VËSHTRIM PËR LIBRIN “IMAMI DËSHMOR” (Monografi për hoxhën Fadil Rashiti (1975-1998) TË AUTORIT MA. REFIK. R GËRBESHI

0
159
Refik Gërbeshi - Imami dëshmor

Zymer Mehani

Thuhet se monografia është ndër format më të gjithanshme të studimit të një çështjeje me peshë të veçantë, ngase ajo për objekt studimi mund të ketë një personalitet të njohur, veprimtarinë shkencore të ndonjë studiuesi, veprimtarinë letrare të ndonjë shkrimtari, një periudhë kohore ku mund të shtrohen çështje historike, ekonomike, letrare e të tjera, në kuptimin më të thellë të studimit. Dhe vërtet kështu është e s’mund të jetë ndryshe. Për këtë arsye, thonë studiuesit se monografitë çmohen si veprat më komplete studimore, të cilat mund të shfrytëzohen nga të tjerët si bazë e fortë mbështetëse për studime të mëtejme.

Kryeprotagonist i librit monografik “IMAMI DËSHMOR”, të autorit Ma. Sc. Refik Ramiz Gërbeshi, është hoxha, atdhetari e veprimtari i palodhshëm, tash dëshmor i kombit, Fadil Rashiti, nga fshati Petrovë i komunës së Shtimes.

Libri më i ri monografik i mikut tim të besimit, të kombit dhe të penës, Ma. sc. Refik (Ramiz) Gërbeshi, ’’IMAMI DËSHMOR’’ (Monografi për hoxhën Fadil Rashiti (1975-1998), pra i është dedikuar një personaliteti, që sa jetoi, punoi dhe veproi, ishte shembull prej një besimtari (imam), mësuesi (mualim) dhe luftëtari të denjë (ushtar i UÇK-së).

Nëpërmjet kësaj monografie, natyrisht se e shohim një histori të tërë jetësore të Fadil Rashitit, i cili pavarësisht sfidave jetësore, nuk u gjunjëzua kurrë, por fatet e tij i lidhi me fatet e kombit dhe të atdheut tonë, gjer me rënien e tij, bashkë me shumë shokë, në logun e nderit, më 14 dhjetor të vitit 1998, në vendin e quajtur Likenet e Hasit, gjatë luftimeve, në një pritë të forcave ushtarake e policore serbe, në Gorozhup të Pashtrikut.

Libri është rrëfyer me gjuhën e thjeshtësisë për përpjekjet e hoxhë Fadil Rashitit (sot dëshmor i kombit) për arsimin dhe edukimin fetar e kombëtar të brezave, si dhe për çlirimin e atdheut (Kosovës) njëherë e përgjithmonë nga okupatori sllavo-serb.

Libri në fjalë, veç parathënies e hyrjes, është konceptuar në 6 kapituj. E tërë lënda është mbarështruar dhe sistematizuar edhe në disa nënkapituj.

Kapitulli I përfshin të dhëna të përgjithshme për PETROVËN, që është VENDLINDJA E IMAMIT DËSHMOR, FADIL RASHITI dhe për familjen RASHITI, për të shkruar pastaj për fëmijërinë e hershme të Fadilit, për edukimin dhe shkollimin fillor të tij, ku do të përmendet edhe Mësuesi Zenë; për aktivitetet sportive të Fadilit, si dhe përkushtimin e tij për të marrë njohuritë e mësim-besimit edhe në xhami.

Në kapitullin II trajtohet jeta edukative-fetare dhe arsimore e Fadilit në Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë, ku bëhet fjalë për shoqërinë, për aktivitetet e shumta në medrese, për të vazhduar pastaj me një material, që flet për angazhimin e Fadilit imam, në xhaminë e fshatit të lindjes (Petrovë), ende pa e përfunduar medresenë, fakt ky që bën të kuptojmë se ai kishte një bagazh të madh fetar, kulturor dhe arsimor. Gjithnjë, në këtë kapitull paraqitet edhe puna e Fadilit si mualim –mësues dhe edukator i rrallë, ngase ai ishte ligjërues i aftë, por edhe i ashpër, sipas nevojës. Prore shquhej për ligjërimet në platformën e tabanit kombëtar, ashtu siç ishte edhe davetxhi i përkushtuar.

Në kapitullin III paraqitet jeta dhe aktivitetet e Fadil Rashitit, kryesisht në kryeqytet. Ishte kjo një kohë preokupimesh e aktivitetesh, përveç studimeve universitare, që i kishte nisur në Fakultetin e Shkencave Islame, në Prishtinë. Pra, në këtë kapitull do të gjejmë të dhëna për jetën studentore të Fadilit, për sukseset dhe andrallat (qoftë ekonomike, qoftë politike), për banimin me qira, e në këtë kapitull vend meritor u është lënë edhe protestave studentore të vitit 1997.

Te kapitulli IV, autori Gërbesh, me admirim e ka trajtuar dhe ka folur për kyçjen e hoxhës Fadil Rashiti në radhët e UÇK-së, për angazhimin e tij në ushtri, i armatosur dhe i veshur me uniformën ushtarake të UÇK-së dhe me maskë. Në këtë kapitull do të flitet edhe për identifikimin e Hoxhës se ishte ushtar, nga të njohurit. Është interesante takimi i tij me të njohurit, ku në atë rast, edhe pse ishte i maskuar, i zbulohet indentiteti në bazë të dhënies së dorës një djaloshi (që kishte qenë nxënës i tij në xhami). Pastaj bëhet fjalë për Pikën në Rancë, për pjesëmarrjen e Hoxhës në shumë beteja, ngase ai me shpirt e donte shehidllëkun (rënien dëshmor).

Kapitulli V trajton veprimtarinë e Fadilit me shokë, që lidhen me atdheun amë, Shqipërinë. Këtu do të flitet për shkuarjen e tij në Shqipëri, për të marrë armë, për stërvitjet ushtarake atje, si dhe për nisjen e grupit, të cilit i takonte për t’u rikthyer me armatime në Kosovë.

Temë tejet e rëndësishme e kësaj kaptine, që na shkakton dhimbje, por edhe na bën krenarë është rënia në pritë në kufirin shqiptaro-shqiptar e grupit të bashkëluftëtarëve, në mesin e tyre, edhe e Fadilit, të prirë nga Mujë Krasniqi- Komandanti Kapuçi. Pastaj përshkruhet jehona që bëri lajmi për ngritjen në gradën dëshmor të hoxhë Fadil Rashitit në veçanti e të shokëve të tjerë në përgjithësi, si dhe varrimi i tyre në Polac të Skënderajt.

Në kapitullin e fundit (VI) do të njihemi me rëndësinë e përkujtimit të dëshmorëve për gjeneratat e reja, pastaj për atmosferën gjatë të pamës për Mulla Fadilin, në vendlindjen e tij, për rivarrim të dëshmorit, me bashkëluftëtarët e tjerë nga komuna e Shtimes, për duanë, që duhet të bëhet me rastin e rivarrimit të dëshmorëve. Do të njihemi me dromca përkujtimore për dëshmorët.

Këtë kapitull do ta përmbyllin shkrimet për imamin dëshmor, Fadil Rashiti.

Që ky libër të jetë njëkohësisht edhe një punim monografik për këtë hoxhë të denjë dhe atdhetar të shquar, autori Gërbeshi hulumtoi, gjurmoi e kërkoi materiale të ndryshme, që kanë të bëjnë me figurën dhe me veprimtarinë e dëshmorit Fadil Rashiti.

Jemi të lumtur, që ky autor i zellshëm ia doli të sigurojë një material të tërë me shënime e dokumente të rëndësishme, në mënyrë që libri të jetë sa më i kompletuar. Veç këtyre, autori s’reshti së bredhuri anekënd Kosovës për të realizuar takime, intervista e biseda me të gjithë ata (familjarë, profesorë, shokë shkolle, bashkëluftëtarë etj.), që mund të jepnin sadopak kontribut për ndriçim të kësaj figure fetare dhe kombëtare.

Zoti i bekoftë, bashkë me familjet e tyre të gjithë ata, që ndihmuan qoftë me ndonjë të dhënë, bisedë apo kujtim, që ka të bëjë me personalitetin e imamit dëshmor, Fadil Rashiti!

Këtyre njerëzve të vullnetit të mirë, autori jetësisht u është falënderues.

Autori i zellshëm, Ma. Sc. Refik Ramiz Gërbeshi, në faqet e fundit të monografisë do t’i paraqesë edhe burimet e literaturën, që doemos është në interes të lexuesve, por edhe të studiuesve.

Ky libër monografik është një monument përkujtues për jetën dhe për veprimtarinë fetare dhe atdhetare, por edhe për veprimtarinë e pareshtur ushtarake e luftarake të imamit dëshmor, Fadil Rashiti, që me guxim dhe me atdhedashuri bëri sakrificën, duke i falur jetën lirisë së Kosovës.

Imami dëshmor, Fadil Rashiti, bashkë me varganin e dëshmorëve të tjerë dhe të martirëve të kombit tonë meritojnë nderim, respekt e mirënjohje, ngase atyre u takon lavdia.

Librit monografik të autorit Ma. Sc. Refik Ramiz Gërbeshi, në cilësinë e redaktorit gjuhësor, i urojmë rrugëtim të mbarë deri te duart e lexuesve dhe nëpër bibliotekat tona!

Shpresojmë se ky libër do të pasurojë koleksionin e monografive, të memoareve e të ditarëve, por edhe të librave të tjerë, që flasin për figura fetare e kombëtare, që u flijuan për të mirën e përgjithshme, siç është imami dëshmo, Fadil Rashiti.

Po ashtu, mbesim me shpresë që edhe më tutje të botohen libra të këtillë për epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për luftëtarë dhe personalitete, me të cilët mburren qytetarët e mbarë Kosovës dhe të kombit përgjithësisht.

Në Besianë, më 15 nëntor 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.