Autore:
Elife LUZHA
16.11.2025
Përgjatë historisë, shqiptarët janë përballur me beteja dhe sakrifica të mëdha, por gjithmonë me guxim dhe dinjitet i kanë sfiduar ato. Sot, megjithatë, po përballemi me një sfidë të re – më delikate, më të ndërlikuar dhe më të ndjeshme. Fjala është për rënien e dukshme të tolerancës, respektit dhe mirëkuptimit ndaj njëri – tjetrin. Duket sikur kemi harruar rëndësinë e dëgjimit para reagimit dhe të mirëkuptimit para gjykimit.
Pa e fituar këtë sfidë të brendshme, edhe arritjet tjera e humbin kuptimin, sepse kur mungon harmonia shoqërore, dobësohet edhe fryma që na bashkon si shoqëri dhe si komb.
Një shembull i kësaj gjendjeje është reagimi i ashpër ndaj një veprimi simbolik të deputetes së Kuvendit të Kosovës, A.M. Ajo ndërmori një akt me ngjyrim politik e simbolik – një veprim që në çdo shoqëri demokratike, do të konsiderohej shprehje e mendimit të lirë dhe formë e komunikimit me qytetarët.
Reagimet që pasuan ndaj saj, ishin agresive e fyese, madje u shoqëruan edhe me thirrje për ndëshkim e arrestim – një realitet shqetësues për shoqërinë shqiptare, e cila ndër shekuj ka nderuar figurën e gruas, urtësinë, butësinë dhe dinjitetin njerëzor.
Të dashur miq,
Ka ardhur koha të reflektojmë seriozisht mbi mënyrën si komunikojmë dhe ndërveprojmë me njëri – tjetrin. Në vend të akuzave, dënimeve verbale apo kërkimit të fajtorëve, duhet të orientohemi drejt gjetjes së zgjidhjeve dhe nismave që forcojnë unitetin mes nesh. Shoqëria jonë ka nevojë për modele me integritet: profesionistë që punojnë me nder, mësues frymëzues, të rinj krijues dhe për qytetarë që kontribuojnë në mirëqenien e komunitetit.
Në këtë drejtim, roli i intelektualëve, mendimtarëve dhe politikanëve është thelbësor. Ata duhet të jenë shembull i maturisë, i gjuhës së përmbajtur dhe i përkushtimit ndaj interesit të përbashkët. Vetëm përmes një diskursi të kujdesshëm mund të kultivojmë një kulturë të re politike dhe qytetare – një kulturë respekti dhe mirëkuptimit reciprok.
Ne që i kemi dhuruar botës personalitete të ndritura të humanizmit, si Shën Tereza, duhet të dimë të dhurojmë fjalë të mira edhe mes nesh. Kjo mund të duket e thjeshtë, por fjala ka fuqi: po aq sa mund të helmojë, mund edhe të shërojë. Prandaj, zgjedhja është në duart tona – dhe të zgjedhësh të mirën është gjithmonë një akt fisnik. Apo siç thoshte mendimtari dhe perandori romak, Mark Aureli: “ajo për të cilën duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm është veprimi ynë i drejtë dhe kontributi për të mirën e përbashkët”.
Ky shkrim synon të shërbej si thirrje për reflektim dhe veprim të ndërgjegjshëm. Secili prej nesh ka mundësinë dhe detyrimin moral të kontribuojë për ndërtimin e një shoqëri më të drejtë, më të përgjegjshme dhe më të bashkuar.
Le të bëjmë që Nëntori – muaji i Festës së Flamurit dhe i krenarisë sonë kombëtare – të shënjojë rikthimin e kulturës së mirësjelljes, respektit dhe mirëkuptimit mes nesh.
Ashtu qoftë!











