SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

0
10
Serbët në manastir - Banjskë
octopus Në përvjetorin të sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një intensitet të ri. Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, ka shprehur mbështetje të fortë për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke e promovuar rikthimin e forcave serbe në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së. Ky projekt, i miratuar së fundmi nga Kuvendi i Madh Gjithë-Serb, po merr gjithnjë e më shumë trajtë në diplomacinë perëndimore nga lobi serb, duke shërbyer si një instrument për të justifikuar ambiciet territoriale të Beogradit. Rusia, si sponsorizuesi kryesor i këtij procesi, ka përdorur përputhjet e Serbisë me Perëndimin si një mjet strategjik në luftën hibride, me synimin për të avancuar ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Kjo dinamike ngre pyetje thelbësore për stabilitetin e rajonit dhe për sfidat që priten në politikën ndërkombëtare.
Autor:
Agim Musliu – Drejtor në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”
Gurakuç Kuçi – Hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, njoftoi se Rusia mbështet iniciativën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të vendosur sërish forcat serbe në Kosovë, në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së. Kjo deklaratë e Moskës përfaqëson një angazhim të qëndrueshëm ndaj interesave strategjike të Serbisë, jo thjesht për implementimin e shtatë pikave të planit të Vuçiçit, të publikuar më 13 shtator 2024, por për një veprim më të thelluar dhe të menduar mirë.
Plani i Vuçiqit përmban shtatë kërkesa publike ndaj Kosovës, të cilat synojnë faktikisht rikthimin e statusit të Kosovës në një gjendje që minon sovranitetin e saj. Duke qenë të papranueshme për çdo mendje racionale, këto kërkesa zbulojnë një qëllim më të thellë: krijimin e një preteksti për veprime të mëtejshme që shkojnë përtej skenës së diplomacisë.
Synimi i tyre është krijimi i kushteve për një konflikt hibrid ruso-serb në Kosovë, i cili mund të fillojë me masa demonstrative si mosbindje civile, akte terroriste, protesta të dhunshme, dhe incidente të inskenuara sporadike. Këto veprime të mirorganizuara synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe të krijojnë një narrativë për ndërhyrje të re ndërkombëtare. Kjo ndërhyrje, do të përfshinte forcat e KFOR-it, reaktivizimin e misionit të UNMIK-ut dhe kthimin e forcave ushtarake serbe në veri të Kosovës, duke u thirrur sërish në rezolutën 1244 të OKB-së.
Ky qëllim strategjik u zbulua më qartë më 9 qershor, kur u mbajt Kuvendi i Madh Gjithë-Serb. Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme, u mblodhën Presidenti dhe Qeveria e Serbisë, qeveria e Republikës Srpska dhe Kisha Ortodokse Serbe. Deklarata e dalë nga ky kuvend mbështetet në nenet 4 dhe 6, si dhe në aneksin 2 të rezolutës 1244, duke vendosur “themelet” për një rikthim ushtarak serb në Kosovë.

Tendencat E Serbisë Për Okupimin E Veriut të Kosovës Dhe Legjitimin E Saj Nëpërmjet Rezolutës 1244

Serbia po përpiqet të justifikojë rikthimin e saj në Kosovë—qoftë përmes një lufte hibride apo akteve terroriste, apo edhe nëpërmjet ndryshimeve në skenën gjeopolitike—duke u mbështetur në narrativën e së drejtës që i jep Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara. Ky synim strategjik u konfirmua më 9 qershor, gjatë Kuvendit të Madh Serb, i mbajtur ndërmjet përfaqësuesve të Serbisë, Republikës Srpska dhe Kishës Ortodokse.
Në këtë kuvend, u miratua një deklaratë ku theksohej çështja e Kosovës dhe roli i Rezolutës 1244 si bazë juridike për kërkesat e Serbisë për rikthimin e saj. Deklarata citonte nenet 4 dhe 6, si dhe aneksin 2 të kësaj rezolute, duke pretenduar se ato legjitimojnë të drejtën e Serbisë për të rishtrirë praninë e saj në Kosovë.
Ky kuvend u mbajt pas Kuvendit të Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkanës së Moskës (ROC MP), e cila u zhvillua më 27-28 mars. Në atë mbledhje, u miratua një dokument ideologjik dhe politik me titullin “E tashmja dhe e ardhmja e botës ruse”, i adresuar autoriteteve legjislative dhe ekzekutive ruse. Në këtë dokument, ROC MP shpalli se Rusia është krijuesi, shtylla dhe mbrojtësi i botës ruse, duke pohuar se kufijtë e kësaj bote shpirtërore dhe kulturore shtrihen përtej territorit aktual të Federatës Ruse. Ky dokument gjithashtu shenjtëronte luftën e Rusisë në Ukrainë, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë të përpjekjeve për ruajtjen e një rendi civilizues rus.

Sulmi në Banjskë si skenar dipomatiko-ushtarak

Kuvendi Gjithë-Serb fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 5-6 maj, menjëherë pas deklaratës së Presidentit Vuçiq, i cili kërcënoi Perëndimin se çdo përpjekje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të shkaktonte zemërimin e Serbisë e cila do pres ndryshimet gjeopolitike që do të mundësonin veprime të drejtpërdrejta kundër Kosovës. Megjithatë, ky kuvend u shty për më 9 qershor, për të pritur rezultatet e vendimit të Këshillit të Evropës mbi Kosovën dhe statusin e saj të përforcuar brenda NATO-s, duke kaluar nga një vend vëzhgues në një vend të asociuar.
Këto përpjekje të ripërsëritura të Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe kërcënimet e saj të vazhdueshme erdhën pasi plani i dështuar përmes aktit terrorist në Banjskë, në Zveçan, nuk arriti të shkaktojë një kryengritje serbe në veri të Kosovës. Ky skenar i paramenduar synonte krijimin e një situate lufte që do të kërkonte ndërhyrjen ndërkombëtare—si diplomatikisht ashtu edhe ushtarakisht përmes KFOR-it—në mënyrë që të imponohej ndarja e veriut, ngjashëm me zhvillimet e vitit 1999.
Detajisht, strategjia serbe kishte për qëllim të reagonte ndaj përpjekjeve të Kosovës për të zgjeruar sovranitetin e saj në veri dhe për të shpërbërë strukturat ilegale që funksiononin atje. Meqenëse bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmori hapa konkretë për të mbrojtur interesat e grupeve kriminale të lidhura me Vuçiwin në veri të Kosovës, plani alternativ i Serbisë ishte përdorimi i forcës dhe manipulimi i “pakënaqësive” nëpërmjet akteve të terrorit. Ky opsion u vlerësua si më i përshtatshmi për të realizuar objektivat e Serbisë në rajon.

Cili ishte plani i Serbisë në Banjskë që do prodhonte ndarjen e Kosovës

Më 24 shtator 2023, Serbia ndërmori një aksion të mirëkoordinuar në veri të Kosovës përmes një grupi të mirëstërvitur dhe të armatosur. Objektivi i këtij operacioni ishte të nxisë indinjatën e qytetarëve serbë kundër institucioneve të Kosovës, duke çuar në një përplasje të armatosur. Ky skenar synonte të prodhonte viktima nga të dyja palët, duke detyruar autoritetet kosovare të reagojnë me masa të ashpra dhe përdorimin e forcës joproporcionale për të shtypur rebelimin.
Në këtë kontekst, ndërhyrja ndërkombëtare—në formë diplomatike dhe ushtarake—do të bëhej e pashmangshme. EULEX-i do të angazhohej si reagues i dytë, ndërsa KFOR-i do të vepronte si forca e tretë për të ndaluar përshkallëzimin e dhunës. Kjo ndërhyrje do të çonte në krijimin e një kordoni sanitar në vijën ndarëse si të vitit 1999. Më pas, kjo zonë do të kalonte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, me UNMIK-un si autoritet qeverisës, i cili, për shkak të mungesës së kapaciteteve efektive, do të ishte i detyruar të bashkëpunonte me strukturat kriminale të lidhura me Serbinë.
Në këtë mënyrë, aktet terroriste të grupit të udhëhequr nga Milan Radojçiq do të shndërroheshin në veprime të legjitimuara si “çlirimtare”. Kjo do të hapte rrugën për riaktivizimin e fuqishëm të Rezolutës 1244. Serbia do të shfrytëzonte në maksimum këtë rrethanë për të rikthyer praninë e saj ushtarake në territorin e Kosovës, duke iu referuar neneve 4 dhe 6, si dhe aneksit 2 të rezolutës. Ky dokument, i cili dikur kërkonte tërheqjen e forcave jugosllave-serbe nga Kosova, përmban një dispozitë që lejon kthimin e personelit serb për detyra specifike—ruajtjen e vendkalimeve kufitare, mbrojtjen e monumenteve serbe dhe ndihmën në çminim—me miratimin e pranisë ndërkombëtare, përkatësisht KFOR-it.
Duke krijuar një narrativë fiktive të së drejtës ndërkombëtare dhe duke përfituar nga rrethanat gjeopolitike dhe politika e paqëtimit (appeasment) të Perëndimit, Serbia do të realizonte me sukses okupimin e veriut të Kosovës.

Si i manipuloi Rusia perëndimorët me Serbinë “pro-perëndimore”

Realizimi i këtij plani do të godiste në themel shtetësinë e Kosovës. Një Kosovë e tkurrur në funksionalitetin e saj shtetëror, e ndikuar nga presioni ndërkombëtar për frenimin e përdorimit të forcës ndaj serbëve në veri, e privuar nga resurset e saj natyrore dhe e pafuqishme për të prodhuar energji elektrike, do të përballej me sfida të ekzistencës. Në një situatë të tillë, Kosova do të detyrohej të kërkonte një zgjidhje mbijetese. Përballë një krizë të tillë, gjasat më të mëdha do të ishin rikthimi në një formë administrimi ndërkombëtar sesa një bashkim me Shqipërinë, pasi kjo e fundit do të provokonte pakënaqësi dhe destabilizim të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor.
Dështimi i aksionit të 24 shtatorit 2023 detyroi Serbinë dhe Rusinë të ndalojnë përkohësisht zbatimin e këtyre skemave, por ato e kuptuan se për të realizuar objektivat e tyre, një qasje e re diplomatike ishte e domosdoshme. Me mbështetjen e Rusisë, Serbia adoptoi një strategji të re, duke përmirësuar imazhin e saj në arenën ndërkombëtare përmes lëvizjeve të kuruara me kujdes: ofrimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe Izraelin, angazhimi në forcat paqeruajtëse në Liban dhe shtija e litiumit tek evropianët. Këto veprime kishin për qëllim mashtrimin e opinionit ndërkombëtar dhe krijimin e një fasade të moderuar për Serbinë. Pasi arritën një nivel të caktuar besueshmërie në skenën ndërkombëtare, Serbia dhe Rusia iu rikthyen planeve për rikthimin e forcave serbe në Kosovë.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Serbia vazhdimisht ka ngritur në tryezën diplomatike çështjen e Rezolutës 1244, duke theksuar mbrojtjen e të drejtave të saj dhe viktimizimin e serbëve. Ky narrativ jo vetëm që ka shërbyer si një instrument diplomatik për të konsoliduar pretendimet serbe, por ka pasur ndikim edhe në opinionin ndërkombëtar, madje dhe tek një pjesë e opinionit brenda vetë Kosovës. Serbia ka arritur që përmes këtij manipulimi, të përforcojë idenë se Kosova varet nga Rezoluta 1244, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe duke anashkaluar përfshirjen e kësaj rezolute në Kushtetutën e Kosovës.
Nuk është rastësi që në këtë moment, Zakharova ka bërë deklaratën e saj në mbështetje të rikthimit të ushtrisë serbe në Kosovë. Ky veprim jo vetëm që do të përshkallëzonte situatën në terren, por do t’i jepte mundësi Rusisë të shpërqendronte Perëndimin dhe të intensifikonte luftën e saj hibride në Ballkanin Perëndimor. Serbia, duke përdorur këtë situatë, do të përfitonte nga kaosi dhe do të kërkonte të avancojë agjendën e saj gjeopolitike në rajon.

Konkluzione:

Sulmi i armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, përkrahja e Rusisë për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë duke u mbështetur në Rezolutën 1244, si dhe pozicionimi “pro-perëndimor” i Serbisë që synon lobimin për të drejtat e saj sipas të njëjtës rezolutë, përbëjnë elemente të një strategjie të mirë-planifikuar ruso-serbe. Kjo strategji ka për qëllim mashtrimin e aktorëve ndërkombëtarë dhe krijimin e kushteve për ndarjen territoriale të Kosovës dhe eventualisht për zhdukjen e saj si shtet. Kjo, ndër të tjera, do t’i hapte rrugë rikthimit të fuqishëm të ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, ku Rusia tashmë ka zgjeruar praninë e saj përmes formave të luftës hibride në shumicën e vendeve të rajonit.
Pretendimet e Serbisë për afrim “pro-perëndimor” dhe përkushtimi ndaj integrimeve evropiane janë në të vërtetë pjesë e një loje të sofistikuar diplomatike, në kuadër të një lufte hibride të orkestruar nga Rusia. Ky manipulim synon të minojë nga brenda strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke krijuar përçarje dhe dobësi institucionale në përballjen me ndikimet autoritare.
Këto plane ruso-serbe, që po dalin gjithnjë e më qartë në dritë, duhet të shërbejnë si një thirrje alarmi për politikanët, diplomatët dhe opinionin publik, si në Kosovë, ashtu edhe në Perëndim. Angazhimi më i fuqishëm i këtyre aktorëve është i domosdoshëm për t’iu kundërvënë kësaj strategjie destabilizuese dhe për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit.

Dr. Gurakuç Kuçi 
– Senior Researcher at Institute for Hybrid Warfare Studying “OCTOPUS”
– Professor at UNI College
+383 (0) 49 765 307

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.