(Mbresa nga promovimi i libri: “Gjenealogjia e vllaznisë Dizdari, të fisit Hoti, në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës” i autorit Sherif S. Dizdari)
Nga: Prof.ssoc.dr. Violeta NEZA
Libri “Gjenealogjia e vllaznisë Dizdari të fisit Hoti, në Malësinë e Gjakovës dhe në trevat e Kosovës” është një vepër me vlerë të veçantë historike, familjare dhe kombëtare, e cila sjell në vëmendje historinë, rrënjët, traditat dhe kontributin e vllaznive Dizdaraj dhe Osmaj në fshatin Berbat të Malësisë së Gjakovës.
Ky botim është më tepër sesa një histori fisnore; është një dëshmi e gjallë e kujtesës kolektive, e identitetit dhe e lidhjes së fortë me rrënjët.
Një vend qendror në vepër zë pikërisht vllaznia Dizdari, historia e të cilës paraqitet si histori qëndrese, ruajtjeje identiteti dhe kontributi të vazhdueshëm në jetën shoqërore e kombëtare. Libri sjell argumente historike dhe gjenealogjike, që tregojnë lidhjet e kësaj vllaznie me fisin e Hotit, një nga fiset më të njohura dhe me ndikim të Malësisë së Madhe.
Një vlerë shumë e rëndësishme e këtij libri është kontributi patriotik i vllaznisë Dizdari dhe Osmaj nëpër vite. Në faqet e tij përmenden me nderim burra që morën pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare në periudha të ndryshme historike: në luftërat për Plavën dhe Gucinë, në kryengritjet kundër pushtuesve osmanë, në përballjet kundër forcave serbo-malazeze dhe në qëndresën antifashiste.
Një ngjarje madhore që përmendet në libër është edhe formimi i Këshillit antifashist nacional-çlirimtar të Tropojës, ku kryetar u zgjodh Tahir Hoxha. Ky çast historik dëshmon rolin që pati kjo trevë dhe këto familje në organizimin patriotik dhe në mbështetjen e lëvizjes çlirimtare.
Edhe në luftën për çlirimin e Kosovës gjatë viteve 1998–1999, vllaznia Dizdari dha një kontribut të çmuar kombëtar në mbështetje të kësaj çështje, ku, ndër të tjera, vlen të përmendet kontributi i çmuar i Shefqet Dizdari, për të cilin u dekorua në vitin 2019 me “Urdhrin e Pavarësisë” nga Presidenti i Republikës së Kosovës, një vlerësim që dëshmon jo vetëm meritën personale, por edhe vazhdimësinë e traditës patriotike të kësaj vllaznie ndër breza.
Nga vllaznia Dizdari ranë dëshmorë për atdheun: Bek Deli Dizdari, Zeq Shaban Dizdari, Ukë Bel Dizdari, Zmajl Hysen Dizdari dhe Mehmet Ram Dizdari, i cili dha jetën për çlirimin e Kosovës.
Nga vllaznia Osmaj ranë dëshmorë: Hajdar Fazli Osmaj, Jah Zeqir Osmaj dhe Kadri Sadik Osmaj.
Këta emra nuk janë vetëm pjesë e historisë së një familjeje apo vllaznie, por pjesë e historisë së vetë kombit shqiptar dhe simbol i flijimit për liri e dinjitet kombëtar.
Në libër vështrohet gjithashtu një element shumë i rëndësishëm i jetës së komunitetit: harmonia njerëzore dhe bashkëjetesa mes dy lagjeve, Dizdarajve dhe Osmajve.
Marrëdhëniet mes tyre paraqiten si shembull mirëkuptimi, nderimi dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm ndër breza. Kjo harmoni nuk ishte thjesht lidhje gjaku apo fqinjësie, por një kohezion i vërtetë shoqëror, i ndërtuar mbi normat e Kanunit, mbi nderimin e ligjeve të shtetit dhe mbi përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, nderit dhe bashkimit të komunitetit.
Një tjetër vlerë e spikatur e kësaj vllaznije ka qenë mikpritja, ku në periudha të ndryshme historike, vellazëritë Dizdari dhe Osmaj i kanë hapur dyert për patriotë, luftëtarë dhe familje të shpërngulura nga trojet shqiptare. Në Berbat kanë gjetur strehim figura të njohura të qëndresës kombëtare si Azem e Shote Galica, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Qorr Iljazi e të tjerë. Po ashtu, familjet e ardhura nga Plava e Gucia u pritën dhe u strehuan me bujari e mirëkuptim. Kjo tregon se kontributi i tyre nuk ishte vetëm në luftë, por edhe në ruajtjen e frymës kombëtare, të mikpritjes dhe të humanizmit shqiptar.
Një aspekt tjetër me rëndësi që trajtohet në këtë vepër është ecja me kohën dhe përpjekja për emancipim shoqëror. Në libër shihet qartë angazhimi i kësaj treve në luftën kundër zakoneve prapanike dhe në ndërtimin e një mënyre jetese më të ngritur arsimore dhe më të hapur ndaj zhvillimit.
Nga vitet 1916–1918 nisën përpjekjet e para për mësimin e shkrim-leximit në gjuhën shqipe, ku edhe pse nën pushtimin austro-hungarez, shtëpia e Lush dhe Osman Isufi u shndërrua në klasë mësimi për Sali Osmanin dhe Bajram Lushin, duke e shndërruar atë në vatër të mësimit e shkrimit të gjuhës amtare. Rreth kësaj autori i librit “Tropoja në brez… Ibrahim Kadria ka folur për faktin që Bajram Lushi ishte ndër të parët që dinte shkrim e këndim në Tropojë. Shumë domethënës është fakti që “oda e burrave” konsiderohej një shkollë për brezin e ri, ku përcilleshin urtësia, tradita dhe edukata qytetare. Oda e burrave shërbeu si “votra e dijes” i figurave të tilla si Sali Osmani, Arif Ozmani, Bajram Lushi, etj, prej të cilit ata morën formimin moral e shoqëror, fituan përvojën e jetës, për drejtësinë, disiplinën dhe aftësinë për të mbajtur t’i bashkuar njerëzit.
Bajram Lush Dizdari ishte kryetar i parë i Kooperativës bujqesore në Berbat, e cila nën drejtimin e tij u bë ndër ekonomitë më të mira në rrethin e Tropojës dhe emërtimi më vonë si kooperativa “Shkëlzeni” ka një domethënie vlerësuese gati hiperbolike nga politika e kohës, për të lartësuar emrin dhe kontributin e Bajram Lushit në këtë drejtim. Po citoj disa prej vargjeve të poetit Nuredin Lushaj, të marsit të vitit 2016, me rastin e 110 vjetorit të Bajram Lushi:
Me prejardhje nga Hoti
Derë trimash atdhetarë
Të dalluar mot mbas moti,
Bukë, pushkë, zemërbardhë
Emri i Tij mbet kujtim
Burri kujtohet ndër breza
Sa jetoi bëri pajtim
Me fjalë të vërteta
Burrat e mirë s’kanë vdekje
Janë të gjallë në histori
Muhabetet i kishte pa prekje
E nderoi kjo Malësi
Më vonë u hapën shkollat fillore dhe 8-vjeçare, ndërsa shumë të rinj të kësaj treve vazhduan studimet e larta në degë të ndryshme si mjekësi, juridik, ekonomi, pedagogji, inxhinieri, marrëdhënie ndërkombëtare, teknologji e fusha të tjera. Këtë e vërteton fakti që nga vllaznia Dizdari numërohen 44 persona të diplomuar me arsim të lartë dhe 18 persona me arsim të mesëm të përgjithshëm dhe profesional, po ashtu nga vllaznia Osmaj 28 persona me arsim të lartë dhe 24 me arsim të mesëm. Kjo dëshmon qartë se vllaznitë Dizdari dhe Osmaj jo vetëm e ruajtën traditën, por ndihmuan shumë edhe në dije, arsimim dhe zhvillim profesional cilësor.
Në këtë analizë janë përmendur vetëm disa prej përfaqësuesve më të shquar të fisit Dizdari, ndërkohë që kontributi dhe vlerat e çdo familjeje e individi të kësaj vllaznie mbeten po aq të çmuara dhe të nderuara.
Diplomën e parë në vllazninë Dizdari e mori Rexhep Lush Dizdari në vitin 1951, i cili si një ushtarak dhe drejtues i përkushtuar, shërbeu me përgjegjësi në disa qytete të Shqipërisë, duke mbajtur detyra të rëndësishme drejtuese në ushtri. I njohur për disiplinën, korrektësinë dhe përkushtimin ndaj detyrës, ai u dekorua disa herë për ndihmën dhe shërbimin e tij ndaj vendit. Të pesë fëmijët e tij janë të diplomuar me arsim të lartë ku dy vajzat, Lumja dhe Fatbardha, u diplomuan për mësuesi. Lumja e filloi dhe përfundoi suksesshëm misionin e saj në mësimdhënie në qytetin e saj të lindjes, Bajram Curri, duke edukuar dhjetëra breza nxënësish, ndërsa Fatbardha një pjesë të mirë të karrierës së saj në arsim e zhvilloi me përkushtim në vendlindje.
Sherif S.Dizdari (autori i këtij libri) dha një ndihmesë të rëndësishme në arsimin e Tropojës përmes punës së tij si mësues dhe drejtues shkolle për shumë vite. Pas përfundimit të Institutit të lartë pedagogjik në Shkodër, në degën Gjuhë-letërsi-histori, ai shërbeu si mësues dhe më pas si drejtor në disa shkolla të zonës së Tropojës, duke u dalluar për përkushtimin dhe aftësinë organizative.
Një nga arritjet më të rëndësishme të tij ishte hapja për herë të parë e shkollës së mesme në Babinë në vitin shkollor 1985–1986, ku pati ishte drejtori i parë. Nën drejtimin e tij, kjo shkollë u kthye në një qendër të rëndësishme arsimore për qindra nxënës të zonës, duke dhënë një ndihmesë të vyer në përhapjen e dijes dhe në zhvillimin e arsimit në Malësinë e Gjakovës.
Një shembull tjetër në fushën e arsimit është edhe Brahim Ukë Dizdari, i cili përveç punës së tij si mësues e më pas si drejtues në sektorin e arsimit në Tropojë dha ndihmesë të vyer në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë përmes themelimit dhe drejtimit të shkollës shqipe “VOTRA” në Bruksel. Ndihmesë të çmuar në arsim ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, Timë Dizdari si mësuese dhe drejtuese e shkollës së mesme “Bajram Curri”.
Edhe brezat më pas u arsimuan dhe morën përgjegjësi të mëdha në administratë, drejtësi, ekonomi dhe jetën publike.
Një ndër figurat më të shquara të vllaznisë Dizdari dhe të sistemit të drejtësisë shqiptare të periudhës moderne është edhe Gani Dizdari. I diplomuar në shkencat juridike dhe politike, ai bëri një karrierë të gjatë e të suksesshme në organet e prokurorisë dhe të gjyqësorit, duke kryer funksione të larta shtetërore deri anëtar i Gjykatës së lartë dhe i Gjykatës kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
I vlerësuar për saktësinë, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj ligjit, Gani Dizdari mbetet një personalitet i respektuar, i cili me punën e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në drejtësinë shqiptare. Ganiu kishte tri diploma të kohës si dhe është dekoruar disa herë nga Presidiumi i Kuvendit popullor me motivacione të ndryshme për aftësitë e tij.
Për t’u ndalur pak te kontributi në kulturë dhe art:
Hysen S. Dizdari është një figurë e shquar e vllaznisë Dizdari, që ndërthur përkushtimin ushtarak me pasionin për historinë dhe kulturën shqiptare. Pas një karriere të gjatë si oficer i artilerisë, ai iu kushtua studimit të filatelisë shqiptare, duke u bërë autor i disa veprave të rëndësishme të vlerësuara me çmime dhe medalje ndërkombëtare. Përmes librave dhe koleksioneve të tij, ka dhënë një ndihmesë të çmuar në promovimin e historisë, trashëgimisë kombëtare, figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Nënës Tereze në arenën ndërkombëtare dhe është vlerësuar me çmime ndërkombëtare duke u cilësuar si filatelisti më i mirë shqiptar dhe i vetmi shqiptar anëtar i Shoqatës botërore të gazetarëve dhe autorëve në filateli –AIJP.org.
Besim (Beart) Dizdari përfaqëson frymën artistike dhe moderne të trungut Dizdari, duke e ndërtuar jetën dhe karrierën e tij në Belgjikë. Me dashuri për aktrimin, ai ka marrë pjesë në filma dhe produksione evropiane; njëkohësisht ka krijuar dhe zhvilluar biznesin familjar, duke ruajtur lidhjen me origjinën dhe familjen.
Fjoralba Dizdar, është dalluar si modele me paraqitje dhe sukses në konkurse kombëtare e ndërkombëtare bukurie. Me talentin, elegancën dhe përfaqësimin dinjitoz, ajo ka fituar çmimin e parë në Republikë, duke konkurruar gjithashtu në Francë dhe në disa vende të tjera të Evropës, ku i ka promovuar me krenari emrin dhe vlerat shqiptare.
Përshtatja me ekonominë private:
Hysni Dizdari është një figurë e përkushtuar e vllaznisë Dizdari në fushën e mjekësisë; i diplomuar për stomatologji dhe ndër pionierët e klinikave private dentare në Shqipëri pas viteve ’90. I vlerësuar për profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin ndaj njerëzve, ai ka lënë gjurmë të rëndësishme në shërbimin shëndetësor dhe në komunitet.
Një element me rëndësi është edhe përpjekja e autorit Sherif S. Dizdari për ta mbështetur historinë në dokumente dhe burime serioze studimore. Në një kohë kur shumë histori familjare mbeten vetëm në kujtesë si gojëdhëna, kjo vepër përpiqet të dokumentojë me përgjegjësi rrënjët dhe historinë e vllaznisë Dizdari, duke i dhënë kësaj trashëgimie një vlerë të qëndrueshme për brezat që do të vinë. Autori me të drejtë i kundërshton gojëdhënat e pabazuara në fakte historike të dokumentuara që lidhen me prejardhjen e emrit Dizdaraj të përdorura në botimet e dy autorëve, përkatësisht Ibrahim Kadria dhe Shaban Binak Kovaçica.
Në këtë vepër pasqyrohet edhe rrugëtimi historik i vllaznisë Dizdari, që sipas dëshmive dhe studimeve, është shpërngulur nga Smolica drejt trevave të Pejës dhe Malësisë së Gjakovës rreth viteve 1820–1830. Shumë anëtarë të kësaj vllaznie e lanë me gjakun e tyre lirinë e shumë pritur të Kosovës.
Në thelb, kjo vepër është një homazh për paraardhësit, për flijimin e tyre dhe për identitetin që ata ruajtën me krenari ndër vite. Është një kujtesë se historia e familjeve dhe e fiseve tona është pjesë e historisë së vetë kombit tonë shqiptar.
Sot, përmes këtij promovimi, ne jo vetëm prezantojmë një libër, por nderojmë një trashëgimi të tërë historike, kulturore dhe njerëzore.











