Paraqitjet e artistit figurativ profesor Ramadan Arifi në mjedise galerish, për njohësit dhe shijuesit e artit pamor lënë mbresa të thella.
Vlerësuesit profesionalë të krijimtarisë figurative – pamore të Ramadan Arifit kanë spikatur tematikën konstante të frymëzimeve të tij, pamjet (peizazhet), shqiponjat dhe çerdhet, mënyrat dhe kontrastet e nuancave të ngjyrave, idetë dhe realizimi i përputhshëm i qëllimeve të tyre. Është një konstatim i pashmangshëm te piktori Arifi se burimet prej nga rrjedhin motivet e kapura, prej syve dhe lëvizjes së ngjyrave është në shkathtësinë e dorës së këtij artisti.
Tematika më e shqiptuar e profilit të tillë krijues përfaqëson një identitet unik të përkatësisë së piktorit e të stilit të pikturës së tij.
Duke kundruar pamjet fillestare të natyrës, frymëmarrjet e frymë-dhëniet e relievit në vizatimet dhe pikturat, që trajtojnë motive e dromca motivesh, shohim lëvizje dritëhijesh, të zezën të nuancuar brenda së zezës, të kaltrën e pakufishme të qiellit, të verdhën dhe të kuqen. Në vijimësi, veçmas në ciklet e tablove më të reja, simbolikës së ngjyrave i shtohet mbizotërimi i së zezës baraspeshuar me të kuqen. Pra, te pikturat e Ramadan Arifit hasim evoluimin stilistik të figuracionit; dukshëm bie në sy dendësimi motivues i dy ngjyrave të theksuara. Përse ndodh kështu në pamjet dhe vijëzimet ideore të piktorit Ramadan Arifi?
Ndodh kësisoj mbase për ta harmonizuar ngërthimin e përmbajtjeve të simbolikës artistike me zbërthimin e saj të anë pamjeve të jetës. As e para, as pyetja e dytë me qasje dyshuese nuk të shpien në përfundimin e duhur. Përse? Për një art që mbyllet në gjuhën e ndërvarur të komunikimit me lexuesin, përkatësisht shikuesin e shijuesin shpie në abstraksion të pakapshëm. Këndej shfaqen dilemat e artistit. Si? Si të jesh i vetvetes, por edhe i të tjerëve? Megjithatë, autori i pamjeve ka përgjegjësitë e veta: depërtimin e thellë përtej së rëndomtës me penelin e tij, nga realiteti në kapjen e simbolikës së ngjyrave; diçka më thellë se e dukshmja e rëndomtë dhe e pashije estetike.
Thelbi i punimeve të artistit pamor Ramadan Arifi është ngjizja e figurave artistike në të zezën dhe të kuqen e gjakut, që është lajtmotivi i ngërthyer dhe, në thelb zbërthen dhimbjen, vuajtjen njerëzore, pësimet dhe tragjiken etnike përgjatë një trinie ekzistenciale. E brendshmja e dy ngjyrave zotëruese është fati dhe variantet në veprim të fatit kombëtar e njerëzor, gjithnjë me figura, me të cilat mund të identifikohemi në çdo mjedis të globit, por pa i përjashtuar përbërësit universalë.
Në pamjet e botës figurative të artistit Arifi, nëpër gjymtyrë të shkëputura të një tërësie të dhimbshme gjymtuese, shohim rrjedha, vija të kuqe gjaku mbi të zezën e dendësuar, porse e kuqja nuk e mbulon dot të zezën. Nga pikturat: “Krahët e plagosur”, “Rikthimi në vatër”, “ E zeza e përskuqur”, Tablotë: “Sogjetimi i shqiponjës”, “Syri i trembur’, në vizatimet: triptiku “Ritmika e çerdheve”, në pikturën “Shqiponja mbi vezët e trashëgimisë” e të tjera. Këtyre motiveve iu përqaset diskursi ynë.
Kaltërsia është e ftohtë pa diellin. Duke shikuar me sytë e mendjes mbi të zezën, duken rrathët qarkulluese nuancash të së zezës. Brenda së zezës nuk mbaron pamja e figurës. Në kontekst të saj variacione nuancash mëtojnë shkrirjen e së zezës. Është një univers drite që pret shpërthimin…
Në këtë opus vijëzohet trualli autentik që mbërthehet me trusni, të cilat prodhojnë ndjeshmëri plagësh përmes ngjyrash të forta. Pikturat shprehen me ekspresivitetin gjysmë real e gjysmë imagjinar. Përftohet përshtypje nga tablotë e një ndjeshmërie finoke, e përtrollitur në syprina, por piktori me invencion artistik arrin të depërtojë në ide më thellë se sa dukja e syprinës.
Çfarë mund të themi përkitazi mbresës për zbulimin e thelbësores në ciklet e këtyre pikturave? Do të thotë: të hysh në një cikël motivesh, aty ku ngjyrat e pleksura dëftojnë synime jetike për rikthimin e bukurisë së rrëmbyer duke zbërthyer një bukuri dhe filozofi të vullnetit ekzistencial. Pa dyshim, varësisht si lexohen figurat dhe ngjyrat, këto tablo artistike përshkohen nga reflektime idesh të qëndresës, qoftë edhe me plagë gjymtyrësh të këputura…
Secila gjymtyrë, secili detaj shfaq figurë e kumt të caktuar, dhimbje, vuajtje, qëndresë, krenari, shpresë të mëtuar për rigjenerim, për rikompozim elementesh, që i ndjejmë në dukjen e tyre dhe, ca të tjera nuk i shohim, por i përfytyrojmë me sytë e mendjes. Ideja qenësore e artistit, tashmë të dëshmuar për mëvetësi, është shkrirë dhe jepet nga pamja në pamje, nga cikli në cikël për një shpalim solemn të ekspozitës për artdashësit.
Punimet e piktorit Arifi i shquan shkaku ekzistencial dhe pasoja ekzistenciale. Rrethana e parë është krejtësisht e natyrshme, e dyta kërkon mejdanin për mbijetesë! Si shfaqen këto rrethana në pikturat e tij? Gjymtyrët gjysmake mëtojnë rikompozimin e tërësisë trupore. Mes këtyre trajtave janë përjetësuar e kuqja dhe e zeza. Dy ngjyrat gjithëpërfshirëse përcaktojnë stilin dhe filozofinë e pikturave pleksur me idetë ekspresioniste, kryesisht me përbërës kokash të shqiponjës, të shqiponjave të trazuara, të cilave u kanosen çerdhet, u zhvendosen për t`u ripërtëritur në mjedise jopaqësore, nga njëri në vendin tjetër të trazuar.
Këtu gjen shprehje kërkimi krijues përmes shndërrimeve ekspresive të penelave; shtrirja e ngjyrave hapësirës horizontale, fluturimin vertikal pa njërin krah mbi lisin, kur të veckëlve të shqiponjës po u kanoseshin dy fatkeqësi: vardisja e gjarprit çerdhes dhe kanosja e urisë! Të dyja rrethanat shpien në fundin tragjik: nga gjarpri gllabërues dhe gllabërimi për shkaqe urie i njërit vëllamë më të fortë, mbi si vëllamin më të dobët! Kjo është dialektika e jetës dhe e artit e zbërthyer në përjetësi artistike.
Mehmetali REXHEPI, shkrimtar
Gjilan, dhjetor 2024