FAN NOLI E PARAPA FUNDIN E PA LAVDISHËM TË KONARES DHE U LARGUA PREJ SAJ

0
170
Fan Noli - Liria kombëtare

Nga Enver MEMISHAJ

Këto ditë janë promovuar libra që i dedikohen jetës dhe veprimtarisë së Fan Nolit (1882 – 1965). Po botojmë më poshtë deklaratën e Fan Nolit për arsyet që e shtynë atë të largohej nga organizata reolucionare që krijojë ai vetë KONARE dhe të shkonte në Amerikë.

Para se të publikojmë deklaratën e Nolit dhe kundërshtimin nga udhëheqësit e mbetur të KONARE-s është e nevojëshme të shpegojmë për lexuesin e gjerë se ç’ishte KONARE-ja?

Nga dhjetori i vitit1922 deri më 15 qershor 1924 ishin kryeministra Ahmet Zogu, Shefqet bej Verlaci dhe Ilias bej Vrioni. Më 16 qershor 1924 si pasojë e një kryengritje (“Historia e shqiptarëve…” Tiranë 2021) erdhi në fuqi Fan Noli deri më 26 dhjetor 1924, kur rikthehet në fuqi me ndihmën e Serisë Ahmet Zogu. Qeveria e Fan Nolit me rreth 500 ithtarë të tij, dhe kundërshtarë të Ahmet Zogut kryesisht me mendime të majta u arratisen në Itali.

Në emigracion ata vendosën të luftojnë kundër diktaturës së regjimit të vendosur të Ahmet Zogut, por së pari duhet të përpiqeshin për bukën e gojës. Për vështirësitë e emigracionit ndërmjet shumë të tjerëve kanë shkruar edhe dy personaliteteve të emigracionit politik, Ali Kelmendit dhe Haki Stërmilli:

Ali Kelmendi: “Azis Çamin e njifni dhe personalisht, por shtoj se ky gjithnji flet, vepron dhe jeton si revolucionar. Për fitoren tonë në Spanjë asht përpjekë tue i shtye shqiptarët, sidomos oficerët që të marin pjesë aktive në këtë luftë. Të gjithëve u thotë se sot fronti i shqiptarëve asht në Spanjë. Ai është përpjekë gjithnjë të shkoj edhe vetë, por mjerisht nuk ka gjetë shteg për të sigurue, instalimin e djalit 7 vjeç, i cili nuk ka asnji mbrojtje tjetër veçse baben e  vet. Azizi mbasi duel nga burgu dhe u shtrengue me lanë Austrinë mbeti bashkë me të shoqen e me djalin në një situatë të mjerueshme. Me muaj ka jetu me bukë thatë e shpesh pa të. Ma në fund asht shtërngue me pranue një ndihmë prej qeverisë jugosllave pa ndonjë  kundër angazhim”.

Haki Stërmilli: “Gati dy vjet e gjysëm kemi që po rendim andej e këndej nëpër vise të hueja, të dënuem nga fati me vuejtë e me kalue një jetë mizerje.

Shumë here mbetëm pa bukë. Shpesh lënguem nga sëmundjet e shkakëtueme prej mjerimit, disa herë u vramë dhe u sakatuem ndër fabrikat tue punue si hamallë, dikush u burgos ose u internue…

Të zbehtë e të mekur nga fytyra, të sëmurë e të dobët nga trupi, por të fortë e të patronditur nga zemra, u munduem deri sot që të mbajmë të papërlyer idealin tone të shenjtë”.

Në kërkim të rrugëve dhe mundësive për të dalë nga mjerimi emigracionit politik në mars 1925, 14 ish funksionarë të lartë të Fan Nolit i dërguan një peticion ambasadorit sovjetik në Vjenë, A.A. Joffe, ku i luteshin qeverisë sovjetike për “një përkrahje morale dhe politike për të përmbysuar uzurpatorin”. Në peticion thuhej se ata rikonstatonin që BRSS-i ishte “mbrojtësi i popujve dhe klasave të shtypura të botës”, pra përbënte  “shpresën e vetme të çlirimit të popullit shqiptar”. Po ashtu ata deklaronin se kur të vinte në fuqi qeveria e re do të “përkrahte dhe do të përhapte idenë për Federatën Komuniste Ballkanike” dhe do të mbante “lidhje miqsore me BRSS”.

Peticioni ishte nënshkruar nga: Qazim Koculi, Shuk Gurakuqi, Azis Çami, Qamil Gjilani, dr. Nush Bushati, Mustafa Kruja, Llazar Fundo, Lano Borshi, Ibrahim Gjakova, Sh. Curri, Fan Stilian Noli, Shefqet Korça, Bedri Pejani, Kostë Boshnjaku.

Më 25 mars 1925, një pjesë e emigrantëve në Vjenë me përkrahjen e Federatës Komuniste të Ballkanit formuan organizatën: Komiteti Nacional Revolucionar – shkurt KONARE me përbërje heterogjene, ku të përbashktën e përbënte kundërzogizmi. Programin e saj prej 4 pikash kryesore KONARE e publikoi në muajin maj: Përmbysja e regjimit të Zogut, vendosja e një regjimi me të vërtetë republikan, reforma agrare dhe rivendikimi i kufijve etnikë.

KONARE bëri pjesë në Komitetin e Organizatave Revolucionare të Ballkanit që ishte krijuar në korrik 1924 në Vjenë.

Anëtarët e KONARE-s ishin: Fan Noli kryetar, Qazim Koculi, Konstandin Boshnjaku, Mustafa Kruja, Xhevat Korça, Lano Borshi (Goxhi), Azis Çami, Riza Cerova, dr. Nush Bushati , arkëtar, Llazar Fundo sekretar, Halim Xhelo, Sejfulla Malëshova, Qamil Çela, Demir Godelli, Selim Shpuza, Haki Stërmilli, Reshat Këlliçi, Riza Dani, Kolë Tromara, Qazim Kokoshi, Shefqet Korça.

Komiteti për Çlirimin e Kosovës: Bedri Pejani, Ali Kelmendi, Ibrahim Jakova, Qamil Bala,Riza Zajmi etj.

Pas kësaj ky grup vendosi lidhje me Federatën Komuniste Ballkanike dhe nëpërmjet saj me Internacionalen Komuniste, Kominternin.

KONARE nxorri gazetën “Liria Kombëtare”, që financohej ashtu si edhe anëtarët e KONARE-s nga qeveria komuniste e Stalinit. Numuri parë doli më 29 korrik 1925 dhe vazhdoi për 12 numura gjithësej.

Me rekomandim të Kominternit emërtimi KONARE-s më 24 prill 1927 ndryshoi në Komiteti i Çlirimit Nacional, KÇN, në të cilën bënin pjesë: Rinia e Shoqërisë ”Bashkimi” dhe demokratë me prirje të majta: Fan Noli, Nush Bushati, Halim Xhelo, Lano Borshi, Omer Nishani, Riza Cerova, etj.

Pakti i Tiranës ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë i vitit 1927, i dha një shtysë të mëtejshme shkarjes së KONARE-s  drejt radikalizmit të majtë. Në prill 1927, anëtarët e KÇN shpallën deklaratën “për fillimin e luftës kundër kapitalizmit ndërkombëtar” dhe “organizata u vendos në shërbim të Kominternit “për të përgatitur revolucionin botëror”.

Ky kusht solli daljen prej radhëve të KONARE-se të një pjese të konsiderueshme të anëtarve të saj si Qazim Koculi, Mustafa Kruja, Kol Tromara, Hasan Prishtina etj.

Radikalizimi i KÇN i detyrohet veçanërisht ndikimit të anëtarëve komunistë: Halim Xhelo, Riza Cerova, Llazar Fundo e Sejfulla Malëshova. Në shtator të vitit 1927, sekretari i ambasadës sovjetike në Vjenë Sergej Timoshjev, i ftoi shqiptarët të shkonin në Moskë me rastin e 10 vjetorit të revolucionit të tetorit 1917. Në Moskë shkoi një grup prej 7 vetash: Fan Noli, Kostanfin Boshnjaku, Lano Borshi, Omer Nishani, Bedri Pejani, Ibrahim Jakova, Qamil Bala.

Theksojmë se paratë me të cilat rronin anëtarët e KONARE-s, burimi i financimit të gazetës, veprimtaria e Komitetit të Çlirimit Nacional si dhe shkollimi i shumë të rinjve në Bashkimin Sovjetik etj., paguheshin nga shërbimet sekrete të qeverisë komuniste të diktatorit komunist Stalin.

Shumë personalitete të kohës, mëndje të ndritura, u shprehën kundër veprimtarisë së KONARE-s dhe KÇN. Faik Konica në vitin 1926 do të shkruante:  “Nga letra dhe lajme me gojë të marrë në kohërat e fundit, përmbledhim këto mbi propagandën bolshevike në mes të shqiptarëve… Me të kthyer të Legalitetit në Shqipëri dhe me të ikur të Fan Nolit jashtë, qendra e propagandës bolshevike u transferua natyrisht jashtë… Po paratë u mbaruan shpejt dhe menjëhërë nisën bisedime me Sovjetin për ndihma, bisedime që muarën fund të pëlqyer…

Pastaj duke marrë në sy zhvillimet revolucionare që trubullonjësit kanë shpresë të bëjnë më tutje në Shqipëri, guverna bolshevike u kërkoi armiqëve të shtetit tonë nja dhjetë djem shqiptarë që të venë në shkollën e veçantë të Moskës ku formohen agjentët e bolshevizmës.

Këta studentë të çudiçëm u dërguan dhe janë tani në Moskë, ku nxënë me sistem zanatin e revolucionarit që të venë nesër e t’i vënë zjarrin atdheut të tyre, ose të bien në duar të policisë dhe të humbasin jetën e tyre për dhjamë qeni”. (Faik Konica, Gazeta “Dielli”, SHBA, Boston dt. 15.5.1926)

Po kështu Llazar Fundo me mëndje mpreftësinë e tij e pa realitetin në Bashkimin Sovjetik dhe Koço Tashko do të shkruante për Llazar Fundon: “Pas 29 majit 1938, Fundo foli kundër shokut Stalin, të cilin e silësoi si vrasës dhe shfaqi mendimin se Bashkimi Sovjetik nuk është gjë tjetër veçse një bug dhe nga pikëpanja ushtarake e konsideroj si jo në gjendje për t’u dhënë ndonjë ndihmë të dobishme lëvizjeve revolucionare kombëtare”

Në kushtet e reja të krijuara duke u kthyer KONARE në një organizatë komuniste Fan Noli në vitin 1931 u largua nga KONARE dhe shkoi në SHBA. Udhëheqës të KONARE-s shkuan në Amerikë dhe i kërkuan Nolit të kthehej në krye të oragnizatës, por Noli kundërshtoi prerë. Atëhere ata e shpallën Nolin dezertor.

Më poshtë deklarata e Nolit se përse ai largohej nga KONARE-ja dhe reagimi shokëve të tij që kishin mbetur në drejtimin e kësaj organizate:

PROTOKOLL MBI QËNDRIMIN E FAN NOLIT NDAJ KONARE-s

Fan Noli deklaron se ai nuk është më antar i KONARE-s dhe propozon një bashkëpunim me organizatën që ai ka formuar në Amerikë ( APA) dhe me KONARE-n.

Fan Noli e shpjegon kështu daljen e tij prej KONARES:

1. Që në fillim thotë ai ne kemi hyrë në lidaje me “shokët” jo si një organizatë kompakte, por si grupe dhe individ. Unë nuk kamë qënë i lidhur me asnjë grup. Gjatë pesë vjetëve që kanë kaluar që nga formimi i KONARES grupet që kanë hyrë që në fillim nuk kanë mundur të shkrihen në një organizatë homogjene. Kështu  që edhe sot ne kemi nga njera anë “Klikën” dhe nga ana tjetër “Të Rinjtë” të cilët i nënshtrohen kryesisht disiplinës komuniste, sesa asaj të KONARE-s. Ata (Të Rinjtë) në të vërtetë nuk udhëhiqen nga ndjenja nacionaliste, prandaj ata nuk mund t’a ndiejnë veten të lidhur me KONARE-n.

Prandaj, kur unë formova bindjen se puna nuk mund të ecte kështu, e ndjeva veten krejtësisht të lire, për tu tërhequr dhe për të kërkuar një dalje jashtë KONARES, sepse për mua organizata nuk përbën një qëllim në vetë veten, por vetëm një mjet. Unë nuk fetishizioj një organizatë kur shoh se ajo nuk shërben për asgjë. Unë nuk shoh asnjë arsye për të qëndruar në një organizatë që do të gjendet nesër në pa mundësi për t’u siguruar antarëve të saj një copë bukë. Pa furnizim dhe pa armë nuk mund të bëhet lufta, prandaj unë nuk besoj që KONAREJA të mund të luaj ndonjë rol në jetën politike të Shqipërisë.

Pesë vjetë të bashkëpunimit me miqt ruse, kanë provuar se ata na mbajnë me premtime fallco, me fjalë boshe, na gënjejnë, tallen me ne dhe një ditë të bukur do të na lenë në baltë. Duke qënë i bindur se “miqtë” tanë do të na braktisin një ditë në situatën më të vështirë, unë kam kërkuar një zgjidhje tjetër derisa nuk ishte akoma tepër vonë. Pa këtë, unë do të isha i detyruar të shkonja të binja në gjunjë përpara Ahmet Zogut ose të vrisnja veten. Për të mos rënë nesër në një gjëndje

të tillë, unë vendosa të shkojë në Amerikë, për të gjetur një burim të ardhurash ,që të më lejojë të jetoj sido kudo. Meqënëse lufta e madhe që ne bënim kundër regjimit të Shqipërisë, është në vigjilejen e falimentimit, unë u ktheva në gji të shqiptarëve të Amerikës, Atje është fortifikata e fundit ku u tërhoqa unë dhe që ku unë mendoj të vazhdojë “një luftë partizane” ( guerilje).

Ajo që më forcon besimin se miqt rusë do të na lënë një ditë në baltë është se në BRSS ka “një farë termidori”, d.m.th, që Stalini dhe shokët e tij kanë vendosur të shpenzojnë të gjitha burimet për industrializimin e shpejtë të vendit, dhe ata po heqin dorë pak nga pak nga përkrakja materiale e lëvizjes revolucionare bobërore. Është e vërtetë se ata përdorin akoma “retorikën”, d m.th. frazollogjinë mbi revolucionin botëror, por në fakt ata po pakësojnë gjithënjë e më tepër ndihmën financiare që u jepej organizatave revolucionare të vendeve kapitaliste.

Këtu qëndron arësyeja e pakësimeve të herë pas herëshme dhe suvencionave të cilat një ditë do të pezullohen krejtësisht. Atëhere KONAREJA do të mbetet  “si peshku pa ujë” dhe jo vetëm që ajo (KONAREJA) nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë luftën, por për më tepër anëtarët e saj do të mbeten pa bukë. Duke parashikuar një përfundim të tillë unë kërkova një qoshe ku të fusë kokën.

Meqënëse vendimi im është i prerë, mos humbisni kohë dhe energji për të më bërë të heqë dorë prej tij. Nga ana ime, unë propozoj një bashkëpunim: Ju do të shkruani artikuj (ne do i paguajmë ato)  për “Republikën”, ne do t’ju ndihmojmë për të shpërndarë “Lirinë Kombëtare” në Amerikë dhe për të shtuar abonimet”.

*     *     *

Anëtarët e tjerë të  K.Q. të KONARE-s hodhën poshtë unanimisht tezën e Fan Nolit afërsisht me këto fjalë:

“Fan Noli shkoi në Amerikë në cilësinë e udhëheqësit të KONARES. Kur u nisë ai na ka premtuar qindra dollarë për KONAREN, qindra abonime për “Lirinë Kombëtare”. Tani Fan Noli ka gjetur në fakt një burim të ardhurash që i lejojnë atij të rrojë pa ndihmën e organizatës sonë, kështu buxheti i KONARES mund të lehtesohet në mënyrë të ndjeshme. Por nuk ka asnjë arësye që Fan Noli të largohet nga KONARE-ja.

Por Fan Noli gjatë qëndrimit të tij në Amerikë nuk ka vepruar si përfaqësues i KONARE-s, ai nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zgjeruar influencën e organizatës sonë dhe për të mbledhur abonime për gazetën tonë. Përkundrazi ai e ka quajtur të nevojshme të presë çdo marrëdhënie me KONARE-n dhe të kthehet në funksionin e tij të vjetër të Peshkopit dhe të krijojë një organizatë krejt të pa varur.

Në fund të fundit ne mund të pranojmë që APA të ekzistojë si një organizatë e pa varur, por ajo duhet të ndryshojë karakterin e saj. Ajo duhet të pushojë së qëni një organizatë më tepër fetare dhe të bëjë një luftë konseguente dhe me mjete thjeshtë revolucionare, jo vetëm.kundër regjimit në Shqipëri por gjithashtu edhe kundër agjentve të tij jashtë shtetit. (Në radhë të pare kundër Faik Konicës i cili është ambasador në Uashington). Fan Noli duhet të vazhdojë të jetë anëtar K.Q. të KONARE-s dhe të konfirmojë veprimtarinë e tij në Amerikë me interesat e luftës që ne bëjmë kundër regjimit në Shqipëri, dhe të mos kufizohet vetëm në çështjet thjeshtë  “amerikane”

Mënyra me të cilën Fan Noli shtron çështjen e bashkëpunimit me “shokët” është e gabuar dhe tendencioze. Sipas fjalëve të Fan Nolit del se ne jemi agjentë të paguar që luftojmë për sa kohë atyre u jepet rroga. Në të vërtetë ne kemi filluar luftën tonë dhe ne do ta vazhdojmë, sepse kjo është arsyeja e ekzistencës tonë dhe bindja jonë e thellë dhe jo sepse na paguajnë “miqtë rusë”. Shokët rusë na japin një ndihmë financiare sepse ata përkrahin nëpërgjithësi çdo lëvizje nacional-revolucionare, dhe meqënëse kjo ndihmë financiare nuk është e lidhur me asnjë kusht që të jetë në kundërshtim me parimet tona dhe me qëllimet tona ne e pranojmë dhe u jemi mirënjohës për këtë.

Por do të ishte një mungesë besimi dhe guximi nga ana jonë po të shkatërronin organizatën tonë dhe të hiqnin dorë nga lufta, sepse nuk na japin rregullisht subvencionin, ose sepse nuk na japin shumën që ne do të kishim nevojë. Veç kësaj nuk janë vetëm dhe kryesisht çështjet e parave që ne na lidhin me “miqtë rusë”, por në radhë të parë bashkësia e programit dhe e qëllimeve revolucionare.

Nuk është e vërtetë që në KONARE ne kemi ekzistuar si si grupe dhe individ të pa varur. Ne jemi të lidhur me një program, për të cilin luftojmë që prej pesë vjetësh. Ne mund të kemi pikpamje të ndryshme për sa u takon hollësirave por për çështje esenciale ne jemi plotësisht dakord të gjithë. Ne kemi besuar gjer tani se Fan Noli gjithashtu e ndjente veten të lidhur me këtë program dhe konsiderohej si udhëheqësi i një organizate politike në kuptimin e plotë të kësaj fjale.

Por nga sa tha Fan Noli del se ay nuk ka qënë i sinqertë gjer tani, se nuk ka besuar që organizata jonë mund të luaj një rol në lëvizjen revolucionare shqiptare, me një fjalë ai ka lozur një farë komedije gjatë pesë vjetëve. Dhe këtë ai e ka bërë për të mëshëruar shokët e tij të cilët kur shkuan jashtë shtetit në fillim të vitit 1925 nuk kishin se çfarë të hanin. Në vend që të bëjë politikë Fan Noli nuk ka bërë veçse filantropi. Tani ai është i bindur se prezenca e tij në KONARE nuk mund të sigurojë më jetën e shokëve KONARIST ( sepse, sipas asaj që thotë ai, miqtë rusë kanë vendosur të na lenë një ditë të bukur pa asnjë subvencion) Ai tërhiqet krejtësisht.

Pasi na dëgjoi për orë të tëra me një indiferentizëm të madh, Fan Noli na këshilloi që të mos e lodhim më kotë, sepse vendimi i tij është i pandryshushëm.

Kur e panë se ishte e pamundur të bindej Fan Noli me argumenta logjike për të mos u larguar nga KONAREJA ne vendosëm ta kritikojmë me ashpërsinë më të madhe. Ne i thamë atij haptazi se të gjitha argumentat që përdori ai ishin sofizma të kulluara. Ne e konsiderojmë largimin e tij nga KONAREJA si një DEZERTIM të kulluar dhe të thjeshtë. Duke dalë nga KONAREJA Fan Noli bëri një hapë të madh drejtë refuzimit së luftës kundër regjimit.

Është pikërisht për të shpëtuar nga kapitullimi i plotë përpara Zogut që Fan Noli shkoi “të kërkojë një copë bukë” tek shqiptarët  e Amerikës. Qëndrimi i tanishëm i Fan Nolit tregojë se ai preokupohet kryesisht për interesat e tij personale dhe kur gjendet në një situatë të vështirë ai i braktisë shokët e tij pa asnjë më të voglin hezitim. Por Fan Noli duhet ta dijë se largimi i tij ka një rëndësi historike dhe se shokët para të cilëve ai duhet përgjigjej, do ta stigmatizojnë qëndrimin e tij ashtu siç e meriton,

Më në fund ne i propozuam Fan Nolit të bëjë një deklaratë me shkrim ku të parashtrojë shkaqet që e kanë shtyrë të largohet nga KONARE-ja. Ai refuzoj kategorikisht. Ne insistuam duke i thënë se nga pikpamja morale ai është i detyruar të shpjegohet përpara shokëve të cilët, presin shumë prej tij. Në qoftë se Fan Noli arriti në konkluzion se lufta që ne kemi bërë së bashku nuk çon asgjëkundi atëhere ai duhet t’ia thotë këtë shokëve, t’i sqarojë ata vetë për konkluzionet që nxjerr nga eksperienca e tij.

Të gjitha insistimet tona nuk dhanë asgjë. Atëhere, ne kërkuam që ai të firmojë këtë protokoll, jo vetëm që ai refuzoj por edhe deklarojë se nuk e pranonte diskutimin tonë, i cili vazhdoi dy ditë, si një mbledhje zyrtare. Ne i kemi propozuar gjithashtu që të bëhej një takim me shokun Viktor. Ai u përgjigj se do t’u drejtohet shokëve rusë atëhere kur të mos ketë më me se të jetojë; tani për tani nuk është nevoja të bisedojë me ta. Ai na ngarkoi që t’u shpjegojmë qëndrimin e tij.

Si përfundim ai na propozoi gjithashtu  për të bashkëpunuar me”Republikën”. Ne ju përgjegjëm që do të vendosë e gjithë organizata për taktikën që do të ndjekë ndaj Fan Nolit dhe APA. Kështu ne u

rezervuam që t’i japim një përgjigje definitive për këtë çështje.

Kështu përfundoi ky diskutim që shënon falimentimin e Fan Nolit si një politikan revolucionar.

Shkurt 1931.

Për sqarim:

Klika = Organizatë patriotike formuar në vitin 1914, e funksionarëve dhe e oficerave shqiptarë me tendenca demokratike që i sollën vendit shërbime të shquara.  Shumë anëtarë të KONARE-s  si Azis Çami, Shefqet Korça etj ishin anëtarë të  Klikës.

Gazeta “Republika” – themeluar prej Nolit në Amerikë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.