Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
MUKADEZE LIKA MUHAXHERI
(2.4.1960-9.4.1999)
Trimen e madhe Mukadeze Lika-Muhaxheri më ka rënë rasti ta takoj në vitet e vështira të para luftës, kur për një punë kishte ardhur në shtëpinë time në lagjen Arbëri, në Prishtinë. Deri atëherë nuk e njihja personalisht – ajo ishte një emër i njohur në rrethin e saj, por për mua ishte një figurë ende e panjohur. Megjithatë, ai takim i parë dhe i paplanifikuar më mjaftoi për ta njohur më mirë dhe për të më lënë mbresa të thella e të paharrueshme.
Në atë bisedë të thjeshtë, shoqëruar me një kafe të përzemërt, ajo dëshmoi një qëndrim të jashtëzakonshëm që rrallë e has. Ishte një qëndrim burrëror në kuptimin më të mirë të fjalës – një përzierje dinjiteti, vendosmërie dhe qartësie që tregonte një karakter të fortë dhe të sigurt. Por ajo që e plotësonte dhe e bënte të veçantë personalitetin e saj ishte ngrohtësia e natyrshme, ajo dashamirësi e butë që të bënte të ndiheshe menjëherë e afërt dhe e mirëpritur.
Si zonjë dhe nënë e mrekullueshme, Mukadezeja rrezatonte një kujdes dhe një dashuri që vinte nga thellësia e shpirtit të saj të pasur. Nga ajo bisedë nuk mbaj mend vetëm fjalët që ndërruam, por më shumë ndjenjën e fortë të respektit dhe besimit që ajo dinte të përcillte tek tjetri. Ajo ishte një nga ato personalitete të rralla që, edhe me një takim të vetëm, të bëjnë për vete, të frymëzojnë dhe të lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesë.
Në sytë e saj të ndritshëm ruhej një ngrohtësi e pastër, pothuajse fëmijërore, që të afronte pa mundim dhe krijonte një ndjesi të menjëhershme besimi. Por, përtej kësaj butësie të lindur, vërehej qartazi edhe një vendosmëri e patundur dhe një karakter i prerë, ajo fliste hapur, me një sinqeritet të admirueshëm, sikur të mos kishim qenë fare të huaja, por shoqe të vjetra që ndanim të njëjtat shqetësime dhe ideale.
Gjatë bisedës sonë më tregoi me një shqetësim të madh për gjendjen politike në Kaçanik. Më shpjegoi pa e zbukuruar aspak realitetin se atje situata ishte shumë e rënduar, dhe se përballja me okupuesin po bëhej gjithnjë e më e afërt dhe më e vështirë. Në zërin e saj nuk kishte frikë e as ankth të zbrazët, por një analizë të kthjellët dhe të ndershme të sfidave që i prisnin.
Kur u ndamë, më kujtohet qartë mënyra si e përmbylli takimin – me një vendosmëri të thellë që la mbresa të pashlyeshme. Më tha me një ton të qetë, por të ngarkuar me vendosmëri dhe besim të patundur: “Megjithatë, ne do ta bëjmë atë që duhet bërë. Do të dalim e do ta mbrojmë atdheun tonë, cep më cep.” Ishin fjalë që nuk ishin thjesht një premtim i zakonshëm, por një betim i heshtur dhe solemn që dëshmonte shpirtin e saj luftarak dhe dashurinë e palëkundur për vendin.
Pastaj shumë muaj kaluan, shpërtheu lufta, duke ndryshuar përgjithmonë jetët dhe horizontet tona. Nëpërmjet disa grave nga Kaçaniku mora vesh një lajm që më lumturoi me forcën e një lajmi të thellë- Mukadezeja i ishte bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë. Ky lajm më befasoi jo pak, jo pse vlerësoja më pak vendosmërinë e saj – të cilën e kisha njohur që në takimin tonë të parë – por sepse e dija mirë se ajo ishte nënë e katër fëmijëve të vegjël.
Ishte e pamundur të mos ndalesha dhe të mos reflektoja mbi madhështinë e këtij vendimi. Ajo nuk kishte zgjedhur rrugën e sigurisë personale dhe të ngushëllimit familjar në një kohë kur çdo nënë do të kishte përqafuar fort fëmijët e saj për t’i mbrojtur. Përkundrazi, ajo kishte zgjedhur të ngrihej kundër pushtuesit, duke lënë prapa gjithçka të shtrenjtë, për t’u bërë pjesë e përpjekjes së madhe për liri.
Vendimi i saj ishte një akt i rrallë guximi dhe sakrifice – një shprehje e pastër e dashurisë së pakufishme për atdheun. Në thelb, ajo kishte zgjedhur të luftonte jo vetëm që fëmijët e saj të rriteshin të lirë, por që çdo fëmijë i Kosovës të kishte të drejtën të rritej i lirë në token-nënë, pa frikë dhe pa dhunën e pushtuesit mbi supe. Ishte një zgjedhje që tregonte qartësisht madhështinë morale të Mukadezes – një nënë që nuk kufizoi dashurinë vetëm te familja e vet, por e shtriu atë në përqafimin e gjithë vendit dhe të brezave të ardhshëm, duke u bërë simbol i përhershëm i sakrificës dhe i përgjegjësisë së lartë qytetare e kombëtare.
Mukadeze Lika kishte lindur më 4 prill të vitit 1960 në qytetin e njohur për tradita atdhetare dhe shpirt rezistence – Kaçanik. Ajo ishte bija e Bafti Likës dhe Hazbije Likës, një çift që ndërtoi një familje të madhe dhe të bashkuar, duke sjellë në jetë dhjetë fëmijë: tetë vajza dhe dy djem.
Në këtë familje të madhe, e mbushur me jetë dhe zëra fëmijësh, mbizotëronte një atmosferë e ngrohtë dhe përkujdese. Prindërit e Mukadezes ishin shembull i përkushtimit dhe i dashurisë prindërore, duke bërë çmos që secili prej fëmijëve të tyre të rritej me vlera, edukatë dhe përgjegjësi. Ata ndanin çdo ditë me ta gëzimet dhe vështirësitë, duke u përpjekur t’i mësonin virtytet e nderit dhe të dashurisë për vendin.
Kur Mukadezja mbushi moshën shtatë vjeçare, si çdo fëmijë i etur për dije, ajo u ul në bankat e klasës së parë në shkollën fillore të Kaçanikut. Në atë mjedis të ri, ku sfida e parë ishte përshtatja me rregullat dhe ritmin e mësimeve, Mukadezja u adaptua me një lehtësi të admirueshme. Ajo tregoi menjëherë zell dhe seriozitet, duke u dalluar për rezultate të shkëlqyera që e bënin të lumtur jo vetëm mësuesit, por mbi të gjitha prindërit e saj.
Çdo arritje e saj ishte një burim gëzimi dhe krenarie për familjen. Prindërit e ndiqnin me sy të ndritshëm dhe me zemër të ngrohtë rrugëtimin e saj të parë në botën e dijes, duke i qëndruar pranë dhe duke i dhënë mbështetje të vazhdueshme. Kështu, që në hapat e parë të jetës, Mukadeze Lika formoi themelet e një karakteri të fortë, të përkushtuar dhe të ndritur – vlera që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës dhe që do të mishëroheshin më vonë në aktet e saj të mëdha të dashurisë për atdheun.
Fëmijët e familjes Lika u rritën dhe u edukuan në një mjedis ku dashuria për atdheun nuk ishte thjesht një fjalë e zbrazët, por pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Prindërit e tyre, me kujdes dhe ndjeshmëri të veçantë, kultivuan tek ta ndjenjën e thellë të përkatësisë kombëtare dhe krenarinë për historinë e popullit të tyre.
Në netët e gjata të dimrit, kur familja mblidhej pranë oxhakut, ata nuk kursenin rrëfime për historinë e lavdishme të trevës së tyre. Fëmijët dëgjonin me kureshtje dhe admirim histori të betejave të shumta që ishin zhvilluar në Grykën e Kaçanikut – një vend simbolik i rezistencës dhe heroizmit shqiptar. Në ato orë të vona, fjalët e prindërve nuk ishin vetëm tregime për të kaluarën, por mësime të gjalla mbi përgjegjësinë dhe nderin që duhej ruajtur dhe trashëguar.
Mukadezeja e vogël, me shpirtin e saj të ndjeshëm dhe kureshtar, përthithte çdo fjalë. Ajo nuk ishte thjesht dëgjuesja e heshtur e këtyre rrëfimeve – qysh në moshë të vogël, i kishte mësuar përmendësh dhe i këndonte me pasion vargjet kushtuar heroit Idriz Seferi, duke u bërë zëri i asaj kujtese kolektive që gjallëronte në çdo shqiptar të ndërgjegjshëm.
E rritur me këngët e trimërisë dhe me frymën e krenarisë për qëndresën shqiptare, Mukadezeja formoi qysh herët një ndërgjegje të mprehtë për historinë dhe të drejtat e popullit të saj. Si nxënëse, ajo nuk e kufizoi kureshtjen e saj tek librat e detyrueshme shkollore. Përkundrazi, shpesh merrte në duar literaturë të ndaluar nga pushteti, duke kërkuar të mësonte më shumë për të vërtetën e fshehur dhe të mohuar. Këto lexime nuk ishin thjesht arratisje intelektuale, por akte të vogla rezistence dhe formësimi personal që patën ndikim të thellë në botëkuptimin dhe karakterin e saj. Kështu, ajo u formua jo vetëm si një vajzë e dashur dhe e edukuar, por si një qytetare e ndërgjegjshme dhe e përkushtuar ndaj atdheut, e gatshme që një ditë të ndërmerrte rrugën më të vështirë e më të lavdishme, rrugën e sakrificës për lirinë e popullit të vet.
Me kalimin e viteve, Mukadezeja nuk rritej vetëm fizikisht, duke lëshuar shtat e duke marrë formën e një vajze të hijshme dhe të sigurt në vete, por zhvillohej po aq edhe intelektualisht. Ajo shquhej për një etje të veçantë për dije dhe një përkushtim të rrallë ndaj mësimit, që e bënte të veçohej ndër moshatarët e saj. E vetëdijshme për rëndësinë e arsimimit, Mukadezja vendosi të ndiqte shkollën e mesme ekonomike, duke u regjistruar në shkollën ekonomike të Kaçanikut – një zgjedhje që fliste për largpamësinë dhe seriozitetin e saj. Ajo nuk ishte thjesht një nxënëse e zakonshme që kalonte klasat pa shumë mundim, përkundrazi, e kreu shkollën e mesme me një ritëm të shpejtë dhe me rezultate të shkëlqyera, duke e përfunduar në një afat rekord.
Ky përkushtim nuk ishte i rastësishëm. Brenda saj jetonte një ëndërr e qartë dhe e ndershme, të mos ndalej aty, por të vazhdonte më tej, të hynte në fakultet dhe të bëhej një ekonomiste e mirë, e zonja dhe e përkushtuar. Ishte një aspiratë që nuk shprehte thjesht ambicie personale, por dëshmonte një vetëdije të thellë për nevojën e popullit shqiptar për kuadro të përgatitura dhe të ndershme, të gatshme për t’i shërbyer zhvillimit dhe mirëqenies së vendit.
Kështu, në vitet e rinisë, Mukadezeja e ndërtoi veten jo vetëm si një vajzë e edukuar dhe e vendosur, por edhe si një qytetare me vizion dhe përgjegjësi – një grua e re që nuk donte thjesht të jetonte për vete, por të përgatiste veten për të dhënë kontributin e saj më të mirë për të ardhmen e vendit dhe të popullit të saj. Viti 1981, një vit historik për lëvizjen kombëtare shqiptare në Kosovë, e gjeti Mukadeze Likën dhe motrën e saj, Xhevahiren, në ballë të demonstratave studentore që përfshinë Kaçanikun, Ferizajn dhe Prishtinën. Ato nuk ishin pjesëmarrëse të zakonshme, por zëra të fuqishëm dhe të vendosur, që së bashku me shokët dhe shoqet e tyre formuan një brez të pandalshëm e të papërkulur përballë dhunës dhe shtypjes.
Në ato ditë të zjarrta dhe të mbushura me tension, Mukadezeja dhe motra e saj nuk u trembën nga kërcënimet e pushtuesit, nga prangat apo dhuna policore. Përkundrazi, me guxim të jashtëzakonshëm dhe me një përkushtim të pashoq, ato u vunë në shërbim të lirisë, duke u bërë pjesë aktive e organizimit dhe e përhapjes së mesazhit çlirimtar. Ato shkruanin parulla në mure, në letra e në çarçafë të bardhë, duke e kthyer çdo cep të qytetit në një tribunë të lirë ku shpallej zëri i popullit të shtypur. Çdo fjalë e shkruar nuk ishte vetëm protestë, por një akt i vetëdijshëm sfide, një përpjekje e drejtpërdrejtë për t’i bërë të qartë pushtuesit se ky popull nuk ishte i përkulur, se kërkesat e tij për liri nuk ishin thjesht thirrje boshe, por një vendim i pathyeshëm dhe i palëkundur dhe nuk kishte kthim mbrapa.
Në ato momente vendimtare, Mukadezeja dhe motra e saj u formësuan si protagoniste të vërteta të rezistencës kombëtare. Ato dëshmuan jo vetëm dashurinë për atdheun, por edhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj brezit të tyre dhe ndaj historisë – duke e ditur se çdo akt guximi dhe çdo parullë e shkruar ishte një hap drejt lirisë dhe një borxh i shlyer përballë sakrificave të brezave të mëparshëm. Kështu, viti 1981 nuk ishte vetëm një kapitull i trazuar në historinë e Kosovës, por një pikë kthese që e gjeti Mukadezen dhe Xhevahiren të rreshtuara në ballë të luftës për dinjitet dhe liri, duke u bërë shembuj të gjallë të një brezi që refuzoi të heshtte dhe që zgjodhi të kërkonte të drejtën me zë të lartë dhe me zemër të palëkundur.
Mukadeze Lika lidhi jetën e saj me gazetarin Agim Muhaxheri, duke ndërtuar së bashku një familje të bazuar mbi dashurinë, respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Jeta e tyre bashkëshortore ishte një shembull i qetësisë dhe harmonisë familjare, ku mbizotëronte përkushtimi ndaj njëri-tjetrit dhe përkujdesja për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Në këtë vatër të ngrohtë familjare, ata sollën në jetë dhe rritën katër fëmijë – Lirikën, Donikën, Albanën dhe Albanin. Çdo emër mbartte një kuptim dhe një shpresë, një pasqyrim të ëndrrave dhe idealeve që i frymëzonin prindërit e tyre. Të rritur në një mjedis ku dashuria për atdheun dhe vlerat e larta njerëzore ishin pjesë e pandashme e edukatës, këta fëmijë nuk trashëguan vetëm kujtime përkujdesjeje prindërore, por edhe një trashëgimi morale të pasur.
Sot, ata janë krenarë për jetën dhe veprën e nënës së tyre, Mukadeze Likës – jo vetëm si nëna që u përkujdes me dashuri dhe përkushtim, por edhe si dëshmore e kombit, që dha jetën për lirinë dhe dinjitetin e popullit të vet. Kujtimi i saj nuk është thjesht një plagë e dhimbshme në historinë personale të familjes, por një burim i pashtershëm frymëzimi dhe nderimi.
Në sytë e tyre, Mukadezeja nuk mbetet vetëm një figurë prindërore, por një simbol i gjallë i sakrificës dhe idealizmit, një shembull i gruas dhe nënës shqiptare që nuk e kurseu veten për të ardhmen më të mirë të brezave që do të vinin. Ajo u bë kështu pjesë e përjetshme e kujtesës familjare dhe kombëtare, duke e lënë emrin e saj të skalitur me nder në historinë e popullit shqiptar. Që nga vitet e zjarrta të 1981-shit e deri në momentin kur iu bashkua me armë në dorë radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mukadeze Lika nuk mungoi kurrë aty ku e thërriste zëri i atdheut. Ajo ishte gjithmonë aty ku nevoja kombëtare ishte më e madhe – në çdo tubim, në çdo organizim popullor, në çdo akt të kundërshtimit ndaj pushtimit dhe padrejtësisë.
Mukadezja nuk e pranoi kurrë heshtjen si mënyrë mbijetese. Ajo e kishte kuptuar mirë se nënshtrimi fillon kur njeriu mbyll gojën dhe shmang sytë nga padrejtësia. Prandaj, ishte e pranishme kudo ku shqiptarët mblidheshin për të artikuluar me zë të lartë dhimbjen, indinjatën dhe revoltën e tyre kundër robërisë. Në mesin e shumë protestave ku ajo mori pjesë, veçohet edhe ajo që u njoh si protesta e grave shqiptare me moton “Bukë për Drenicën” që u organizua me 16 mars 1998. Ishte një akt i pastër solidariteti dhe humanizmi, një përpjekje për të çarë bllokadën dhe për të ndihmuar popullsinë e uritur dhe të rrethuar të Drenicës, e cila po vuante nën ofensivën barbare të forcave serbe.
Mukadezja ishte aty, krah për krah me gra të tjera të vendosura, duke bartur jo vetëm bukë e ushqime, por edhe një mesazh të fuqishëm dinjiteti dhe qëndrese. Edhe pse marshimi i tyre u ndalua brutalisht në Fushë Kosovë – ku kordonët e policisë dhe të ushtrisë famëkeqe serbe ishin vendosur për të bllokuar përparimin e tyre – vendosmëria e tyre mbeti e palëkundur. Ata kordonë të armatosur mund të ndalonin fizikisht marshimin, por nuk mund të shuanin frymën e revoltës dhe solidaritetit që përfaqësonin këto gra. Mukadezeja, edhe atëherë, dëshmoi se nuk do të reshte kurrë së qëndruari përkrah popullit të saj – në çdo përpjekje, në çdo protestë, në çdo akt human dhe të drejtë – deri në momentin kur vendosi të marrë armën dhe të rreshtohet në vijën e parë të luftës për liri.
Mukadeze Lika ishte e pranishme dhe e pandashme nga çdo tubim dhe demonstratë që u zhvillua gjatë muajve të zjarrtë të marsit dhe prillit 1998 – periudhë kur në zemrën e Kosovës kishte shpërthyer hapur lufta çlirimtare, duke përfshirë veçanërisht Drenicën dhe Dukagjinin. Ajo nuk ishte thjesht një pjesëmarrëse pasive në këto ngjarje, përkundrazi, ishte një zë i vendosur dhe i qartë në përkrahje të luftës së drejtë të popullit të saj. Çdo thirrje për protestë e gjente të gatshme, krah për krah me bashkëqytetarë të tjerë, duke shprehur me forcë solidaritetin dhe vendosmërinë për të mos lënë vetëm ata që kishin marrë armët kundër pushtuesit. Mukadezja e kuptonte se beteja për liri nuk zhvillohej vetëm nëpër male me pushkë në dorë, por edhe në sheshe dhe rrugë qytetesh ku populli dëshmonte vullnetin e tij të pathyeshëm. Në ato demonstrata, ajo ishte shprehje e gjallë e ndërgjegjes kombëtare, duke treguar se lufta e Drenicës dhe e Dukagjinit ishte lufta e mbarë Kosovës.
Në çdo tubim, në çdo parullë të ngritur dhe në çdo brohoritje për liri, Mukadezeja mishëronte shpirtin e përbashkët të rezistencës. Ajo u bë zëdhënëse e aspiratës popullore për çlirim, duke dëshmuar se idealet e lirisë dhe pavarësisë nuk ishin thjesht fjalë të mëdha, por një betim i përditshëm dhe një obligim moral ndaj gjakut që derdhej nëpër fshatrat dhe qytetet e Kosovës.
Kur Gryka e Kaçanikut gjëmoi nga zjarri i sulmeve barbare serbe, duke jehuar nga predhat dhe britmat e armikut, ajo u bë jo vetëm një simbol i plagës së hapur të Kosovës, por edhe një thirrje e fortë për qëndresë dhe dinjitet. Nga çdo anë e vendit jehonte kushtrimi për liri – një thirrje që depërtonte në zemrat e burrave e grave, të rinjve e të moshuarve, duke i nxitur të ngriheshin kundër pushtuesit. Në këtë kohë të rëndë e vendimtare për fatin e Kosovës, Mukadeze Lika- Muhaxheri – grua e ndjeshme dhe e dashur, por me zemër të fortë si çeliku – nuk hezitoi për asnjë çast. Me një vendosmëri të palëkundur dhe një ndërgjegje të thellë për përgjegjësinë historike, ajo iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u rreshtuar në Zonën Operative të Kaçanikut – një vatër e vërtetë e rezistencës ku kishin shkuar shumë burra dhe gra trima për të mbrojtur tokën e tyre.
Ishte një akt jo vetëm i guximit, por edhe i sakrificës sublime, sepse Mukadezeja nuk ishte një luftëtare e zakonshme – ajo ishte nënë e katër fëmijëve të vegjël. Pesha e përgjegjësisë për ata shpirtra të pafajshëm nuk e ndaloi, por e bëri edhe më të vetëdijshme për domosdoshmërinë e luftës. Me një marrëveshje të heshtur dhe të ndershme familjare, përkujdesjen për fëmijët ia la bashkëshortit të saj të dashur, Agim Muhaxherit, duke e ditur se ata do të rriteshin me kujtimin e një nëne që zgjodhi të mos jetonte e nënshtruar.
Vetë ajo u hodh në radhët e UÇK-së, ku luftoi me vendosmëri dhe dinjitet, përkrah shokëve dhe shoqeve të armës, duke u bërë shembull i një gruaje që e shndërroi dashurinë për jetën dhe për fëmijët e saj në një dashuri edhe më të madhe për atdheun. Ajo nuk kërkoi siguri personale, por e shndërroi veten në mburojë të kombit, duke qëndruar në vijën e parë të përballjes deri në ditën e fundit, kur ra në altarin e atdheut – si një dëshmi e pavdekshme e guximit, sakrificës dhe dashurisë për liri.
Ishte një zhvillim krejtësisht i pritshëm dhe i natyrshëm që, me zgjerimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Kaçanikut, të ngjallte edhe te Mukadeze Lika një interesim të ri dhe një përkushtim të palëkundur për t’u bërë pjesë e kësaj lëvizjeje çlirimtare. Nënë e katër fëmijëve të mitur, ajo nuk u mjaftua me rolin tradicional që shoqëria zakonisht i caktonte grave në kohë lufte, por vendosi të kontribuojë në mënyrë aktive e të drejtpërdrejtë në kauzën kombëtare. Fillimisht, ajo mori përsipër detyra logjistike, duke mbështetur përpjekjet e strukturave të organizuara të UÇK-së. Por në marsin e vitit 1999, vendosmëria e saj u konkretizua në mënyrë të plotë, ajo veshi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u rreshtuar krahas luftëtarëve të lirisë në front.
Mukadeze Lika nuk ishte vetëm bashkëluftëtare e trimave që kishin marrë armët për çlirimin e vendit, por shfaqej edhe si një motër kujdestare dhe ngushëlluese. Ajo merrej me sigurimin e ushqimit për luftëtarët dhe kujdesej për plagët e tyre, duke mishëruar në këtë mënyrë idealin e solidaritetit dhe përkujdesjes që e karakterizonte ndërgjegjen shoqërore shqiptare në ato çaste tragjike dhe heroike njëkohësisht. Situata në terren u bë edhe më dramatike me fillimin e ndërhyrjes ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, ndërhyrje që përshpejtoi hakmarrjen e verbër të regjimit të Millosheviqit përmes një fushate të organizuar spastrimi etnik. Filloi dëbimi masiv i popullsisë shqiptare drejt territorit të atëhershëm të Maqedonisë dhe drejt Shqipërisë, duke u përpjekur ta shthurte rezistencën popullore përmes shpërnguljes dhe terrorit.
Në këtë kontekst tragjik, vendosmëria e Mukadezes arrin një moment kulmor. Ajo konsultohet me bashkëshortin e saj, Agim Muhaxheri, dhe merr një vendim të jashtëzakonshëm, që dëshmon për thellësinë e idealit të saj. Me një ndjenjë të dhimbshme por të patundur detyre, ajo i thotë atij: “Merri fëmijët dhe shko në Shkup, ndërsa unë nuk do të ndahem nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës derisa të ndjekim okupuesin dhe të sjellim lirinë.” Kjo nuk ishte thjesht një ndarje fizike nga familja, por një sakrificë ekzistenciale e ndërgjegjshme. Ajo zgjodhi të qëndronte në vijën e parë të frontit, atje ku zhvillohej lufta ballë për ballë me okupatorin, ku rreziku ishte i përhershëm dhe ku ideali i lirisë merrte kuptimin më të vërtetë dhe më sublim. Mukadeze Lika u shkëput nga bashkëshorti dhe nga katër fëmijët e saj të dashur jo për mungesë dashurie ndaj tyre, por pikërisht për shkak të dashurisë më të madhe për të ardhmen e tyre dhe të kombit – një liri që ajo e kishte brumosur thellë në qenien e saj.
Kështu, figura e saj shndërrohet në një simbol të gruas shqiptare që nuk u mjaftua me vuajtjen pasive, por u bë aktere e historisë, duke vënë mbi gjithçka idealin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Në prillin dramatik të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një ofensivë të egër dhe shkatërrimtare kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën strategjike të Kaçanikut. Këto sulme nuk ishin thjesht manovra ushtarake, por pjesë e një strategjie të përshkallëzuar për ta shtypur me çdo kusht rezistencën e armatosur shqiptare dhe për ta frikësuar popullsinë civile. Përballë kësaj furie shkatërruese, luftëtarët e UÇK-së – ndonëse me armë të pakta dhe mjete të kufizuara – shfaqën një qëndresë të jashtëzakonshme, duke mbrojtur me vendosmëri pozicionet e tyre dhe duke dëshmuar një heroizëm që do të mbetet i skalitur në ndërgjegjen kombëtare.
Në vijën e zjarrtë të frontit, në një vend të njohur si Përroi i Rakocit, zhvilloheshin përleshje të ashpra dhe të pandërprera. Mukadeze Lika, e njohur për vendosmërinë dhe sakrificën e saj, nuk e kishte lënë asnjëherë frontin e luftës. Ajo ishte atje, në mesin e bashkëluftëtarëve të saj, duke mbajtur pozicion në shtëpinë e Xhemajl Sopës së bashku me luftëtarin Besnik Bajra. Ky vend ishte shndërruar në një pikë strategjike mbrojtjeje dhe rezistence, por edhe në një objektiv të vazhdueshëm të artilerisë serbe.
Predhat e armikut goditën pa mëshirë shtëpinë ku luftonin luftëtarët. Lufta u shndërrua në një betejë për jetë a vdekje. Gjatë dy orëve të përgjakshme, predha dhe breshëritë e mitralozave serbë nuk pushuan së vjelli zjarr. Në këtë përballje të pabarabartë dhe dramatike, disa prej luftëtarëve shqiptarë ranë dëshmorë në fushën e nderit, duke u bërë simbol i rezistencës dhe i sakrificës sublime për lirinë. Të tjerë, ndërkohë, mbetën të plagosur rëndë, duke bartur në trupin e tyre gjurmët e pashlyeshme të luftës për çlirim.
Mukadeze Lika ishte një prej atyre që mbajtën barrën më të rëndë të kësaj përleshjeje. E goditur rëndë nga predhat armike, ajo fillimisht qëndroi e fortë dhe nuk tregoi shenja ligështie – dëshmi e karakterit të saj të pathyeshëm dhe e vendosmërisë që e kish formuar gjithë jetën. Por plagët e saj ishin të rënda dhe të pashërueshme në ato rrethana lufte. Rreth orës 18:00 të datës 9 prill 1999 – në po atë muaj kur ajo mbushte plot 39 vite jetë – Mukadeze Lika dha frymën e fundit. Ajo e thithi për herë të fundit ajrin e mbushur me barut dhe tym zjarri të maleve të Kaçanikut, duke u shkrirë njëherë e përgjithmonë me dheun që kishte mbrojtur deri në pikën e fundit të gjakut të saj.
Vdekja e saj nuk ishte thjesht një humbje individuale, por një akt i lartë martirizimi që mishëronte sakrificën e grave shqiptare në luftën për liri. Jeta dhe vdekja e Mukadeze Likës ngelen një dëshmi e pavdekshme e idealizmit, e trimërisë dhe e dashurisë së pakufishme për atdheun dhe lirinë. Ajo u bë simbol i qëndresës kolektive, duke i dhënë kuptim të ri dhe më të thellë nocionit të sakrificës sublime për lirinë e një populli të shtypur.
Sot, kujtimi për dëshmoren e kombit Mukadeze Lika-Muhaxheri jeton me peshën dhe dritën e një trashëgimie të çmuar që ajo ua la familjes së saj dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Bashkëshorti i saj, Agim Muhaxheri, dhe fëmijët që ajo la pas, nuk janë vetëm dëshmitarë të një dhimbjeje të thellë personale, por edhe bartës të një krenarie të madhe kombëtare. Ata e ndiejnë në thellësi të shpirtit se nuk kanë trashëguar vetëm kujtimin e një nëne dhe bashkëshorteje të dashur, por edhe testamentin e saj të shenjtë për dashurinë ndaj atdheut, për përkushtimin ndaj lirisë dhe për sakrificën sublime që kërkon kauza kombëtare.
Trashëgimia e Mukadezes nuk kufizohet në një rrëfim familjar, ajo përfaqëson një kapitull të ndritshëm të historisë sonë kolektive. Ajo është dëshmi e gjallë se liria nuk është dhuratë e rastësishme, por fitore e mbarsur me gjakun dhe sakrificën e bijave dhe bijve më të mirë të këtij populli. Nëpërmjet jetës dhe rënies së saj, ajo u mëson brezave të ardhshëm rëndësinë e idealit, të qëndresës dhe të gatishmërisë për të sakrifikuar gjithçka për dinjitetin dhe të ardhmen e kombit.
Për familjen e saj, trashëgimia që la pas është edhe një mision- ta mbajnë gjallë kujtimin dhe vlerat për të cilat ajo jetoi dhe ra. Ata janë të ndërgjegjshëm se kujtesa për të nuk është thjesht një obligim sentimental, por një detyrë morale dhe atdhetare, një borxh ndaj të shkuarës dhe një premtim për të ardhmen. Në këtë kontekst të shenjtë të përkujtimit, nuk mund të mos shprehet respekti dhe mirënjohja më e thellë për të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë. Lavdia e tyre nuk është thjesht një fjalë ceremonial, por një vlerësim i thellë për heroizmin dhe sakrificën e tyre, që na e mundësuan frymën e lirë që sot e gëzojmë. Ata janë themeli moral i shtetit dhe shoqërisë sonë, dhe kujtimi i tyre duhet të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për rrugën që kemi përpara si komb.
Literatura:
- Hajrush Kurtaj, Shungullon Gryka e Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit), Kaçanik 2000
- Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, Prishtinë 2015
- Musli Vërbani, Dëshmorët e 9 prillit; “Në Rakoc dhe Lagje të Re”, Kaçanik 2004
- Afrim Mustafa, Bardhësitë e Atdheut-Dëshmorët e tri Luftërave Çlirimtare, 2006
- Grup autorësh Feniksët e Lirisë 4 – dëshmorët e UÇK-së, botoi SHVLUÇK, Prishtinë 2004,
- Sadik Krasniqi, Lufta për çlirimin e Kosovës 1997-1999, Prishtinë, 2009;
- Hajrush Kurtaj- Lufta e UÇK-së në ZON, Prishtinë, 2012,
- Hajrush Kurtaj, Në Rrugën e Lirisë (Ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente), Prishtinë 2012;
- Naser Kuka, Nga Lëvizja Ilegale te UÇK, kujtime e dëshmi, Prishtinë, 2012 .
- https://www.radiokosovaelire.com/mukadeze-lika-muhaxheri-2-4-1960-9-4-1999/
- https://klankosova.tv/kur-deshmorja-e-lirise-mukadezja-ishte-ne-balle-te-protestave-ne-kacanik-ne-vitin-1998/
- https://deshmoretelirise.com/faqja/mukadeze-b-lika-muhaxheri/
- https://gazetablic.com/presidentja-osmani-nderon-deshmoren-mukadeze-lika-muhaxheri/
- https://raporto24.com/kryetari-i-vushtrrise-ndan-mirenjohje-per-deshmoren-mukadeze-lika-muhaxheri/
- https://telegrafi.com/ne-20-vjetorin-e-vrasjes-familjaret-kujtojne-ish-luftetaren-mukadeze-lika-muhaxheri/
- https://fax.al/news/3337641/sot-ne-kacanik-perkujtohen-deshmoret
- https://www.syri.net/kosova/678897/kurti-ne-kacanik-serbia-gjenocidale-nuk-kursente-asnje-shtrese-te-shoqerise/
- https://www.radiokosovaelire.com/me-9-prill-1999-kane-rene-heroikisht-luftetaret-e-lirise-mukadeze-lika-jehona-raka-lumnije-raka-dhe-emsale-frangu-dhe-25-deshmore-te-tjere/
(Vijon)