Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Manifest i rezistencës së organizuar – Trakti i parë
Në mesin e heshtjeve të natës dhe zërave që gufonin nga errësira, kishte një trakt që dridhi më fort se të tjerët themelet e pushtetit okupues serb. Ishte ai që, në gjuhën e hetuesve, u quajt me një emër të thjeshtë, por me peshë historike – “Trakti i Parë.” Dhe megjithëse nuk ishte realisht i pari, ai mbeti në kujtesën e aparatit shtypës si një plagë e papritur, si një zgjim i beftë përballë një rreziku që deri atëherë ishte nënvlerësuar.
Për herë të parë, pushteti e ndjeu fjalën si armë, fletën si flakë, dhe zërin e padukshëm të popullit si një forcë që nuk mund të ndalohej me polici, as me heshtje. Ishte ky trakt që i hapi sytë hetuesisë, që zbuloi se në duart e të rinjve, në dorën e një aktivisti anonim, një copë letër mund të shpërthente si bombë ndërgjegjeje. Ata nuk kishin përballë një rebelim me armë, por një kryengritje që lëvizte në heshtje, nëpër rrugë, në oborre, në kuti postare, dhe që kishte jehonë në zemrat e mijëra vetave.
“Trakti i Parë”, për ta, nuk ishte vetëm një dokument ilegal – ishte një shpallje lirie, një shkundje e ndërgjegjes kolektive, një thirrje që përhapej si dritë në errësirën e robërisë. Ajo që më parë e kishin konsideruar si një fletushkë të padëmshme, tashmë u shfaq si një manifest i rezistencës së organizuar, si një zë që nuk kërkonte leje për të folur. Në atë çast, pushteti kuptoi se nuk kishte të bënte më me individë të shpërndarë, por me ide që kishin zënë rrënjë. Dhe se traktet nuk ishin vetëm fjalë të shkruara, por pasqyrë e një populli që po zgjohej, e një gjaku që nuk pranonte më të heshtte.
Kështu, “Trakti i Parë” mbeti në histori jo për nga renditja, por për nga forca me të cilën përshkoi rrjetin e frikës dhe e trazoi pushtetin. Ishte ai çasti kur fjala fitoi statusin e saj të vërtetë – jo vetëm si mjet komunikimi, por si simbol i guximit, i vetëdijes dhe i një ideali që nuk mund të ndalohej më. Edhe pse dokumenti që gjetëm në dosjen hetimore identifikohej si “Trakt”, në aktakuzën zyrtare të ngritur ndaj të burgosurve politikë, ai vazhdonte të kategorizohej me termin e zvetënuar “afishe”. Kjo praktikë gjuhësore, e qëllimshme dhe sistematike nga ana e organeve të ndjekjes penale, përfaqësonte një përpjekje të vazhdueshme për të minimizuar peshën politike të materialeve të tilla, duke i paraqitur ato si fletushka të zakonshme, pa rëndësi ideologjike apo organizative. Në realitet, ato ishin produkte të mendimit të artikuluar politik, që synonin mobilizimin e ndërgjegjes kolektive dhe denoncimin e padrejtësisë strukturore ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Traktet e një organizate ilegale i shpërndanin
edhe organizatat tjera ilegale
Në historikun e veprimtarisë ilegale shqiptare në Kosovë, nuk është e panjohur praktika ku traktet e hartuara nga një organizatë ilegale shpërndaheshin nga anëtarët e organizatave të tjera ilegale, në një akt bashkëpunimi të heshtur por të fuqishëm. Kjo formë veprimi dëshmon për një solidaritet të thellë ndërmjet strukturave ilegale, të cilat, ndonëse mund të vepronin me emra të ndryshëm dhe në zona të veçanta, ishin të bashkuara në qëllimin madhor të rezistencës kundër pushtetit shtypës dhe në përpjekjen për afirmimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Ky model bashkëpunimi u shfaq qartësisht edhe në rastin e “Traktit të Parë”, një dokument me përmbajtje të theksuar politike, i cili, edhe pse u hartua nga anëtarët e “Grupit Revolucionar”, u shpërnda në terren nga aktivistë të shumtë të organizatave të tjera ilegale. Ky bashkëveprim e amplifikoi efektin e traktit, duke e përhapur mesazhin e tij në mënyrë më të gjerë dhe më të koordinuar, dhe njëkohësisht, e sfidoi narrativën e pushtetit që përpiqej ta paraqiste rezistencën si të fragmentarizuar dhe pa ndikim real.
Në të vërtetë, ky ishte një shembull domethënës i kohezionit strategjik të rezistencës ilegale shqiptare, i cili dëshmonte se, përtej dallimeve të brendshme ose metodave të veprimit, ekzistonte një bosht i përbashkët i qëllimit politik dhe i idealit kombëtar, që shprehej përmes fjalës së shkruar, por që mbështetej me përkushtim nga rrjeti i aktivistëve në terren. Traktet, në këtë kontekst, nuk ishin vetëm dokumente të shpërndara – ato ishin dëshmi të solidaritetit, të vetëdijes dhe të vendosmërisë për ndryshim, që përshkonin gjithë strukturën e rezistencës ilegale shqiptare në Kosovë.
Për të ilustruar më qartë dinamikën dhe seriozitetin e veprimtarisë ilegale përmes shpërndarjes së trakteve politike, një rast veçanërisht domethënës është ai që lidhet me procesin gjyqësor ndaj Adem Demaçit, i zhvilluar në vitin 1976. Ky proces përbën një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e rezistencës shqiptare në Kosovë, jo vetëm për shkak të figurës qendrore që kishte Demaçi, por edhe për mënyrën se si autoritetet shtetërore e konceptonin dhe e ndëshkonin aktivitetin e strukturave ilegale.
Në aktakuzën zyrtare ndaj anëtarëve të grupit të tij, ndër të tjera, ata akuzoheshin për shpërndarjen e një afisheje, që në realitet ishte një trakt politik me përmbajtje të artikuluar kundër pushtetit dhe me thirrje për vetëdije kombëtare. Sipas dokumenteve hetimore dhe gjyqësore, ky material propagandistik ishte shpërndarë gjatë natës së 6 dhe 7 korrikut të vitit 1974, në disa fshatra të Anamoravës, përfshirë Hogoshtin, Topanicën dhe vendbanime të tjera të kësaj treve.
Ky episod dëshmon se shpërndarja e trakteve nuk ishte një veprim sporadik apo lokal, por pjesë e një veprimtarie të organizuar dhe të shtrirë gjeografikisht, që synonte përfshirjen e masave të gjera popullore në procesin e ndërgjegjësimit dhe të qëndresës politike. Fakti që ky akt u përfshi si element themelor në një proces gjyqësor të profilit të lartë, tregon se pushteti, pavarësisht përpjekjeve për ta minimizuar rëndësinë e trakteve duke i quajtur “afishe”, e kishte shumë të qartë rrezikun potencial që mbartnin ato për ruajtjen e status quo-së politike dhe ideologjike.
Prandaj, ky rast përbën një dëshmi të fuqishme të përmasës që kishte marrë aktiviteti ilegal, dhe njëkohësisht, shpalos mënyrën se si ai përjetohej si kërcënim serioz nga aparati shtetëror. Në këtë kuptim, traktet nuk ishin më thjesht dokumente që shprehën pakënaqësi – ato ishin instrumente rezistence dhe akt akuzash morale e politike ndaj një sistemi që mohonte të drejtat themelore të shqiptarëve në Kosovë. Rasti i shpërndarjes së traktit në fshatrat e Anamoravës, i përmendur në gjyqin e Adem Demaçit, mbetet kështu një dëshmi konkrete e angazhimit, organizimit dhe guximit që karakterizonte lëvizjen ilegale shqiptare në dekadat e errëta të shtypjes.
Megjithatë, në bazë të intervistave dhe bisedave që kam zhvilluar me disa nga anëtarët e organizatës ilegale të njohur si “Grupi revolucionar”, si dhe duke u mbështetur në përmbajtjen e dosjeve të tyre të dokumentuara, rezulton qartë se kjo organizatë kishte zhvilluar një veprimtari të qëndrueshme dhe të organizuar përmes hartimit dhe shpërndarjes së materialeve të shkruara me përmbajtje politike dhe kombëtare. Këto materiale, që përfaqësonin formën e tyre të komunikimit ideologjik dhe të rezistencës, ishin përhapur jo vetëm në qytetin e Prishtinës, por edhe në Mitrovicë, Kishnicë, Hajvali dhe në një sërë vendbanimesh të tjera me shumicë shqiptare. Ky akt i shpërndarjes nuk ishte vetëm një veprim spontan, por një strategji e mirëmenduar për të zgjuar vetëdijen politike dhe për të përhapur mesazhin e tyre atdhetar në mesin e popullatës shqiptare, në rrethana të një represioni të ashpër politik dhe institucional nga autoritetet e kohës.
Një dëshmi e qartë për veprimtarinë e strukturuar dhe të qëllimshme të organizatës ilegale “Grupi Revolucionar” gjendet në përmbajtjen e dosjes së tyre hetimore me numër referimi P. Nr. 249/74. Sipas të dhënave të përfshira në këtë dokument zyrtar, rezulton se kjo organizatë nuk ishte e kufizuar vetëm në ide dhe diskutime teorike, por kishte ndërmarrë edhe aksione konkrete simbolike, të cilat synonin ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e studentëve shqiptarë në kontekste të shtypjes institucionale dhe politike. Në mënyrë të veçantë, dokumenti thekson se një afishe (apo trakt) me përmbajtje thellësisht patriotike ishte shpërndarë në mënyrë të fshehtë gjatë natës mes datave 1 dhe 2 nëntor të vitit 1973, në hapësirat jetësore dhe të përbashkëta të studentëve – konkretisht në konviktet dhe në mensën universitare.
Ky akt, i organizuar me kujdes në një moment simbolik, dëshmon për përpjekjen e qëllimshme për të krijuar një klimë rezistence të heshtur, përmes fjalës së shkruar, në zemër të rininë intelektuale shqiptare të kohës, pikërisht aty ku përpunohej mendimi kritik dhe formësohej identiteti politik i brezave të rinj. Veprimtaria e tillë mund të lexohet si një formë e hershme e rezistencës kulturore dhe politike ndaj sistemit jugosllav, në një kohë kur çdo shfaqje e këtij lloji përbënte rrezik të madh për pjesëmarrësit dhe bartësit e saj (Arkivi Qendror i Kosovës, dosja P. Nr. 249/74).
Përmes këtij materiali të shpërndarë – që përmbante një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të artikuluar – ftohej rinia studentore dhe revolucionare e Kosovës që të ndërmerrte një akt të hapur kundërshtimi përmes grevës dhe bojkotimit të procesit mësimor, deri në realizimin e kërkesave të tyre politike, kulturore dhe sociale. Kjo thirrje nuk ishte thjesht një deklaratë e momentit, por një akt i mirëmenduar i mosbindjes së popullit në kontekstin e një regjimi që kufizonte hapësirat e shprehjes së lirë dhe të vetëvendosjes për shqiptarët në Kosovë. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky dokument ishte i njëjtë me trakte të tjera që qarkulluan në atë kohë apo nëse bëhet fjalë për një tekst të ndryshëm, ndoshta me përmbajtje më të gjerë apo të veçantë, të cilin unë nuk e kam pasur mundësi ta gjej në dosjet ekzistuese të organizatës.
Kjo pasiguri, ndër të tjera, buron edhe nga efekti i pashmangshëm i kalimit të kohës, i cili ka zbehur kujtesën, madje edhe te vetë anëtarët e organizatave ilegale, të cilët shpesh nuk arrijnë të rikujtojnë me saktësi se cilit trakt i referoheshin ngjarjet ose aktivitetet e caktuara. Kjo e bën edhe më të vështirë rindërtimin e plotë të narrativës së rezistencës së fshehur shqiptare në Kosovë gjatë asaj periudhe, por njëkohësisht thekson domosdoshmërinë për të ruajtur dhe analizuar çdo fragment të mbetur të asaj historie të nënshtruar dhe shpeshherë të heshtur (Arkivi Qendror i Kosovës, dosja P. Nr. 249/74).
Shpërndarja e trakteve në Mitrovicë dhe rrethinë
Një tjetër dëshmi e qartë për shkallën e organizimit dhe përhapjes së veprimtarisë ilegale të “Grupit Revolucionar” lidhet me ngjarjet e datës 12 dhe 13 dhjetor 1973, kur në qytetin e Mitrovicës u ndërmor një aksion i guximshëm dhe i koordinuar për shpërndarjen masive të materialeve propagandistike. Më shumë se shtatëdhjetë trakte u shpërndanë në ndërtesën e punëtorëve me numër 9, duke synuar drejtpërdrejt ndërgjegjësimin e shtresës punëtore, e cila në atë kohë përbënte një segment të rëndësishëm shoqëror me potencial të lartë mobilizues. Veprimtaria nuk u kufizua vetëm në këtë zonë; një numër i konsiderueshëm traktesh u hodhën edhe në zonën industriale të njohur si Tuneli i Parë – një hapësirë simbolike e punës dhe lëvizjes, që përfaqësonte dinamizmin e përditshëm të qytetit.
Për më tepër, shpërndarja e trakteve vazhdoi edhe në ndërtesat me numër 5 dhe 6, ku banonin punëtorë të shumtë, dhe ku, sipas burimeve arkivore, janë regjistruar mbi 98 trakte të shpërndara në mënyrë anonime dhe të koordinuar. Ky veprim i mirëmenduar tregon për një strategji të qartë të organizatës për të depërtuar në zemrën e shtresave të gjera punëtore dhe për të zgjeruar ndikimin e mesazheve të saj patriotike dhe politike. Duke synuar hapësirat e jetesës dhe punës, veprimtarët ilegal kishin kuptuar rëndësinë e lidhjes së ideologjisë kombëtare me realitetin konkret të jetës së përditshme të qytetarëve, duke ndërtuar ura komunikimi mes rezistencës intelektuale dhe mbështetjes popullore (Arkivi Qendror i Kosovës, dosja P. Nr. 249/74).
Në hijen e natës, kur qyteti ishte zhytur në heshtjen e zakonshme të frikës dhe nënshtrimit, një akt guximi mori formë në ndërtesën me numër 34 – një hapësirë e zakonshme, që atë natë u kthye në një skenë të rezistencës së pashpallur. Muret e saj, dikur të zbehta dhe të heshtura, u bënë papritmas fletë të gjalla proteste, të mbuluara me ngjyra të yndyrshme, të forta, si vetë zemra e një populli që refuzonte të heshtte. Parullat, të shkruara me dorën e bindjes dhe me zemrën e zemërimit, shënjestronin drejtpërdrejt figurën e kryetarit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë – Titos – simbolin e një pushteti që për shqiptarët përfaqësonte më shumë shtypje sesa bashkim, më shumë heshtje sesa drejtësi. Ishte një akt që sfidonte jo vetëm rendin politik të ditës, por edhe frikën kolektive, duke e përkthyer atë në një thirrje të heshtur për liri, në një vizion të pashkruar për dinjitet kombëtar. Ky mesazh, i lënë në errësirën e natës, ndriçonte më shumë se çdo llambë rruge – ndriçonte rrugën drejt ndërgjegjësimit, drejt të drejtës për të thënë “jo” në një botë ku gjithçka duhej të ishte “po”.
Veprimtaria e organizuar dhe e guximshme e strukturave ilegale shqiptare në Kosovë gjatë viteve ’70 dëshmohet qartë edhe përmes shpërndarjes së trakteve në disa lokalitete të veçanta, siç pasqyrohet në të dhënat e hetuesisë së kohës. Në zonën minerare të Stantergut, hetuesit regjistruan praninë e 61 trakteve, të cilat përfaqësonin një formë të drejtpërdrejtë të komunikimit politik me popullatën lokale – një përpjekje për të zgjuar ndjenjën e vetëdijes kombëtare në mesin e punëtorëve dhe banorëve të thjeshtë. Më tej, në Kishnicë, shpërndarja ishte më masive dhe u shpërndan mbi njëqind trakte. Ato u gjetën nëpër hapësirat publike të përditshme, siç ishin lokalet afariste, para ambulancës së punëtorëve dhe para dyqaneve të vendbanimit. Këto vende, të cilat përbënin qendra të natyrshme të grumbullimit dhe lëvizjes së njerëzve, ishin zgjedhur me kujdes për të garantuar që mesazhi të arrinte sa më larg dhe të ndikonte drejtpërdrejt në ndërgjegjen kolektive.
Ndërkohë, në Hajvali, shpërndarja e trakteve kishte marrë një formë tjetër, më të dukshme dhe më simbolike. Traktet ishin ngjitur në shtyllat elektrike – pika të dukshme në rrugë – si dhe në dyert e shkollës fillore, duke pasur si synim që mesazhet të binin në sy jo vetëm të të rriturve, por edhe të gjeneratës së re që rritej nën ndikimin e politikave të një sistemi shtypës. Ky akt përbënte një përballje të hapur me mekanizmin ideologjik të shtetit jugosllav, që përpiqej të kontrollonte narrativen kombëtare përmes sistemit arsimor dhe hapësirës publike. Prandaj, zgjedhja e vendeve të shpërndarjes nuk ishte e rastësishme, por pjesë e një strategjie të menduar për të shndërruar hapësirat e përditshme në mjete të rezistencës së heshtur, në një kohë kur çdo fjalë e shkruar në shqip me përmbajtje atdhetare përbënte një akt të dënueshëm politikisht (Arkivi Qendror i Kosovës, dosja P. Nr. 249/74).
Një tjetër episod domethënës i veprimtarisë së organizuar ilegale, që dëshmon për përhapjen e qëllimshme të propagandës patriotike në mjediset punëtore, është ai i datës 21 dhe 22 prill 1974, kur në Koloninë e punëtorëve të Minierës së Goleshit, në zonën e Magurës, u shpërndanë trakte me përmbajtje të theksuar atdhetare. Këto materiale, të përgatitura me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe ngarkesë emocionale të fuqishme, përbënin një formë të qartë të ndërgjegjësimit politik dhe nxitjes për mobilizim kundër shtypjes institucionale që ushtrohej mbi shqiptarët në Kosovë nga regjimi jugosllav i kohës. Në përmbajtje, njësoj si në rastet e mëparshme, trakti përçonte një thirrje të hapur për rezistencë, duke u drejtuar punëtorëve me mesazhin se të drejtat e tyre themelore nuk do t’u dhuroheshin, por do të duhej të fitoheshin përmes përpjekjes së dhimbshme, madje edhe me gjak, nëse ishte e nevojshme.
Ky diskurs i fortë dhe dramatik përfaqësonte jo vetëm një revoltë simbolike kundër realitetit politik të margjinalizuar, por edhe një ndërthurje të thellë mes ndjenjës së padrejtësisë dhe sakrificës së domosdoshme për çlirim. Adresimi i këtyre thirrjeve në ambientet e jetës dhe punës së punëtorëve ishte një strategji e menduar për të aktivizuar një shtresë të gjerë të shoqërisë, e cila jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe shpeshherë ishte e ndjeshme ndaj çështjeve të pabarazisë dhe diskriminimit. Traktet e tilla, përtej përmbajtjes së tyre tekstuale, përfaqësonin një mënyrë konkrete të artikulimit të aspiratave kolektive për liri dhe barazi, duke kthyer vendbanimet punëtore në hapësira të shpërthimit të ndjenjës kombëtare dhe rezistencës së heshtur (Arkivi Qendror i Kosovës, dosja P. Nr. 249/74).
( vijon )
Qëllimet dhe Synimet e Traktit – Një Dokument i Rezistencës Kombëtare Shqiptare
Trakti i hartuar nga organizata ilegale shqiptare e njohur me emrin “Grupi Revolucionar” nuk ishte thjesht një dokument propagandistik, por një manifest i artikuluar i shpirtit të rezistencës dhe i vetëdijes politike të një populli të shtypur. Me natyrë thellësisht apelative dhe thirrëse, ky trakt shërbente si mjet mobilizues për ndërgjegjësimin dhe ngritjen e zërit kundër padrejtësive historike që rëndonin mbi shqiptarët në hapësirat ku ata jetonin. Qëllimi i tij nuk kufizohej në thirrjen për një reagim momental, por synonte të krijonte një frymë të qëndrueshme revolte, duke i ofruar popullit shqiptar një bosht ideologjik rreth të cilit të mblidhej dhe të organizohej. Në thelb të këtij dokumenti qëndronte një përpjekje për t’i dhënë zë vuajtjeve kolektive dhe aspiratave të gjera për liri, dinjitet dhe vetëvendosje.
Përhapja e këtij trakti nga shumë organizata të tjera ilegale shqiptare në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, dëshmon për ndikimin e tij të gjerë dhe për faktin se ai nuk përfaqësonte vetëm një grup të izoluar individësh, por një ndjenjë të përbashkët kombëtare. Ky bashkëpunim i strukturave ilegale në përhapjen e mesazhit tregon se traktet e tilla ishin mjete të rëndësishme të komunikimit politik në kohë represioni dhe mungese të lirive themelore. Ato vepronin si ura lidhëse ndërmjet pjesëve të ndryshme të popullit shqiptar, duke konsoliduar një frymë të përbashkët rezistence dhe duke krijuar rrjetë të solidaritetit nëpër hapësira të ndryshme gjeografike.
Në këtë kontekst, trakti duhet të lexohet jo vetëm si një dokument me përmbajtje të caktuar, por si shprehje konkrete e ndërgjegjes kolektive shqiptare në një periudhë të errët historike – si një thirrje për bashkim, veprim dhe vetëdije politike në funksion të çështjes kombëtare shqiptare.