Në vitet ’70 dhe në fillim të viteve ’80, kur fushat e shkollave në Podujevë shndërroheshin në arena të vogla sportive, futbolli ishte më tepër se lojë. Ishte festë, krenari dhe garë e ndershme mes bashkëmoshatarësh, nxënësish dhe arsimtarësh.
Turnirët që organizoheshin në fund të çdo viti shkollor mblidhnin nxënës, mësues dhe spektatorë të shumtë rreth një topi që rrotullohej në një terren të thjeshtë, por të mbushur me energji rinore.
Nga ajo periudhë kanë mbetur në kujtesën tonë jo vetëm rezultate dhe ndeshje, por edhe figura që lanë gjurmë në kujtesën kolektive. Emra që sot kujtohen me respekt, mall dhe mirënjohje për lojën e pastër që kultivuan.

Kolegë dhe ish-nxënës e kujtojnë me nostalgji dhe emocione z. Daut Ajvazi nga Sveçla e Podujevës, arsimtar i Edukatës Fizike në këtë fshat. Ai kishte nisur të luante në Klubin Futbollistik “Llapi” të Podujevës, por ishte paraqitur vetëm në dy-tri ndeshje zyrtare.
Ende mbetet e paqartë pse Dauti, me gjithë atë talent, e kishte braktisur futbollin e madh. Gjatë organizimit të turnirëve shkollorë, që zhvilloheshin në vigjilje të përfundimit të çdo viti akademik, Dauti shkëlqente me lojën e tij të bukur.
Veçmas, lojën e tij e karakterizonin driblimet dhe shpejtësia në stil atleti. Po ashtu, goditjet i kishte të sakta. Ishte e habitshme nga e merrte gjithë atë energji, sepse ishte shtatshkurtër dhe i hajthëm. Loja e tij, sidomos driblimet e bukura, merrnin duartrokitje nga shumë shikues të pranishëm në këto ndeshje.
Skuadra e shkollës së Sveçlës, e përbërë edhe nga arsimtarë të tjerë si: Islam Visoka, Mustafë Ajvazi, Osman Podvorica, Rrahman Bejtullahu, Sabri Podvorica, Kadri Tërholli, Nexhmi Balaj, Maliq Shaqiri, Lutfi Musolli, Ismail Vokrri, Zejnullah Zejnullahu, Ismet dhe Jahush Llugaliu, e përforcuar edhe nga nxënësit Ali Adem Ajeti dhe Skënder e Ali Kutleshi, ishte një ekip që vështirë mposhtej nga skuadrat e tjera të shkollave të Llapit.
Në turnirët festivë apo në ndeshjet e këmbimit shkollë më shkollë, formacioni i shkollës së Sveçlës i kënaqte të gjithë me lojën e shkëlqyeshme. Veçmas binin në sy Daut Ajvazi, Ali Ajeti dhe Skënder Kutleshi.

Mesfushën e mbante stabile dhe i furnizonte me topa bashkëlojtarët Ali Ajeti, dëshmor i kombit. Veç kësaj, Aliu kishte edhe gjuajtje jashtëzakonisht të forta. Ndërkaq, Dauti si qendërsulmues dhe Skënderi si sulmues i krahut të majtë ishin të pandalshëm.
Takime derbi konsideroheshin ato ndërmjet shkollës “Vëllazërim-Bashkim” të Podujevës, sot “Shaban Shala”, dhe shkollës “Danillo Vukiçeviq”, tani “Ali Ajeti”, të Sveçlës, si dhe ato ndërmjet shkollave “Meto Bajraktari” të Gllamnikut dhe shkollave të Llapashticës, Kërpimehut, Bajçinës e Dumnicës.
Kishte vullnet dhe disiplinë. Shumëkujt mund t’i duket e pabesueshme, por terreni i shkollës “Shaban Shala” mbushej me spektatorë në të katër anët. Tregohej korrektësi. Festohej qetë dhe pa provokime.
Në këta turnirë, që për kohën kishin rëndësi të veçantë, filloi të shfaqej edhe talenti i legjendës Fadil Vokrri, atëherë nxënës i shkollës tetëvjeçare “Shaban Shala” të Podujevës.
Fadili përfaqësonte skuadrën e kësaj shkolle së bashku me axhallarët e tij, Selatin Vokrri dhe Muhamet Vokrri, mësimdhënës në këtë çerdhe të njohur të arsimit llapjan.
Merita për mbarëvajtjen e këtyre turnirëve të futbollit të vogël kishin edhe gjyqtarët profesionistë e autoritativë: Bedri Muçolli, Enver Qosa, Rifat Raçi, vëllezërit Hashim e Bislim Aliu, Vehbi Bekteshi e të tjerë.
Ikona të këtij organizimi sportiv ishin edhe futbollistët Selatin, Muhamet dhe Fadil Vokrri, si dhe Sylejman Mehmeti, Fazli Llugaliu, Ragip Çitaku, Shaqir Gashi dhe Ahmet Haxhiu.
Shquheshin edhe të tjerë si: Daut Ajvazi, Islam Visoka, Ali Ajeti, Skënder Kutleshi nga Sveçla; Hashim Aliu, Hilmi Syla, Hamdi Mustafa-Lala, Nexhmi Hoti, Nuhi dhe Bajram Osmani, Hazir Haziri-Zogu, si dhe nxënësit Murat Bislimi, portier, Sherif Shala dhe Skënder Feta nga shkolla e Gllamnikut.
Arsimtarë dhe nxënës të skuadrës së shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Gllamnik të Podujevës, pjesëmarrës në garat e futbollit të vogël, tregohen të suksesshëm edhe gjatë viteve 1974–1975.
Nga e djathta, në këmbë: Hashim Aliu, arsimtar i Edukatës Fizike; Fahri Breznica; Nexhip Zeneli; Osman Ejupi-Zijaça; Hilmi Musa; dhe Nexhmi Hoti, mësues dhe lojtar.
Nga e majta, rreshti ulur: Shaip Berisha; Ejup Murat Ejupi, portier; dhe Bajram Lahu.
Ndërkaq, nga shkolla “4 Korriku” e Llapashticës, me angazhim dhe lojë dalloheshin: Sylejman Mehmeti, portier në skuadrën e futbollit dhe hendbollit të Llapit; Ahmet Haxhiu, qendërsulmues i KF “Llapi”; vëllezërit Isak dhe Fuat Qosa; Islam Bashota; Muharrem Havolli; Shefqet Cakiqi-Llapashtica, portier në vitin 1978, ende nxënës i kësaj shkolle; dhe Murat Hodolli. Ndërsa nga shkolla “Emin Duraku” e Bajçinës dalloheshin Mustafë Gashi dhe Zenel Çitaku.
Kurse skuadra e shkollës së Dumnicës, “Vuk Karaxhiq”tani “ Lasgush Poradeci”, udhëhiqej nga Emin Ajvazi, futbollist aktiv i KF “Llapi” të Podujevës dhe mësimdhënës në këtë vatër të diturisë.
Edhe pse nga ajo periudhë kanë kaluar mbi pesë dekada, shpeshherë na parafytyrohen momente të paharrueshme, të cilat nuk arriti t’i shlyejë as lufta, as dhuna e vazhdueshme e pushtuesve serbo-sllavë.
Arif Ejupi
Gjenevë, 8 qershor 2026
P.S. Çdo riprodhim, shpërndarje, publikim ose shfrytëzim i paautorizuar i këtij materiali, në çfarëdo forme apo mënyre, përbën shkelje të të drejtave të autorit dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi. Shkelësit e këtyre të drejtave mund të përballen me masa ligjore përkatëse.


