Atë e lamë Aty…

0
323
Stefan Çapaliku

Stefan Çapaliku

Atë e lamë Aty…

Mandej erdhi koha të ktheheshim nga varrezat dhe
Atë e lamë Aty…
I pari që ia mbathi qe prifti.
Ai ndoshta kishte një tjetër varrim,
në tjetrën varrezë të qytetit,
ose ndokush mund ta priste për një gastare.
Askush nuk kishte tagër ta pyeste.
Ne thjeshtë,
Atë e lamë Aty.
Të tjerët ndezën makinat e veta
dhe nisën ta kishin mendjen
te gropat e rrugës.
Në makinën tonë qemë katër.
Vuna re sesi ime shoqe u ankua se
e kishte vra shumë njena prej këpucëve.
Me gjasë e majta…
Çifti tjetër
Kishte merakun e kthimit nga kishin ardhë.
Gruaja shikoi sahatin dhe i tha të shoqit
se nëse nuk shpejtonin
do ta gjenin mbyllë dyqanin.
Ti gjithmonë ndjell keq, i tha ai.
Askush nuk e ktheu kryet mbrapa
Të shihte sesi Atë e lamë Aty.
Tani ne thjesht e merrnim me mend
se Ai kishte mbetë Aty,
mbulue me kunora me lule të bardha
dhe me shirita mëndafshi,
me dedikime gjithfarësh.
Sundonin tekstet gjysëmpoetike, si
“Në kujtim të fundit, etj…”
Papritmas doli dielli.
Grueja vuni re se kishin nisë me çelë kumbullat
anës rrugës.
Dy fëmijë e sulmuen makinën tonë
me fjalët: Të rroni vetë
dhe me duart e shtrime për ndonjë soldë
Duhej të ktheheshim në punë!
Bota duhej ekuilibrue sërish.
Në semafor vuna re se në fejsbukun tim
qenë shtue komentet ngushëlluese për Atë.
Bota duhej ekuilibrue sërish.
Por për momentin nuk qemë të sigurtë se si.
Nuk di se kush do mund ta kryente ma mirë këtë punë:
Ne që po vraponim apo Ai që lamë Aty?

28 Mars 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.