqip, sepse rrallëherë kam mysafirë shqiptarë.” Në Greqi kishte shumë emigrantë shqiptarë, por, për habi të saj, ata nuk flisnin shqip me njëri-tjetrin. “Në shtëpi flas me nënën, vëllain e motrën,” tha ajo, “por dalëngadalë edhe gjuha harrohet. Ka fjalë që nuk i kuptoj kur flisni ju.” Megjithatë, ajo dëshironte të sfidonte veten dhe të ruante gjuhën e saj, dhe fliste aq ëmbël.

“Babai im,” më tha ajo, “ka shumë vite që është vendosur këtu në një fshat të afërt, por asnjëherë nuk ka folur greqisht në shtëpi. Kur na dëgjonte që flisnim greqisht, na qortonte. ‘Në rrugë dhe në punë po, por në shtëpi jo,’ thoshte gjithmonë. ‘Kjo është shtëpi shqiptari, dhe gjuha shqipe nuk duhet të harrohet kurrë.’”

Kështu, në këtë vend të largët, mes ushqimit dhe bisedave të përzemërta, një gjuhë e lashtë përpiqej të ruante rrënjët e saj, duke mbajtur gjallë një trashëgimi që fshihej thellë në zemrat e atyre që e lanë pas atdheun, por nuk e lanë pas shpirtin e tij.

Ditët kalonin dhe, me Evelinën, vajzën e bukur nga Shqipëria, qëndronim gjatë, edhe pasi ajo e mbaronte orarin e punës. Ajo ishte e hapur, e çiltër dhe fliste lirshëm për jetën dhe punën e saj. Një ditë më tregoi se si, kur ishte e vogël, shpesh e shihte babain e saj duke qarë fshehtas nga të gjithë. Sidomos kur ai fliste në telefon me mamanë e tij nga Shqipëria. Mërzia e kaplonte shpesh, lotët i rridhnin pa u ndalur, dhe me një zë të dridhur thoshte: “Nënë, nuk bën telefoni, të thërras më vonë.”

Vetëm pasi qetësohej nga vaji, e telefononte sërish, dhe biseda zgjaste gjatë… gjatë. Në shtëpinë tonë festohej sa herë që babai merrte lajme nga Shqipëria, i përqafonte të gjithë dhe ndante me ta të rejat që sillte.

Sabile Keçmezi-Basha, Albina Balidemaj-Basha, Tefik Basha, Ben Basha dhe Agon Basha, Selanik, qershor 2024

Babai e donte shumë mamanë e tij, dhe nga dashuria e tij, edhe na ishim mësuar ta donin gjyshen fort. Ai gjithmonë kishte frikë se mos dëgjonte ndonjë lajm të hidhur, sepse e dinte se gjyshja ishte në moshë të shtyrë. Kur e pyeta Evelinën për babain e saj, ajo u ndal pak dhe më tregoi më shumë: “Zoti deshi, dhe para tri vitesh babai vendosi të shkonte në Shqipëri. Donte të vizitonte nënën e tij, fshatin e lindjes, malet dhe kodrat e Shqipërisë, por çuditërisht babai nuk e përmendte shumë babain e tij. Na kishte treguar më parë se i ati kishte qenë i ashpër, por e kuptonte, sepse jeta e vështirë e kishte bërë të tillë.”

Pas disa ditësh, babai i saj u kthye nga Shqipëria i ndryshuar, por për të mirë. Ai ishte më i lumtur, më i qeshur, dhe ndonjëherë, duke punuar, fërshëllente apo këndonte ndonjë këngë të panjohur për ta. Nëna e dëgjonte duke treguar për njerëzit që kishte takuar në fshat: “Ai filani kishte vdekur, ai komshiu kishte ikur në Itali. Fatbardha, e njeh? Djalin e saj e kam pasur shok, tani ka shtatë fëmijë, të gjithë si molla, të shëndetshëm. Shqipëria kishte ndryshuar shumë, për mirë. Një ditë do të shkojmë të gjithë atje, ta shohim nënën dhe vendin tonë të bukur.”

Por tmerri erdhi papritur. Një ditë, babai mori një telegram nga halla e tij në Shqipëri: “Vëlla, ngushëllime, nëna mbrëmë iku, me emrin tënd në gojë…” Ai e lexoi telegramin dhjetëra herë, pa mundur ta besonte. Ishte sikur zemra i thoshte jo, ndërsa letra i thoshte po. Ne e përqafuam dhe e ngushëlluam, duke i folur për gjyshen me fjalët më të mira, por mërzia si rrjetë merimange i kishte mbuluar fytyrën. Lotët nuk ishin më të fshehtë, por të dukshëm, si kujtimet e një njeriu që kishte humbur një pjesë të shpirtit të tij.

Pas lajmit tragjik, babai u thye plotësisht, si një pemë e rrëzuar nga era e fatkeqësisë. Fillimisht, lodhja i afrohej ngadalë, sikur të ishte një hije që nuk largohej kurrë. Nuk hante më ushqimin që mamaja i përgatiste me dashuri, dhe filloi të humbiste përkohësisht në labirintet e mendjes së tij. Herë pas here, ne na shihte si të huaj, sikur nuk ishim më fëmijët e tij. E thërriste mamanë me emrin e nënës së tij, dhe bisedonte me të për kohën e fëmijërisë, për vitet e humbura që nuk do të ktheheshin më. Mamaja ime e dashur e kuptonte vuajtjen e tij të thellë dhe përpiqej ta mbronte nga errësira e kujtimeve që e përpinin.

Ai kërkonte shtëpinë e vjetër, atë që ishte larg nesh, në Shqipëri, dhe e luste nënën që të mos qëndronte me fëmijët e huaj, sikur të mos na njihte. Për ne, kjo ishte një dhimbje e papërshkrueshme, ta shihje njeriun që dikur ishte shtylla e shtëpisë, tani i humbur në braktisjen e kujtimeve të largëta. Por ne qëndronim aty, përkrah tij, duke shpresuar për një mrekulli.

Një ditë, mamaja vendosi që të shkonin në Shqipëri, duke shpresuar se ndoshta ajo tokë e dashur do të shëronte plagët e tij. Dhe në fillim, vërtet u duk se ai po kthehej në vete. Kishte diçka ndryshe, një dritë e lehtë në sytë e tij, sikur toka e nënës i jepte forcë.

Mamaja na tregonte se si ai po përmirësohej, dhe ne filluam të shpresonim sërish.
Por, një mëngjes të hershëm, mamaja kuptoi se ai nuk ishte në shtëpi. Alarmoi të afërmit dhe filluan ta kërkonin nëpër vendet që ai vizitonte shpesh, ato vende që i mbanin gjallë kujtimet e tij. E kërkuan gjithandej, dhe në fund, një fshatar e gjeti të shtrirë mbi varrin e nënës së tij. Ai kishte fjetur përgjithmonë, në gjirin e saj, sikur zemra e tij kishte gjetur paqen e fundit aty ku gjithmonë kishte dashur të ishte.

Evelina më tregoi këtë histori me një frymë, lotët i rridhnin faqeve, dhe sytë e saj fshiheshin pas syzave që i mbulonin dhimbjen. Një thirrje e largoi nga unë, dhe ajo u kthye për të vazhduar punën në restorantin e hotelit. Unë mbeta e ngrirë, e shtangur, duke e përjetuar çdo fjalë të saj. Historia e saj më sillte në mendje pyetjet e mia për fuqinë e zemrës njerëzore, për sa shumë dhimbje mund të mbajë dhe të durojë ajo. Zot, o zot, sa peshë mbajnë këto zemra të gjora që rrahim nëpër jetë…

Me Evelinën u pamë edhe ditëve të tjera, por koha dukej sikur na rrëshqiste ndër duar, pa na lejuar të qëndronim më gjatë. Në mëngjes ajo vinte, na përshëndeste me një buzëqeshje të lehtë, e pastaj largohej me hap të shpejtë drejt punëve të saj, të cilat e prisnin gjithmonë. Kishte një vrull jete në lëvizjet e saj, sikur çdo detyrë që bënte ishte një valë e re që duhej të përballonte.

Kur i tregova atë natën e fundit se të nesërmen do të largoheshim, fytyra e saj u zbeh paksa, dhe në sytë e saj të qeshur u shfaq një hije trishtimi. Nuk i vinte lehtë që po largoheshim, që nuk do të kalonim më ditë të tjera atje, në atë vend që për një kohë të shkurtër na ishte bërë si shtëpi e përbashkët. E ndjeva dhe unë atë keqardhje të heshtur, por i premtova se do të kthehesha, ndoshta vitin tjetër, ose qoftë për ndonjë fundjavë të papritur.

Agon Basha, Ben Basha, Tefik Basha, Albina Balidemaj- Basha dhe Sabile Keçmezi-Basha, Hoteli Aegean Melathronthalasso, qershor 2024

U përshëndetëm ngrohtësisht, duke ndërruar numrat e telefonit si nnjë premtim i heshtur për të mbajtur lidhjen tonë të gjallë në distancë. Në ato momente, fjalët u ndjenë të vogla, por urimet e mia për shëndet dhe lumturi për të mbetën si një gjurmë e gjatë në kujtesë. Dhe ashtu, me zemrat e mbushura me ndjenja të përziera, i thamë lamtumirë njëra-tjetrës, duke shpresuar që rrugët tona të kryqëzoheshin sërish, një ditë, diku në rrugët e jetës.

(vijon)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.