Diskursi demografik
Të dhënat e publikuara nga MONSTAT-i kohë më parë për pesë muajt e parë të këtij viti dëshmojnë së në Mal të Zi më tepër vdesin se sa lindin, nga del se këtu është e pranishme “murtaja e bardhë” që i ka përfshi 16 komuna, proces i cili është i pranishëm vite më radhë me pasoja jo vetëm demografike në këtë mjedis
Nail Draga
Sipas të dhënave nga MONSTAT-i, në pesë muajt e parë të këtij viti numri i të vdekurve është më i lartë se sa i të lindurve, ndërsa situata me shqetësuese është në komunat në veri të vendit. Trendi negativ i shtimit natyror të popullsisë paraqet problem demografik për Malin e Zi, çështje e cila nuk është momentale por si proces është i pranishëm vite me radhë.
Sipas të dhënave nga MONSTAT-i rënie më të lartë të shtimit natyror të popullsisë është në Plevle, Bijellopole dhe Plluzinë-komuna të cilat me dekada kanë rënie të numrit të popullsisë si nga shtimi natyror por edhe nga procesi i migrimit.
Të rrezikuara 16 komuna
Sipas të dhënave në pjesën e parë të këtij viti shtimin natyror negativ është i pranishëm në 16 komuna, nga 25 sa janë në Mal të Zi. Situata me shqetësuese është në Plevle që është -119, pason Nikshiqi -81, Bijellopole -62, Herceg Novi -37, Cetina -35, Danillovgradi -31, Kotori -18, Plluzhina -17, Andrijevica, Kollashini e Mojkovci -13, Berana e Shavniku -12, Zhablaku -10, Petnica e Gucia -9.
Ndërsa në gjashtë muajt e parë kanë lindur 3.214 fëmijë të gjallë, e nga to 1.679 djem dhe 1.535 vajza.Më së paku fëmijë kanë lindur në Shavnik (3) dhe Plluzhinë (9), ndërsa më së shumti në Podgoricë (1.076) dhe Nikshiq(311).
Lëvizjet negative migruese
Dukuria e migrimit të popullsisë sipas komunave, në mes popullsisë së imigruar e asaj të emigruar me e theksuar është në Rozhajë e Plevle. Për këtë periudhë kohore në Rozhajë janë vendosur 10 banorë, ndërsa nga kjo komunë janë larguar 95 banorë, në Plevle janë vendosur 14 qytetarë të rinjë ndërsa janë larguar 92 banorë. Saldo negative migruese kanë edhe këto komuna: Bijellopole (-70), Cetina (-59), Shavniku (-40), Mojkovaci (-38), Berane (-31), Nikshiqi (-25), Tuzi (-24), Andrijevica (-21), Herceg Novi (-18), Petnjica (-13), Plav (-12), Zhablaku (-10), Zeta (-8), Pluzhina e Tivati (-7).
Shpopullimi, dukuri shqetësuese
Në sajë të dhënave nga regjistrimi i popullsisë(2023) del se në Mal të Zi është e pranishme procesi i shpopullimit të vendbanimeve. Kështu në sajë te tyre të dhënave del se në Mal të Zi janë 277 vendbanime me më pak së 10 banorë, 73 vendbanime pa banorë të përhershëm, ndërsa në regjistrimin e vitit 2011 kanë qenë 39 vendbanime të tilla, proces i cili do të vazhdojë me rritje të tillë.
Në lidhje me këtë çështje shqetësuese me i theksuar është migrimi i popullsisë në regjionin verior të vendit, sepse ne periudhën 1991-2023, në tërësi kanë migruar 65.940 banorë, ndërsa për periudhën nga viti 2011-25.258 banorë.
Rënia e natalitetit dhe emigrimi i popullsisë ka ndikuar edhe në moshënimin e popullsisë në nivel vendi, ku pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjeç sipas regjistrimit të vitit 2011 ishte 12% ndërsa tash është rritur në 16.8% që paraqet pjesëmarrje të lartë.
Ende pa të dhëna sipas vendbanimeve
Ndonëse të dhënat nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2023, MONSTAT-i i ka publikuar për numrin e banorëve në nivel vendi dhe komunave, por për vendbanimet ende nuk janë publikuar. Mungesa e të dhënave të tilla nuk mund të arsyetohet, sepse opinioni i gjerë vetëm atëherë ka mundësi për analiza të strukturave të ndryshme të popullsisë në vendbanimet përkatëse.
Mërgimtarët vetëm si numër
Nga ana tjetër për mërgimtarët përkatësisht qytetarët nga Mali i Zi të cilët punojnë, jetojnë e shkollohen në botën e jashtme ma tepër se një vit, është publikuar numri prej 44.017 banorëve, por, MONSTAT-i e ka obligim të paraqes të dhënat e tilla sipas strukturës kombëtare, gjuhësore e fetare, nga cilat komuna janë dhe në cilët vende jetojnë.
Cekim me këtë rast se një dukuri e tillë është paraqitur në regjistrim e popullsisë në vitin 2011, pa ndonjë arsyetim sepse çdo mërgimtar ka emrin e mbiemrin e vet dhe përkatësisnë kombëtare e gjuhësore.
Kujtojmë se në sajë të regjistrimit të popullsisë të mbajtur në vitin 2003, rreth 1/3 e mërgimtarëve ishin shqiptarë, ku në sajë të rrethanave sociale e shoqërore për këto dy dekada trendi i tillë nuk ka pësuar rënie por ka vazhduar në të gjitha viset shqiptare në Mal të Zi, duke qenë popullsia me nivel më të lartë të emigrimit në vend, që është dëshmi e statusit social e shoqëror në këtë mjedis.
Po ashtu MONSTAT-i duhet të publikojë të dhënat edhe për 46.877 shtetas të huaj të cilët kanë vendqendrim në Mal të Zi, nga cilët vende janë, në cilat qytete qendrojnë, cilës kombësi e fe i takojnë, dhe cilën gjuhë e flasin.
Përfundim
Në Mal të Zi shtimi natyror i popullsisë vazhdon me trendin negativ, që paraqet alarm jo vetëm demografik, por, nga ana e qeverisë përveç deklarateve të rastit nuk janë duke u angazhuar me masa konkrete për zbutjen e gjendjes ekzistuese, e cila është me e theksuar në komunat veriore të vendit.
Ndonëse në lidhje me këtë çështje qeveria aktuale ka themeluar Drejtorinë për demografi në kuadër të Ministrisë të përkujdesjes sociale, kujdesit ndaj familjes dhe të demografisë, rezultatet konkrete mund të priten vetëm pas disa viteve e deri atëherë opinionit i mbetet të analizojë të dhënat periodike nga ana e MONSTAT-it, të cilat janë dëshpruese dhe me pasoja të përgjithshme shoqërore.
(Shtator 2025)