Unë, si student i juridikut, ndjej keqardhje që sot, në këtë shekull, duhet të dal dhe të protestoj për ta mbrojtur gjuhën shqipe. Pse ndodh ky diskriminim ndaj shqiptarëve në Maqedoni?
Ky problem nuk ka lindur dje apo para dy vitesh; kjo është një çështje e kahershme dhe e pazgjidhur. Nëse neve sot, si studentë, na mohohet e drejta të flasim shqip dhe të mësojmë në gjuhën shqipe, atëherë çfarë ka mbetur për ne si shqiptarë në këtë shtet? Sidomos kur autoritetet maqedonase ndalojnë studentë nga Shqipëria dhe Kosova që t’u bashkohen protestave të vëllezërve të tyre në Maqedoni.
Ne nuk kemi dalë për të luftuar, për të marrë armë apo për të krijuar skandale. Jo. Ne kemi dalë me dinjitet demokratik, duke ushtruar të drejtën tonë për të protestuar dhe për të kërkuar respektimin e të drejtave tona.
Politikanët maqedonas duhet ta kuptojnë se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Andaj, është e domosdoshme që të respektohen të drejtat e shqiptarëve. Ne duam që çdo çështje të zgjidhet me dinjitet, me dialog dhe me laps në tavolinë, jo me dhunë.
Një thirrje për politikanët shqiptarë në Maqedoni: nëse ministri maqedonas nuk lejon që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, atëherë ju mund të rishqyrtoni partneritetin në koalicion dhe të dilni nga qeveria. Pa shqiptarët, nuk funksionon as shteti dhe as qeveria.
Lavdrim Imeti
Student në Fakultetin Juridik të Tetovës (UT)











