U mbajt akademi përkujtimore për prof. Xhevat Krasniqi

0
237
Zymer Mehani - akademi - mban fjalën

Zymer Mehani

Dje, më 27. 02. 2024, duke filluar në ora 12:00, në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës u mbajt akademi përkujtimore për profesor Xhevat Krasniqi:

Takimin e moderoi Zymer Mehani, kryetar i KK “Intelektualët e pavarur” të Prishtinës

Ai në fillim para të pranishmëve: ish- të burgosur politikë, profesorë, shkrimtarë, studentë e familjarë të të ndjerit prof. Xhevat Krasniqi, në fjalën e tij hyrëse tha:

“Të nderuar miq, kolegë dhe familjarë,

Sot, me iniciativë të Klubit kulturor “Intelektualët e Pavarur” jemi mbledhur këtu në ambientet e IA të Prishtinës për të nderuar dhe për të përkujtuar jetën dhe veprimtarinë e një njeriu të shquar, një edukatori të pasur me dituri dhe një veprimtar të palodhur për çështjen kombëtare – prof. Xhevat Krasniqi.

Me dhimbje të thellë në zemër, kemi detyrimin ta përshëndesim këtë Akademi Përkujtimore, një ngjarje që na bashkon në ndjenjën e humbjes dhe nderimit për një njeri të rrallë. Profesori Krasniqi, nga fshati i tij i lindjes, Dajkovc i Dardanës, na ka lënë një trashëgimi të pasur intelektuale dhe atdhetare.

Familja Krasniqi ka qenë një simbol i pasurisë së vërtetë, shpirtërore dhe atdhetare. Profesori ka lindur dhe është rritur në një mjedis të kulturuar, ku dija dhe dashuria për vendin janë mbjellë dhe kanë rënë rrënjë thellë në shpirtin e tij.

Sot, ndajmë dhembjen e humbjes, por gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për kontributin e jashtëzakonshëm të profesorit Krasniqi në fushën e arsimit, veprimtarisë atdhetare, dhe zhvillimit të një shoqërie të pavarur. Ai ka qenë fryma e shkollës dhe frymëzimi për brezat e rinj, duke kontribuar në formimin e tyre intelektual dhe atdhetar.

Me kujdes dhe respekt, sot ndalemë për të kujtuar një njeri të madh, një mësues dhe udhëheqës, një personalitet të rrallë që la gjurmet e tij të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare. Le të mbahemi bashkë në kujtimet tona dhe të vazhdojmë ta nderojmë këtë shembull të lavdishëm, ndërsa rrugëtojmë në këtë jetë pa të.”

2.

Prof. dr. Sadri Rexhepi, në fjalën e tij për prof. Xhevat Krasniqi tha: “Xhevat Metush Krasniqi u lind mё 1944, nё fshatin Dajkovc të Kamenicës. Rrjedh nga njё familje ekonimikisht me pasuri të mesme fshatare, por me karakter të fortë bujar dhe kombёtar, mikёpritёse gjithmonë. Xhevati ishte djali i madh i heroit të Kosovës, Metush Krasniqi dhe i nënë Havishes. Xhevati, shkollën fillore e filloi dhe e përfundoi në Dajkovc, ndërsa shkollën e mesme normale filloi në Kamenicë dhe e përfundoi në Shkup. Punën si mësues e filloi në Krilevë e fshatrat tjera të Kamenicës. Pastaj ishte mësimdhënës edhe në në Sibovc të Kastriotit (ish- Obiliq). Krahas mësimit, ai merrej edhe me sport, i cili arriti deri te kompioni i Evropës, në disiplinën e xhudos.

Kjo është arsyeja pse ai më tepër nihej si “Xhuda i Normales! se sa si profesor. Por, ai kishte edhe një pengesë tjetër politike, sepse babai i tij u burgos disa herë e sidomos burgosja e tij në vitin 1958 dhe dënimi me 18 vjet burg të rëndë, si dhe burgu i vitit 1985, ishin ngjarje shumë të rënda personalisht për bacë Metushin, por edhe për familjen e ngushtë e të gjerë, e veçmas për Xhevatin, tek i cili këto zhvillime dramatike ndikuan shpirtrishti.Edhe gjyshi i Xhevatit, xhaxha Asllani kishte përjetuar shumë krajata nga okupatorët, kështu që kujdesi për familjen bie shumë herë vetëm mbi supet e xhaxhit Osman…

Nё vitin 1965, Xhevati u punёsua si profesor i lëndës së historisë, nё shkollёn e mesme ,,28 Nëntori” (ish-“19 Nëntori”), nё Prishtinё. Nga vitet ‘70 punoi në Shkollën Normale të Prishtinës. Po në të njëjtën kohë, pas dite ai punoi në Gjimnazin e Therandës (ish- Suharekë) dhe në shkollën e mesme ……(ish -“Nikolla Teslla”) në Kastriot.

Pas vitit 1981, si çdo familje shqiptare, në veçanti ato familje që kishin dikënd në burg, ishin halë në sy për armikun serb, e familja e tij ishte edhe më tepër, pasi që Xhevati babanë, Metushin dhe njërin vëlla, Mitatin i kishte në burg, kurse tjetri vëlla, Besniku ishte strehuar në një vend të sigurt, e të cilët kurrë nuk u pajtuan dhe nuk pranuan t’i nënshtroheshin okupatorit serbo-sllav. Në vitin 1981, pas katër muajve, nga burgu u lirua bacë Metushi, ku ishte në izolim. Ndërkaq, dy vëllezërit e tij u largun nga Kosova; Mithati vajti në Gjermani, kurse Besniku në Australi.

Në vitin 1985, bishat gjakatare serbosllave dhe shqipfolëse iu turrën edhe një here familjes Krasniqi, me ç’rast burgoset babai i Xhevatit, tani hero i Kosovës, bacë Metushi, i cili u torturua tepër brutalisht deri sa e mori vesh Xhevati, i cili e kërcënoi inspektorin shqipfolës Z.Z. përmes Zeqir Hasangjekajt… Pas reagimit të Xhevatit, baci Metush më nuk është turturuar, por sipas fjalëve të avokatit të tij, Fehmi Baftiu, ai i priste 20 vjet dënim. Mirëpo, falë gjyqtarit mendjendritur, Shefki Syla, atë e shpalli të pafajshëm, më 16 qershor të vitit 1986. Tani edhe për Xhevatin ishte një lehtësim i madh shprtëror dhe familjar. Por ai lehtësim nuk zgjati shumë, sepse ende pa i mbushur 6 muaj nga dalja prej burgut, Xhevatit i vdes babai, vdekje e cila pat shkaktuar një tronditje të madhe familjare dhe kombëtare, individuale dhe kolektive.

Në vitin shkollor 1986/87, Xhevati pati rastin të punonte me shumë ish- nxënës të tij, që tani i kishte kolegë në arsim, në kohën kur arsimi mbijetonte.

Si një mësimdhënës i devotshëm, ai ishte i përkushtuar dhe ishte anëtar i LKSH-së dhe në rrugën për çlirimin e Kosovës. Xh. K. bashkë me kolegët e tij, si Palokë Berisha, Zeqir Hasangjekaj, Nexhat Ibrahimi, Xhemail Pllana, Marash Berisha, Bajram Abdixhiku, Zenun Gjocaj, Ahmet Qeriqi e shumë të tjerë, për aq vite sa kanë punuar, kanë bërë përpjekje maksimale për arsimimin e brezave të rinisë shqiptare të Kosovës, por janë angazhuar dhe kanë punuar që ta ngrisin edhe vetëdijen kombëtare shqiptare në atë interval kohor të historisë sonë kombëtare. Së këndejmi, ai për një kohë të gjatë do të mbetet në kujtesën e shumë gjeneratve që kanë dale nga dora e tij, si shtytës, motivues dhe inspirues i arsimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare.

Me Xhevatin na ndajnë shumë momente, sa të dhimbshme, po aq edhe shumë krenare…

Në ato kohë të rënda e të vështira për popullin tonë, ishim shumë më solidarë, shumë më të ndërgjegjshëm, ngase kishim një shkallë shumë më të lartë të kulturës, kishim shumë respekt ndaj njëri- tjetrit, qëndronim pranë njëri- tjetrit, i ndihmonim shumë njëri- tjetrit, e donim njëri- tjetrin, etj. Kështu që, së bashku i bëmë rezistencë të madhe Serbisë okupuese, e cila pat ripushtuar Kosovën për të katërtën herë me radhë, më 23 mars të vitit 1989.

Sidomos, kontribut të çmueshëm Xhevati ka dhënë gjatë viteteve të nëntëdhjeta, kur Serbia pat helmuar rreth 7200 nxënës të niveleve të ndryshme. Atëherë prof. Xhevati pat sjellë disa nxënës të helmuar te spitali, vetëm e vetëm që t’ua shpëtonte jetën nxënësve të helmuar që vinin nga qytete të ndryshme të Kosovës, e sidomos të helmuarit vinin nga Prishtina, Podujeva dhe Ferizaji. Helmimi i nxënësve nxori në ballë udhëheqës të shpëtimit, së pari mësimdhënsit e nxënësve në shkollën ku mësonin ata, por edhe shumë persona të ndryshëm, edhe mjekë, edhe  teknikë, mjeke, infermiere, stundentë e nxënës të denjë për angazhim vetmohues dhe të gatshëm për viktimizim personal për interesa të kombit. Kjo tregon qartë se ai edhe më herët ishte atdhetar i shquar dhe argat anonim i kombit, pasi që veproi për të mirën e çështjes kombëtare. Së këndejmi, vitet ‘90 ishin të rënda për të gjithë shqiptarët, prandaj nuk do të shlyhen kurrë nga kujtesa e asaj gjenerate shqiptarësh për torturat që ka  përjetuar nga regjimi pushtues serbo-sllav.

Së këndejmi, për njerëzit si ai është vështirë ta ndjejmë dhimbjen tone, ngase shëmbëlltyra e tij na bën krenarë dhe kësofare krenaria po e mbundka dhimbjen.

S’do mend se mungesën e tij e kemi të vështirë për ta përballuar, sepse largimi tij prej kësaj  jete është i vështirë, sidomos për familjen dhe miqtë e tij, të cilët janë  krenarë që e  patën, ngase ai ka  qenë dhe do të mbetet model i burrërisë, mësimdhënës i dalluar, atdhetar i flaktë, bëmirës dhe human. Prandaj, sjelljet e tij neve na bëjnë të qëndrueshëm që të jetojmë me kujtimin për të, sepse sjelljet e tij, vërtet e bëjnë të pavdekshëm ish -profesorin tonë të nderuar dhe shumë të respektuar, i cili do të mbetet në zemrat tona dhe në thellësitë e shpirtit tonë, deri sa të jetojmë.

Janë këta pak rreshta, në shenjë kujtimi prej meje, për familjarët, të cilët mbetën pa kryefamiljarin, dhe për ne që do ta kujtojmë mësimdhënësin, veprimtarin, humanistin tonë të nderuar, i cili deri para pak ditëshe ishte në mesin tonë.

Shpirti i bëftë dritë në amshim!”

3.

Prof. Xhevdet Kallaba, në fjalën e tij u ndal në portretizimin e figurës së prof. Xhevat Krasniqi si pedagog dhe edukues brezash.

Ai tha: “Profesor Xhevat Krasniqi ishte një figurë e jashtëzakonshme në fushën e pedagogjisë dhe edukatës. Profesori Krasniqi ishte një udhëheqës i pasionuar dhe predikues i dijes, i cili nuk ka mëdyshje në vlerat e arsimit dhe ndikimin e tij të thellë në formimin e brezave të rinj.

Profesori Krasniqi, me një vizion të guximshëm, ka ndikuar në krijimin e një mjedisi të frytshëm mësimor. Ai është përkushtuar në shpikjen e metodave të reja të mësimdhënies, duke inkurajuar zhvillimin e aftësive intelektuale dhe kritike të nxënësve. Kreativiteti dhe inovacioni i tij kanë bërë që të bëhet një udhërrëfyes i shquar për gjeneratat e ardhshme.

Profesori Xhevat Krasniqi ka vepruar si mentor dhe frymëdhënës i vërtetë, duke ndihmuar në formimin e vlerave humane dhe intelektuale të nxënësve të tij. Ai ka kultivuar një atmosferë të respektit dhe bashkëpunimit në klasë, duke nxitur dialogun dhe shkëmbimin e ideve.

Përtej detyrës së tij si pedagog, Profesori Krasniqi ka lënë gjurmë si një lider dhe pionier në fushën e edukatës. Kontributi i tij në hartimin e politikave arsimore dhe zhvillimin e programeve inovative ka bërë që ai të njihet si një shembull i ndritshëm për të gjithë komunitetin arsimor.

Nxënësve të tij, të cilët kanë dalë në tregun e punës shquheshin me një kualifikim të lartë dhe një pasion të përcaktuar për dijen.  Profesori Krasniqi mbetet një pikë referimi për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e arsimit dhe ndikimin e tij në formimin e një shoqërie të arsimuar dhe të zhvilluar.”

4.

Prof. Rexhep Abazi në fjalën e tij u ndal te figura e dëshmorit Metush Krasniqi, i cili siç u shpreh ai, nuk u shua me vdekjen e tij, ngase pas vetes la trashëgimtarë të denjë, të birin prof. Xhevat Krasniqi…. Në vijim, ai ndalet te periudha e punës së profesorëve shqiptarë, duke e përmendur edhe prof. Xhevat Krasniqi, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në përcjelljen e një vizioni për një arsim të pasur dhe cilësor.

Ky prof. i nderuar i përshëndeti të pranishmit në emrin e tij dhe të Luginës, prej nga e ka origjinën.

5.

Prof. Nevzat Krasniqi, bashkëkohanik dhe kushëri i prof. Xhevat Krasniqi evokoi kujtime nga jeta studentore, dhe më pastaj nga puna edukativo-mësimore. Ai tha fjalë admiruese për angazhimet e prof. Krasniqit gjatë studimeve dhe gjatë punës me ditar.

Ai vazhdoi me kujtimet e veta, duke e përshkruaar kohën e tij si student në mënyrë të ngrohtë dhe nostalgjike, duke sjellë për ne dëgjuesit emocionet dhe sfidat që ka përjetuar gjatë kësaj periudhe të jetës së tij. Ai evokoi kujtimet e bashkëkohësve të tij, duke përmendur ngjarje dhe momente që kanë lënë ndikim të thellë në jetën e tyre të përbashkët studentore. Profesori Nevzat Krasniqi shpalosi me pas entuziazmin dhe pasionin e Profesor Xhevat Krasniqit në përkushtimin e tij ndaj dijes dhe arsimit.

Profesori Nevzat Krasniqi e përshkroi Profesorin Xhevat Krasniqin si udhëheqës të përkushtuar, i cili, përmes ditarit dhe angazhimeve të tjera edukative, ka lënë një gjurmë të thellë në formimin e brezave të rinj. Fjalët admiruese dhe emocionuese të Profesor Nevzat Krasniqi shpalosën një portret frymëzues të Profesor Xhevat Krasniqi, duke e bërë atë një figurë të shquar dhe të nderuar në fushën e arsimit dhe edukatës.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.