26.1 C
Tirana
E martë, 8 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Kushtrim për Shqipërinë

Kushtrim për Shqipërinë

0
Rexhep Çullhaj

Nga Rexhep Çullhaj

Në mbretërinë e diktaturës me petkun e pseudo-demokracisë, ku hija e së shkuarës endet ende nëpër shtëpi e institucione, me komunistë e bij komunistësh në çdo qelizë të pushtetit, korruptimi u bë frymëmarrje, u bë plagë në çdo qelizë të shtetit. U vërtetua në çdo stinë, në çdo reshje që bie mbi tokë, se projektet rrugore shemben, dëmtohen e humbin pa kohë. Kush e tregon të vërtetën? Kush mban përgjegjësi? Kur djersa e popullit tretet në errësirë e pabesi. Specialistë partiakë, të pashkolluar e pa vizion, rekrutime koti, nepotizëm pa kufi në administratë e institucion.

Merita mbeti jashtë dere, aftësia u la në harresë, ndërsa vendi ecën ngadalë mes zhgënjimit e padrejtësisë së rëndesë. Ku vajtën djegësit? Ku mbetën premtimet e mëdha? Kur do të bëhen? Apo u tretën bashkë me paratë e vrara? Pyetje që kërkojnë përgjigje, pyetje që rëndojnë si gur, mbi shpinën e një populli që pret drejtësi e dritë në horizontin e turbullt. Opozitë e emëruar apo pushtet i lodhur nga vetja, as njëri, as tjetri nuk ngjall më besim te zemra e qytetarit. Janë provuar mjaftueshëm, koha flet më fort se fjala, dhe koha kërkon ndryshim, jo të njëjtën plagë që s’u shërua.

Le ta marrë rinia stafetën e këtij vendi të bekuar, larg vjetërsirave, larg kalbësirave që e mbajtën peng të ardhmen. Ata s’kanë më ç’të tregojnë, s’kanë më ç’të japin, veç hijes së premtimeve që vit pas viti po treten. Prona u cenua rëndë, besimi u godit në themel, e vështirë të ngrihet sërish ajo që u rrëzua pa mëshirë. Por ende jeton shpresa në zemrën e këtij populli, ende rreh fort dashuria për këtë tokë. Rroftë ky vend, me plagët dhe ëndrrat e tij, rroftë jeta që na thërret të mos dorëzohemi kurrë! Dhe le të vijë dita kur Shqipëria të ngrihet krenare, mbi drejtësi, mbi meritë, mbi liri e dinjitet.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.