NIKË GASHAJ
Në botën bashkëkohore, që nga Perëndimi deri në Lindje, një numër i madh shkencëtarësh dhe ekspertësh të çështjes së pakicave kombëtare dhe të marrëdhënieve ndëretnike, kritikojnë ashpër konceptin e pastër të shtetit nacional, por gjithashtu dhe konceptin ekskluziv të shtetit qytetar(civil) në shoqëritë multietnike. Per shembull: Alpen Filips, drejtor i Organizatës joqeveritare ndërkombëtare MRG nga Londra, duke folur mbi të drejtat etnike të Evropës Juglindore, ndër të tjera, thekson:” Një problem i përgjithshëm, me të cilin ballafaqohet rajoni i Evropës Juglindore, është koncepti i shtetit nacional, apo i shtetit, në shoqëritë multietnike, i cili ekskluzivisht i takon një grupi etnik. Në raste të shumta kjo çon deri te mohimi, përkatësisht anulimi i pluralizmit etnik dhe trajtimi i pjesëtarëve të pakicave si qytetarë të rendit të dytë. E tërë ajo në rrethana të caktuara ka kaluar dhe kalon në konflikte dhe përleshje me pasoja negative tejet të rënda”.
Dr. Vuçina Vasoviq, profesor i sistemeve politike bashkëkohore, thekson: “Modeli i shtetit nacional në shoqërinë multietnike i acaron marrëshëniet ndërmjet kombit shumicë dhe pakicave kombëtare. Shteti i tillë dhe më tepër nëpërmjet një mobilizim të gjerë nacional, ngushton edhe më shumë hapësirën e veprimtarisë jo vetëm të pakicave të caktuara etnonacionale, por edhe për zhvillimin e shoqërisë civile, si dhe për një bashkëjetesë në paqe dhe liri të grupeve të ndryshme etnonacionale.
Kështu, ajo mund të jetë shkaku themelor i konflikteve dhe pengesë në zhvillimin e shoqërisë në tërësi. Mu për këtë arsye, shteti nacional në një formë ekskluzive nuk mund të jetë mbrojtës përkatës dhe promotor as i popullit të shumicës etnike”.
Dr. Negjo Miliqeviq, profesor i Fakultetit Juridik të Sarajevës dhe drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e Pakicave, tregon se shteti nacional në shoqërinë multietnike është formë institucionale e nacionalizmit të shumicës etnike.
Antropologu amerikan, Robert Hajdën, i ka vlerësuar disa dukuri në hapësirën e ish-Jugosllavisë si “nacionalizëm kushtetues”. Fjala është për ato republika të ish-Jugosllavisë së Titos, të cilat me kushtetuta të veta janë të definuara si shtete të popullit shumicë.
Në lidhje me këtë model duhet të themi se, shikuar në tërësi, formimi i shteteve nacionale ka shkuar rrugës së centralizmit dhe absolutizmit. Në këtë mënyrë, ky koncept i ka ngushtuar rreptësisht të drejtat e popullatës për vetëqeverisje lokale dhe njëkosisht të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare.
Në anën tjetër, ithtarët e konceptit të shtetit ekskluzivisht qytetar, që nënkupton mospërfilljen e prejardhjes etnike, të përkatësisë nacionale dhe konfesionale të qytetarëve, por të gjithëve duke iu dhënë të drejtat e liritë e barabarta, në të vërtetë theksojnë konceptin uniformë në të gjitha situatat. Në lidhje me këtë, prof. dr. Zorica Radoviq , shprehet:” Zbatimi uniform i rregullave dhe i statusve, të cilat i nënkupton dhe i paraqet ky parim, rrezikon të çojë deri te mosnjohja dhe mospranimi i njëmendësisë specifike, e cila meriton njohje dhe mbrojtje, përkatësisht ajo çon te diskriminimi i partikularizmit dhe i cilësive veçuese”.
Pikërisht për këtë arsye, pikëpamjet bashkëkohore teorike vënë në dijeni se shteti duhet të marrë një rol aktiv dhe nëpërmjet masave të ndrryshme të krijojë kushte për promovimin e pakicave si kolektivitete, në ato situata në të cilat të drejtat individuale të pjesëtarëve të pakicave mund të realizohen vetëm përmes emancipimit kolektiv të grupit.
Filozofi hungarez, prof. Dr. Alpar Losoncza, thekson:” Ne qoftë se të drejtat kolektive injorohen ose mohohen në praktikën politike, ekonomike dhe kulturore, atëherë vazhdimisht do të triumfojë parimi i shumicës, i cili automatikisht siguron monopol dhe privilegje për shumicën etnike. Nëse parimi i shumicës zbatohet pa korrektues në raport me pakica kombëtare, atëherë ka të bëjë me funksionimin e pastër dhe ekskluziv të parimeve të shtetit nacional, që i rrezikon pakicat nacionale”.
Në lidhje me konceptin e shtetit qytetar(civil), akademiku i njohur, Vojisllav Stanovçiq, profesor i teorive politike, tërheq vëmendjen se “parimi i pushtetit të shumicës, i cili është themel i idesë së të ashtuquajturit shtet qytetar(civil), nuk mund të zbatohet në shtete shumënacionale, pa krijuar tensione dhe acarim të marrëdhënieve dhe konflikte serioze interetnike. Prandaj, ky parim i shtetit civil(qytetar) duhet patjetër të korrigjohet me zgjidhje kushtetuese, duke u mbështetur në forma të ndryshme të autonomive të grupeve nacionale, si dhe në disa të drejta të tyre kolektive”.
Sipas fjalëve të autorit të njohur të izraelit Lernerit” Bashkësia ndërkombëtare është bë e vetdijshme se rregulla e mosdiskriminimit dhe sistemi i përqendruar në individ nuk janë të mjaftueshme as për të mbrojtur të drejtat e individëve si antarë të grupit as për të mbrojtur grupet. Një qëndrim të tillë e vertetojnë gjithnjë e më shumë autorë.
Juristi i njohur amerikan, Adis vjen madje deri te përfundimi:“se mënyra e vetme për tu kuptuar koncepti i të drejtave të pakicave, është që ato të trajtohen si të drejta të grupit”.
Përndryshe, një problem i madh që e përcjell demokracinë, është ai i cili është shqyrtuar shumë herë, që nga Aristoteli deri te Xhon Stjuart Milli, e ka të bëjë me të ashtuquajturën tirani të shumicës. Franc Nojmani ka vërejtur se zëri i shumicës të keqen nuk mund ta bëjë të mirë, por e keqja, kur përkrahet nga shumica, bëhet vetëm një e keqe edhe më e madhe. Me këtë dua të them se demokracia e shikuar nga prizmi i shumicës etnike nuk mund të sigurojë dhe të mbrojë të drejtat e pakicave kombëtare.
Sipas njohjeve të shkencave politike, mësojmë se është e mundshme të dallohen të paktën katër strategji të përgjithshme të zhvillimit shoqëror: 1) Individuale-liberale; 2) Komunitare-etnonacionale; 3)Komunitare-liberale; 4) Liberale-komunitare.
Disa ekspertë preferojnë se strategjia e fundit, liberalo-komunitare është koncepti më i përshtatshëm dhe më përkatës për shoqëritë pluraliste, heterogjene, multietnike dhe multikulturore.
Prandaj, jam i mendimit se modeli i sistemit politik, i ashtuquajtur liberal-komunitar, është në të mirë të zgjidhjes demokratike dhe të drejtë të çështjes së shqiptarëve në Mal të Zi, meqenëse sistemi i tillë bazohet dhe mbështetet në filozofinë politike civile të plotësuar me parimet dhe mekanizmat përkatës të artikulimt të lirë të interesave, si dhe të mbrojtjes së të drejtave kolektive të pakicave, çka do të thotë se respekton dhe mundëson realizimin e plotë dhe konsekuent të të drejtave individuale dhe kolektive të pakicave kombëtare.
Dhe, më në fund, thelbi i zgjidhjes së drejtë të çështjes së pakicave, qëndron në atë drejtim dhe pikëpamje, që askush të mos ndiejë presion nga më i madhi dhe më i fuqishmi, por çdo popull, pavarësisht nga madhësia numerike e tij, duhet ta ndiejë veten të barabartë dhe të lirë, sepse, siç do të thoshte Gandi: “Qytetërimi ynë do të gjykohet sipas asaj se çfarë trajtimi u ka bë pakicave”.
(Autori është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Diokles)