Burhani nuk ndahet nga Benda…

1
957
Buron Kaceli - pikturon

Ibrahim Kabili Intelektualin dhe artistin e mirnjohur Buron Kaceli e kam njohur në vitet ’80-të. Unë nuk kam punuar me Buronin si koleg në arsim por për punën e tij si mësues dhe pasionin e tij për pikturën më kanë folur kolegët e tij dhe kam opinione nga komuniteti. Shpejt u njoha me të përmes veprave artistike të tij. Në pikturë ai ra në sy me krijimet e tij në Vilëz dhe Bendë në vitet 1970-80. Edhe sikur të mos mjaftonte kjo, piktorin talent ma “kujtonte” çdo ditë portreti i arrirë i Buronit kushtuar gjyshit tim, emrin e të cilit mbaj edhe unë.

Ky portret është i vendosur në pjesën ballore të dhomës sime të pritjes. Për Buronin më foli dhe më tha fjalët më të mira edhe babai im Zijai. Në vitin 2012 Buronin e ritakojmë në Tiranë bashkë me kolegun Hysa, ku ai na dha të drejtën të vendosnim portretin e Zenel Bastarit te libri “Benda në rrjedhën e historisë”. Portreti qe bërë nga babai i tij Sadik Kaceli, “Nder i Kombit“. Një indicje për të bërë këtë shkrim modest për të, qenë ndër të tjera edhe disa krijime për zonën tonë dhe krijimtaria e gjerë artistike e tij…

Më pret me dashamirësi në studion e tij në Tiranë më datën 14 dhe 19.04.2022. Biseda qe shumë miqësore.

Buron Sadik Kaceli lindi në Tiranë më 25.01.1948 në një familje me tradita patriotike, atdhetare dhe kulturore. Familja Kaceli është me histori 300-400 vjeçare në Tiranë dhe një nga familjet qytet formuese të saj. Familja e tij ka qenë prezent në kohë në ngjarjet kombëtare dhe ka dhënë ndihmesën e saj. Ismail Kaceli ka rënë dëshmor në mbrojtje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për këtë, Buroni citon: “Fishta babait tim Sadikut, kur ky ishte nxënës, i ka recituar vargjet:

…Merr Kacel njëherë lahutën,
E ma thuaj një kangë shqiptare,
S’majmë na zi pa na qit fare…”.

Gjyshi i tij Osmani ka marrë pjesë në Luftën e Shkodrës. Familja e tij ka mbështet edhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Buroni shton: “E mbështetëm Luftën deri në mbledhjen e Mukjes. Pas kësaj familja u tërhoq mbasi nuk e desh komunizmin”.

Shkollën fillore dhe shtatëvjeçare e kryen me rezultate shumë të mira në shkollën “11 Janari” dhe “Misto Mame”. Në vitet 1960-64 kryen arsimin e mesëm pranë Shkollës së Mesme Artistike “Jordan Misja” në degën e pikturës. Ai kujton me shumë respekt profesorët: Abdulla Cangonji, Zef Shoshi, Janaq Paço, Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Llazar Nikolla etj.

Në vitet 1965-1970 mbaron me rezultate shumë të mira Institutin e Lartë të Arteve, dega pikturë. Ai kujton me shumë konsiderate dhe respekt pedagogët e pikturës dhe arteve, si: Danish Jukniu, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Vilson Kilica, etj. Për arsimin kujton:
“Ashtu si në Lice edhe në Institutin e Lartë të Arteve kemi pasur pedagoge shumë të mirë e të përkushtuar, por pedagogu im i veçantë dhe i pazevendësueshëm ka qenë im Atë, Sadiku, i cili më ndoqi që nga fëmijëria ime e hershme e deri vonë për sa kohë jetojë, deri në vitin 2000. E kisha pedagog, baba, por edhe si një shok të mirë”.

Pas mbarimit të ILA-ve Buroni emërohet mësues vizatimi në Shkollën 8 Vjeçare në Bajram Curr. Në vitin 1972 fillon punë në Institutin e Monumenteve të Kulturës si restaurator dhe më pas transferohet mësues në shkollën 8- Vjeçare Zall-Bastar. Pas gjashtë muajve e thirrin përsëri në IMK për restaurimin e ikonave që do të ekspozoheshin në ekspozitën e artit shqiptar të Parisit në vitin 1974. Më pas, përsëri do të vazhdojë të punoi si arsimtar në fshatin Vilëz dhe në fshatin Zall Bastar deri në vitin1980. Duke u kthyer mbrapa në kohë Buroni më flet për një trajtim të kujdesshëm nga autoritetet për këtë periudhë të punës së tij në zonën e Zall Bastarit. -“Isha një piktor me emër, isha antar i Lidhjes së Artistëve të Shqipërisë e kështu që gjatë të gjithë kohës kam pasur mundësinë të kisha një ambient më vehte, ambient në të cilin kisha mundësinë të zhvilloja krijimtarinë time artistike, pikturën.

Në Zall Bastar kam punuar me kolegë të përkushtuar si, Manun Ceka, Jani Drita, Bedri Kamberi, Bahri Nela, Shaban Seiti, etj. dhe në Vilëz me një kolektiv po kështu të përkushtuar pedagogjik si; Avdi Mali, Nuri Bumja, Fiqirete Sorra, Minushe Hasrama, Nuri Gjoni etj. Krahas detyrës si mësues unë realizoja punime artistike si; peisazhe, portrete, kompozime, etj. Edhe mbas mbarimit të vitit mësimor, i shoqëruar nga miku im Nuri Bumja vazhdoja edhe përgjate pushimeve verore të qëndroja në zonë e të vazhdoja krijimtarinë time artistike. Isha i lidhur me jetën shoqërore atje dhe jam përpjekur të pasqyroj në art jetën e atyre njerëzve puntorë e fisnikë. Për këtë dhe të tjera si këto e quaj veten edhe sot si banor i saj”. Në ato vite filluam punën edhe për ngritjen e disa muzeve”.

Disa nga krijimet e tij atje qenë: “Bariu” në Malin me Gropa, “Tokë shqiptare”, “Mbathja e kuajve”, “Higjenizimi i fshatit”, “Aksioni i ndërtimit të fshatit të ri Zall-Bastar”, “Mensa e fshatit”, “Nxënëset e mia”, “Agronomi”, ” Aksioni i ndërtimit të katit të dytë të shkollës së Vilzës”, “Mbledhja e brigatës”, “Korrësit e grurit”, “Tabllo nga Vilza”, “Në Malsinë e Tiranës Zall-Bastar”, “Hedhësja e farës” etj. Nga portretet veçoj: “Kërcimtar Hysen Hyra”, “Kafja te burrat” Qerim Beka; Ali Bumja; Aqif Beka; Nxënësi Halil Gjoka, etj. Ka bërë edhe disa portrete të kolegëve të tij mësues, banorëve si dhe disa portrete nxënësish. Krijoi mbi dhjetë punime artistike në pasqyrimin e ndërtimit të Zall-Bastarit të ri. Njëra nga këto vepra ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe është ekspozuar edhe në Paris.

Për këtë shprehet: “Realizova një ekspozitë me këto vepra në Zall-Bastar ku erdhi një përfaqësi e Lidhjes së Artistëve me në krye z. Kujtim Buza. Në Galerinë Kombëtare ruhet edhe një vepër tjetër e tij, kompozimi “Tokë Shqiptare” e realizuar po në këtë periudhë. Kam edhe një koleksion fotosh ku kam fiksuar jetën dhe realitetin e kohës, materiale të vlefshme këto që do të mund të pasurojnë një muzeum të mundshëm për këtë zonë të pasur me vlera historike dhe kulturore, një muzeum që arsimtari Nuri Gjoni me përkushtim e ka filluar e që shpresoj të mbështetet nga pushteti lokal i Zall Bastarit”.

Më tej vijon: “Gjatë kohës që punova si mësues si dhe përkushtimit tim si artist unë fitova respektin e atyre njerëzve dhe nuk u ndava më prej tyre. Edhe sot pas 40-45 vitesh mbaj lidhje me zonën, me shumë prej banorëve fisnikë të saj. Benda është një krahinë që meriton shumë. Ka një pasuri të madhe folklorike, një natyrë mjaft të bukur dhe vlera të mëdha morale të trashëgimisë sonë kombëtare. Janë shumë arsimdashës dhe kanë një botë të pasur shpirtërore. Ruajnë traditat e të parëve si; mikpritjen, besën, respektin për jabanxhijtë, janë njerëz të edukuar dhe me zemër të madhe. Këto cilësi janë ruajtur dhe konservuar bukur në breza”.

Në vitin 1980 Buroni transferohet në Tiranë por nuk e shkëputi zborin nga këtu. Ai kujton: “Isha komandant toge. U lexova zboristëve të batalionit rezervist artikullin mbi gjendjen politike në Kosovë, dhe për demonstratat e vitit 1981 të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Ata u prekën shumë dhe ishin të gatshëm të shkonin atje. I ndjeri Osman Hidri nga Bastar-Murriza, çohet dhe thotë: Komandant, na jepni fishekë luftarak në vend të atyre manovër, dhe ne e dimë vetë rrugën për në Kosovë. U preka shumë nga motivimi i tyre… Këto janë banorët e asaj zone”.

Nga viti 1980 deri vitin 2013 ka ai punuar në SHBLSH si piktor ilustrator i librave shkollore, Drejtor i Kulturës në Bashkinë Tiranë, Zv/kryetar i Bashkisë Tiranë, Anëtar i Këshillit Bashkiak, Drejtor i Albafilmit, Zv/drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ka qenë i angazhur politikisht dhe ka qenë; zv/ kryetar i PD-së Tiranë, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, dhe për një periudhë Deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Eshtë martuar me Magda Spahiun. Ajo ka mbaruar Konservatorin për kanto dhe ka punuar gjithnjë në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Kanë lindur dy djem, Arbërin dhe Dajtin. Arbëri ka mbaruar arsimin e lartë për Komunikim-Dizajn, dhe Dajti arsimin e lartë për Financë-Biznes.

Buroni ka një krijimtari të madhe artistike dhe është një nga piktorët më me emër të vendit dhe gjithë trojeve shqiptare. Ai ka konkuruar dhe fituar vlerësime dhe çmime të ndryshme. Vepra të tija janë ekspozuar përveçse në trojet shqiptare edhe jashtë, dhe në një ekspozitë të përbashkët me artistë italiane ka fituar edhe çmimin e kritikës italiane.

Për shkak të punës ai pothuajse ka vizituar të gjitha territoret ku banojnë shqiptarët duke e pasuruar krijimtarinë e tij me mjaf vepra të gjinive të ndryshme të arteve pamore. Aderon në disa shoqata ndërkombëtare të piktorëve dhe artistëve. Njerëz si Buroni i bëjnë nder familjes, fisit, kombit të tij dhe më gjerë…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 21.04.2022

1 KOMENT

  1. Me te lumte i nderuar Ibrahi Kabili, sjelle kete figure Mesues, nje herresh ARTIST i PENELIT sa Atdhetar, lene gjurme me punen e tij nje jete jo vetem ne Tirane. Me vjen mire, qe ai u be nje nga pauseit e nderuar i asaj families nga Tirana, punuar ne keto zona te thella ne ato vite, kur fshati Yne sa mbare vendi, persoi trasformime me se pari ne ARRESIM- kukture dhe ne keto zona te thella.

    Une kam punuar ne ato zona( Shengjergj – Zall, mner- Zall-Dajt 10 vjet (64-74).e ndihem krenar per arriet ne ate zone, nga ruaj kujtime me te mira. Kujtoj me NOSTALGJI vetrane MESUES, qe ju dhe keni shkruar dhe ju faleminderit.Mendoj-Nje MUZEUM pergjithesues sa shoqeruar me vepra arti,si ka bere i miri Buran Kaceli, qe e pergezoj, une sot 86 vjecar- *Pasues VETERAN*, qe e ritheksoj: duhet bere per trastormimet ne ate sone.

    Ndihen krenar me ish Nxenesit,dale mesues sa Kuadro te nderuara shkenxore arrire.

    Une ani larguar fizikisht nga ajo zone,nje jete me Te…Me bejne krenar, aritiet e PASUESVE mesues-Nxenes dhe fshataret arsim dashesh te asaj zone, me aaritiet e pas clirimit vendit. Ne filim te viteve 60-të, ajo zone me tre shkolla 8 vjecare, me nje spital ne vite,i miri Buran Kaceli ardhur ne ate zone,gjeti te hapur masivish,ne cdo fshat sa shkollen e Mesme ne Zall-Dajt nga shtatori vitit 1971-(une Drejtor i pare) vijimesi, nga 1967-ta-hap ate shkolle, te mesme te Bashkuar, si quheh atehere. (fatkeqesisht mbyllur pas 90tes, pasuar Zall-bastari, qe e falenderojme… Te nderuarit Buran Kaceli, si- Kuader dinjitoz-Pasues i denje i Asaj familie te nderuar-Kaceli-Burani me pluralizmin e pas 90tes- *Opozitar po vellezer* i uroj mbodhesi vecanerisht si KRIJUES, dhe sot, ne moshe te trete.

    Une 86 vjecari-rruget e emigracionit marre pas 91-97tes… e ne vijimesi nga tej oqeani ju uroj ju sa na sillni kete shkrim dinjitoz. ju lumte.. Buranit se Pari ARIST ne profesionin e Tij,i uroj mnrodhesi dhe me parimin dinjitoz*OPOZITAR po VELLEZER*.

    Me shume konsiderate nga tej oqeani nisur si gjithnje per ne atdhe…mir ju gjeca…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.